BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Gentian Aliaj – aktivist shqipON – Kriza e përfaqësimit është krizë e demokracisë

Kriza e përfaqësimit është krizë e demokracisë gentian-aliaj-446x315

 

Gjithmonë e më pak shqiptarë identifikohen tek klasa politike që i përfaqëson në parlament. Kjo jo thjesht për skenat banale në sallën e Kuvendit, por për faktin evident se politika nuk merret më me problemet e qytetarëve por flet vetëm për vete. Pra është krijuar një politikë auto-referenciale, që diskuton vetëm raportet e saja të pushtetit, qarkullimin e njerëzve brenda pallatit të pushtetit. Mediat nuk reshtin së shokuari qytetarët me diskutime të kota mbi të ardhmen e atij apo këtij politikani, takimet mes tyre për të ndarë pushtetin etj.

Diskutimet mbi problemet reale në vend, si papunësia, shëndetësia, shërbimet publike, siguria, arsimimi, cilësia e ushqimeve e barnave etj, eklipsohen nga nje politikë spektakli që huton qytetarët me lojra fjalësh mes pushtetarëve.

Slogani ogurzi që është bërë tatu në tru të çdo shqiptari se “çdo popull meriton qeverinë që ka” i shkon për shtat pushtetit, por jo shumicëcs së qytetarëve të këtij vendi që nuk vjedhin, shajnë apo merren me perversitete. Në fakt cilësia e politikanëve tanë është shumë herë më poshtë sesa niveli i një qytetari mesatar. Prononcimet idioteske që bëjnë politikanët mbi fusha të ndryshme tregojnë hapur injorancën e tyre ekonomike, juridike, politike, sociologjike etj.

Pra diçka ka ndodhur që, shqiptarët nuk përfaqësohen dot me më të mirët në Parlamentin e tyre si bëjnë popujt e tjerë.

Kush krijoi këtë “ashensor” që promovon e nxjerr sipër vetëm njerëzit e paskrupullt, hajdutë dhe injorantë. Asgjë nuk ndodh rastësisht, kështu që edhe prodhimi i këtij sistemi banal ka nga pas autorë që punojnë për gjunjëzimin e Shqipërisë, që mos të bëhet kurrë shtet sovran dhe i begatë.

Atëherë nëse gjërat janë kështu është e kotë të merremi me krimbat që hipin në ashensor dhe trasnsformohen në gjarpërinj kur arrijnë atje lart. Ajo që bën një popull i zgjuar, ajo çfarë kanë bërë popujt e tjerë, nuk është shfarosja e krimbave (se krimba do ketë gjithmonë) por higjenizimi i ambientit dhe krijimi i kushteve të tilla që të lulëzojnë vlerat.

Për këtë nuk mjaftojnë as llafet dhe as slloganet, kaq të dashur për shqiptarët sot që kanë harruar të reflektojnë. Për këtë duhen njerëzit dhe intelektualët patriotë që të ndërtojnë një sistem që siguron higjenën shtetërore dhe shoqërore.

Le ta fillojmë nga ajo që quhet demokraci përfaqësuese e cila ka në bazë të saj, raportin e besimit mes popullit dhe të zgjedhurve të tij. Por që ky besim të ndodhë realisht, duhet që populli të jetë në gjendje të zgjedhë lirisht përfaqësuesin e tij dhe jo të noterizojë atë çfarë ka vendosur dikush tjetër për të.

Ajo çfarë ndodh sot është krejtësisht e kundërta, sepse sistemi që kasta ka krijuar me listat e mbyllura, kërkon që qytetarët thjesht të noterizojnë skuadrën e besnikëve që ka emëruar shefi i partisë.

Sikur, ti lexues i dashur, për një moment do të viheshe në rolin e një deputeti, do ia dije për nder popullit apo liderit të partisë që të ka futur në listë? A nuk do punoje ti, vetëm që ti pëlqeje liderit që ka në dorë rizgjedhjen tënde në zgjedhjet e ardhshme? Nëse nuk do ishim hipokritë do të përgjigjeshim sigurisht, që po! Do punoje për liderin tënd, por atij nuk i duhen njerëz të zgjuar që ta rrezikojnë por injorantë që nuk kanë gjë tjetër për të ofruar veçse besnikërinë e verbër.

Duke iu kthyer bisedës së mësipërme, pa u marrë me krimbat një nga një, rezulton urgjente çbërja e këtij ashensori që kasta ka krijuar dhe zëvendësimi i tij me shkallë të pastra. Në radhë të parë i duhet hequr ky super-pushtet që kanë liderët e partive sot dhe transferimi i këtij pushteti tek qytetarët që të mund të zgjedhin përfaqësuesit e tyre lirisht, me lista të hapura ose sistem primarie.

Por edhe kjo nuk do të ishte garanci e plotë sepse, të zgjedhurit (deputetë, kryetarë bashkie) mund të premtojnë një gjë në fushatë elektorale dhe bëjnë një gjë tjetër përgjatë mandatit. Çfarë mundësie kanë qytetarët e mashtruar, veçse të presin 4 vite sa të vijnë votimet e tjera? Po sikur edhe në ato votime kandidatët të jenë të gjithë mashtrusa? Këtu e drejta e votës boshatiset dhe bëhet formale.

Ajo që shumë popuj kanë fituar në shtetet e tyre, nuk është vetëm e drejta e zgjedhjes por dhe e drejta e shkarkimit të të zgjedhurve të tyre në çdo moment pa pritur fundin e mandatit. Frika se mos humbet besimin e popullit dhe shkarkohesh në çdo moment, e mban të lidhur përfaqësuesin e popullit me hallet e popullit.

gentian aliaj ne aksionPra e thënë me mënçurinë e popullit, “vetëm frika e ruan vreshtin”. Shoqëritë njerëzore nuk drejtohen nga engjëj, por nga ndërtimi i atyre institucioneve që godasin vesin dhe promovojnë vlerat.

Kështu ndryshojmë perspektivën dhe ndërtojmë ato institucione sa më pranë qytetarëve, që formohen nga qytetarët dhe punojnë për qytetarët. Ndërtojmë një shoqëri demokratike dhe ndahemi nga kultura baritore duke bredhur pas liderëve të paskrupullt.

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked