BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Intervistë mbi adoptimin e një Kushtetute të re

Dr.Ledian Droboniku – aktivist shqipON

13262130_1703038779976656_1287933419_o (1)

 

Përse keni shkruar krejtësisht një Kushtetutë të re?

Shoqëritë e civilizuara dhe shtetet moderne ngrihen mbi kushtetuta demokratike dhe funksionale. Kushtetuta e sotme nuk i ka këto veti. Kushteuta e sotme, nuk është ajo që shqiptarët votuan me referendum në 1998. Ajo është e kompromentuar në ADN pej klasës politike dhe arnimet që po i bëhen përditë e tregojnë këtë gjë, ajo nuk është më në shërbim të demokracisë por të një grupi njerëzish që kanë bllokuar politikën, ekonominë, median, akademinë e më tej. Shqipëria ka nevojë për normalizim dhe kjo vjen vetëm mbi themele të reja, mbi një kontratë të re sociale, ku populli nuk delegon qorrazi pushtetin por e ushtron vetë në atë formë që sot po fiton terren e quhet “demokraci pjesëmarrëse”

 

A nuk ju duket se është herët të flitet në Shqipëri për demokraci pjesëmarrëse?

Falë Zotit, Shqipëria është shumë pranë Europës dhe kjo erë po fryn sot kudo në Europë dhe ngadalë po vjen edhe në Shqipëri. Ne po shkurtojmë këtë këtë kohë dhe po punojmë së bashkë me miqtë tanë evropianë si movimento 5 stelle. Pra, kudo po fryn një erë kundër sistemeve aktuale, kundër strukturave hierarkike, masonike që kërkon që qytetari i epokës së informacionit të vendosë më shumë për komunitetin e tij. Kjo do realizohet gjithmonë e më shumë falë magjisë së internetit që nuk ka nevojë për filtra e struktura por vetëm informacion, në atë që njihet si inteligjencë kolektive. Nuk është rastësi që të gjitha regjimet janë kundër internetit sepse ndryshe nga mediat tradicionale nuk kontrollohet dot plotësisht. Problemi është se shumë qytetarë nëpër Shqipëri janë të shkëputur nga rrjeti dhe prandaj psh kemi kërkuar internet falas për të gjithë qytetarët si një e drejtë themelore e epokës së informimit.

 

Pse nuk iu bashkuat grupit të reformës për drejtësi ku parashikohen dhe ndryshime kushtetuese?

Si e thashë edhe më sipër. Nuk jemi për arnime aq më pak kur vijnë prej atyre që kanë asfisksuar kushtetutën dhe miqtë e tyre masonikë që sponsorizojnë këto ndryshime. Nga përmbajtja, këto arnime janë elitiste, antidemokratike e nuk duan të hapin kushtetutën për vendimmarrje qytetare dhe komplikojnë kushtetutën thjesht për të çpasionuar dhe larguar qytetarët nga çështjet publike. Çdo reformë që kryhet nga brenda kastës për njerëzit e kastës thjesht sa zgjat agoninë dhe shton pakënaqësinë e shqiptarëve. Ne duam që kjo pakënaqësi mos të manipulohet drejt formulave autoritariste apo fetare por të kanalizohet në një projekt demokratik dhe afatgjatë për vendin, si është projekti SOS.

 

Flisni për pasion ndaj politikës, nuk iu duket sikur shqiptarët kanë më shumë pasion sesa duhet ndaj politikës?

Gjysëm të vërtetat janë gjithmonë më keq së mashtrimet sepse janë efikase në turbullimin e mendjes. Shqiptarët nuk merren me politikë, ata janë të dënuar vetëm të “llomotisin” për politikanët dhe kjo sigurisht nuk e shqetëson kastën deri sa “butonin” e mbajnë partitë. Të merresh me politikë do të thotë që qytetarët të vendosin vetë me referendume, nisma ligjore, peticione, recall, për çështje konkrete dhe jo t’ia delegojnë partive politike si një popull minoren – do thoshte Kant. Kushtetuta e re rikthen jo vetëm pushtetin në duart e qytetarëve, por u rikthen fjalëve kuptimin e tyre të vërtetë, vjedhur e deformuar nga një kastë hajdute, militante e injorante.

 

Shoh se Kushtetuta nis kundër partive, doni të shfuqizoni partitë politike?

Kushtetuta nis me demokracinë pjesëmarrëse dhe është kundër konceptit aktual të partive. Normalisht, nëse pranon që qytetarët të vendosin më shumë dhe direkt, automatikisht kjo do të thotë që duhet të rudhësh pushtetin e partive si struktura të dala kohe, obsolete dhe dekadente. Mendojmë se ky është dhe roli natyror i partive, të funksionojnë si çdo organizatë, si një instrument në duart e qytetarëve për përpunim dhe organizim idesh  dhe jo ti mbivendosen shtetit dhe ekonomisë. Në fakt kjo ishte dhe dinakëria e nomenklaturës pas rënies së komunizmit. Ndërsa pranoi në letër sovranitetin e popullit, pluralizmin dhe të drejtat e njeriut, në të vërtëtë pushteti mbeti përsëri një grushti njerëzish që me anë të partive-shtet boshatisën nga brenda kushtetutën ekonominë dhe ligjet.

 

Në kushtetutë ju keni sanksionuar vetëm dy mandate, nuk penalizon kjo njerëzit e aftë dhe të ndershëm?

Të merresh me politikë nuk është njësoj të merresh me biznese private. Duhet të vendosësh për interesin e përgjithshëm dhe qëndrimi për një kohë të gjatë në sallonet e politikës, pranë lumenjve financiarë dhe lobistëve të ndryshëm, të prish busullën drejt interesave të veçantë. Nga ana tjetër pjesëmarrja politike duhet të jetë në radhë të parë shërbim dhe pastaj një e drejtë që i garantohet sa më shumë qytetarëve që zgjidhen prej popullit dhe jo të emërohen prej partisë. Dy mandate mjaftojnë për të sjellë idetë e tua, por kontributin për komunitetin mund ta japësh edhe në vende të tjera pa zënë rrënjë në polititikë. Ne duhet tu sigurojmë brezave të rinj një rrugë të lehtë e pa pengesa për të reformuar vazhdimisht shoqërinë drejt sfidave të reja.

 

Pra ju jeni kundër politikanëve të vjetër edhe pse me ide të reja?

Kjo ëhtë një sëmundje vetëm shqiptare, dhe tregon që nuk jemi një vend normal. Pushtetarë që kanë përfituar  ekonomikisht, mediatikisht e privilegje të tjera, kërkojnë falje dhe dalin me petkun e shpëtimtarit. Nuk është rastësi që sistemi promovon vetëm njerëzit “oponentë” por që vijnë vetëm nga brenda sistemit. Shqipëria është një shtet i kapur, dhe rrjeti i shantazheve reciproke mban në këmbë sistemin pa lejuar të futen njerëz të rinj, të pastër, të pashantazhueshëm e prandaj të rrezikshëm. Rrrezik për sistemin dhe shpëtim për vendin jaën pikërisht njerëzit që vijnë jashtë këtij rrjeti shantazhimesh me instrumenta që kontrollin ta mbajnë vetë qytetetarët. Përndryshe edhe të rinjtë plaken dhe degradohen shumë shpejt. Kushtetuta e re i siguron të dyja: ardhjen e ideve, njerëzve të rinj por dhe mekanizmin e kontrollit për higjenizimin e shtetit.

 

Duke mbetur tek mandati, ju keni kërkuar që populli të zgjedhë jo vetëm deputetët por dhe Presidentin, prokurorin e shumë funksionarë të lartë, madje dhe ti shkarkojë ata?

Po e nis nga kjo e fundit. Koha kur pushtetarët premtojnë, marrin mandatin dhe bëjnë të kundërtën e asaj çfarë kanë premtuar ndërsa qytetarët presin 4 vjet, duhet të përfundojë. Mandati i bardhë është një ftesë për të mashtruar dhe vjedhur. Mendojmë se është më pranë konceptit të kontratës sociale, një mandat që jepet dhe merret nëse përfaqësuesi humbet besimin e përfaqësuesit. Mandati si është sot u mendua në një kohë ku partitë nuk ekzistonin dhe duhej për të siguruar lirinë e të zgjedhurit, liri sot që i dorëzohet partisë apo lobistëve të tjerë.

 

Ju jeni ta majtë apo të djathtë?

Fatkeqësisht, partitë dhe ideologjitë shërbejnë që njerëzit mos të mendojnë me mendjen e vet, por të mbeten ripetitorë të asaj çka gatuhet sipër. Ne priveligjojmë idetë, të cilat nuk janë të majta apo te djatha por thjesht të nevojshme për komunitetin. Fatkeqësisht, sot e majta dhe e djathta thonë dhe bëjnë të njëjta gjëra me mënyra të ndryshme. Ideologjia sot dominante totalitariste, ashtu si dje ishte komunizmi është sot është kapitalizmi ultrafinanciar, i cili po shkatërron çdo ind social, identitet apo raport njerëzor. Ne jemi për një kapitalizëm inteligjent, social dhe ekonomi të lirë kombëtare, që do të thotë në shërbim të gjithë komunitetit dhe jo gjithmonë e më pak njerëzve. Jemi të ndërgjegjshëm që aktorët e fuqishëm globalë janë kundër këtij vizioni dhe imponojnë shteteve receta kundër qytetarëve në emër të një tregu anonim global. Prandaj dhe demokracia është ilaçi më i mirë, kundër pushtuesve të rinj, sepse “butonin” e mban vetë populli dhe jo një elite, thjeshtësisht e manipulueshme. Kemi propozuar “një të ardhur universale” për çdo shqiptar, pavarsisht nëse punon apo jo, në një epokë ku makinat po zëvendësojnë punën e njerëzve. Pa të ardhura të sigurta çdo e drejtë mbetet thjesht potenciale ose virtuale si sistemi ka qejf të krijojë iluzione njerëzve.

 

Po si do rimëkëmbni ekonominë?

Nuk do e rimëkëmbim ne. Planifikimi i ekonomisë i erës komuniste i ka ikur koha. Ekonomia duhet të jetë vërtetë e lirë, pa monopole dhe me një ambient të favorshëm ku operatorët krijojnë pasuri dhe vihen në kontakt natyralisht me njëri-tjetrin. Shqiptarët janë popull vitalë dhe jashtë Shqipërisë realizohen në të gjitha fushat. Kemi gjysmën e kombit  jashtë, dhe një bagazh kultuor, ekonomik, e financiar që do të realizonte zhvillimin e ekonomisë nëse do krijonim kushtet për kthim. Jo më kot kemi parashikuar përfaqësimin direkt të diasporës shqiptare në senat e më gjerë. Sot paradoksalisht nuk mund të bësh dot një kritikë liberiste apo etatiste, thjesht sepse kemi patur shumë pushtet dhe pak shtet. Domethënë, pushtetarët kanë prishur tregun e lirë dhe njëkohësisht kanë rrënuar interesin publik të cilin shteti duhet ta ruajë. Interesi publik dhe kombëtar duhet ringritur nga rrënojat. Është antikombëtare dorëzimi i të gjithë sektorëvë strategjikë, që nga bankat, portet, aeroportet, nafta, minierat, telekomunikacioni etj në duar e të huajve. Liri ekonomike nuk do të thotë çmontim i ekonomisë kombëtare, prandaj duhet riorientuar e gjithë ekonomia drejt një zhvillimi të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Instrumentat janë ato që të gjitha vendet i kanë përdorur kur krijuan shtete moderne.

 

Dukeni shumë optimistë por si do e adoptoni këtë kushtetutë?

Misioni shqipON nuk shërben për të ndryshuar njerëzit në pushtet, por për të sjellë një ligjëratë të re mbi të cilën të mbillet demokracia shqiptare jo e importuar. Në dy vite duket se kemi sjellë një ligjëratë të re për vendin, aq sa retorika e partivve me sharje e baltosje duket si relike e vjetër. Në fakt ata janë një relike e vjetër që pritet të zëvendësohet me një shtëpi të re mbi themele të reja, dhe këtë shtëpi të re nuk e ndërtojn partitë por qytetarët dhe intelektualët progresistë.

 

A keni gjetur mbështetje tek qytetarët deri tani?

Demokracia ka një tërheqje natyrore, sepse emancipon njerëzit dhe popujt – thotë Habermas – kështu që nga takimet me qytetarët, (në terren se media na ka mbyllur dyert) këto ide janë mirëpritur se janë të thjeshta e funksionale. Qytetarët janë lodhur nga lojrat e partive dhe përçarjet pa fund mbi të cilat ngrihet sundimi i kastës.

 

Po mbështetje të intelektualëve?

Lëvizja lindi si një lëvizje intelektuale, ku shumë prej nesh kanë mbaruar në Perëndim dhe u shtri tek studentët dhe qytetarët. Në fakt në vend kanë mbetur pak intelektualë dhe shumë pak patriotë. Shumica e tyre janë kanë një vizion elitist, antidemokratik sepse fajësojnë popullin dhe jo kastën për tragjeditë shqiptare. Intelektualët e vërtetë në kuptimin iluminist, janë lënë jashtë sistemit, sepse nuk pranojnë të akomodohen pranë këtij sistemi banal dhe kleptokratik.

Ajo që na bën optimistë nuk është vetëm historia dhe pasuritë natyrore të Shqipërisë, por dhe fakti se sot ka dhjetëra mijëra kuadro me formim evropian, pa lidhje me këtë sistem mediokër,  që do të ishin zili për çdo komb dhe të mjaftueshëm për të ndërtuar 10 Shqipëri. Koha punon për shqiptarët dhe shpejt do e kalojmë edhe këtë sfidë si i kemi kaluar nëpër shekuj.

 

intervistoi, Gerjola Caushi, gazetare prane gazetes telegraf

Dr. Ledian Droboniku – bashkëthemelues i lëvizjes shqipON

Demokraci Pjesemarrese

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked