BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

E vërteta e sulmit ndaj biznesit të vogël

Qeveria kukëll e radhës, Psikorama2 njësoj si 3 vite më parë fillon sulmin ndaj biznesit të vogël.


Ekonomia shqiptare nuk po rritet dhe fajin e paska prapë biznesi i vogël. Lufta ndaj informalitetit dhe evazionit, është justifikimi që kasta dhe qarku mediatik po pompon mbi popullin televiziv. Njerëzit e thjeshtë janë të prirur të flasin për gjërat që shohin në pamundësi për të kuptuar makroekonominë.
Por a është e vërtetë që ekonomia është bllokuar poshtë, nga të mjerët që mbijetojnë me biznese të vogla apo lart nga monopolet ekonomike?

Çuditërisht nga debati publik jo vetëm i qeverisë por dhe i opozitës është zhdukur fjala “monopole ekonomike” dikur frekuente në fushatat elektorale.
Por çfarë ndodhi?
U zhdukën monopolet, apo tashmë monopolizuan dhe politikën, median dhe debatin publik?
Një kapitalizëm pa kontroll demokratik, krijon gjithmonë përqendrim të pasurisë, monopole e truste në financë, ekonomi, media e kudo.

Në Shqipëri, situata është edhe më dramatike sepse që në gjenezë (terapia shock e Pashkos) ekonomia u strukturua në formën e monopoleve kurse politika në oligarki, kontrolluar nga një grusht njerëzish. Si pasojë vendi u deindustralizua dhe u transformua në koloni importi pa asnjë kapacitet prodhimi.
Ky model piramidal ushqehej nga 4 burime financiare:
1. Remitancat e gjysmës së popullit emigrant
2. Shitja e sektorëve strategjikë dhe pasurive kombëtare
3. Borxhi publik dhe sidomos ai privat për të mundësuar konsumin
4. Krimi dhe trafikimi.

Kasta nuk mund të ndryshojë këtë strukturë piramidale drejt një Ekonomie Prodhimi. Kjo bie ndesh me interesat e monopolistëve të importit, lobeve ndërkombëtare, mediave dhe partive që mbijetojnë me këto financa.
Në kushtet e rrënimit eminent, (rrudhja e remitancave dhe borxhit, fundi i pasurive kombëtare) kasta do ashpërsojë luftën ndaj të mjerëve si dhe betejën për kontrollin e krimit.

Po le të merremi me luftën ndaj të mjerëve. Ekzistenca e biznesit të vogël pengon skllavërimin e plotë të kapitalit të madh mbi punën, si dikton FMN dhe rendi i ri botëror. Shqiptarët refuzojnë të punojnë me rroga skllavëruese për lobet, duke preferuar të vetëpunësohen. Kjo u jep atyre një kontroll mbi familjet e tyre dhe territorrit ku banojnë.
Rendi neoliberist, post-proletar e post-borgjez, do të shpejtojë këtë proçes dizentegrimi. Ata që janë të rrezikuar nuk janë vetëm punëtorët, por kushdo që nuk fiton falë rentës së kapitalit së madh. Çdo biznes prodhues, punëtorët, kush posedon pasuri imobiliare, profesionistët e lirë, bujqit e konsumatorët do u vështirësohet mbijetesa duke përqendruar akoma dhe më shumë pasurinë në pak duar.
Mbyllja e mijëra bizneseve të vogla nuk do krijojë biznese të mëdha prodhimi, si trumbetojnë klerikët e kastës.
Jo!
Thjesht do rrisë monopolet e importit si Saimir Mane, Agna Group, Neranxi, Manushi, Kastrati, Eskluziv Group etj mamuthë.
Mbyllja e këtyre bizneseve përveçse do rrisë pabarazinë sociale, do krijojë mijëra të papunë e si reaksion rritjen e borxhit privat dhe emigrimit. Spiralja e rrënimit afrohet.

Në lidhje me evazionin, po sjellim raportin e fundit të Forbes (IAW) që deklaron evazionin gjerman 337 miliardë euro (50% më shumë se ai italian). Por Gjermania nuk ka në fokus luftën ndaj evazionit por pompimin e ekonomisë.
Në një vend si Shqipëria ku biznesi i vogël siguron vetëm 9% të buxhetit, evazionin e madh e kryejnë pikërisht monopolet e importit apo mamuthët e naftës, minierave, bankat, telekomunikacionit etj. Aty prokuroria as nuk guxon të futet e këta pa pikë turpi deklarojnë se dalin dhe me humbje.

Tjetër pretekst është se informaliteti i biznesit të vogël pengon Investimet e Huaja. Sa qesharake kur të gjithë raportet flasin për korrupsion shetëror e dështim të gjykatave e shtetit të së drejtës. Investimet e huaja çuditërisht vijnë vetëm për spekullim e jo prodhim (banka, naftë, miniera, telekomunikacion, tregti etj).

Situata është e rëndë dhe dalja prej saj bëhet jo me beteja individuale, por duke u bashkuar biznesi i vogël, punëtorët, studentët, mësuesit, profesionistët e lirë e cdo shqiptar që nuk zgjedh të braktisë vendin.

 

Për më shumë: http://levizjashqipon.org/lajme/pse-ska-pune/

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked