BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

I japim fund eksperimentit me shqiptarët!

 

13106682_1692601997687001_640794794_o

Shqipëria nuk ka korrupsion por kapje të shtetit dhe ekonomisë

Degradimi i sotëm ekonomik dhe social i vendit është vepër pikërisht  e këtyre fytyrave dhe grupimeve që zaptuan institucionet duke paralizuar mekanizmat e demokracisë dhe  ekonomisë së tregut.

Regjimi që u prodhua me “heshtjen” e aktorëve ndërkombëtarë,  replikon ADN-në e diktaturës enveriste në forma dhe metoda të reja. Pushteti nuk i kaloi kurrë realisht popullit megjithë iluzionin e zgjedhjeve pa zgjidhje dhe rotacionit pa ndryshim.

Kasta u riprodhua në metastazë me parti të reja që ruanin të njëjtën ADN me të njëjtët njerëz që të lidhur me fije të dukshme dhe të padukshme do të shuanin që në filizë çdo lëvizje që mund të rrezikonte status quo – në e krijuar. Sistemi vijon ta bëjë vetë oponencën ndaj tij duke vjedhur hapësirën dhe simbolet për një opozitë të vërtetë.

Karikatura e demokraturës,  krijuar me ndihmën edhe të qarqeve antishqiptare, duhet të diskreditonte demokracinë, si përgjegjëse për premtimet e pambajtura, prandaj e panevojshme, prandaj e zëvendësueshme. Propaganda sistematike 25 vjeçare e një medie në shërbim të kastës krijoi një kurth psikologjik tek shqiptarët që të pranonin “të keqen më të vogël” si të vetmen zgjidhje.

 

Humbja e legjitimitetit të brendshëm mbi reforma që nuk u realizuan kurrë  (si: zhvillimi ekonomik, vendet e punës dhe shërbime publike dinjitoze; ndarja me përgjegjësit e regjimit komunist dhe hapja e dosjeve; rregullimi ligjor i së drejtës së pronës; demokratizimi i partive nga poshtë; krijimi i një sistemi drejtësie që garanton të drejtat dhe mundëson zhvillimin ekonomik kombëtar; transparenca e kapitalit financiar,ndarja e pushteteve; zgjidhja e çështjes kombëtare etj.) do të zëvendësohej ngadalë  me forma të tjera etero-legjitimiteti. Me një legjitimitet të siguruar nga jashtë vendit gërshetuar me atë që në teorinë politike njihet si solidariteti korruptiv. Pushteti prodhoi me forcën e autoritetit, modele korruptive duke detyruar qytetarët ti pranojnë ato, si e vetmja mënyrë për të mbijetuar apo për të patur “sukses” në të gjitha fushat. Në këtë mënyrë përgjegjegjësia duket sikur shpërndahet tek të gjithë dhe askush, prandaj fajësimi i vetë popullit, prandaj sllogani  “Shqipëria nuk bëhet dhe ju meritoni këtë klasë politike”.

Kur vendi privohet prej forcave dhe energjive më pozitive, kur aftësia për të korruptuar dhe për të shantazhuar shndrrohet në motorrin e jetës politike dhe ekonomike të vendit, i gjithë sistemi ecën mbrapsht drejt degradimit shoqëror dhe kolapsit ekonomik.

 

Pavarësisht nevojës për një diagnozë të qartë, duhet të kuptojmë se ky nuk është një fenomen natyror por njerëzor, dhe si i tillë ka gjithmonë një  rrugëdalje. Është detyrë e njerëzve me integritet dhe patriotë që të përgatisin këtë rrugëdalje.

Pakënaqësia sociale po akumulon çdo ditë energji të tilla, të cilat nëse nuk kanalizohen në një projekt demokratik të hapur për qytetarët, mund të çojnë vendin drejt një krize më të thellë se ato që kemi eksperimentuar këto 25 vite.

Pyetja e famshme, “kush  do shpëtojë  vendin”, është antiiluministe dhe fataliste. Pyetja e duhur është: “si  do bëhet Shqipëria”?

Popujt perëndimorë e gjetën përgjigjen tre shekuj përpara, kur hoqën dorë prej idhujve  dhe vunë pushtetin nën kontrollin e qytetarëve. Vetëm një shtet në kontrollin e qytetarëve dhe jo grupimeve të errëta, do arrijë të përkujdeset aktivisht për konfigurimin e interesit publik dhe mbrojtjen e interesave ekonomikë kombëtarë në erën globale.

S.O.S. mishëron pikërisht këtë rrugëdalje demokratike, sepse kërkon një shtet të kontrolluar nga qytetarët dhe jo një shtet të marrë peng nga një kastë që me anë të tij kontrollon qytetarët, ekonominë, punën, median deri tek sporti, arti dhe kultura.

 

Eksperienca negative post komuniste dhe ajo pozitive e vendeve evropiane, na mëson se pa një “proçes dezinfektimi” ndaj të gjithë aktorëve përgjegjës të kësaj situate, shkëputja nga e kaluara dhe ndërtimi i së  ardhmes është iluzion.

Efektet e sotme të këtij sistemi korruptiv dhe radioaktiv synojnë të prekin  të gjitha organet dhe të bllokojnë  prodhimin e së vërtetës. Në këtë situatë, me të drejtë tek qytetarët dhe opinioni publik, është krijuar dyshimi legjitim i komprometimit të gjithë atyre që janë përfshirë  në lojërat e sistemit. Nga ana tjetër arkitektët dhe përfituesit e këtij sistemi nuk mund të fshihen tek kjo perde tymi që vetë krijuan për të ruajtur privilegjet përjetësisht.

 

Nga ky kurth mund të dalim vetëm nëse krijohet një “karantinë” për të gjithë ata që kanë mbuluar poste të larta publike që të mos përshihen përkohësisht (4 vjet) në sistemin e ri deri sa makina e drejtësisë të vihet në punë për të zbardhur aktivitetin dhe pasuritë e tyre.  Mekanizma të tillë ngritur mbi dyshimin legjitim pranohen edhe sot nga rendi juridik sepse nuk përbëjnë kufizim absolut të së drejtës. Nga ana tjetër përfshirja në administratën shtetërore,  më shumë sesa e drejtë është një shërbim në dobi të interesit publik dhe kjo mundësi duhet tu jepet vazhdimisht gjithë qytetarëve sipas meritave dhe aftësive.

 

Njerëzit dhe energjitë më pozitive janë lënë jashtë këtij sistemi banal, prandaj forca e vërtetë është në pritje dhe e gatshme për ndërtimin e një shteti modern me ekonomi dhe shoqëri të zhvilluar.

 

Futja e  njerëzve të rinj në sistem,  përbën një garanci fillestare dhe jo absolute sepse nuk siguron mos përfshirjen e tyre në afera korruptive në të ardhmen për të  devijuar përsëri shtetin nga shinat e interesave kombëtarë.

Për një “produkt” të shëndetshëm  duhet të jenë të shëndetshme jo vetëm  fara por dhe ara.

Ne nuk besojmë tek supernjeriu, jemi të ndërgjegjshëm se  çdo formë pushteti pa kontroll të korrupton, prandaj jemi me popullin kur thotë: “vetëm frika ruan vreshtin”.

Rikonceptimi i institucioneve duhet të jetë i tillë që të pengojë akumulimin e çdo forme pushteti si dhe të sigurojë kontrollin dhe ndëshkueshmërinë efektive të zyrtarëve shtetërorë. Natyrisht, ata nuk mund të kontrollojnë vetveten sepse askush nuk ka frikë nga vetvetja. Që këtu ndarja në pushtete adiministruese  dhe pushtete kontrolluese (Action Power dhe Control Power). Nuk duhet që pushtetmbajtësit të kenë edhe arrën edhe gurin, dhe të administrojnë pasuritë publike dhe të kontrollojnë vetveten se si e kryejnë punën. Prandaj, qeveria duhet të punojë dhe qytetarët të kontrollojnë.

Ndarja sot e pushteteve është fiktive dhe nuk garanton funksionimin e shtetit të së drejtës duke krijuar një hon mes kushtetutës formale dhe asaj materiale. Si rezultat,  kemi një sistem hermetik të mbyllur nga brenda ku kasta kontrollon partitë,  partitë kontrollojnë parlamentin dhe parlamenti vë institucionet në shërbim të kastës.

 

Problemi i parë mbetet  çmontimi i strukturave të kësaj kaste dhe krijimi medoemos i mekanizmave parandalues që interesa antishqiptarë mos të deformojnë përsëri vullnetin e popullit sovran. Nuk do jenë më pushtetarët që do emërojnë pushtetarët,  por do jenë direkt qytetarët që do zgjedhin dhe shkarkojnë në çdo moment zyrtarët e lartë për të shkëputur lidhjet korporative mes tyre dhe për të togëzuar makinën shtetërore me vullnetin e qytetarëve.

Aktualisht kontakti i popullit sovran me shtetin një herë në katër vjet, është i dobët dhe fiktiv sepse nuk arrin të pengojë kapjen e shtetit nga këto struktura që ndjekin një axhendë të kundërt me detyrimet kushtetuese. Duhen krijuar më shumë pika kontakti mes sovranit dhe makinës shtetërore, në një ndërveprim dhe komunikim të vazhdueshëm për hartimin e politikave publike  dhe për një qeverisje të mirë. Pjesëmarrja e vazhdueshme  e qytetarëve në ndërtimin e institucioneve luan dhe një rol higjenizues pasi u lejon qytetarëve të parandalojnë krijimin e kastave, të ndëshkojë korrupsionin dhe sjelljet devijuese duke rritur cilësinë dhe promovuar  meritokracinë.

S.O.S. nuk kërkon instalimin e demokracisë direkte të pastër, në një shoqëri pluraliste dhe një botë që kërkon zgjidhje të shpejta dhe të kualifikuara, por këto zgjidhje nuk mund ti shpëtojnë kontrollit dhe konsesusit qytetar si ndodh sot. Prandaj, gërshetimi i mekanizmave të demokracisë direkte me demokracinë përfaqësuese, në atë që njijhet si demokracia pjesëmarrëse, është sot rruga më e mirë dhe në harmoni me zhvillimet politiko-sociale në Europë. Një  sistem ku qytetarët vendosin jo vetëm për “njerëzit” por dhe për “gjërat” ose politikat publike.

Në erën e informimit,  qytetari modern do kërkojë gjithmonë e më shumë të përfshihet direkt në jetën publike duke deleguar më pak pushtet elitës përfaqësuese. Në krizë sot  është pikërisht ky raport përfaqësimi, sepse interesa të mëdha ekonomiko-financiare, brenda dhe jashtë,  synojnë të devijojnë vazhdimisht vendimarrjen politike kundër interesit publik dhe vullnetit të sovranit.

Garancitë e konceptuara në 1700, sot nuk arrijnë të mbrojnë plotësisht demokracinë nga rreziqet dhe grabitqarët e erës moderne. Prandaj, demokracia duhet të përditësojë vazhdimisht mekanizmat e saj për të mbrojtur efektivisht  të drejtat e qytetarëve dhe interesat ekonomikë kombëtare në epokën e një konkurrence globale.

Shqipëria doli nga izolimi në një oqean global, me mundësira por dhe dallgë të mëdha, prandaj duhet ndërtuar një “anije” moderne dhe kapitenë të zotë dhe jo piratë militantë dhe injorantë.

Për këtë arsye,  vizioni ynë nuk është të përmbysim rendin kushtetues, por krejt e kundërta, ta bëjmë atë efikas në jetët e njerëzve dhe jo vetëm në letër. Qytetarët nuk do jenë më spektatorë pasivë të një politike autoreferenciale, por pjesëmarrës aktivë në fatet e vendit dhe ndërtimin e institucioneve publike, të një shteti që të jetë shtëpia jonë e përbashkët. Një shtet nga qytetarët për qytetarët!

Demokraci Pjesemarrese

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked