BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Klaudio Agolli – Strategjitë e manipulimit të qytetarëve

Strategjitë e manipulimit të qytetarëve

klaudio agolli

 

Nga Klaudio Agolli*

Mbajtja e pushtetit me anë të konsensusit të parafabrikuar është karakteristikë e regjimeve gjysëm-demokratike. Përzgjedhja e kujdesshme e personave, grupimeve politike që dalin në ekranet e televizionit dhe idetë dominante që duhet të qarkullojnë në “treg”, sigurojnë konformizmin e të sunduarëve ndaj sunduesve.

Të sunduarit pa e kuptuar, fillojnë e përsërisin të njëjta ide që qarkullojnë nëpër media për të qenë të “azhornuar” me tendencat e fundit të modës së fjalës. Idetë alternative duken si demode sepse nuk bëjnë pjesë tek ligjërata dominante ku shoqëria identifikohet. Mendimi dominant përhapet në shoqëri në formën e slloganeve lehtësisht të pranueshme nga qytetarët si gjysëm të vërteta.
Këto sllogane kanë rolin e pranimit të realitetit si të pandryshueshëm, të izolimit të qytetarëve me anë të vetëfajësimit kolektiv, të dorëzimit të qytetarëve që mos të ngrihen për ndryshim, të relativizimit të problemeve dhe shkaktarëve si gjëra që ndodhin kudo në botë etj.

Mjafton të kujtojmë disa prej këtyre slloganeve, që kanë zënë rrënjë në ndërgjegjen kolektive: “Shqipëria nuk bëhet me shqiptarë”, “zgjidh të keqen më të vogël”, “çdo popull meriton qeverinë që ka”, “nuk ka shpëtim se të gjithë duan të vjedhin”,”qeveritarët janë të korruptuar sepse populli është i korruptuar”, “vetë i kemi votuar”, “kudo në botë ka korrupsion”, “duhet të presim se gjërat nuk bëhen me shkop magjik”.

Normalisht këto thuhen ose lihen të kuptohen nga të gjithë aktorët që qarkullojnë nëpër media, qoftë me deklarata të drejtëpërdrejta ashtu si dhe me emisione satirike, artistike etj. duke bombarduar pa reshtur publikun me idetë që nuk sigurojnë vazhdimin e sundimit të kastës.

Po sjellim vetëm disa prej tyre që aplikohen përditë ndaj popullit televiziv shqiptar.

1. Strategjia e Zhvëmendjes.

Elementi i parë për kontrollin social, është strategjia e zhvëmendjes, që konsiston në devijimin e vëmendjes së publikut nga problemet dhe vendimet e rëndësishme që ndërmerren nga elitat politike dhe ekonomike. Kjo realizohet me anë të teknikës së vërshimit të qindra informacioneve të parëndësishme.

Strategjia e zhvëmendjes është e nevojshme për të ndaluar që publiku të interesohet për çështje thelbësore në fushën e politikës, ekonomisë, shkencës, psikologjisë, neurobiologjisë dhe kiberernetikës. Duhet mbajtur me çdo kusht larg, vëmendja e publikut mga problemet e vërteta sociale dhe përgjegjësit e tyre, duke u bombarduar çdo minutë me lajme pa rëndësi. Duhet mbajtur me çdo kusht mendja e zënë, e impenjuar, e çoroditur, pa i dhënë kohë qytetarit që të mendojë në mënyrë autonome dhe autoreflektive.

2. Parafabrikimi i “protestave dhe protestuesve”

Nëse pritet që ndaj masave antipopullore do ketë protesta, mënyra më e mirë, është që ti pararendësh duke parafabrikuar protestën dhe organizatorët. Mbajtja e shoqatave ombrellë e pushtetit jashtë pushtetit, pengon rrethimin e pushtetit nga grupime revoltuese ndaj sistemit. Protesta e shoqërisë civile-servile, duhet të jetë e zbehtë, pa treguar përgjegjësit dhe mbi të gjitha pa treguar zgjidhjet e mundshme. Drejtimi i protestave nga “karikatura rebelë” uzurpon hapësirën mediatike dhe ndrydh ndjenjën e qytetarëve aktivë që duan të protestojnë por kanë frikë mos ndihen të instrumentalizuar.

Metastazat e Mjaft-it dhe spin-offet e tij kanë uzurpuar dhe infektuar tashmë pothuajse gjithë shoqërinë civile shqiptare. E njëjta gjë me analistët televizivë, intelektualët apo të “pavarurit” që vijnë prej sistemit si të homologuar prej dorës së majtë apo të djathë të tij, shfryjnë pakënaqësinë sociale në drejtime të parrezikshme për status quo-në e pushtetit.

3. Përforcimi i Vetë-fajësimit.

Teknika më efikase në kohë, është “vetëbindja e individit” që është vetë ai fajtor për mjerimin e tij, për shkak të veseve të tija, për inteligjencën e tij gjysmake ose për përtaci. Kjo armë e mrekullueshme dekurajon individin që të rebelohet kundër sistemit, ai ndihet i zhvlerësuar dhe fajëson vetveten. Kjo e çon individin në një gjendje depresive, efekti i së cilës është heqja dorë nga aksioni për çështjet publike. Dhe dihet, pa aksion nuk ka revolucion.

4. Relativizmi dhe solidariteti korruptiv.

Trajtimi i sjelljeve korruptive sikur nisin nga qytetarët dhe jo të imponuara nga sistemi, është një teknikë që i lejon pushtetit të shkarkojë përgjegjësitë dhe të rigjenerohet me rekrutë të rinj që aspirojnë të korruptohen sa më parë. Vënia e barazisë të qytetarit që vjedh një llambë me personazhe që vjedhin hidrocentrale apo banka, krijon iluzionin që të gjithë jemi fajtorë njësoj dhe prandaj nuk mund të dënohemi të gjithë por vetëm disa.

Goditja selektive nxit sofisitikimin e korrupsionit për të vjedhur mjaftueshëm sa për të blerë dhe dënuesit ose ti shërbesh pushtetit. Në këtë mënyrë për të qenë pjesë e besuar e pushtetit, duhet të kesh vjedhur për të qenë reciprokisht të shantazhueshëm që loja mos të përfundojë kurrë.

5. Mbljellja e fatalitetit

Mbjellja e fatalitetit sikur nuk ka shpëtim, sikur korrupsioni mos të ishte fenomen njerëzor por natyror, operon në subkoshence duke mpirë sensin kritik kundër elitës sunduese për të bërë të pranueshëm korrupsionin. Prandaj pushteti dhe gjithë makina e propagandës përhap në nivel subkulturor klishe të tipit: “Shqipëria nuk bëhet, zgjidh të keqen më të vogël, kështu është gjithë bota, edhe ti po të ishe do vidhje, meritojmë qeveritë që kemi, fajin e ka pasur historia, regjimi komunist, zogist, otoman etj”.

Këto gjysëm të vërteta mjaftojnë për qytetarin mesatar për të rehatuar shpirtin e tij ndaj një bote të egër që duhet ti rrish larg për të shpëtuar.

6. Klasikja Përça e sundo

Pushteti gjeneron dhe amplifikon konfliktet sociale, duke vënë grupime të ndryshme kundër njëri – tjetrit. Në këtë mënyrë evitohet bashkimi i tyre për kauza të përbashkëta.

Mjaftojnë të kujtohen disa prej tyre: fryrja e ndasive krahinore, (duke priveligjuar disa krahina nga të tjerat me punësime apo investime), ndasitë në ish pronarë dhe pronarë, ish të persekutuar (fragmentizimi në shumë shoqata) me ish komunistë; të ardhur me vendalinj; ata që paguajnë dritat nga ata që nuk paguajnë (sikur kjo të ndodhë vetvetiu dhe jo nga inercia e pushtetit); studentët e shkollave private me ato publike, të diplomuarit jashtë me ata brënda (sikur mos të vuanin të gjithë abuzimet dhe korrupsionin që kryen klasa drejtuese); ndasitë fetare, dialektore, gjinore etj.

7. Nevoja për të konfirmuar vazhdimisht forcën.

Kur drejtësia i lë vendin privilegjeve dhe ligji i lë vendin forcës si mjet për rregullimin e jetës, pushteti përdor masivisht forcën. Rikonfirmimi i monopolit të forcës si e vetmja mënyrë suksesi, garanton evoluimin e fenomeneve si: blerja e votës në qiell të hapur, futja në punë e militantëve plaçkitës, shkatërrimi i hapësirave nga miqtë e pushtetit, goditja e atyre që nuk lëpijnë mjaftueshëm apo pa mbrotje.

Ky monopol force negative, në fillim dekurajon dhe pastaj klonon gjithë ata që nuk shohin rrugëzgjidhje.

Përballë sundimit faktik të forcës një pjesë dorëzohet dhe një pjesë braktis vendin. Ky është një problem më vete sepse deri sa kapaku i tenxheres të jetë hapur, situata nuk nxehet mjaftueshëm për të kaluar një gjendje tjetër.

8. Shpikja e problemeve që më pas të ofrohen zgjidhje.

Kjo metodë quhet edhe “problem – reagim – zgjidhje”. Shpiket një problem, krijohet një “situatë” e caktuar për të shkaktuar një reagim të parashikuar tek publiku, me qëllim që të jetë vetë publiku që të kërkojë marrjen e masave të paramenduara nga pushtetarët. Psh, dobëson dhe shkatërron shërbimet publike që vetë njerëzit të kerkojnë privatizimin e tyre (shërbimet pranë spitaleve publike, albetrol etj) ose mbjellja e frikës nga grupe kriminale, për të rritur kontrollin policor dhe politika gjobvënëse në dëm të lirisë.

9. Iluzioni i drejtësisë

Jepet idea sikur drejtësia po vihet ngadalë, sepse luftohet vetëm mikrokrimi pranë shqisave të qytetarit (vjedhja e dritave, parkimet abuzuese etj.) por MakroKrimi i vërtetë shtetëror harrohet. (ende jemi i vetmi vend qe nuk dënon zyrtarë të lartë apo kategori të priveligjuara). Rasti i Lazaratit me shifra miliarda euro dhe nuk pati një pushtetar të proceduar nga drejtësia është evident si tragjeditë e mëdha 25 vjeçare pa autorë.

Edhe kur Prokuroria detyrohet të lëvizë, Mediat japin vetëm lajmet e arrestimeve, por “harrojnë” të na informojnë kur këta lirohen. Qytetarëve u” ngec” në memorie vetëm momenti i arrestimit duke e barazuar me dënimin.

10. Karikatura e institucioneve.

Zgjidhjet nuk jepen me anë të institucioneve por shpiken metoda që nuk mund të kontrollohen nga publiku. Portalet online denoncuese, nuk kanë sesi të kontrollohen prej askujt, sepse nuk kemi mekanizma për të kuptuar se çndodh me ato denoncime, kush procedohet dhe kush jo.

Ndoshta është e dobishme për të denoncuar një makinë të parkuar keq, por nuk mund të sjellë rezultate ashtu sikundër nuk ka sjellë, kur do të denoncosh një kompani nafte që po helmon një fshat dhe po vjedh pasuritë publike, të denoncosh betonizmin e një hapësirë publike si liqeni, kur denoncon një gjykatës, kur denoncon blerjen e votave, vendeve të punës etj.

Duket sikur lufta ndaj krimit dhe korrupsionit është në dorën e qytetarëve dhe jo insitucioneve, prandaj mos bashkëpunimi i qytetarëve “është” shkaku kryesor. Vënia e numrit të telefonit, dikur nga ish-Kryeministri për denoncim, tregon qartazi që zgjidhjet nuk i jep Institucioni (Prokuroria, gjykata, policia) por dashamirësia e udhëheqësit.

11. Strategjia e gradualitetit dhe e shtyrjes.

Që të mund të pranohet një masë e papranueshme, mjafton që atë masë ta zbatosh në mënyrë graduale në disa vite duke zbutur reagimin e qytetarëve. Shembulli i bretkosës që nëse e hedh në një enë me ujë të nxehtë kërcen dhe shpëton, por nëse e nxeh ujin gradualisht, bretkosa nuk e kupton dhe vdes ngadalë brënda enës.

Një tjetër m ënyrë e ngjashme, për të pranuar një masë jopopullore është paraqitja e saj si “e dhimbshme por e nevojshme”, duke marrë konsensusin e publikut që të zbatohet në të ardhmen e afërt. Është më e lehtë të pranosh një sakrificë në të ardhmen se sa në të tashmen e menjëhershme. Njerëzit në fakt shpresojnë në mënyrë instiktive që “e nesërmja mund të jetë më e mirë” dhe ndoshta kjo sakrificë mund edhe të mos zbatohet. Kjo i jep kohë publikut për tu mësuar me “idenë e ndryshimit” dhe ta pranojë i dorëzuar kur të vijë momenti. (rasti i gjykatave që lirojnë pushtetarët e inkriminuar ose lejojnë shkatërrime të pasurive dhe ambienteve publike, pas një farë kohe kur debati të jetë harruar)

12. Mbajtja e publikut në injorancë dhe mediokritet

Duhet të evitohet me çdo kusht që publiku të kuptojë teknologjitë dhe metodat e përdorura për ta mbajtur në kontroll dhe skllavëri vullnetare.
Shkatërrimi i cilësisë së edukimit nëpër gjitha nivelet e shkollave duhet të jetë totale, në mënyrë që të thellohet humnera e njohurive mes turrmave dhe mbajtësve të pushtetit. Kur formimi dhe edukimi npërmjet shkollës ndalon, ky rol u besohet mediave që formatojnë çdo ditë “njeriun e ri televiziv” në shërbim të kastës.

13. Përhapja e banalitetit

Nxitja e publikut që ti pëlqejë banaliteti dhe mediokriteti, që ti duket e modës të jesh budalla, i cekët, vulgar dhe injorant. Banaliteti sistemik në pamje (nga gjuha që përdoret tek salla e parlamentit ku ne vendn të analizave përdoren sllogane dhe batuta, deri tek emisionet pseuodo satirike, këngët dhe artistët banalë) çarmatosin kritikën dhe largojnë intelektualët.

Por ky banalitet është vetëm në pamje, sepse makina që e projekton është tejet e sofisktikuar me specialistë ndërkombëtare, që të sigurojë vazhdimin e vjedhjes dhe plaçkitjen e të mirave publike dhe të drejtat e qytetarëve.

14. Tu drejtohesh publikut sikur u drejtohesh fëmijëve

Përdorimi i fjalimeve, argumentave, barcaletave, anekdotave, personazheve me një intonacion pothuajse fëmijëror, sikur spektatori të ishte një adoleshent ose me të meta mendore. Sa më shumë përpiqet për të mashturar publikun aq më shumë përdoret një ton fëmijëror. Përse? Nëse dikush i drejtohet një personi që është 12 vjeç, atëherë në bazë të sugjestionimit, ai do të priret me shumë mundësi, të reagojë pa sens kritik nëlloj si një fëmijë 12 vjeçar ose më pak.

Shfrytëzimi i emocionit (përlotja, e qeshura fëmijërore, ulja dhe ngritja e zërit si dhe shprehitë e tjra të fytyrës me atë të njeriut të zakonshëm) është një teori klasike për të provokuar një qark të shkurtër mbi një analizë racionale dhe pastaj sensin kritik të individit. Ndër të tjera, përdorimi i çelësit emotiv të lejon të hapësh portën e hyrjes për tek e pandërgjegjshmja për të injektuar ide, dëshira, frikë, urrejtje ose sjellje të tjera.

15. Të njohësh individin më mirë se sa ata njohin vetveten.

Në 50 vitet e fundit, progresi i shkencës, ka krijuar një hon të thellë e në rritje, mes njohurive të publikut dhe njohurive që disponon elita sunduese. Falë, biologjisë, neurobiologjisë dhe psikologjisë së zbatuar, “sundimtarët e sistemit” kanë në dispozicion një supernjohje të krijesës njerëzore, qoftë në formën e tij fizike ashtu dhe atë pisiqike. Sistemi ka arritur të njohë më mirë individin e zakonshëm sesa ai njeh vetveten. Kjo do të thotë që, në shumicën e rasteve, sistemi ushtron një kontroll dhe pushtet më të madh tek individët sesa ata vetë ushtrojnë mbi veten e tyre.

*Autori eshte aktivist i Levizjes ShqipOn

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked