BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

E ardhmja e Shqipërisë pas fabulës evropiane – Dr. Ledian Droboniku

 

Rënia e entuziazmit për Bashkimin Evropian, nuk ndihet vetëm në vendet antare, por tashmë dhe në Shqipëri. BE-ja nuk frymëzon më shqiptarët edhe pse ajo vazhdon të jetë fabula e preferuar e medias dhe politikanëve të tranzicionit.

Por çfarë po ndodh me Europën?

 

Projekti i Bashkimit Evropian është në ditët e tij të fundit dhe të gjithë faktorët po mendojnë tashmë  për post-Europa. Kjo sigurisht nuk po ndodh vetëm në vendet e Europës Jugore, ku pakënaqësia sociale është më e hapur por dhe në atë veriore. Nëse të gjithë aktorët bëjnë llogaritë e daljes nga ky projekt i përbashkët, atëherë kjo shërben si një profeci që vetërealizohet. Dikur BE-ja ishte një projekt që siguronte mirëqënie e stabilitet, sot akuzohet pikërisht për të kundërtën. Prandaj forcat cetrifugale do të shtojnë gjithmonë e më shumë epërsinë mbi ato centripete.

BE-ja ishtë veçse  një, prej shumë projekteve për bashkimin e popujve evropianë, por u trasformua në ideologji, dogmë që asfiksoi trashëgiminë iluministe evropiane ngritur mbi arsyen. Bashkimi Evropian u pagëzua si  “ëndrra evropiane” dhe si e tillë, pra si një istancë metafizike, nuk pranonte kritika por vetëm adhurim dhe sakrifica. Kështu, idea e një Evrope Kantiane, bazuar mbi bashkëpunimin e popujve të lirë u zëvendësua nga një projekt elitist Hayekian, që vuri financën mbi demokracinë dhe konkurrencën mbi solidaritetin. Deri tani teknokratët evropianë (të cilët nuk zgjidhen demokratikisht nga qytetarët, por zgjedhin njëri-tjetrin, si në Nomeklaturë) kanë vazhduar me kokëfortësi vijimin e projektit të tyre neoliberal, që me anë të krizave, të detyrojnë popujt dhe shtetet të dorëzojnë sovranitetin e bashkë me të instrumentat për sigurimin e të drejtave sociale-ekonomike të qytetarëve. Çuditërisht për këtë projekt neoliberal e ultrafinanciar, kanë punuar më shumë qeveritë e majta sesa ato të djathta. Të gjendur brenda këtij kurthi ku rotacioni nuk funksionon më,  popujt evropianë po kërkojnë zgjidhje përtej të majtës dhe së djathtës që bëjnë të njëjta gjëra me mënyra të ndryshme.

Ndaj këtij tsunami popullor, propaganda e Brukselit dhe mediave main stream që anatemojnë dhe frikësojnë për populizma duket sikur nuk po pijnë më ujë, pas dekadash totalitarizëm të mendimit njëdrejtimësh.

E gjithë kjo po ndodh në zemër të Europës! Po në periferi të saj? Po në Shqipërinë tonë?

Nëse në Europë ka një dominim të industrisë mediatike prej lobeve finanicare brukseliane, në Shqipëri, media (ashtu si dhe sektorët e tjerë) është totalisht e kapur nga interesat e një oligarkie që u krijua pikërisht mbi fabulën evropiane. Falë kësaj fabule, oligarkia shqiptare zëvendësoi legjitimitetin popullor shqiptar me etero-legjitimitetin e Brukselit. Shqiptarët duhet të prisnin “qëndrimin” e BE-së për të kuptuar nëse kishte të drejtë kjo apo ajo parti, ky apo ai politikan. Në këtë relativizëm progresi të ngadalshëm, istanca e përgjegjësisë së politikanëve shuhej në retorikën evropiane në vend që të togëzohej me vullnetin e popullit sovran. Reformat bëheshin jo sepse i duheshin vendit por sepse i kërkonte Europa dhe shqiptarët ecnin në një tunel që nuk kishte fund. Ndërsa qëndrimi i emisarëve evropianë ishte “inkurajues” duke na këshilluar/qortuar për çdo fenomen, që nga “progresi” i votimit deri tek lufta ndaj korrupsionit me konferenca, projekte e OJQ.

Shqipëtarët pas rënies së regjimit totalitar kërkuan demokratizimin e shtetit, por kasta likujdoi krejtësisht shtetin duke e njehsuar me pushtetin, si në feudalizëm. Pra tashmë nuk do kishim më një shtet, si një entitet racional që konfiguron interesin publik, që arrin të prodhojë brenda tij të vërtetën e sigurojë bashkëjetesën, larg raporteve të forcës. Falë kësaj ideologjie të “çintegrimit” evropian nga sipër dhe forcave feudale nga poshtë, shteti shqiptar kaloi në krizë, e bashkë me të edhe bashkëjetesa e shqiptarëve brenda një projekti të përbashkët. Këto dy dekada, jo vetëm që Shqipëria e humbi garën me fqinjët e saj  (me një ekonomi sa 1/10 e Serbisë apo 1/30 e Greqisë, me arsim afrikan, me rrënim të trashëgimisë kulturore, me boshatisje të territorit dhe hemorragji kombëtare) por po shënon dhe një shthurje të kohezionit social.

Ashtu si dhe një individ që e gjen hovin jetësor në identitetin e tij ashtu dhe një shoqëri e gjen hovin e saj tek identifikimi i disa vlerave të përbashkëta. Pikërisht këtë godet kasta e tranzicionit, duke relativizuar, përqeshur, vjedhur, tallur e shtrembëruar simbolet dhe heronjtë kombëtarë. Duhet që shqiptarët mos të kenë asnjë pikë referimi, duhet që bashkë me varfërinë materiale të ketë dhe një shkretëtirë shpirtërore. Si pasojë e këtij nihilizmi të lartorganizuar, vendin e ka pushtuar trishtimi kolektiv, humbja e shpresës dhe mosbesimi i thellë mes veti.

Por, a mund dhe si të dalim nga kjo “natë e zezë” ku ka rënë kombi?

Sigurisht, që po!

Nëse shqiptarët jetojnë ende këto territore, ndryshe prej popujve të tjerë që u shuan, do të thotë se thellë thellë, kemi vlera dhe vitalitet.

Pak besonin se pas natës shekullore osmane, shqiptarët mund të ringriheshin dhe gjenin një vend mes popujve të Europës ku historikisht dhe shpirtërisht jemi të lidhur. Por falë veprës titanike të rilindasve, shqiptarizmi u ngrit dhe më në fund themeluam një shtet kombëtar. Eksperienca problematike zogiste apo enveriste, e kritikueshme në shumë aspekte, tregoi të paktën se Shqipëria mund të ndërtonte një farë shteti, duke fituar bastin se eksperimenti i shtetit shqiptar mund të funksiononte. Pikërisht, sot kjo kastë na ka kthyer një shekull pas, duke rrezikuar seriozisht shtetin shqiptar ngritur mbi kohezionin kombëtar.

Pushtetarët e tranzicionit dhe klerikët e sistemit, lidhur pas privilegjeve të perandorive financiare, njësoj si bejlerët e dikurshëm pranë perandorisë osmane, janë sot, kundërshtarët e vërtetë të ringritjes së kombit.

Prandaj, betejat e sotme i ngjajnë kaq shumë betejave të rilindasve shqiptarë dhe mund të fitohen vetëm duke u bazuar tek trashëgimia e çmuar dhe vlerave që ata krijuan. Janë pikërisht këto vlera, gjuha, historia dhe kultura autentike shqiptare që duhet të rishpirtërojnë ngritjen e Shqipërisë. Ky projekt duhet të orientohet drejt hapjes jashtë dhe jo më autoreferncial dhe në pozita difensive. Shqipëria duhet të rimarrë rolin që i takon me të drejtë në këtë pjesë të rajonit dhe në kontinentin evropian.

Shqipëtarët janë populli më i vjetër i rajonit dhe na takon neve të marrim lidershipin e Iliridës, keqmas emëruar në Ballkan. Këtë rol nuk mund ta luajnë më sllavët që i vunë flakën gadishullit dhe gjithmonë me një sy drejtuar nga stepat. Greqia mund të luante këtë rol, duke qenë brenda Bashkimit Evropian, por zgjodhi me miopinë e saj jo të ishte jo promovuese e vlerave evropiane por politikave konfliktuale e ultranacionaliste me fqinjët e saj. Ky rajon mund të rigjejë paqen e të jetë kontribues i miqësisë mes Perëndimit dhe Lindjes, vetëm me fuqizimin e shqiptarëve si populli më tolerant e përçues origjinal i vlerave humaniste.

Vetëm një projekt i tillë që ngrihet mbi përgjegjësinë që na ngarkon historia për ti rikthyer shkëlqimin rajonit, mund të frymëzojë përsëri shqiptarët për të rigjetur hovin jetësor dhe ndërtimin e shtetit të tyre modern.

Por, ndërtimi i shtetit shqiptar nuk mund të replikojë format autarkike apo të orientohet drejt nacionalizmave shoviniste. Një model i pranueshëm edhe nga të tjerët, do ishte ai ngritur mbi tolerancën tonë origjinale dhe demokracinë autentike, ku bashkëjetesa krijohet në çdo nivel të shoqërisë dhe jo imponuar nga sipër. Historia tregon se ky rajon ka prodhuar lidera fanatikë e prandaj ky model ngritur mbi pushtetin nga sipër duhet të përfundojë. Fantazmat e nacionalizmit dhe thirrjet për konflikte do shuhen, vetëm nëse popujt tanë do vetëvendosin dhe jo të “drejtohen” nga sipër, prej partive apo liderrave maniakë e delirantë.

Shqipëria i ka të gjitha mundësitë, pra për të qenë Zvicra e Ballkanit, një model që siguron paqen, demokracinë dhe mirëqënie të përgjithshme.

Ky duhet të jetë ylli polar i të gjithë atyre që dëshirojnë të punojnë për të ardhmen e Shqipërisë para se armiqtë e saj të shpikin një tjetër dogmë, pas asaj të ndërtimit të marksizëm-leninizmit apo (ç)integrimit evropian.


Shkruar nga Dr. Ledian Droboniku

aktivist shqipON

 

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked