BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Ekonomia në rrënim e sipër

Ardit Latifi

Aktivist shqipON


Me një sistem në degradim e sipër ekonomia është sektori që tregon më së miri gjendjen, shkaqet, pasojat dhe rreziqet që i kanosen shoqërisë nga një qeveri që politikat më të mira ekonomike ia bën një person që nuk është specializuar në këtë fushë.

received_1088229451231297

 


Ekonomia është frymëmarrja e një vendi dhe ajo po keqmenaxhohet në mënyrën më të turpshme të mundshme. Një nga treguesit kryesore ekonomike që tregon ngurtësimin apo lirshmërinë e ekonomisë në vend është inflacioni.
Inflacioni gjatë vitit 2016 ka arritur nivelet më të ulëta të tij ndër vite. (për shkak të mosbesueshmërisë së institucionit që prodhon statistika nuk denjoj t’u referohem) Në fillim, propaganda qeveritare ia serviri popullit si një dhuratë uljen e çmimeve dhe ata qe nuk u prekën nga reformat antikombëtare dhe shkatërruese të piktorit, realisht e besuan këtë.
Por, ç’ndikim ka rënia e inflacionit në popull, cilat janë shkaqet dhe pasojat? Zgjidhja?
Ulja e çmimeve jo domosdoshmërisht është e mirë për ne. Çmimet kanë rënë nga raporti i kërkesë-ofertës. Niveli i ulët i kërkesës për blerje çon në rënie të ofertës dhe për rrjedhojë ulje të çmimit derisa ekonomia të kalojë në deflacion. Frika që qeveria ka për të raportuar saktë nivelin e konsumit në Shqipëri e bën të qartë rrezikun që na kanoset. Konsumi është treguesi kryesor dhe matësi më i saktë i gjendjes reale ekonomike të një vendi.
Por, pse konsumi është gjithmonë në rënie.
Politikat e bëra nga një qeveri që vetëm e majtë nuk është (duke marrë parasysh shkollën që e studion) me reformat e saj shkatërroi shtresën e mesme dhe të varfër të vendit.
1- Reforma e energjisë (populli i klasës punëtore përdori të gjitha kursimet, madje u mbytën në borxhe për pakëz dritë që privohet nëse nuk ngop të pangopurit).
2- Reforma në tatime (mijëra biznese të vogla dhe të mesme u mbyllën duke shkurtuar vende pune për të liruar tregun për klientelistët që duhen për të blerë votat).
3- Reforma në arsim (një studenti i duhet sot të paguajë një rritje prej 100% që të shkollohet, një maturanti shumë të mirë i duhet të kreditojë familjen për t’u regjistruar tek universiteti i Çilit, sepse sistemi ia imponon këtë).
4- Reforma e gjobave (nëse bëjmë një sondazh të gjobamarrësve del që shtresa e mesme dhe e varfër janë ata që po paguajnë gjobat që do i përdateshin vetëm një shteti si Gjermania, asnjë nga ne nuk sheh një makinë luksoze të ndaluar nga policia).
5- Reforma ndaj fshatarit që kërkon të shesë produktet e veta e dobëson dhe varfëron atë.
6- Reforma e ndërtimeve pa leje e ka lenë një qytetar me një pronë më pak.
7- Reforma e gjobitjes dhe burgosjes ndaj punëtoreve të ndërtimit nëpër shtëpi kanë shkatërruar mijëra familje shqiptare.
Të gjitha këto reforma kanë varfëruar popullin dhe rrjedhimisht kanë çuar në një ngurtësim të ekonomisë. Kjo ka shkaktuar një efekt domino duke varfëruar shtresën e mesme dhe duke i lënë në luftë për mbijetesë të varfrit. Të pasurit janë pasuruar në kurriz të të varfërve. Nuk është e rastësishme që qindra mijëra shqiptarë janë larguar nga vendi. Çfarë e detyron një baba të lërë familjen vetëm, përveç bukës së përditshme.
Kjo domosdoshmërisht ka sjellë një rritje të krimit në vend sepse natyra njerëzore lufton me çdo lloj mënyre për arritjen e nevojave themelore të mbijetesës nëse nuk I plotësohet nga shteti. Nëse konsumi bie, biznesi prodhon më pak duke ulur kostot me shkurtim vende pune. Rritja e nivelit të papunësisë ul me tepër forcën e konsumit dhe çon ekonominë drejt deflacionit e më pas recension.
Kalimi i ekonomisë në deflacion pasuron vetëm të pasurit, që në Shqipëri dihet se kush dhe cilët janë. Të varfrit janë të detyruar të shesin pronat e tyre për çmime qesharake dhe pasuria e vendit do jetë në pak duar. Vendi do lihet masivisht dhe kushedi nga çfarë do popullohet. A është ky synimi i politikaneve tanë? Shkatërrimi total i Shqipërisë?!
Rënia e konsumit, rënia e importeve, mosrealizimi i të ardhurave shtetërore tregojnë që ekonomia Shqiptare është në kolaps dhe vërteton që Shqipëria i ka në krye dashakeqet më të mëdhenj.
Zgjidhje
1-Ulja e interesave në kredidhënie nga banka e Shqipërisë që populli të rrisë konsumin dhe kërkesën për blerje. Unë propozoj kreditë me 0 interes. Biznesi do filloje rimëkëmbjen dhe niveli i papunësisë do ulet.
2-Printimi i parave gjithashtu do sillte një rritje të konsumit dhe rimëkëmbje të ekonomisë.
3-Përdorimi i parave të printuara për konsumatoret të përdorej për të blerë “Bono thesari”.
4-Ndihmë nga qeveria për biznesin duke marrë kredi tek bankat e nivelit të dytë për të stimuluar bizneset. Kjo i jep një rimëkëmbje të shpejtë ekonomisë duke shpresuar se do sillte një efekt pozitiv në rritje ekonomike dhe për të arritur synimin e inflacionit.
5-Largimi i politikanëve shqiptarë të paktën 3000 km nga Shqipëria do sillte një mentalitet të ri në biznes, paratë do mbeteshin brenda territorit të Shqipërisë, vendi s’ka rrezik të vidhet dhe të punohet kundër tij, rrogat do rriteshin shumë shpejt, do i kthehej rëndësia dhe vlera jetës në Shqipëri, meritokracia do bëhej pjesë e pandashme e vendit, hashashi nuk do përdorej për dalje nga kriza dhe rritje ekonomike, media do kishte frikë të sillej siç po sillet sot, vrasjet e pandëshkuara do uleshin.

Demokraci Pjesemarrese

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked