BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Kaosi i organizuar

Kush e di sot në Shqipëri, se: cili është uji më i mirë për tu pirë; perimet më të pastra; mishi jo kancerogjen; karburanti më i pastër; shkolla më e mirë; spitali ose farmacia me barnat jo të skaduara; servisi më i saktë; puna më e sigurtë;  pa u futur tek labirinthet e pronës, parasë, proçeseve gjyqësore etj etj.

Pra jetojmë në një kaos të vërtetë prej 26 vitesh. Por përse ndodh ky kaos? A ndodh vetë apo është një kaos i organizuar? Nëse është i tillë kush përfiton prej tij dhe mbi të gjitha si të dalim prej tij?

Qytetarët induktohet të besojnë se kaosi ndodh vetvetiu ose vetë ata janë shkaktarët dhe prandaj nuk janë në gjendje të dalin prej tij.

Fallso!

Populli në urtësinë  e tij shekullore, kishte paralajmëruar se “ujku mjegull do“. Mundohemi modestisht, të hedhim pak dritë mbi këtë banalitet sistematik që ka pushtuar hapësirën materiale dhe shpirtërore shqiptare, të dalim nga aparenca dhe merremi me substancën, të mos mbetemi peng i shqisave por përdorim arsyen, të mos përsërisim si papagallë atë çfarë fabrika e propagandës thur prej 26 vitesh por problematizojmë “të zakonshmen” dhe kuptojmë shkaqet.

Betejat e Njeriut, që në fillesat e tij u zhvilluan pikërisht kundër kaosit ose pasigurisë. Njeriu kuptoi se e vetmja mënyrë për të shpëtuar specien, është organizimi në një komunitet, si e vetmja mënyrë për të përballuar rreziqet që natyra krijonte për të. Të gjitha energjitë e intelektit u hodhën pikërisht për të krijuar dhe perfeksionuar ato mekanizma që parashikonin të ardhmen dhe reduktonin pasigurinë. Në mungesë të këtyre mekanizmave, jeta individuale dhe komunitare destabilizohej dhe specia rrezikonte mbijetesën. Dalja nga mitologjia dhe kalimi drejt një përqasje filozfike dhe shkencore do të shënonte kështu evoluimin e njerëzimit në këtë planet.

Përveç dominimit të natyrës (penicilinës, energjisë, frigorigerit, kondicionerit, avionit etj) Njeriu Tekne,  arriti të kapërcejë pasiguritë edhe në fushën sociale. Një shoqëri do ekzistonte vetëm nëse dilte prej raporteve të forcës (karakteristikë e  botës kafshërore) dhe u themeluar mbi ato të drejtësisë. Kjo për arsyen e thjeshtë sepse forca është një diçka e pasigurtë, e paqëndrueshme, sepse askush nuk e disponon dot gjithmonë dhe krijon një luftë destabilizuese për të ardhmen e komunitetit. Kurse logos, arsyeja gjendet tek çdo Njeri dhe e shoqëron këtë gjatë gjithë jetës, prandaj themeli i shoqërisë mbi arsyen dhe jo forcën. Sigurisht, betejat e shoqërive janë karakterizuar sot e për mijëra vite, mes istinktit të forcës dhe arsyes (logos) të së drejtës. Roma ia detyron shkëlqimin e saj, pikërisht arritjes së pax socialis me anë të shpikjes së “institutiones”. Rregullimin e raporteve humane mbi rregulla të paravendosura, zbatimi i të cilave ishte i detyruar e  nuk varej nga vullneti arbitrar  i pushtetarëve.

Që nga ajo kohë e sot, gjenialiteti romak mbi istitucionet studiohet nëpër shkolla kudo dhe është bazë për krijimin e shteteve të qëndrueshme. Kjo përqasje do të rikonfirmohet edhe nga shkencat sociale e politike, si drejtësia, sociologjia, antropologjia, psikologjia etj.

Pra, fati i njeriut në tokë, varet nga ndërtimi dhe funksionimi i institucioneve. Ndryshe nga iluzioni që na trasmetojnë shqisat, fati i shoqërisë nuk varet nga individi, por e krejt e kundërta nga istitucionet. Vetëm kështu kuptojmë se përse kur një qytetar shqiptar shkon jashtë shtetit, arrin të realizohet në të gjitha fushat. Shkenca para 2 shekujsh, pranoi më në fund se njerezit lindin me të njëjta kapacitete dhe zhvillimi real i tyre varet nga sistemi ku njeriu futet. Prandaj, të gjitha përpjekjet shkencore shkojnë drejt perfeksionimit të insitucioneve, sistemeve, komuniteteve, shteteve, shkollave, mediave etj. Mendimi i kundërt, se mund të përmirësosh direkt individin, është sa antishkencor aq dhe antihuman si është iluzioni i eugjenetikës.

Por çfarë ndodh nëse institucionet kapen nga një grusht njerëzish dhe i përdorin për privilegje?

Efekti i parë është është destabilizimi i jetës sociale dhe për pasojë e vetë individit. Raportet e ngritura mbi të drejtën, i lënë vendin pasigurisë dhe zëvendësohen nga raportet e forcës. Kurse surrogati i së drejtës, mbetet si një mburojë  për të justifikuar privilegjet e një pakice  arritura me anë të forcës.

Sigurisht, në kushtet moderne – thotë Foucault – mënyra për të mbajtur privilegjet e një pakice, është kombinimi i forcës me psikozën kolektive. Duhet që pikërisht që shumica e persektuar mos të kuptojë dot shkaqet ose më mirë akoma të fajësojë vetveten në një luftë që bën mes veti për mbijetesë. Kjo psikozë kolektive, realizohet në shumë kanale dhe prej shumë aktorëve të sistemit.

  1. Në kohën e homo videns dhe popullit televiziv, rolin më të rëndësishëm e luan media. Mesazhet direkte apo indirekte, shkojnë pikërisht, duke fajësuar vetë qytetarët për gjendjen e krijuar. Kudo kritikohet psh. pse shitet vota dhe jo se kush e blen votën, se pse askush nuk gjendet në burg për bastisjen e votës këto 26 vite, se pse partitë politike kanë struktura të veçanta për blerjen e votës, rekrutimit të rinisë dhe listave të votuesve potencialë. Nga ana tjetër, përgjegjësia ndaj sistemit duhet relativizuar, duke bërë ping-pong me fajin, duke premtuar reforma, raporte, konferenca etj etj.
  2.  Intelektualët organikë dhe akademikët, si klerikët më besnikë të sistemit ngitur mbi privilegje, shokojnë studentët me teza elitiste, neoliberiste, individualiste,komuniste, antidemokratike dhe antishkencore. Nëse nuk fshehin dot 100 % problemet e vendit, i relativizojnë ato ose fajësojnë vetë studentët për gjendjen e shkollës, ose vetë prindërit apo qytetarët shqiptarë si të papërgjegjshëm. Nuk është e vështirë të kuptosh se përse studentët përsërisin në kor teza neoliberiste se “fajin e ka individi”, “po të përmirësohet studenti dhe shkolla përmirësohet” etj, duke harruar se është shkolla që bën studentin dhe jo e kundërta. Por shkolla si çdo institucion tjetër nuk drejtohet nga studentët dhe për qëllimin e tyre, por për privilegje të një pakice në krye.
  3. Kolona e tretë e sistemit përbëhet prej “shoqërisë civile”, krerët e shoqatave,  me projekte shokuese, që devijojnë problemet dhe përgjegjësit. Nuk ka konferencë apo projekt që nuk dikton se dalja nga kriza është “sensibilizmi”, “ndërgjegjësimi” i individit, studentit, gruas etj. Të gjithë shkojnë në konferenca por zgjdihje nuk ka! (oops). Për 26 vite, konferencat kanë të njëjtin kor, ku organizatorët, pjesë e sistemit i thonë turrmave se duhet të ndryshojnë ata e të harrojnë sistemin, të harrojnë ndryshimin e mekanizmave, institucioneve. Ju e keni në dorë të jeni “Winner” ose “looser” dhe turrmat eksitohen në një luftë horizontale pa rrezikuar kurrë mbajtësit e pushtetit dhe padronët e institucioneve.
  4. Kohët e fundit kasta po përdor një teknikë të re. Në mungesë të zhdukjes së kaosit social nga zaptimi i institucioneve, deklaron se ka rregulluar “zyrat” prej kaosit që gjetën në kohën e bish-berishës. Njerëzit janë të prirur të mendojnë se me rregullimin e zyrave, tani do funksionojë insitucioni publik për interes të publikut!

Fallso!

Shqipëria nuk ka korrupsion, por një shtet ta kapur, pra të gjitha institucionet janë në duart e një pakice të organizuar për të krijuar privilegje. Dhe privilegjet ekzistojnë vetëm nëse skllavërojnë shumicën.

E vërteta është se  me rregullimin e zyrave nuk u zhduk edhe kaosi istitucional apo padrejtësia sociale. Insitucionet ende nuk funksionojnë për atë çfarë janë bërë: në shërbim të publikut por privilegjeve të klientelës dhe klerikëve të sistemit.

Të gjithë kuptojnë se kasta ka rritur represionin por jo shërbimet, në mungesë të shtetit social po riprodhohet përsëri një shtet policor. Kasta po gris ngadalë maskën 26 vjeçare dhe po përdor gjobat propagandën dhe dhunën përballë shtimit të varfërisë dhe injorancës kapilare.

Kushdo po të reflektojë pak, larg zhurmave të televizionit, kupton se varfëria nuk ka rënë apo shërbimet publike nuk janë përmirësuar. Raportet shoqërore ende nuk rregullohen në mënyrë të sigurtë dhe të parashikueshme ashtu si shteti insitucional ka mision kushtetues.

E drejta nuk funksionon, sepse ontologjikisht kjo i heq pushtetin arbitrar zyrtarëve shqiptarë. Çdo raport, çdo shërbim, çdo “punë” nuk zgjidhet nëse ke të drejtë apo jo, por nga raporti që ti ke me “pushtetarin”. Nëse je i fortë mjaftueshëm, apo nëse paguan mjaftueshëm për një shërbim që e drejta kushtetues ta atribuon. Kuptohet që nga ana tjetër, turrmat induktohen të kërkojnë të drejtat e tyre, jo nga funksionimi i institucioneve, por nga “bujaria e shefit” që ka zaptuar institucionin. Pra raportet e së drejtës janë zëvendësuar nga raportet e forcës ngritur në sistem nga kjo kastë barbare.

Si prodhim kemi jo vetëm padrejtësinë e përhapur por dhe një kaos që duket banal, por pas ka një projektor të sofistikuar.

Nga ana tjetër – si thotë Amartya Sen –  banaliteti është më keq se varfëria, sepse zhduk dëshirën për ndryshim tek skllevërit e pavetëdijshëm. Këta të fundit, do vazhdojnë të fajësojnë vetveten ose bëjnë profecira ngushëlluese.

Por situata nuk do ndryshojë pavarsisht premtimeve. “përpjekjeve” aty këtu dhe  reformave pa fund.

Duke iu kthyer problemeve të mësipërme, duhet të kuptojmë se ato nuk janë vetëm shqiptare por njerëzore, veçse shoqëritë e tjera i adresuan me ngritjen dhe funksionimin e insitucioneve.

Psh, nëse për ujin që blejmë në shishe (nuk po flasim për ujin publik në një vend me kaq burime hidrike) nëse nuk e dim se cili është i pastër dhe cili me baktere, kjo nuk është fatkeqësi natyrore, por zaptimi i një Insitucioni si AKU (autoriteti i kontrollit ushqimor). Përdorimi i këtij insitucioni për privilegje, gjoba, favore elektorale për bizneset pranë pushtetit është tashmë kolauduar nga kasta.

Këtë gjë mund ta themi për ushqimet ( psh, shkatërrimi i zinxhirit agronom apo veteriner), barnat (zaptimi i Ispektoriatit të shëndetit publik) , karburantin (IQT) e çdo gjë tjetër. Vetëm duke abuzuar me 99% të shqiptarëve, mund të prfitojë një pakicë e superorganizuar politikisht dhe ekonomikisht.

Në mungesë të funksionimit të insitucioneve, njerëzit gjejnë përgjigje mitologjike, se ky apo uji është më i mirë, ajo farmaci është e jashtme, ajo pikë karburanti nuk vjedh shumë, ai doktor është më i mirë se kështu më kanë thënë, ajo pikë servisi është e paparë, etj etj.

Na kanë kthyer në primitivitet, më keq se feudalizëm. Nuk ka rëndësi se çfarë shkolle ti ke bërë, sa gjuhë di, çfarë eksperience ke, gjetja e punës dhe mbajtjes së saj është e pasigurtë sepse e drejta është zëvendësuar me arbitraritetin e atij që ka zaptuar insitucionin. Gjykata, inspektorati i punës, apo sindakatat janë thjesht lodra për të justifikuar atë që ka realizuar privilegjin me anë të forcës.

Problemi i pronës, në një vend kaq të vogël, është kryevepra e kësaj kaste, me komisione e ligje pa fund për të mundësuar pasurimin dhe forcimin e një kaste antikombëtare. Përse nuk funksionon bursa e Shqipërisë? Kujt i intereson errësira e kapitalit financiar?  Të gjithë fajësojnë qytetarët se përse kanë blerë apartamente në pallate kaotikë, pa pyetur kurrë se urbanizimi është detyrë e insitucioneve, KKRT, INUK etj. Të gjithë harrojnë se masakra e Tirarnës apo qyteteve të tjera u bë pikërisht se kasta nuk pranoi aprovimin e një plani rregullues. Një plan i tillë (bota e së drejtës) do i lidhte duart lejeve “kreative” që kryetarët jepnin në dëm të miliona qytetarëve që shihnin sesi qytetet degradonin para syve të tyre.

Emblematike është se si jemi një vend që nuk kemi auditel dhe askush nuk kupton se cili është televizioni apo emisioni me shikueshmëri më të lartë. Përse nuk bëhet kjo? Kujt i intereson ky kaos?

Do vijonim pa fund duke bërë hartën e banalitetit sistemik, por kujtojmë vetëm kaosin e shifrave të zyrave për shifra si ISTAT, totalisht në duart e një kaste që parafabrikon shifra e imazhe për përrallën e saj horror. Shqipëria është një shtet pa sy e pa veshë.

E vërteta është se në këtë kaos të organizuar, jo vetëm jeta qytetarët por as biznesi shqiptar dhe as i huaj nuk mund të bëjë kurrë një plan biznesi, sepse e vetmja siguri është pasiguria! I vetmi plan biznesi është “secili ka rrëskun e vet”.

Që çdo shoqëri demokratike të jetojë në paqe e siguri, që një ekonomi e tregut të krijojë prosperitet për të gjithë, duhet që të funksionojnë institucionet. Prandaj, dalim nga lufta e të gjithëve kundër të gjithëve, dalim nga gjendja e një populli minoren dhe mendojmë si të çlirojmë institucionet nga zaptuesit e privilegjeve. Mos përdorim slloganet dëshpëruese që kasta përhap!

I kthejmë institucionet publike në shërbim të publikut. I kthejmë institucionet publike në kontroll të qytetarëve dhe jo elitave! Kthejmë shtetin në kontroll të qytetarëe dhe jo partive apo lobeve.

Rimarrim simbolet, punojmë për demokratizimin e vendit, jo me ligjërata orwelline, por në kuptimin e vërtetë të demokracisë, si ai sistem që kontrollohet nga vetë populli. Dalim nga loja e partive, votës dhe zgjedhjeve pa zgjidhje.

Ndryshojmë perspektivën!

Që shteti tu kthehet qytetarëve, duhet që Qytetarët të kenë më shumë pushtet. Por pushteti është raport, kjo do të thotë që nëse rriten qytetarët duhet të ulen partitë. Kjo do të thotë, që gjithçka që sot e vendosin partitë nesër duhet ta vendosin qytetarët, jo më e vetëm duke votuar për “njerëzit” por për “gjërat”, jo vetëm duke deleguar por duke vendosur direkt politikat publike.

Ja përse, është patetike e foshnjarake, tiu besosh deklaratave të partive se duan demokraci pjesëmarrëse. Kjo do të thoshte fundi i tyre, klientëve, hajdutëve dhe kriminelëve që kanë pas veti.

Kjo është betejë e një populli të tërë, kundër një pakice me flamuj lara-lara, kundër privilegjeve, kundër varfërisë, kundër propagandës, kundër një ekonomie feudale për ndërtimin pas 100 viteve të një shteti dinjitoz ku ia vlen të punosh e të rrisësh fëmijët.

Punojmë pra, për këtë projekt të përbashkët e iluminist, ashtu si punuan e luftuan rilindas e patriotë të tjerë që donin një Shqipëri të bukur e krenare mes popujve europianë.

Përgatitur nga Gentian Aliaj, Ledian Droboniku

TiJeNe – shqipON.com

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked