BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Ekonomia e njeriut mikro

Mbi Taleten, qarkullonte një legjendë e cila rrëfente se si ky i fundit, duke ecur me vështrimin nga qielli, përfundoi në një pellg me ujë. Dikush aty pranë filloi ta tallte, duke i kujtuar se si një filozof e astronom kaq i madh, nuk shmangte dot një pellg me ujë. Hegel, mbi këtë rast do të shprehej se: <<shumica e njerëzve të vegjël llokoçiten në llucë pa patur njevojë për një pellg>>.

Morëm këtë rast për të kujtuar se regjimet antidemokratike (kundër popullit) kanë një interes vital që njerëzit të  mbeten të “vegjël” e mos të emancipohen. Një nga këto ideologji është neoliberizmi bazuar mbi individualizmin ekstrem. Ai izolon dhe ndan njeriun prej indit social duke e mbyllur brenda instikteve të tij egoiste. Zhytur brenda këtij “pellgu” njeriu i vogël nuk e kupton dot botën dhe për pasojë dizinteresohet prej saj. Ajo mbetet pronë eksluzive e lobeve dhe elitave ekonomike.

Që në agimet e filozofisë ka një tension mes njohurisë sensoriale (asaj çfarë nga trasmetojnë shqisat) dhe njohurisë racionale (si është bota e vërtetë) ose midis aparencës dhe substancës. Misioni i filozofisë (dashurisë për dijen) synonte lartësimin e njeriut përtej hundës së tij nëse donte të kishte prosperitet dhe siguri për të ardhmen e tij. Bota nuk mund të ndryshohej nëse më parë nuk kuptohej. Por ndryshimi i botës nuk realizohej dot individualisht por falë aksionit kolektiv. Për këtë arsye njerëzimi shpiku komunikimin, artin, shkencën duke ndarë së bashku diturinë në përpjekjen për ndërtimin e një komuniteti të përbashkët. Pra njeriu u formua brenda këtij komuniteti të përbashkët e jo individualisht.

 

Këto afirmime kaq të thjeshta e mbështetur nga shkenca e historia, sot rrezikohen të përmbysen prej një ideologjie perverse por tmerrësisht efikase në manipulimin e mendimit njerëzor. Si çdo ideologji, ajo shtrihet në të gjitha fushat e jetës në mënyrë që masat ta metabolizojnë si diçka natyrore. Ja përse sot zhytur brenda neoliberizmit (si dje brenda  komunizmit) është e vështirë që me një artikull të rrëzosh një ideologji të tërë. I vetëdijshëm mbi këtë gjë, ky artikull si dhe të tjerë që kam shkruar, ka për synim modest, të nxjerë në pah kontradiktat e thella dhe ftuar njerëzit të reflektojnë e të çtoksikohen ngadalë prej dogmave.

 

Boshti i dogmës neoliberiste qëndron tek ç/ekonomia, duke kolonizuar me aksiomat e saja të gjitha fushat e jetës dhe dijes. Nocioni i neoliberistëve për ekonominë ndryshon shumë prej atij origjinal. Aristoteli me termin ekonomia (oikonomos) i referohej aktivitetit njerëzor jo thjesht për të prodhuar pasuri (krematistika) por për ti vënë ato në shërbim të një jete më të mirë brenda një shtëpie të përbashkët. Pra ajo çfarë neoliberistët quajnë sot ekonomi, në fakt është krematistika sepse synon pasurimin e dikujt pa konsideruar interesin e përgjithshëm të shtëpisë (oikos). Aristoteli nuk kishte një vizion komunist si Platoni (po thjeshtojmë) sepse nuk kërkonte zhdukjen e pronës private, thjesht kërkonte një harmonizim të interesit privat me atë publik nëse njerëzit donin të rrisnin ekonominë e të jetonin në paqe.

 

E përkëthyer në terma modernë, Aristoteli do kërkonte një harmonizim mes asaj që sot quhet mikro-ekonomi dhe makro-ekonomi.

 

Neoliberizmi nuk pranon idenë e makroekonomisë, duke bindur njeriun-mikro se ekziston vetëm mikro-ekonomia. E ngritur mbi sjelljet individuale të operatorëve ekonomikë, krijohet iluzioni se çfarë vlen në mikro domosdoshmërisht vlen dhe në makro, si në shkencat ekzakte. Por kështu nuk është. Ekonomia është së pari shkencë sociale dhe diktohet prej ligjeve sociale dhe jo atyre kozmike. Njerëzit pranuan të ndërtonin një komunitet duke sakrifikuar disa prej interesave të tyre individuale për të siguruar ato më të rëndësishmit si siguria dhe paqja sociale. Pra është e kuptueshme që ka një tension mes interesave privatë dhe interesit publik, mes mikro-ekonomisë dhe makro-ekonomisë.

Por neoliberizmi thotë që kështu nuk është, se ajo çfarë ndodh në mikro ndodh dhe në makro. Prandaj dhe nëpër shkolla studjohet vetëm mikro-ekonomia apo ekonomia margjinaliste, duke detyruar të gjysëm-shkolluarit të mbeten të vegjël. Të bindur në dijet e tyre pseudo-shkencore këta të gjysëm-shkolluar duan të konformojnë realitetin, por ai nuk iu bindet.

 

Psh, iu mësohet studentëve me grafikë e formula, se interesi i një biznesi është dhe interesi i gjithë ekonomisë. Por kështu nuk është gjithmonë, madje shpesh herë e kundërta.

Një biznes privat, për të ulur kostot duhet ti ulë rrogën punëtorëve të tij, me shpresën se bizneset e tjera nuk do bëjnë të njëjtën gjë. Sepse në të kundërtën, me rroga më të ulta do ketë dhe një kërkesë agregate më të vogël e si pasojë  prodhimet e tija do mbeten të pashitura. Të njëjtën gjë mund ta themi për natyrën dhe ekosistemin. Ajo që në mikro  përbën kosto për biznesin (përdorimi i teknologjive dhe metodave që mbrojnë ekosistemin), në makro quhen vlera, sepse nëse shkatërrohet natyra nuk krijohet më asgjë për askënd. Sigurisht këto objektiva nuk mund t’ia kërkosh operatorëve privatë se ata janë me të drejtë të orientuar drejt maksimizimit të fitimit individual.  Nëse këto mund të bëheshin individualisht e privatisht, atëherë njerëzit nuk do kishin nevojë për shtetin. Prandaj është vetëm shteti që ruan një vizion të përgjithshëm dhe kujdeset për ekonominë (e jo vetëm) në makro. Për këtë arsye ka një politikë industriale, një politikë monetare dhe një politikë pagash, në mënyrë që pasuria mos të grumbullohet në pak duar duke bllokuar sistemin apo shkatërruar ekosistemin.

 

Sigurisht njeriu i thjeshtë nuk disponon instrumentat analitikë për të kuptuar makroekonominë. Ai mjaftohet me eksperiencat e tija personale duke aluduar se ato janë universale. Kështu neoliberizmi mbushet me besimtarë që iu besojnë dogmave dhe jo arsyetimit shkencor ekonomik.

 

Një tjetër dogmë për shembull është loja me inflacionin apo deflacionin.

Për individin normalisht që është gjë e mirë ulja e çmimeve. Por vetëm afatshkurtër. Nëse çmimet vijojnë ulen, kjo do të thotë që fitimet e biznesit ulen e bashkë me to punësimi. Nëse ulet punësimi, ulet dhe kërkesa agregate (më pak lek në qarkullim) e cila çon përsëri në rritjen e papunësisë. Ulja e prodhimit rudh dhe buxhetin e qeverisë e cila detyohet të shkurtojë shpenzimet publike si shëndetësi, arsim, pensione, infrastrukturë, kriminalitetin etj. Ky cikël vicioz është shkatërrimtar për makro-ekonominë, por njeriu mikro nuk e kupton dot.

 

E kundërta me rritjen e çmimeve apo gogolin e inflacionit. Rritja e inflacionit do të thotë që ka më shumë para në qarkullim. Në fazë e parë kjo krijon një rritje të çmimeve që vë në vështirësi punëtorin. Por pompimi i parasë në qarkullim do të thotë më shumë mundësi investimi e prandaj më shumë vende pune. Pra nëse rritet kërkesa për punë, atëherë rritet dhe fuqia e negocimit të punëtorëve për paga më të larta. Këtu përfiton dhe familja (sepse tani mund të ketë dy tre veta që punojnë në vend të njërit të punësuar) ashtu dhe shteti që siguron dhe të ardhura më ta larta që përmirësojnë shërbimet publike duke ulur akoma më shumë koston e jetesës për miliona vetë. Pra ajo rritje e çmimit që shqetëson njeriun-mikro, në makro trasformon ekonominë në një ekonomi të punës dhe jo të lekistëve. http://levizjashqipon.org/analize/puna-ishte-nder/

Kjo është arsyeja se përse kasta e tranzicionit, ruan me fanatizëm normën e inflacionit pavarsisht papunësisë së madhe. Nëse paraja vihet në dispozicion të të gjithëve, pushteti i atyre që e kanë monopol paranë, sigurisht zvogëlohet. Dikush që ka 100 milion euro me këto çmime ble 100 shpi, por me rritjen e çmimit 10% ai ble 90 shtëpi. Për ata që bëjnë para nga paraja si parazitë pa punuar, gjërat vështirësohen sepse dhe larja e borxheve, me një inflacion të lartë ndihmon debitorin dhe jo kreditorin. E kundërta me ata që jetojnë me punë sepse fitimi prej saj rritet. Pra GDP shpërndahet më shumë drejt punës sesa drejt kapitalit.

Ja përse elitat financiare bëjnë çmos të ngurtësojnë qarkullimin e monedhës duke frikësuar njeriun-mikro me gogolin e inflacionit. Njeriu-mikro ndoshta ndjen në ajër se “paraja është futur në vrimë të miut” por ai nuk do kuptojë kurrë shkakun se pas saj qëndron politika e Bankës Qendrore (bllokuar nga FMN) e cila prej dekadash mbron vetëm poseduesit e parasë dhe jo ekonominë e podhimit dhe punësimit. http://levizjashqipon.org/lajme/pse-ska-pune/

Një tjetër mit, është ai i “konkurrencës” mbi të cilin ngrihet kapitalizmi. Për njeriun e thjeshtë, që sheh i duhet të konkurrojë përditë për vendin e punës, apo një biznesmeni të vogël (fermeri i vogël, lokale, restorante, parukeri, byrektore etj), krijohet iluzioni se vërtet “konkurrenca” është çelësi i suksesit. Por kështu, nuk është. Kapitalizmi lënë pa kontroll demokratik, tenton të akumulojë kapital dhe formojë monopole në sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë. Atje ku qytetari nuk sheh dot edhe pse vuan efektet, si rritja e çmimeve, produktet skadente, rrallimi i parasë në qarkullim, papunësi, ulja e fuqisë blerëse etj. Këto qytetari i thjeshtë nuk i sheh dot dhe sistemi bën çmos ti fshehë. Mjafton të shohësh sesi bankat rrisin artificialisht normat e interesit, kompanitë telefonike, çmimi i karburantit, monopolistët e importit etj. Ja pse njeriu-mikro duhet të interesohet për makro-ekononominë dhe demokracinë, duke mos lënë vendimet në duart e partive dhe lobeve. http://levizjashqipon.org/lajme/zbulimi-i-konfliktit-si-vetedijesim-shoqeror/

Shembull tjetër, mund të ishte vlera e monedhës. Për shumicën e njerëzve një lek i fortë është një gjë shumë e mirë sepse rrit fuqinë blerëse të konsumatori. Por ndaj cila mallrave? Sigurisht, të mallrave të importit, sepse kushtojnë më lirë me një lek të fortë. Ajo çfarë i shpëton njeriut-mikro, është se një lek i fortë, nga ana tjetër shtrenjton mallrat shqiptarë për eksport. Rënia e prodhimit të brendshëm, do të thotë, mbyllje e bizneseve shqiptare dhe si pasojë rritje e papunësisë. Ja pse, prej dekadash, Banka Qendrore, mban artificialisht të lartë, vlerën e lekut duke ndihmuar monopolistët e importit dhe jo prodhimit vendas. Nga ana tjetër, FMN imponon një lek të fortë duke siguruar kreditorët e huaj për interesat e borxhit që duhet tu paguajmë çdo vit e më shumë. http://levizjashqipon.org/lajme/koloni-ekonomike-apo-ekonomi-prodhimi/

Shembuj të tillë konfliktualë mes vizionit mikro dhe makro mund të merrnim pa fund. Emigrimi është sigurisht një e mirë për individin por jo për makro-ekonominë kombëtare. Vendi ka harxhuar risurse për të rritur e arsimuar një qytetar i cili tani kontribuon për ekonominë e një vendi tjetër. Është e turpshme dhe antikombëtare që qeveritë shqiptare ngrenë zyra për të lehtësuar emigrimin e qytetarëve të vet në vend që të merrte masa për punësimin e tyre në atdhe. Kjo do ishte e  kuptueshme nëse njeriu mikro më parë do kuptonte strukturën ekonomike shqiptare, bazuar mbi importin dhe jo prodhimin e brendshëm. Për të mbajtur në këmbë këtë sistem piramidal duhen injektim i valutës së huaj për të blerë mallra të huaj. Por ky fluks nuk mund të vazhdojë pa fund duke shënuar kështu dhe fundin e piramidës ekonomike dhe oligarkisë politike të tranzicionit.

 

Ja përse vizioni individualist jo vetëm që është i gabuar por nuk ndihon në daljen e vendit nga skamja. Njerëzit mund të vazhdojnë të lloomotisin eksperiencat e tyre personale, sikur ekonomia nuk ngrihet se faji është i atyre që hedhin letra në tokë, ata që rrinë në kafene, ata që nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, etj si këto. Mund të vijojnë të bëjnë këtë sport të sponsorizuar nga klerikët e sistemit, mediat dhe ojf-të e tij, por nuk do dalin kurrë nga skamja nëse nuk dalin nga gjendja e njeriut-mikro. Sigurisht të kuptuarit e sistemit dhe makroekonomisë, si çdo gjë e mirë është dhe e vështirë e nuk bëhet vetvetiu pa ndihmën e dijes dhe intelektualëve të vendit. Atyre intelektualëve të vërtetë e jo atyre faustianë që janë vënë në shërbim të sistemit dhe ideologjisë së tij skllavëruese për popullin.

 

Për t’iu kthyer e përfunduar me historinë e Taletes, do ishte mirë që njeriu të ishte jo vetëm larg-pamës por dhe afër-pamës. Sigurisht më i rëndësishëm është objektivi dhe duhet parë përpara, por rrugëtimi duhet kontrolluar hap pas hapi që mos të biem ne pusetë. Dhe në fakt është kjo që bëjmë çdo ditë në mënyrë natyrore.

 

Pra vizioni makro-ekonomik është i rëndësishëm, por jo që të zhdukë fare atë mikro-ekonomik si ndodhi me regjimin komunist. Mikro-ekonomia ka të bëjë me lirinë e individit për sipërmarrje dhe hov ekonomik. Edhe pse ai sistem transformoi Shqipërinë nga një vend feudal në një vend industrial, kjo nuk u shoqërua me rritjen e mirëqënies sepse fitimet e sistemit nuk shkonin për konsum publik por garë armatimesh dhe sektorë inefiçentë. Pra nuk pati një cikël virtuoz mes mikros dhe makros, e si pasojë ishte i destinuar të binte.

Është e qartë që si në çdo fushë nëse nuk ka një ekuilibër mes lirisë dhe barazisë, individuales dhe publikes, demokracisë dhe tregut, atëherë do ketë tension dhe konflikte sociale. Kështu dhe në ekonomi duhet të ketë një martesë mes mikro-ekonomisë dhe makro-ekonomisë, në mënyrë që sistemi të prodhojë mirëqënie për të gjithë dhe jo vetëm për një pakicë gjithmonë e më të vogël. Dhe këtë e bën vetëm një shtet demokratik i cili nuk pengon por orienton të gjithë aktorët ekonomikë në mikro, në mënyrë që mos të ketë shpenzim të kotë të energjive materiale dhe shpirtërore të kombit.

 

Ishte ky kuptimi i fjalëve të nobelistit të ekonomisë Stiglitz, kur paralajmëronte në 1991 se: <<vendet ish-komuniste duhet të mos flakin fëmijën bashkë me ujin e pisët>>.

Fjalë që mbeten të padëgjuara ende tani për shumicën e shqiptarëve tek shohin, që jo vetëm “flakëm fëmijën” por “mbajtëm dhe ujin e pisët”.

 

Dr. Ledian Droboniku, bashkëthemelues i ShqipON

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked