BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Kompromentimi i intelektualëve, Dr. Ledian Droboniku

Kompromentimi i intelektualëve

Dr. Ledian Droboniku

aktivist i lëvizjes shqipON

13262130_1703038779976656_1287933419_o (1)

 

Ky kontribut shkon në drejtim të kundërt me mendimin main stream, sepse adreson degradimin e vendit jo qytetarëve por dekadencës intelektuale dhe kooptimit me kastën sunduese.

 

Eksperienca e diktaturës komuniste shqiptare u karakterizua ndër të tjera edhe nga mungesa e një disidence intelektuale. Në fakt ajo “inerci” e intelekualëve vijoi edhe pas metamorfozës së regjimit nga diktaturë në demokraturë.

Shqipëria e viteve “90,  priste  të niste një rrugëtim të ri demokratik drejt afrimit me popujt evropianë. Ky rrugëtim i ri nuk mund të bëhej me sllogane dhe dogma si në dekadat e errësirës por mbi një ligjëratë shkencore dhe racionale. Shoqëria e re demokratike, që po synonim të ndërtonim nuk mund ti lihej përsërsi në dorë “udhëheqësit të ndritur” por të ishte e hapur për kontributin e të gjithë qytetarëve dhe sidomos të intelektualëve.

Bëhet fjalë për kuptimin iluminist të intelektualit, që ofron koordinatat e reja kulturore demokratike, që kërkon të vërtetëtn edhe kundër pushtetit si shprehet D’Alembert në veprën “raporti mes intelektualëve dhe të pushtetshmëve”; të rolit publik të intelektualit si shprehej Kant; të aktivizimit jo vetëm teorik por edhe praktik,  nën shembullin zolian, gramshian e shumë të tjerë.

Në fakt Shqipëria kishte njohur më parë rolin emancipues të këtyre intelektualëve me veprën e rilindasve dhe vazhduar me neoshqiptarët si Branko Merxhani ku ngrinte me forcë  marrëdhëniet që duhet të  vendosen mes popullit e intelektualëve, kontribute botuar tek “Demokratia” e Gjirokastrës.

Rilindasit arritën të iluminonin kombin shqiptar dhe ta rendisnin atë pranë kombeve evropiane por një gjë e tillë nuk  mund të thuhet për ndërtimin e shtetit shqiptar. Përndjekja e intelektualëve filloi me regjimin e zogut dhe vazhdoi me egërsi me instalimin e dikaturës enveriste. Historia 100 vjeçare e shtetit shqiptar është histori regjimesh autoritare dhe kjo nuk mund të kuptohet pa asgjësimin dhe kooptimin  e intelektualëve.

Shtetet moderne, thotë Foucault, nuk mbahen vetëm me forcën e armëve por në radhë të parë me bindjen racionale shpërndarë nëpër kanalet e shoqërisë. Kjo vlen sigurisht edhe për rastin shqiptar sidomos pas rënies së diktaturës së egër. Regjimi i ri  nuk mund të mbahej më me forcën e armëve dhe frikën e sigurimit të shtetit. Ai duhet të ndryshonte fasadën dhe riprogramonte fabrikën e konsensusit si shtylla kryesore e mbajtjes së pushtetit.

Nomenklatura e ricikluar me veshje të reja, kishte një përvojë gjysëmshekullore në këtë drejtim. Kishte plazmuar një ushtri të tërë intelektualësh të lidhur organikisht me klasën dominante duke i ofruar asaj funksione organizative dhe ndërlidhëse për të mundësur sundmin ideologjik dhe kulturor. Mjafton që kësaj ushtrie ti jepje koordinatat e radhës. Pa hezitim këta u vunë në shërbim të padronëve “të rinj” mjaft të justifikonin dhe ekzaltonin raportet e pushtetit që u siguronin privilegje.

Kjo martesë e dytë mes pushtetit dhe intelektualëve rezultoi shumë “familjare” për të dyja palët. Vizioni elitist komunist (ku roli emancipues i takonte partisë) nuk ishte dhe aq ndryshe nga vizioni elitist neoliberal që po i imponohej vendit nga predikuesit e kapitalizmit jo më social por ultrafinanciar global. Mjaftonte që demokracia të mbetej e vakët, që vendimet mos të merreshin realisht nga populli por nga një kastë lehtësisht e kontrollueshme. Nomenklatura e re kishte gjetur përkrahës të rinj, në një internacionale elitiste kundër popujve dhe demokracive.

Fabrika e konsensusit nuk i mbetej veçse të përditësonte elitizmin komunist me simbole të reja globalitariste, ku “udhëhehqësi” tashmë do të quhej leader, ku demokracia do ngatërrohej me pluralizmin dhe votimin noterizues,  ku liria do ngatërrohej me liçencën e të fortëve për të sunduar të dobëtit. Në 25 vite ky vizion elitist ka kolonizuar tashmë mendjen jo vetëm të inelektualëve por dhe vetë qytetarëve të pandërgjegjësuar nga kjo  ideologji nënshtruese. Edhe pse shkatërrimi i vendit, i ekononisë, territorit, ushtrisë, arsimit, shëndetësisë është vepër e pak njerëzve me pushtet, faji i çuditërisht u adresohet qytetarëve të “pacivilizuar, injorantë, dembelë, të pistë e kokëpalarë”. Kjo ideologji u shkon për shtat jo vetëm pushtetit por dhe intelektualëve dhe klerikëve të tij që kapërdisen si  demijurgë përpara turrmave.

Është e kuptueshme që ky operacion stigmatizimi i popullit ka si kundërpeshë përqendrimin e plotë të pushtetit në pak duar. Me një popull të tillë, zgjidhja duhet të vijë vetëm nga “sipër” dhe në fakt të gjitha reformat këto 25 vite janë reforma elitiste. Dhe si të tilla kanë dështuar dhe do dështojnë në krijimin e një shoqërie të drejtë dhe pa privilegje.

Mendimi main stream ka hyjnizuar  “konsensusin” mes kastës si e vetmja zgjidhje për vendin duke harruar se pikërisht me konsensus të plotë, të shprehur a të heshtur, u realizua përçudnimi i Kushtetutës, shkatërrimi i institucioneve, deindustralizimi i vendit, shkatërrimi i ushtrisë, shkollës, spiralja e borxhit publik, dorëzimi i aseteve kombëtare dhe sektorëve strategjikë në duart e të huajve etj.

Propaganda sistemike për 25 vite ka bindur madje dhe vetë popullin për vetëfajësim, izolim dhe indiferencë ndaj pjesëmarrjes politike. E shartuar me kulturën konsumeriste dhe individualizmin ekstrem, ky binom bëhet vrastar për lirinë dhe demokracinë e një populli, i cili sheh shpëtimin tek padronët e tij të brendshëm apo të jashtëm.

Por ky operacion nuk mund të bëhej pa kontributin e intelektualëve, që me dashje apo pa dashje, në mënyrë direkte apo indirekte,  “zbusin” komanden e princit, ulin sistemin imunitar të publikut për mos reagim ndaj efekteve toksike të njërit prej sistemeve më të korruptuar dhe skamjeprurës në Kontinent.

Dekadenca e intelektualëve, nëse do shpreheshim me fjalët e Bauman, do fundoste çdo lloj tentative për të sfiduar strukturën e pushtetit dhe llogjikën e tij perverse. Pavarsisht erozionit të simboleve, intelektualtët iluministë të Rilindjes së vërtetët do të mbeteshin atje tej në horizontin e perënduar. Në vend të tyre do kemi vetëm ata lloj “intelektualë” që i nënshtrohen pushtetit, që nuk kritikojnë por interpretojnë rendin e ri si një rrip trasmisioni të mekanizmave të strukturave të pushtetit.

Dekadenca e intelektualëve është në fakt një sindromë e shoqërive bashkëkohore, por në vendet normale ekzistojnë ende intelektualë të tillë që i kundërvihen në themel llogjikës së sistemit duke mos e pranuar si një një fenomen natyror por historik dhe si të tillë të përmirësueshëm nëpërmjet ndërveprimit njerëzor. Intelektualët shqiptarë i ngjasojnë klientëve të “grand hotel humnera” – kritikuar nga Lukacs – që të akomoduar pranë pallatit të pushtetit, kujtohen herë pas here të kritikojnë prej ballkonit, humnerën e zezë përpara tyre, por pastaj të frikësuar kthehen brenda dhomave të tyre të ngrohta.

Kritika duhet të jetë gjithmonë brenda kontureve paracaktuar nga sistemi, pa rrezikuar kurrë themelet e tij. Përndryshe bëhesh heretik e zhdukesh nga qarku mediatik apo akademik e për vendin tënd presin mijëra aspirantë shërbëtorë. Duhet që kritika të adresohet vetëm ndaj emrave dhe fytyrave por jo kundër llogjikës së kastës, duhet të rrisësh fatalizmin në popull dhe të mos ofrosh kurrë zgjidhje të vërteta. Kjo rracë intelektuale mund të pranojë që sistemi është imperfekt, i padrejtë, por njëkohësisht i vetmi i mundshëm duke hequr çdo mundësi për ta ndryshuar. Kështu duhet vetëm të presim dhe të kemi besim tek evolucioni i ngadalshëm.

Qarkullimi i të njëjtave fytyra nëpër media dhe institucione ka krijuar tashmë këtë ushtri pseudointelektualësh për të neutralizuar që në lindje çdo organizim qytetar kundër kastës. Intelektualët që nuk formohen nga ky qark pervers dhe autoreferencial linçohen ose kooptohen për të mos formuar një zë autonom. Reforma e arsimit të lartë blindoi këtë sistem pervers autoreferencial, duke mbyllur dyert intelektualëve të formuar në Perëndim dhe vazhduar ciklin e degradimit të universitetit shqiptar në renditje vetëm pranë Etiopisë.

Partitokracia edhe pas rënies së pushtetit nuk çliroi kurrë shtetin, institucionet, ekonominë, akademinë,median etj. Gjithçka vërtitet rreth orbitës së partisë dhe interesave oligarkike që jo vetëm përpijnë si vrimë e zezë interesin publik por kushtëzojnë jetën e çdokujt. Që një konferencë akademike apo projekt social të quhet serioz, duhet medeomos prezenca e pushtetarëve (shpesh pa shkollë)  pranë intelektualëve (me çertifikata). Pushteti merr vendimet dhe mandej “intelektualët” e përtypin për t’ua shërbyer turrmave si vaktin e radhës.

Por kooptimi i intelktualëve nuk kryhet vetëm nga aktorët e brendshëm por dhe miqtë “bujarë” ndërkombëtarë, që diktojnë axhendat e tyre me financime dhe organizime larg nevojave të vërteta që ka shoqëria shqiptare. Devijim i  interesit në drejtime të padëmshme për sistemin, promovimi vetëm i frymës neoliberale, vetëm i të drejtave civile dhe jo ato ekonomike shoqërore, i etikës egoiste individualiste e shohin problemin dhe zgjidhjen vetëm tek individi dhe jo tek aksioni kolektiv, tek elitizmi dhe jo tek demokracia.

Në fund,  ky sistem nuk është skllavërues vetëm për qytetarët, por në perspektivë edhe për vetë intelektualët, që do të jenë veçse pjesa e dominuar e klasës dominante, si shprehej sociologu francez Pierre Bourdieu. Ata do humbasin rëndësinë dhe produkti i tyre kulturor do vlerësohet gjithmonë e më pak nga një kastë që tashmë ka përballë një shoqëri të mbajtur në injorancë dhe të harruar në një individualizëm konsumerist.

Idea se shpëtimi vjen vetëm nga përpjekje individualiste përballë një pushteti bandidetsk por super të organizuar duhet të largohet në radhë ta parë nga intelektualët antikonformistë që të mund të shtrihet si kulturë sociale tek studentët dhe qytetarët. Rrezik jo më të vogël paraqesin ata intelektualë indiferentë që me zgjdhjen e tyre për të mos bërë asgjë, në fakt kanë zgjedhur për vazhdimin e këtij regjimi.  Ky regjim nuk është natyror, por ka fytyra dhe emra të qartë. Kështu që duhet hequr dorë dhe nga relativizmi i pështirë, ku një ditë kritikohet kasta dhe ditën tjetër përqafohen dhe bëhen selfie. Parimi i mos kontradiktimit shprehur tek “logjika” e Aristotelit, është baza e kulturës evropiane që prej grekëve, dhe pretendon që një entitet ose ka ose nuk ka një vlerë të caktuar. Nëse kjo kastë është hajdute dhe antikombëtare atëherë duhet marrë pozicion i qartë dhe të luftohet. Përndryshe qytetarëve iu jepet mesazhi se nuk ka shpëtim se të gjithë jemi njësoj dhe kështu: durim.

Vetëm një ligjëratë e re për vendin, nga intelektualë të rinj që nuk vijnë prej këtij sistemi, që theyjnë skemat e mendimit main stream, që kërkojnë largimin e kastës, përmbysjen e piramidave, krijimin e një ekonomie kombëtare, rrëzimin e vizionit elitist dhe përqafimin e një vizioni demokratik ku vendosin qytetarët dhe jo partitë: do ti japë fund privilegjeve dhe do ti hapë rrugën normalizimit të vendit.

Kjo erë e re tashmë ka filluar të fryjë dhe do fryjë gjithmonë e më shumë për largimin e reve të zeza toksike që po mbysin një popull të tërë në skamje dhe injorancë.

 

botuar tek gazeta “Telegraf”, 20 qershor 2016

 

 

 

Demokraci Pjesemarrese

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked