BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Çfarë ndikimi ka pavarsia e Katalonjës për aspiratat shqiptare?

Dr. Ledian Droboniku

Një analizë përtej fasadës mediatike, që kërkon zgjimin e popullit sovran nga gjumi i popullit televiziv.
Ky kontribut nuk gjykon të drejtën legjitime të popullit katalonas për vetëvendosje por faktorët ndikues.

Ajo çfarë po ndodh me Katalonjën, ne shqiptarët na prek në mënyrë të dyfishtë. Si një komb ende i papërmbushur dhe si qytetarë që vuajmë efektet e kolonizimit ekonomik.

Po mundohem (aq sa të mundem) të thjeshtoj një analizë me shumë faktorë dhe aktorë.
Gjë e parë është rezistenca ndaj tentacionit për ti shpjeguar fenomenet sipas skemave imponuar nga sistemi.

Pavarsia e Katalonjës nuk ndodh nëse nuk përkon me interesat gjeopolitike dhe gjeoekonomike.

Modeli aktual i Perëndimit bazohet mbi triumfin e kapitalit global mbi shtetet sovrane. Pas viteve “80, kalohet nga një kapitalizëm solidar ndërshtetëror në një kapitalizëm global ultrafinanciar. Realizimi i plotë i kapitalizmit kërkon çlirimin e kapitalit ndaj çdo lloj kontrolli. Kjo do të thotë çmontim i shteteve sovrane, ku secili ka monedhën e vetë kombëtare, Bankë Qendrore e politikë monetare të pavarur.

Nga ana tjetër vetëm brenda shtetit kombëtar mund të flitet për demokraci (sepse nuk ka një popull global apo evropian), për shtet social, pensione e shëndetësi publike si dhe rregullim të konfliktit punë/kapital.

Shteti sovran lindi nga një luftë e dyfishtë. Nga brenda kundër ndarjes dhe copëzimit në prinicipata dhe nga jashtë kundër Perandorisë së Shenjtë.

Sovranitet do të thotë që shteti është mbi çdo entitet të brendshëm e të jashtëm. Kur sovraniteti kaloi nga monarku tek populli (sovranitet popullor), ky i fundit fitoi të drejta politike dhe ekonomike. Pra të drejtat e popullit realizohen e garantohen vetëm brenda shtetit. Lufta për dekada ishte për të vënë shtetin nën kontrollin demokratik të popullit. Kjo u realizua me adoptimin e kushtetutave pas luftës së dytë botërore. Por popujt duhet të mbeten vigjilentë ndaj rreziqeve të vjetra e të reja.

Tani të vijmë tek devijimi i kursit të BE-së. Ndryshe nga ajo çfarë mendon populli emigrator shqiptar, të drejtat që ata gëzojnë në vendet perëndimore, nuk i akordon BE-ja por shtetet kombëtare ende sociale. BE nuk flet për rroga, pensione, shëndetësi publike apo shërbime sociale. BE është strukturë tekniko-financiare e flet për “konkurrencë” e liri të plotë të kapitalit ndaj çdo kontrolli demokratik.

Kjo ka qenë dhe ëndrra e elitave kapitaliste prej kohësh. Ky ka qenë vizioni i Kalergie, Hayek e ideatorëve të neoliberizmit. Jo një Europë e popujve (si propozonte Kant) por përzierje rracash nën dominimin total të elitave financiare. Krijimi i Shteteve të Bashkuara të Europës, është projekt imperialist si me të drejtë parashikonte Rosa Luxembourg para një shekulli. Kjo sjell robërimin e popujve brenda dhe jashtë Europës. Një kolonizim të ri.

Por avancimi i projektit neoliberist (step by step) dekadën e fundit, hasi në rezistencën e popullit francez dhe hollandez që rrëzuan kushtetutën evropiane, popullit britanik me Brexit, popullit italian në mbrojtjen e kushtetutës social-demokratike etj, lindja e AfD në Gjermani etj. Metoda Juncker (vazhdojmë të çmontojmë shtetet deri sa nuk do hasim rezistencë popullore) nuk ka më sukses.

Por aristokracia financiare nuk heq dorë por ndryshon strategji.

Përballë pakënaqësisë popullore prej dështimit të neoliberizmit, varfërisë në rritje e padrejtësive sociale, kasta devijon problemin drejt vokacionit separatist duke imploduar shtetet sovrane nga brenda. Kështu popujt besojnë se e keqja vjen nga shteti qendror dhe zgjidhja panacea është pavarsia. Pak kuptojnë se pakënaqësia e katalonasve u rrit pas krizës financiare të 2008 që i ngarkoi barrën e “shërimit” të bankave vetë popullit. Kjo prodhoi papunësi e taksa të larta kudo por sidomos në Katalonja.

Kështu presionit nga sipër drejt një Europe federale, (idea se duhet një Europë e madhe për t’iu kundërvënë Kinës, është projekt fashist sa antihistorik aq dhe antiekonomik e antidemokratik) elitat financiare organizojnë tani dhe sulmin nga poshtë në dëm të shtetit kombëtar.
Rajonalizimi është komplementar dhe funksional ndaj federalizmit nga sipër. Prandaj ekziston ky “merak” i BE-së, për zhvillimin e rajoneve ndërkufitare e jo zhvillimit të tyre brenda shteteve sovrane kombëtare.

Ekziston një tjetër aspekt i fshehur i istancave separatiste në Europë, mbi të cilën është shprehur Karel Vereycken (ish zëdhënës elektoral i Jacques Cheminade) në një intervistë 8 tetor.

Për ushtrinë euriste duhet të ndiqet tradita e mësimeve të Leopold Kohr dhe mikut të tij Churchill ku diktohet se: <<Shtetet e mëdha kombëtare duhet të thërrmohen në rajone me nga 5-8 milionë banorë, në mënyrë që popullsia të pranojë më lehtë një super-shtet mbikombëtar si ShBE-ja. Kjo vlen jo vetëm për Katalonjën por dhe rajone të tjera si Lombardia, Fiandret apo Skocia etj.>>

Mendimi i Leopold Kohr ka influencuar edhe federalistët e betuar të BE-së. Libri i tij i famshëm “Rënia e Kombeve” ( https://www.amazon.com/Breakdown-Nations-Leopold-Kohr/dp/0710208898 ) nxjerr si të keqen madhore të popujve “madhësinë” e shteteve e jo strukturën e tyre. Ky devijim nuk bëhet pa qëllim. Ai zëvendëson betejat e popujve për të drejta ekonomike përballë elitave financiare që nuk duan kufij, shtet e atdhe. Ndërsimi i popujve ndaj njëri-tjetrit është gjithmonë efikas për forcimin e elitave financiare.

Kohr ka influencuar dhe Schumacher në librin e tij “small is beautiful” apo eurotopinë e miliardierit hollandez Heinenken ( https://en.m.wikipedia.org/wiki/The_United_States_of_Europe,_A_Eurotopia%3F ). Të gjitha këto teza (nuk po shtoj të tjera) synojnë thërrmimin e popujve dhe përzierjen e tyre brenda një Perandorie Financiare: Shtetet e Bashkuara të Europës.

Çfarë do të thotë kjo për një popull të vogël por autokton e me kulturë mijëra vjeçare, si shqiptarët?

Ndryshe nga propaganda e kudondodhur, shqiptarët duhet të kuptojnë se brenda një Perandorie nuk ka shpëtim por kolonizim. Perandoritë zhvillojnë qendrën e tyre në dëm të popujve periferikë. Kjo nuk do të thotë vetëm prapambetje ekonomike (lamtumirë industrializimit të vendit) por shpopullim, asimilim kulturor e rrezikim të kombit si nën zgjedhën otomane. (Artikulli 1 http://levizjashqipon.org/analize/normalizmi-i-shqiperise-jashte-perandorise-dr-ledian-droboniku/ ) (Artikulli 2 http://levizjashqipon.org/analize/e-ardhmja-e-shqiperise-pas-fabules-evropiane-dr-ledian-droboniku/ )

BE e sotme nuk është e orientuar drejt zhvillimit dhe industrializimit të vendeve të prapambetura, si ndodhi me planin Marshall. Jo! Kjo lloj BE-je ka thelluar honin mes vendeve veriore e atyre jugore. Projektet e BE-së janë kozmetike. Ato nuk u shkojnë ekonomive të shteteve por ojf-ve duke anestizuar mijëra intelektualë me projekte pa rëndësi. Ky neutralizim i klasës intelektuale pas këtyre projekteve ndihet sidomos në Shqipëri, ku askush nuk është më i interesuar për konfigurimin e interesit kombëtar shqiptar.

Në pamje të parë duket sikur ndarja e Katalonjës i shkon për shtat aspiratave kombëtare shqiptare. Por kështu nuk është. Ndarje nuk do të thotë edhe bashkim. Jo më kot ligjërata main stream nuk flet kurrë për bashkim apo forcim të shteteve sovrane. Prandaj sllogani ngulur në mendjet e shqiptarëve është se: “bashkimi me Kosovën do ndodhë brenda BE-së”.
Kjo miopi e klasës tonë politike me dashje apo pa dashje kontribuon në çbërjen e kombit shqiptar, territorrit, ekonomisë dhe kulturës së tij.
Integrimi në BE (si çdo formë tjetër bashkëpunimi) bëhet vetëm nëse jemi subjekte de iure dhe de facto. Vetëm duke ruajtur sovranitetin dhe interesin tonë kombëtar mund të bashkëpunojmë si të barabartë në krijimin e një hapësire të lirë që prodhon paqe e zhvillim ekonomik.

 

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked