BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Listat e mbyllura bllokojnë demokracinë

 

Listat e mbyllura bllokojnë demokracinë

 PhD, Ledian Droboniku

Ledian_Droboniku_profile1461745489

 

Përgjigje ndaj artikullit të mikut tim Nurellari,  aq të vjetër sa dhe debatet tona.

Sigurisht një prej debateve më të diskutuara nga këto anë që përpëliten mes demokracisë dhe autokracisë është dhe ai mbi sistemin elektoral dhe specifikisht natyra e listave të kandidatëve.

Me të drejtë përmendet se nuk ka një zgjidhje panacea për identifikimin abstrakt të një sistemi konkret. Kjo për arsyen e  thjeshtë, sepse sistemi elektoral, edhe pse i rëndësishëm,  është vetëm një institut që gjen jetë brenda një jete më të madhe që është shoqëria dhe shteti.

Vizioni që duhet të udhëheqë një studiues social, është ai holistik duke e parë shoqërinë dhe shtetin si një organizëm i gjallë, dhe jo thjesht si tërësi institutesh të ndarë nga njëri tjetri.

Metoda krahasimore është sigurisht e rëndësishme nëse realizohet edhe ajo në mënyrë holistike, jo thjesht mbi kushtetutën formale por edhe atë materiale, mbi jetën e gjallë institucionale të atyre shteteve që kanë zgjedhur të zbatojnë këtë apo atë sistem. Transplantimi i sforcuar i një organi  në një organizëm tjetër, mund të shihet si “mish i huaj” dhe shkakton reaksion për organizmin mikpritës. Pra metoda krahasimore ka vlerë vetëm përshkruese dhe jo diktuese, sepse përndryshe nuk do kishim kurrë zgjidhje origjinale por replikim të një sekuence deterministe.

Shtetet moderne të ngritura mbi kushtetuta urdhëruese, synojnë të zgjidhin konfliktet në mënyrë institucionale dhe të harmonizojnë vizione të ndryshme të botës ekonomike, sociale, politike etj. Martesë që jo gjithmonë rezulton pa zënka.

Shteti shqiptar si shumë të tjerë pas rënies së diktaturës, vendosi të ngrihet  mbi kushtetutshmërinë si një tentativë për të mbajtur bashkë vizionin liberal me vizionin demokratik. Shteti i së drejtës kërkon pikërisht që e drejta të disiplinojë politikën me kusht që kjo e fundit të disiplinojë ekonominë. Për këtë arsye, krijimi i shteti social, u pa si përgjigje realiste, ndaj ekstremizmit liberalist dhe atij komunist. (in medio stat virtus) Kështu një shoqëri liberal-demokratike nuk mjaftohet vetëm me të drejtat civile por përfshin dhe të drejtat politike, sociale dhe ekonomike  si kusht për garantimin në praktikë të lirisë dhe barazisë. Të drejtat e para kanë destinatar individin, të dytat qytetarin dhe shoqërinë.

Për një shoqëri që do të jetojë në paqe – thotë Arendt –  sfera private dhe publike  duhet të jenë në harmoni e të mos uzurpojnë njëra tjetrën.

Por çfarë thamë më sipër, i përket planit normativ dhe jo atij përshkrues të realitetit. Dhe ky realitet sot është shumë më i gjerë se realiteti i një shteti.

Shqipëria dhe Kosova, nuk jetojnë më të izoluara por të janë të përfshira në një globalizëm të shfrenuar, ku ato që qarkullojnë nuk janë vetëm kapitali dhe mallrat por dhe influencat gjeopolitike dhe ideologjitë imponuese.

Mendimi main stream që udhëheq procesin e globalitarizmit është pikërisht neoliberalizmi ose triumfi i financës globale përballë realiteteve shtetërore, të cilët dorëzojnë përditë pjesë të sovranitetit. Demokracitë janë procese që kryhen brenda shtetit (nuk ka popull global), prandaj dhe ato shihen si problematike. Lojtarët e financës globale preferojnë elitizmin përballë demokracisë, ekzekutivin përballë parlamentarizmit, liderin përballë kolegjialitetit të partisë. Duhet që vendimmarrja të jetë e shpejtë, uniforme dhe e parashikueshme, gjë që sigurisht nuk garantohet nga proceset demokratike sepse populli mund të thotë dhe “JO!”.

Vërshimi i këtij vizioni sigurisht krijon deformime të gjithë jetës politiko-ekonomike dhe ekuilibrave të parashikuara në Kushtetutë. Shqipëria apo Kosova nuk janë të imunizuara nga këto influenca. Aktorët ndërkombëtarë nuk kërkojnë asnjëherë zgjerimin e demokracisë, rritjen e rolit vendimmarrës të qytetarëve me referendume, primare, recall të mandatit  por kërkojnë perfeksionimin e elitës dhe zgjidhjen e problemeve nga brenda sistemit hermetik.

Shtrova këto premisa, për të kuptuar “Zeitgeist”, shpirtin e kohës ku jetojmë sot, si çdo studiues që ruan një përqasje kritike dhe jo deterministe si natyrore të fenomeneve shoqërore si dhe për të qenë i sinqertë me interpretimin e istituteve juridike.

Në kushtet kur demokracitë e vendeve tona janë të rrethuara nga tendenca oligarkike, zgjidhja besoj se është zgjerimi i demokracisë dhe jo i partitokracisë, rritja e vendimmarjes qytetare dhe jo liderit, rritja e rolit të parlamentit dhe jo ekzekutivit, përdorimi i sistemeve proporcionale dhe jo mazhoritare, listat e hapura dhe jo ato të bllokuara.

Prandaj diskutimi i sistemit elektoral duhet të kryhet duke pasur parasysh, Kushtetutën formale dhe materiale të vendit  si dhe aspiratat e një populli. Pas rënies së komunizmit, sundimit të oligarkisë së Nomeklaturës për 45 vite,  shqiptarët kërkuan demokratizimin e  vendit. Por përsëri shqiptarëve iu tha se mjaftonin të votonin çfarë partia vendoste, se pluralizmi partiak dhe ndarja e pushteteve mjaftonte. Shqipëria sot përpëlitet përsëri ne autokraci sepse raportet nuk rregullohen me anë të së drejtës por mbi atë forcës në duar të pak njerëzve me pushtet.

Ështe iluzion se oligarkia do vetëpërmirësohet dhe do heqë dorë nga privilegjet që ka krijuar për një pakicë. Demokracia u shpik që populli të ketë nën kontroll makinën shtetërore në mënyrë që të drejtat e tij mos të rrezikoheshin nga elitat sot partiake, finaciare etj.

Pa patur parasysh të gjithë kuadrin, diskutimi mbi istitute juridike të veçanta nuk kuptohet, ashtu si kundër nuk kuptohet se përse tek ne lista të hapura apo të mbyllura nuk sjellin rezultate kaq të ndryshme.

Përdorimi i listave të mbyllura ëshët model dominant për vendet e Amerikës latine (si dhe Portugalisë apo Spanjës)  por jo për vendet evropiane, të cilët zbatojnë formula të ndryshme.

Në Gjermani psh. ligji federal sanksionon “parimin e përfaqësimit proporcional kombinuar me zgjedhjen personale të kandidatëve” (sistem proporcional i personalizuar). Zgjedhësi shpreh preferencën për një kandidat në bazë të një sistemi mazhoritar (Erststimme) dhe me një votë të dytë vendos për një listë të një force politike (Zweitstimme). Në vendimin e saj 9 nëntor 2011, Gjykata Kushtetuese gjermane rikonfirmoi vendimin e 1957, duke pranuar listat e bllokuara sepse brenda demokracive partiake nuk prekin lirinë e votës dhe automatizmin mes zgjedhjes së qytetarit dhe përcaktimin e deputetit.

Të tjera gjykata kushtetuese te vendeve të ndryshme  janë shprehur së fundmi për  pranimin ose jo të listave të mbyllura. Pavarësisht përfundimit, këto gjykata nuk mjaftohen me institutin në fjalë, por shohin në përgjithësi realitetin e vendit, demokratizimin e partive, kontrollin efektiv të kapitalit në garën partiake, funksionimin e sistemit të drejtësisë etj. Në një prononcim, edhe Komisioni i Venecias nuk është kundër zbatimit të listave të mbyllura, por ka theksuar se: “zbatimi i listave të mbyllura në vende pa demokraci partiake dhe korrupsion të gjerë përbëjnë rrezik për jetën politike”.

Besoj se një përqasje e tillë duhet bërë edhe për vendet tona, para se të biem peng i zgjidhjeve të thjeshta, slloganologjisë dhe tifozerisë për një sistem apo tjetrin.

Me të drejtë thuhet se listat e hapura janë natyrore të një demokracie përfaqësuese, të ngritura mbi besimin dhe kontrollin që krijohet nga raporti i drejtpërdrejtë mes qytetarëve dhe përfaqësueseve të tij. Por në kushtet shqiptare kjo përkthehet me klientelizëm dhe fushata personale korruptive dhe kriminale.

Po cila është zgjidhja? Futja e listave të mbyllura, prishja e këtij raporti të lirë dhe të drejtpërdrejtë mes popullit dhe politikës dhe delegimi ndaj rolit emancipues të partisë si në komunizëm? A jemi të sigurtë që partitë organizohen në mënyrë demokratike apo janë shndërruar në brigada plaçkitëse të res publica?

Vendet tona nuk kanë korrupsion të zakonshëm por ato akuzohen për korrupsion dhe krim të organizuar deri në nivelet më të larta shtetërore. Pra ky lloj krimi dhe korrupsioni ka nevojë për një strukturë piramidale. Zgjidhjet elitiste ndoshta mund të vlejnë për vendet e civilizuara (ku funksionon drejtësia dhe demokracia e brendshme paritake) dhe jo për oligarkët shqiptarë, të interesuar që vendimmarrja të përqendrohet gjithmonë në pak duar si kanë bërë këto vite.

Kushtetuta shqiptare nuk është më ajo që shqiptarët votuan me referendum në 1998. Futja e listave të mbyllura ishte vetëm njëri prej mekanizmave të këtij vizioni oligarkik, që shoqëroi përçudnimin e Kushtetutës dhe përqendrimin e pushtetit në pak duar. Nxjerrja jashtë kushtetutës dhe militantizmi i KQZ-së, zgjedhja e presidentit të Republikës nga një forcë e vetme, fuqizimi i figurës së Kryeministrit, sistemi elektoral që vë në rresht partitë e vogla,  jo vetëm që janë atentat ndaj demokracisë por dhe pengmarrje e ekonomisë së lirë.

Listat e mbyllura i dhanë mundësi “liderrrit” të partisë të shtinte në dorë partinë, dhe bashkë me të parlamentin dhe bashkë me të sundimin e vendit, politikës, ekonomisë, medias, akademise me anë të ekzekutivit. Deputetët jo vetëm që zgjidhen falë “bujarisë” së shefit të partisë në lista të bllokuara,  por si pasojë ata me tej do noterizojnë çfarë ai ka vendosur, nëse duan të vazhdojnë karrierën politike. Ngjarjet e fundit e konfirmojnë këtë gjë ku ka alergji nga mendimi ndryshe. Nga ana tjetër listat e mbyllura, jo vetëm që nuk ulën por rritën përfaqësimin e botës së krimit në parlament sepse krimi nuk është përjashtim por rregull për organizimin e jetës politike dhe ekonomike të vendit mbytur në monopole klientësh dhe paligjshmëri.

Me të drejtë flitet për qarkullim elitash por kjo duhet të ndodhe nëpërmjet kanaleve demokratike (elite=eligere, të zgjedhura/jo emëruara)  dhe jo klonimit sipas shëmbëlltyrës së “elitës” ekzistuese modeluar pas figurës së “udhëheqësit të ndritur”. Si pasojë e kësaj, klasa politike aktuale është e mbërthyer nga mediokriteti, korrupsioni dhe militantizmi sepse elitat e vërteta nuk pranojnë të futen nëpër parti “pactum subiectionis” por vetëm në parti “pactum unionis”.

Ideja tjetër se politika kryhet më mirë në nivele epërore sesa nga një discursus i hapur dhe demokratik – si thotë Habermas – nuk i përgjigjet realitetit, sepse Shqipërisë nuk i kanë munguar programet fantastike në letër por vullneti i tyre për ti zbatuar në praktikë. Politika bëhet nga njerëz dhe që vendimet mos të mbeten në letër (mandati këtu, merret mbi një program pastaj qeveriset mbi një anti-program), duhet që këta njerëz të zgjedhur të mbahen të togëzuar me vullnetin dhe interesin e sovranit, dhe jo ato elitiste klienteliste. Pra diskutimi duhet të përqendrohet mbi demokratizimin, llogaridhënien dhe transparencën e vendimeve.

Nga ana tjetër, natyra e partive politike është instrumentale, përderisa ato janë në shërbim të qytetarëve, subjekte themelorë të demokracisë. Kështu para se të flasim për më shumë pushtet të partive (falë listave të mbyllura) duke çnatyrizuar rolin e tyre nga përpunues dhe ndërmjetësues të vullnetit popullor në zëvendësues të politikëbërjes, duhet të flasim për demokratizimin e tyre. Futja e primareve brenda partive, zgjedhja dhe shkarkimi të çdo strukture drejtuese jo nga lart por nga poshtë, kufizimi i mandateve në vetëm 2, do të ishin disa hapa për dehermetizimin, çmontimin e çdo tendence oligarkike dhe demokratizimin e tyre.

Kurse ndalimi i lidhjeve të krimit me politikën bëhet a monte, duke ndarë kapitalin nga politika, luftuar kundër parajsave fiskale, duke bërë transparente e partive dhe konfiskuar pasuritë e pushtetarëve dhe familjeve të tyre, dhe jo në fund të procesit, atu krijohet lidhja mes popullit dhe përfaqësuesve të tij. Po sigurisht klasa politike në Shqipëri dhe Kosovë nuk mund të sharrojë degën ku ka hipur dhe po e vjel.

Listat e hapura rrisin lirinë e zgjedhësit dhe  potencojnë garën e kandidatëve si brenda dhe jashtë partisë, por çuditërisht edhe këto dy vlera dikur themelore të liberalizmit, sot shihen me “skepticizëm” kur bëhen universale për çdo qytetar. Por edhe nëse nuk preferohet të rritet gara brenda partisë me listat të hapura përgjatë fushatës elektorale, këto efekte shumë mirë mund të evitohen duke paraprirë zgjedhjeve të kandidatëve n.p.j. primareve brenda të partisë. Mjafton të mos ngushtohet liria e zgjedhësit duke u rritur ajo e liderit të partisë, mjafton të rritet llogaridhënia natyrore zgjedhës – i zgjedhur dhe jo shef – vartës, mjafton të fuqizohet parlamentarizmi dhe jo ekzekutivi, mjafton të zgjerohet demokracia dhe të dalë nga rrethimi.

Lidhur me kritikën aq të hershme sa dhe vetë skeptikët e demokracisë, se ajo është e vështirë për qytetarët, dua vetëm të kujtoj se demokracia nuk është vetëm një metodë qeverisje ajo mbi të gjitha mbetet një vokacion emancipimi që popujt – thoshte Kant – të dalin nga gjendja e minoritetit dhe të vendosin vetë fatet e tyre. Nëse ajo që synohet është thjeshtësia dhe kjo arrihet me lista të mbyllura me pak parti, atëherë mund të shkojmë më tej dhe ta thjeshtojmë akoma dhe më shumë me vetëm një parti dhe një udhëheqës shpirtëror. Të vërtetat sociale, ndryshe nga ato objektive, pozitiviste, empirike, nuk realizohen në laboratorë shkencore apo nga ndonjë mbret filozof platonian, por janë produkt i një ndërveprimi të vazhdueshëm human, uti socialis. Demokracia është sistemi më i mirë – thotë Kelsen – sepse kështu qytetarët pranojnë më mirë ligjin se janë prodhues dhe destinatarë të tij, prandaj kemi dhe një konformizëm spontan ndaj normës.

Një tjetër pikë që trazon shpirtrat e qytetarëve më të varfër të Kontinentit, është kushtëzimi i demokracisë me kostot, sikur demokracia është shkaktare e situatës dhe jo oligarkia. Refuzoj si parimisht të pranoj diktimin e ekonomisë mbi politikën sepse në fakt duhet të jetë e kundërta por dhe praktikisht sepse lë jashtë shifrat e vërteta të kostove oportune, ose miliarda euro të munguara ekonomive tona. Loja me shifra dhe statistika të një shteti pa sy e veshë, që parafabrikon çdo numër dhe germë është aq irealiste sa dhe  është realiste gjendja e ekonomive tona sot (Shqipëria dhe Kosova) dhjetëra fish nën potencialin e tyre të vërtetë, falë një klase politike autoreferenciale, që nuk del nga populli por vetemërohet, që vendosi të mbërthejë ekonominë me monopole klienteliste, që vendosi të shesë e plaçkitë asetet kombëtare, që detyron forcën aktive dhe investitorët të braktisin vendin, që promovon militantë dhe mediokër shërbëtorë dhe klerikë të vyer për sistemin.

Sa i përket politikave të barazisë gjinore, kujtojmë studiuesin e madh të sistemeve, Luhmann, kur thotë se: “shoqëritë emancipohen nga poshtë por degradohen nga sipër”. Mendimi se me listat e mbyllura do zgjidhen më shumë gra në parlament është një realitet sa zhgënjyes aq dhe fyes. Betejat për të drejtat nuk maten me kile dhe numra. Sa gra dhe vajza shqiptare ndihen sot të përfaqësuar nga “femrat e shefit të partisë” që shërbejnë si dekorime firmato të oligarkëve me pushtet? I njëjti arsyetim teorik por dhe faktik sot në vendet tona, vlen edhe për mijëra të rinj dhe të reja që duan të kontribuojnë në jetën politike në vend. Si mundet një i ri/e re sot të futet në qarkun politik përveç “dashamirësisë” së shefit të partisë, miqve apo klientëve të tij? A nuk kemi pranuar parimin republikan, që pjesëmarrja politike u garantohet çdo qytetari që zgjidhet nga të ngjashmit e tij qytetarë, apo dhe parimin e zgjedhjes do e zëvendësojmë me parimin e “emërimit” të kolauduar për 45+25 vite Nomenklaturë? Shteti duhet të garantojë zbatimin e këtij parimi dhe jo të kapitullojë apo të shpikë parime të tjera preferenciale sipas oreksit të kastës.

Këtu nuk bëhet fjalë për emra të përveçëm, por për sistemin që promovon antivlerat në polikë, ekonomi, akademi dhe kudo. Deri sa pushteti të mbetet në duar të një oligarkie, gjërat kanë pak gjasa të ndryshojnë pavarësisht ndryshimeve kozmetike-juridike.

Ajo që duhet bërë është instalimi i atyre instituteve që sigurojnë qarkullimin e njerëzve dhe higjienizimin e sistemit, hapjen demokratike dhe jo mbylljen e tij, çmontimi i oligarkëve, reduktimi i rolit të partive dhe rritjes së rolit të vendimmarrjes qytetare me referendume, demokratizimi i partive, çmilitantizmi i KQZ-së, rishikime të mandateve në çdo kohë, rritja e parlamentarizmit dhe kufizimit të ekzekutivit, rritja e kolegjialitetit dhe kufizimi i liderrrshipit, kufizimi i çdo mandati shtetëror apo partiak në vetëm dy, transparencës proaktive, pranimi se politikbërja nuk është zanat por shërbim dhe e drejtë që i garantohet çdo qytetari sipas meritës, kushtetutshmëria e pushtetit të medias që të punojë për informimin dhe jo dizinformim, por mbi të gjitha kontrollit të kapitalit në politikë.

Besoj se këto  janë reformat që duhet të kishin realizuar vendet tona prej kohësh,  ashtu si më parë kanë realizuar vendet e tjera të civilizuara. Por sot këto reforma janë në kundërshtim me mendimin dominant të “elitave” kombëtare dhe globale.

Prandaj si ndodh gjithmonë kur sovraniteti i popullit uzurpohet, është vetëm populli që mund ta rimarrë atë, sigurisht nëse lejohet të bëhet popull dhe nuk mbetet i atomizuar dhe i fragmentizuar nga përçarje të reja dhe të përmotshme.

 

 

                                                                                                                                                       PhD,LedianDroboniku                                          Bashkëthemelues i “ShqipON”


Reforma zgjedhore dhe dëmi i shkaktuar prej listave të hapura

Adri Nurellari

Çështja e reformës zgjedhore është një temë e nxehtë që shfaqet hera-herës, qoftë në Shqipëri e qoftë në Kosovë, dhe ngjall gjithmonë debat të ashpër sepse përzgjedhja e njërit apo tjetrit sistem zgjedhor është një ndër vendimet më të rëndësishme institucionale në një sistem demokratik. Ndryshimi i sistemit zgjedhor ka një ndikim të thellë tek jeta politike e një vendi duke sjellë ndryshime të ndjeshme prej sistemit partiak, organizimit të fushatave e deri tek mënyra e qeverisjes, formimi i koalicioneve apo kultura politike. Sistemet zgjedhore dhe variacionet e tyre janë të shumta dhe padyshim nuk ka një sistem zgjedhor magjik me efekt panacea që është i aplikueshëm kudo por ka prioritete politike të një shoqërie, të cilat një sistem i adreson më mirë apo më keq. Të tilla prioritete shoqërore që adresohen nga reforma zgjedhore variojnë prej nivelit të konkurrencës, proporcionalitetit të votës, legjitimitetit të rezultatit, ndershmërisë së procesit zgjedhor, lehtësisë së organizimit, stabilitetit të mazhorancës që vjen pas tyre etj.

Shqipëria ka një sistem proporcional rajonal me lista të mbyllura, ndërsa Kosova ka një sistem zgjedhor proporcional kombëtar me lista të hapura, por ndërkohë shqetësimet janë të njëjta për publikun, lufta kundër korrupsionit dhe paligjshmërisë si dhe qarkullimi i elitave duke futur figura të reja në politikë që janë të papërlyer. Kohëve të fundit në Shqipëri është hedhur ideja e përdorimit të listave të hapura të votimit si një mënyrë për të përmirësuar cilësinë e deputetëve dhe për të ndëshkuar deputetët e korruptuar. Në Kosovë listat e hapura janë përdorur që në zgjedhjet parlamentare të vitit 2007, por nuk besohet se kanë realizuar dy qëllimet dashamire për të cilën po propozohet në Shqipëri. Megjithatë edhe në Kosovë vazhdohet të besohet se listat e hapura garantojnë më shumë demokraci dhe konkurrencë.

Për shumë persona ekziston iluzioni se lista e hapur ul korrupsionin meqenëse hamendësohet se krijohet një lidhje e drejtpërdrejtë mes votës dhe politikanit; kështu që votuesit kanë mundësi ta ndëshkojnë një politikan për korrupsion apo ta shpërblejnë për ndershmëri. Mirëpo analiza të shumta krahasimore kanë dëshmuar që ky dimensioni i pretenduar i llogaridhënies personale të listave të hapura nuk ka ndonjë efekt domethënës në parandalimin e korrupsionit ndërkohë që është demonstruar shpesh se nevoja për të siguruar vota personale dhe pasur një fushatë individuale në kuadër të listave të hapura çon në korrupsion të shumëfishtë.

Në proporcionalin me lista të hapura, përveç garës ndërpartiake merr jetë edhe gara brenda partisë dhe duke qenë se votat personale janë të domosdoshme për karrierën e një politikani atëherë kandidati detyrohet të bëjë një fushatë personale paralele me partinë. Një fushatë personale në Kosovë mund të shkojë lirisht me një kosto disa dhjetëra mijëra euro dhe nevoja e financimit të kësaj fushate bën që shumë politikanë të orientohen drejt korrupsionit, allishverisheve si dhe ujdive të pandershme për të siguruar votat. Përveç shtysës së shpenzimeve të fushatës, incentiv tjetër për korrupsion është edhe nevoja për të krijuar, kultivuar e mobilizuar një elektorat personal nëpërmjet klientelizmit, nepotizmit dhe patronazhit. Pra deputetët kalojnë një pjesë të mirë të kohës duke u angazhuar për simpatizantët e tyre personalë duke siguruar vende pune për ta, bursa, tenderë, subvencione, investime infrastrukturore etj. Rasti i sistemit zgjedhor italian para vitit 1994 përdoret si ilustrimi më flagrant i këtyre tendencave korruptive, të shkaktuara prej sistemit proporcional kombëtar me lista të hapura. Ka madje studime që kanë hyrë edhe me në hollësi të impaktit dhe që vënë në dukje se vendet që kanë sisteme elektorale me lista të hapura; kanë deficite më të larta buxhetore dhe ineficiencë më të madhe në shpenzime publike, pasi aktorët politikë e shpërdorojnë buxhetin për fushatat e tyre personale elektorale.

Një tjetër dimension i tretë korruptiv i listave të hapura lidhet me korrupsionin elektoral dhe me faktin që kandidatët në lista të hapura kanë një incentiv personal të blejnë ose vjedhin vota në procesin zgjedhor. Pra ky sistem favorizon ata kandidatë të dyshimtë të cilët kanë njëfarë rrjeti kriminal personal, kanë një tendencëqë të shkelin ligjin dhe gëzojnë imunitet prej ligjit. Këta të fundit duke dashur të sigurojnë më shumë vota për veten që të dalin deputetë me iniciativën dhe burimet e tyre individuale janë shkaktarët kryesorë të parregullsive zgjedhore. Kjo është thikë me dy tehe, sepse votat këta i shtojnë jo vetëm duke
blerë apo vjedhur për partinë (fletë votimi ku shënojnë veten tek lista e kandidatëve të partisë së tyre) por edhe duke vjedhur brenda partisë prej votave të kandidatëve të tjerë. Sikurse u pa edhe në zgjedhjet parlamentare kosovare shumica e parregullsive të denoncuara nga kandidatë të ndryshëm ishin për grabitje votash brenda listës së të njëjtës parti. Kjo gjë lë të kuptohet se mbyllja e listave do ta përsosë më tutje integritetin e procesit zgjedhor, duke eliminuar një ndër motivet kryesore shkaktare të parregullsive, interesin e drejtpërdrejtë të kandidatit për të vjedhur vota. Nëse mbyllen listat zgjedhore, të njëjtit kandidatë nuk do e kenë të njëjtën shtysë pra leverdi që të blejnë a vjedhin vota për partinë e tyre se shanset që ato vota të siguruara në mënyrë të paligjshme të kontribuojnë drejtpërdrejtë në zgjedhjen e tyre deputet është minimal.

Kur flitet për integritetin dhe legjitimitetit të procesit zgjedhor që është një shqetësim në mbarë trojet shqiptare, sa herë bëhen zgjedhje, duhet theksuar se listat e hapura e komplikojnë akoma më shumë procesin zgjedhor dhe lënë më shumë hapësirë për manipulime, shpërdorime apo fletë të pavlefshme. Afërmendsh fletëvotimi në rastin e listës së mbyllur është shumë më i thjeshtë ndërkohë që me listën e hapur ndërlikohet se përveç partisë duhet dhënë (ose numëruar) vota edhe për kandidatët. Nuk është rastësi që në zgjedhjet parlamentare të Kosovës të vitit 2004 me lista të mbyllura numri i fletëvotimeve të pavlefshme ishte 17 006 ose 2.5% të totalit të votave të hedhura ndërsa në zgjedhjet e para me lista të mbyllura të viti 2007 qe 56,863 apo 9% të totalit.

Në Shqipëri një situatë të ngjashme të garimit jo vetëm me logon e partisë por edhe me forcën e kandidatit e krijon aplikimi i sistemit proporcionali rajonal aktualisht. Partitë e vogla vendosin biznesmenë apo kriminelë të pasur që të bëjnë fushatat e tyre individuale në zona të ndryshme duke shpresuar që me para, presion e lidhje të mbledhin vota që partia nuk i ka. Ndërsa partitë e mëdha i vendosin këta individë në listat e tyre të mbyllura në renditjet kritike të kontestuara në mënyrë që t’i motivojnë të angazhohen për të siguruar vota për partinë e madhe në mënyrë që partia të marrë mjaftueshëm vota sa lista e deputetëve të jetë mjaftueshëm e madhe sa t’i përfshijë edhe ata. Parlamenti i fundit i Shqipërisë ka pasur aq dimension të lartë kriminalizimi sa është dashur që të hiqen shumë mandate deputetësh dhe të bëhej një ligj dekriminalizimi dhe ky fakt është para të gjithash një “dhuratë” prej sistemit zgjedhor që vumë në vitin 2009.

Po ashtu duhet thënë se nevoja për mbajtjen e një elektorati personal, jo vetëm nxit krijimin e këtij korrupsioni politik personal të patronazhi, por edhe dëmton rëndë cilësinë dhe efikasitetin e legjislativit, pra të politikës qendrore. Deputetët duke dashur që të rizgjidhen, kalojnë kohë duke u marrë me votuesit apo zonat e tyre të votave në vend që të merren me çështje të legjislativit, programit të partisë apo reformave të vendit. Pra shkakton një devijim të burimeve dhe energjive prej çështjeve qendrore politike drejt çështjeve personale apo lokale duke dublifikuar veprimtarinë e pushteti vendor. Faktikisht Kosova është pararojë në rajonin tonë për decentralizimin prandaj është e kotë që deputetët të merren me çështje lokale të krahinave nga vijnë apo lokacioneve ku kanë vota, ndërkohë që autoriteti për këto çështje lokale është pothuaj i gjithi në dorë të komunës.

Në këtë pjesë të analizës vlen të ndalemi në një tjetër konsideratë të rëndësishme për cilësinë e politikës që tërthorazi lidhet sërish me korrupsionin. Një ndër impaktet kryesore të ndryshimit të një sistemi është tek struktura dhe mënyra e veprimit të partive politike. Një sistem me lista të hapura, ngjashëm me atë mazhoritar me vendin të ndarë në distrikte zgjedhore ekzistojnë incentiva të forta për partitë që të orientohen drejt reputacionit personal të kandidatëve të partisë më shumë sesa nga dimensioni programor. Kjo gjë shpjegon deri diku edhe tendencën e tepruar për ta mbajtur debatin politik në nivelin e përbaltjeve personale më shumë sesa me përmbajtje. Neglizhimi i debateve programore apo ideore dhe fokusimi tek çështjet personale në politik shërben edhe për rritjen e nivelit të tensionit, të hatërmbetjeve apo frustrimeve personale që dëmton stabilitetin dhe harxhon energji të kota në përplasje egosh dhe ambiciesh të individëve. Në kushtet e listave të mbyllura dimensioni personal i kandidatëve shkon në hije dhe merr rol dytësor dhe më shumë vëmendje ka për të zënë dimensioni programor, debati ideor, alternativa përmbajtjesore, propozimet e politikave apo reformave. Pra jo vetëm që pushteti qendror dhe legjislativi merr vëmendjen që meriton e nuk ngatërrohet me agjendat lokale personale të deputetëve që përpiqen të sigurojnë vota për emrin e tyre. Debati politik në nivel qendror gjithashtu emancipohet dhe zhvendoset nga përplasja e personaliteteve të ndryshme tek konkurrimi mes vizioneve dhe programeve të ndryshme.

Një tjetër argument i përdorur dendur sot nëpër botë kundër listave të hapura është se ato janë të dëmshme për përfshirjen në politikë të femrave madje kjo gjë është vënë re edhe në vende si Norvegjia e jo më në shoqëri patriarkale si jona. Në rastin e Kosovës ekzistojnë kuotat për të kompensuar pafuqinë e femrave për të bërë fushata personale dhe për të ruajtur votat personale. Mirëpo mospërputhja e madhe e votave mes deputetëve femra dhe atyre meshkuj si pasojë e diskriminimit pozitiv bën që kauza e femrave të bjerë në sy keq ndërkohë që ky siklet shmanget nëse kuota zbatohet në lista të mbyllura. E njëjta gjë vlen deri diku edhe me deputetët meshkuj, dallimi i numrit të votave mes liderit apo figurave kryesore dhe kandidatëve të listës që mezi ia dalin të bëhen deputet është jashtëzakonisht i madh, duke lënë gjithashtu një shije të keqe. Pra hipotetikisht është e mundur që më i votuari i një liste të hapur të bëhet deputet me mbi 100 mijë vota dhe i fundit kandidat të marrë vetëm disa qindra vota dhe të ketë një diferencë prej vetëm dy tre votash nga kandidati vijues.

Kur vjen fjala tek prioriteti tjetër i shoqërisë shqiptare, qarkullimi dhe ripërtëritja e elitave, listat e hapura jo vetëm që nuk kontribuojnë në këtë aspekt, por përkundrazi. Në shumicën e rasteve ato e pengojnë qarkullimin e elitave dhe dëmtojnë diversitetin e kandidatëve, duke e bërë të vështirë për partitë tradicionale që të përfshijnë figura të reja, aktivistë të shoqërisë civile, ekspertë, teknicienë apo përfaqësues të segmenteve të tjera të shoqërisë. Kjo pasi lojtarët e vjetër të partisë falë lidhjeve tradicionale partiake dhe imazhit publik e kanë një avantazh të krahasuar për sa i përket marrëdhënies me simpatizantët dhe anëtarësinë e partisë e për rrjedhojë e kanë më të lehtë që t’i mundin e t’i mbajnë jashtë loje. Shpesh i nxjerrin nga loja këta kandidatë të rinj edhe nëpërmjet goditjeve të ulëta duke shfrytëzuar lidhjet që kanë me komisionerët e partisë në terren për të keqnumëruar votat e marra brenda partisë nga të sapoardhurit. Është e vështirë që të mundësohet një gjithpërfshirje sa më e plotë dhe e shumëllojshme e profileve të deputetëve. Një lider partiak për të mirën e partisë së tij qoftë kur është në opozitë e qoftë kur është në qeverisje, dëshiron të ketë një përfaqësim sa më të gjerë edhe nga segmente alternative të shoqërisë si për shembull ekspertë të disa fushave si ekonomia apo jurisprudenca, deputetë që i përkasin grupimeve fetare jo-shumicë, përfaqësim më të drejtë krahinor apo moshor. Me lista të mbyllura bëhet më e lehtë përfshirja dhe promovimi i kuadrove të rinj nëpërmjet vendosjes në pozicione fituese në listë. Për ta sqaruar këtë tendencë mjafton të shikohet dimensioni shpesh krahinor që merr lidershipi apo grupi parlamentar i partive shqiptare që vjen prej faktit se kandidatët që kanë prejardhjen nga krahinat, ku partia e tyre nuk ka shumë vota nuk kanë gjasa të marrin mjaftueshëm vota për të avancuar në karrierën e tyre brenda partisë.

Një tjetër argument që përdoret në favor të listave të hapura është se ato u japin liri votuesve të zgjedhin se kush duhet të dalë apo jo deputet dhe jo lidershipit. Mirëpo ka studime që demonstrojnë statistikisht se pozicionimi në vendet e para të listës së hapur jep një avantazh të ndjeshëm, sepse shumica e simpatizantëve të një partie nuk i njohin të gjithë kandidatët e partisë por i bien shkurt dhe thjesht zgjedhin të votojnë liderin dhe emrat e parë. Përpos kësaj liderët partiakë mund të influencojnë rezultatin e zgjedhjeve dhe eliminojnë disidentët apo rivalët partiakë, duke udhëzuar strukturat partiake se cilët kandidatë të votojnë nga lista e kandidatëve e cilët jo duke eliminuar lehtësisht disidencën apo konkurrencën brenda partisë. Për rrjedhojë në këtë aspekt listat e hapura nuk duhen parë si të përsosura.

Në listat e mbyllura figurat e larta të partisë që rivalizojnë liderin apo drejtojnë një fraksion politik e kanë të qartë nëse do hyjnë apo jo në parlament në bazë të renditjes, nëse janë pjesë e numrave fitues apo atyre që janë të pasigurt. Nëse mendojnë se nuk marrin atë pozicionim në listën e mbyllur që u takon atëherë këto fraksione drejtohen drejt shkëputjes dhe krijojnë formacione të reja politike edhe rreziku kryesor i shtimit të kontrollit të liderit të partisë nëpërmjetvendosjes së renditjes së kandidatëve në listën e mbyllur mund të minimizohet dhe baraspeshohet nga kërcënimi i shkëputjes apo skizmës nga partia të fraksioneve apo klaneve, që janë të pakënaqur me renditjen në pjesën fituese të listës së mbyllur. Kjo do të thotë që në rast se vendoset që Kosova të kthehet tek listat e mbyllura të zgjedhjeve elektorale të vitit 2004, kjo lëvizje duhet të shoqërohet automatikisht edhe me kthimin tek pragu i mëparshëm prej 3% si dhe tek një prag natyror për kandidatët e pavarur në mënyrë që pragu i ulët të shërbejë si valvul sigurese për tendencat autokratike të lidershipit të partive. Nevoja për uljen e pragut është një temë gjithashtu e komplikuar që meriton një analizë të ngjashme më vete me këtë të listën.

Adri-Nurellari14442298191461488991

Adri Nurellari

Adri Nurellari është studiues, këshilltar dhe kolumnist i angazhuar kryesisht në fushën e politikës dhe medias. Ai ka vijuar studimet universitare në Universitetin e Tiranës dhe ato pasuniversitare në Cambridge, London School of Economics dhe University College London. Adri është ish-këshilltar i kryeministrit Sali Berisha dhe ish-sekretar i PDIU-së në Shqipëri, ndërkohë që ka punuar si pedagog në Universitetin e Tiranës dhe atë të Evropës Juglindore në Tetovë. Ka qenë i angazhuar si analist dhe konsulent ndërkohë që prej vitit 2013 punon si këshilltar i Hashim Thaçit.

Demokraci Pjesemarrese

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked