BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Majlinda Kola – aktiviste shqipON – Lideri dhe kultura baritore

Lideri dhe kultura baritoremajlinda kola

 

Trajtimi mbi idenë e lidershipit ose (prijësit në shqip) në këtë ese synon të jetë jo vetëm teorik por dhe praktik, për t’iu përgjigjur detyrimit të çdo shkence për të dekodifikuar realitetin historik ku fenomeni zhvillohet.

Pasi të shqyrtohet impakti i tij real mbi shoqërinë shqiptare, do të konsiderohet debati bashkëkohor i teorive kryesore mbi pranimin e figurës së leaderit në një regjim demokratik.

Në vijim të asaj çfarë parashtruam më sipër, do të ishtë e udhës që të përdornim, fjalën shqipe “prijës” për ta kontestalizuar më mirë fenomenin. Përdorimi i një fjale standarde globale, si “leader” nuk është asnjëherë neutral, por indukton perceptimin se ky është një fenomen i pranuar kudo si i njëjtë.

Meqenëse kultura politike e popujve nuk është kurrë identike, ndryshe perceptohet koncepti i “prijësit” tek shqiptarët dhe ndryshe figura e “leader-it” tek popujt e tjerë.

Memoria historike shqiptare, lidh fjalën prijës kryesisht në një vizioin luftarak, ku figura e lartë e prijësit (rasti i Skënderbeut, apo heronjve të tjerë) prin popullin në luftë duke dhënë vetë shembullin e parë, madje dhe duke u sakrifikuar. Ratio e luftës, pranon vetëm “bindje” ndaj prijësit si shpëtimtar i komunitetit, kurse vetë komuniteti ngjizet mbi një kulturë baritore që pret bariun e radhës për të shpëtuar. Kjo është arsyeja që edhe sot pyetja kuth që pompon sistemi, dhe njerëzit përsërin në kor është “kush do na shpëtojë” dhe jo “si do shpëtojmë”

Nga ana tjetër, historia e popullit shqiptar, është shumë e lidhur me këtë vizion luftarak i cili në fakt, nuk është shumë i përshtatshëm me një vizion demokratik. Kjo ka qenë dhe është ende sot sfida e shqiptarëve, që ndërsa janë të aftë në luftë, kanë vështirësi që në kohë paqe të ndërtojnë një shteti demokratik.

Konsideruar më tej faktin se Shqipëria moderne, ka vuajtur nga një politikë autoritare për këto 100 vite shtet, do të ishte e udhës që debati publik të përqendrohej në zhvillimin e mekanizmave të demokracisë, diskutimit dhe vendimarrjes kolektive, dhe jo ringritjes së figurës të prijësit.

Fatkeqësisht duhet të pranojmë se shqiptarët, me gjithë kontributin e rëndësishëm të neoshqiptarëve, si Branko Merxhani, nuk e kaluan kurrë iluminizmin por vetëm rilindjen kombëtare.

Iluminizmi ishte ajo lëvizje europiane, që zëvendësoi figurën e “despotit të ndritur” me demokracinë, dogmën me arsyen, nënshtetasin e bindur me qytetarin kritik.

Kant, afirmonte se popujt dalin nga gjendja e tyre minorene, nëse vendosin vetë pa deleguar fatet e tyre një prijësi të ndritur.

Pra iluminizmi, shërbeu si një revolucion mendimi, duke përmbysur shprehjen “kush do na shpëtojë” me shprehjen “si do të shpëtojmë”?

Kjo nënkutponte se askush më, nuk është depozitues i së vërtetës absolute, por ajo krijohet në shoqëri nga një polilog i vazhdueshëm mes të barabartëve, si mëson Aristoteli, apo së fundmi Harendt apo Habermas.

Iluminizmi pra, në thelbin e tij si vizion emancipues i Njerëzimit (edhe pse shkolla e Frankfurtit do e kritikojë se nuk e arriti plotësisht qëllimin) pranon jo vetëm dinjitetin e çdo njeriu, por dhe aftësinë e tij për të kutpuar botën dhe pranuar së bashku rregullat mbi të cilat vetëqeverisemi.

Prej këtij revolucioni iluminist, do të rrjedhë normalisht dhe konstitucionalizmi, i cili zëvendëson “qeverisjen e njerëzve” me “qeverisjen e ligjeve”. Paqja sociale tashmë nuk do i besohej arbitraritetit të prijësit, por do sanksionohej qartë në norma të përgjithshme dhe abstrakte që do të siguronin kështu uniformitetin e së drejtës dhe barazinë e qytetarëve.

Figura e liderit, ngrihet pikërisht mbi pabarazinë e subjekteve, ajo nënkupton në mënyrë iluzore aftësinë e të parit për të gjetur të vërtetën në një vështrim pozitivist. Por kjo e vërtetë nuk është objektive shkencore brenda një laboratori, por një veprim ndërsubjektiv që krijon efekte të ndryshme tek tërësia e subjekteve. Pra vendimet, prekin në mënyrë direkte jetët e njerëzve dhe mënyra më e mirë që njerëzit të pranojnë këtë vendimarrje si sakrificë të lirive të tyre, është që këto vendime ti marrin vetë ata. Atë që Hans Kelsen do e quante konformizëm spontan ndaj normës, atëherë kur qytetarët e pranojnë komandën e saj si sakrificë të pranueshme të lirive individuale ndaj një përfitimi më te madh kolektiv.

Kulmi i Iluminizmit përfaqësohet nga revolucioni francez, që i atribuoi të drejta politike të barabarta qyetarëve në një sistem demokratik (Flasim këtu ideologjikisht, sepse lufta në praktikë e afirmimit të plotë të drejtave vazhdoi dhe vazhdon edhe sot në zgjerimin e tyre). Krijimi i një vizioni të ri, hasi në shumë vështirësi dhe kritika. Kështu dhe demokracia, si thotë Jefferson, apo Rousseau (ky i fundit nënkupton demokracinë si qeverisjen direkte të qytetarëve edhe pse nuk e përdor këtë term), nënkupton barazinë dhe dinjitetin e çdo njeriut, dhe si e tillë do ketë gjithmonë armiq, që do minojnë bazën e saj, por është detyrë e qytetarëve dhe intelektualëve të jenë vigjilentë.

Pa dashur këtu të përshkojmë të gjithë teorinë e demokracisë dhe llojeve të saj, kujtojmë një kritik të hershëm të saj, si Edmund Burke, ku nuk beson tek vendimarrja e qytetarëve dhe ngarkon “prijësin” të drejtojë si të dijë më mirë pa kurrfarë sensi përgjegjësie ndaj zgjedhësve.

Teoritë elitiste të Mosca dhe Pareto, kundërshtojnë idenë e demokracisë, si një qeverisje kaotike duke i besuar fatet e vendit një elite të ndritur ose mbretit filozof si shprehej Platoni.

Por edhe pas dy luftrave botërore demokracia mbijetoi, dhe sot demokracia (kujtojmë mendimin e Churchill se: “Demokracia nuk është sistemi perfekt, por më të mirë se ajo nuk ka) megjithë kritikat ndaj saj, mbetet ende sot i vetmi sistem që të gjitha shtetet aspirojnë të ndërtojnë në respekt të dejtave dhe lirive të individëve dhe popujve.

Për t’iu rikthyer kontekstit shqiptar, është e rëndësishme të analizohet historia e afërt, struktura shoqërore dhe politike e vendit për të kuptuar më mirë figurën e “prijësit” në një shoqëri që pretendon të bëhet demokratike.

Shqipëria post-komuniste vinte nga një prej regjimeve më autoritarë të Evropës. Vendimarrja ishte rreptësisht e centralizuar rreth figurës së liderit absolut e të pagabueshëm, jo vetëm shef të shtetit por dhe udhëheqës shpirtëtor. Shteti dhe shoqëria organizohej rreth partisë-shtet, që asorbonte dhe kontrollonte të gjitha artikulimet në territor nëpërmjet strukturave autoreferenciale ku funksionarët zgjidhnin njëri tjetrin, në atë që në literaturën politike njihet si “nomeklatura”.

Formalisht dhe në mënyrë iluzore ekzistonin dhe të drejta të akorduara nga partia në një regjim që mbante emrin e “demokracisë popullore”. Por demokracia dhe të drejtat ishin thjesht hipokrite sepse faktikisht e gjitha jeta politike dhe ekonomike e vendit komandohej nga sipër, e ngjizur në slloganin “çfarë thotë partia bën populli” e “çfarë do populli, bën partia”.

Ky vizion elitar, ngritur rreth figurës së liderit, pritej të ndryshohej në formë demokratike-komunitare, me fundin e komunizmit, por gjërat nuk rrodhën ashtu.

Rrëzimi i regjimit duhet të pasohej me vendosjen e një demokracie të vërtetë, ku populli sovran zotëron mekanizma për të realizuar vullnetin e tij.

Pikërisht këto mekanizma nuk u vunë kurrë në shërbim të popullit, por mbetën pronë e nomeklaturës së azhornuar me “parime të reja”. Pluralizmi partiak, liria e fjalës dhe organizimit, e drejta e votës, liria e mediave, mbetën brenda një qarku të mbyllur të një oligarkie që vendoste përsëri për shumicën.

E drejta e votës nuk u transformua kurrë në një kontratë mes vullnetit të sovranit dhe përfaqësuesve, por mbeti si dikur, thjesht një akt noterizimi të vendimeve të marra nga vetë kasta. Kjo duket qartë edhe nga fakti se sovrani (populli), nuk u lejua kurrë të vendoste për “gjërat” por vetëm për “njerëzit”. Në 25 vite në një regjim demokrature, qytetarët nuk vendosën kurrë direkt me referendum për reformat në vend, sepse vendimarrja mbeti elitare, tashmë jo e një lideri por disa prej tyre.

Duhet të kishte prioritet absolut ngjizja e një kulture demokratike në jetën e një populli, duke filluar nga proçeset demokrtatike të përfshirjes së qytetarëve në qeverisjen e vendit, diskutimin e çështjeve të rëndëdsishme si subjekte të barabartë, conditio sine qua non e demokracisë.

Ajo që ka ndodhur dhe ndodh ende sot është vazhdimi i një propagande, prej qarqeve intelektuale, mediatike dhe politike reth ringritjes së figurës së liderit.

Qindra trajnime, konferenca, punime shkencore, synojnë të fokusojnë vëmendjen e të rinjve vetëm rreth konceptit të liderit dhe jo artikulimit të kategorive të demokracisë dhe mekanizmave të saj si: vendimarrja komunitare; përfaqësimi; përgjegjësia; kontrolli i të zgjedhurve; media të lira në shërbim të qytetarëve dhe jo pushtetarëve; reformat në vend etj.

Por përse ndodh e gjithë kjo?

Ashtu Si mëson Hopkins, asgjë nuk ndodh rastësisht.

Çdo sistem promovon një mendim dominant edhe kur sistemi vetëquhet “liberal”. Ndërsa regjimi komunist ndalonte qarkullimin e ideve antisistem, regjimi i sotëm arrin të njëjtin rezultat duke vërshuar lumenj dizinformimi për të rrënjosur një “mendim dominant” në trajtën e dogmës ekonomike, ndihmuar nga armiq ndërkombëtarë të demokracisë apo ndaj pushtetit të popullit.

Vizioni i ri elitar rreth figurës së liderit, promovohet kështu pa reshtur nga aktorët e sistemit të ri ngritur mbi individualizmin ekstrem. Sot në përgjithësi demokracia ndihet e rrezikuar nga dimensioni i një ekonomie gjithmonë e më globale dhe pervazive duke zëvendësuar proceset demokratike nga poshtë me vendimarrje të një elite financiare nga sipër (Colin Crouch, Postdemocracy).

Vendimet ekonomike uzurpojnë vendimet politike sepse nuk tolerojnë dot larmishëmirinë e instancave demokratike ashtu si nevojat e qytetarëve kërkojnë. Vendimet ekonomike merren shpejt dhe në një rrafsh ndërkombëtar duke bypasuar realitetet shtetërore dhe proçeset politike-demokratike në të.
Vendimarrja në mënyrë demokratike, nënkupton qytetarin aktiv në komunitet, dhe si i tillë është në antitezë me njeriun-konsumator-individualist që ekonomia krijon.

Struktura ekonomike krijon iluzionin se njeriu mund të vetërealizohet pa nevojën e komunitetit, kështu që nuk ka pse të jetë aktiv dhe të mjaftohet me delegimin e të drejtave të tija një lideri të besueshëm.

E aplikuar ndaj një populli që nuk ka zhvilluar kulturë demokratike por vetëm atë baritore (Michel Foucault – Leksione të hapura, Pushteti dhe dija)., ky presion është vrastar për ndërtimin e një shteti demokratik dhe funksional.

Delegimi i pushtetit tek barinjtë e rinj me nofka moderne “leader”, i asaj që duhet të bëjnë vetë qytetarët – sipas Kant – i shkon për shtat jo vetëm kastës por dhe nxit kulturën parazitare të një populli që nga një anë vetëdorëzon pushtetin nga ana tjetër pret pasivisht realizimn e demokracisë dhe të drejtave të tij.

Demokracia, në mënyrë paradoksale është më e rrezikuar se kurrë sot në eopkën e “lirisë” sepse sovrastruktura ekonomike, për herë të parë në historinë e njerëzimit, po ndryshon pikërisht antropologjinë e njeriut, duke e izoluar dhe vrarë natyrën e tij sociale-politike si Aristoteli e kishte portretizuar: zoo politikon.

Nga ana tjetër, popujt e vegjël, pa mburoja të institucioneve demokratike, synohen të shpronësohen nga e drejta sovrane për të kontrolluar shtetet e tyre, sepse liderat kombëtarë gjejnë aleat të fuqishëm ndërkombëtarë si janë baronët e financës globale.

Në këtë këndvështrim është e lehtë të kuptosh origjinën e lumit financiar që derdhet për të promovuar aktivitete anti-demokratike të shoqërisë civile mbi figurën e liderit.

Vaksinë ndaj kësaj toksine antikomunitare do të ishte padyshim një arsimim i mirë, por ai ishte i pari që u godit nga kasta, duke zëvendësuar meritokracinë me militantizëm dhe dijen me çertifikata idiotësie.

Me likujdimin e arsimit, goditet jo vetëm brezi i ri, rritur në analfabetizëm funskional sepse nuk kupton funskionimin e botës, por asgjësohet dhe klasa e intelektualëve zëvendësuar nga njerëzit me çertifikata pranë partive plaçkitëse.

Shoqëira liujdohet: kur të gjithë bëhen studentë, nuk ka më studentë, kur të gjithë bëhen artistë nuk ka më artistë, intelektualë e kështu me radhë. Shoqëria humbet pikat e saj të orientimit të shëndetshëm dhe zëvendësohen me antivlera ngritur mbi paranë dhe botën e saj sa virtuale aq dhe perverse.

Pas dekadave presion nga struktura ekonomike dhe ajo politike, pas zhgënjimeve të shumta nga klasa politike, njeriu shqiptar tërhiqet nga jeta politike duke u izoluar në sferën e tij private. Kështu kasta asgjëson në gjenezë, çdo formë proteste të organizuar prej qytetarëve, tashmë thjesht spektatorë apolitikë në vendin e tyre.

Ja pse është kaq e rrezikshme për demokacinë shqiptare, trumbetimi ende pas 100 viteve shtet i idesë së liderit dhe jo ai i krijimit të sensit komunitar si demokracia kërkon. Përpjekjet e kastës për të çorientuar rininë drejt modeleve antidemokratike janë përpjekje për të bindur qytetarët se është më mirë të mobilojmë tunelin sesa të dalim jashtë tij.

Por a mund të bashkëjetojë ideja e liderit me idenë e demokracisë?
Shumica e teoricinevë socialë politikë e shohin të pamundur këtë bashkëjetesë, ose paradoksale si afirmon, Sartori (1997) apo Kane (2007). Lideri nuk mjaftohet me zgjedhjen dhe përmbushjen e vullnetit të të zgjedhurve, por krijon vetë “një vullnet” paralel duke kushtëzuar kështu dhe zgjedhjet e qytetarëve. Vetë-qeverisja, si esenca e demokracisë pjesëmarrëse është në antitezë me idenë e liderit “sipërmarrës”. Nga ana tjetër, Manipulimi dhe devijimi përbëjnë një praktikë të njohur për të siguruar rizgjedhjen në mandatin e ardhshëm.
Por populli nuk është gjithmonë homogjen dhe i aftë për të shprehur vullnetin si çdo subjekt tjetër i së drejtës. Në këtë mënyrë lind idea e një istance përfaqësuese (Lenz (2012), Howell (2013), Satkunanandan (2014), Read and Shapiro (2014).
Në këtë vizion, lind pra diskutimi i krijimit të kësaj istance, të një lideri demokratik që ndryshon nga lideri ekonomik sipërmarrës i vullneteve paralele. Në këtë mënyrë, është e preferuar që në vend të fjalës lider të përmendet fjala shërbëtor i demokracisë.
Në këtë prizëm është e kuptueshmë që si përkrahës të demokracisë, do të preferonim teorinë e delegimit sesa teorinë e besimit për të pranuar idenë e liderit-shërbëtor.
Në fakt teoria e besimit, vë theksin tek pavarëisa e liderit, diskrecioni i tij për të pararendur nevojat e qytetarëve dhe mos përgjegjësia për vendimet e ndërmarrra (Jacobs and Shapiro 2000).
Kurse Teoria e Delegimit, e vë theksin tek Proçesi i vendimarrjes dhe raporti i përfaqësimit. Disa teoricienë demokratikë e vënë theksin pikërisht tek “llogaridhënia” si Richardson (2003, 197), Christiano (1996), Estlund (77), and more tentatively Waldron (1999).
Ky lloj lideri, mban përgjegjësi të plotë për veprimet e tij dhe qytetarët nuk humbasin kurrë pushtetin për ta shkarkuar në mes të mandatit nëse raporti i besimit thyhet, nëpërmjet instticuionit të recall – ose shkarkimit popullor.
Kurse nga këndvështrimi i liderit demokratik, ky thjesht duhet të inkurajojë diskutimet publike, të nxisë angazhimin politik të qytetarëve në komunitet për të krijuar një aksion të përbashkët nëpërmjet referendumit ose formave të tjera të realizueshme nga lideri ekzekutues i këtij vendimi.
Ajo pra që një lider nuk duhet të bëjë në një regjim demokratik është të dekurajojë qytetarët nga vendimarrja e përbashkët, të zëvendësojë vullnetin e tyre me atë personal, mos të japë llogari për veprimet e kryera dhe të ndërtojë një strukturë autoreferenciale me njerëz të besuar që i shpëton kontrollit të qytetarëve sovranë.
Lideri dhe roli social i intelektualëve në përgjithësi qëndron në interpretimin kritik të çdo sistemi dhe sovrastrukture duke kërkuar emancipicimin e rracës njerëzore nëpërmjet aksionit të përbashkët, thelbi i një demokracie të vërtetë dhe funksionale.

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked