BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Manifest për Edukimin Demokratik

 

Demokracia, shkruante John Dewey tek “Demokracia dhe edukimi”, ka një dedikim të vërtetë për edukimin, dhe kjo për dy arsye. E para është për faktin se, një qeveri që varet nga votat e qytetarëve nuk mund të jetë një qeveri e mirë, nëse ata që e zgjedhin nuk janë të edukuar. E dyta, akoma dhe më e thellë, është se demokracia nuk është vetëm një formë qeverisjeje; ajo <<para së gjithash është një mënyrë e të jetuarit së bashku, me një eksperiencë vazhdimisht të komunikuar mes nesh>>. Një shoqëri –  ku stimujt janë të shumtë, kontaktet e zgjeruara, ndryshimet konstante – ka nevojë të edukojë antarët e saj me qëllim që mos të sundohen nga një realitet kaq kompleks, situatë që do të krijonte një konfuzion të përgjithshëm nga e cila nxjerrin përfitim vetëm pak veta.

edukimi-demokratik

Demokracia, pak pas shpresave të “89-ës, kur në gjithë botën dukej se po afirmohej një shtysë e fuqishme prej poshtë drejt lirisë dhe vetëvendosjes, u trasformuar një një patentë vetëm e vendeve evropiane që të eksportohej edhe me forcën e armëve. Ky shtrembërim i atij ideali të shpresuar, sot është futur në krizë të thellë dhe është para syve të të gjithëve – sidomos në vende si Shqipëria ku lulëzon e kundërta e asaj që afirmohet përditë. Një krizë e përfaqësimit – e demokracisë sipas Schumpeter, si lojë mes elitave – por dhe e pjesëmarrjes, e besimit, e aftësisë për të ndërtuar nëpërmjet diskutimit publik vullnete dhe vizione të përbashkëta.

Gjërat shkojnë akoma më keq nëse konsiderohet aspekti i dytë, atë që Dewey konsideronte si më të thellë, të lidhjes mes demokracisë dhe edukimit. Ashtu si nuk kupton politikën, ashtu qytetari i mesëm nuk kupton realitetin që e rrethon, mekanizmat socialë dhe ekonomikë, trasformimet kulturore. I paaftë për të kuptuar botën përqark tij përsërit slloganet dhe refrenin që fabrika e konsensusit bombardon çdo ditë për të. Përshtypja është pikërisht ajo e një konfuzioni total mbi të cilat operojnë forca “thjeshtëzuese” që shohin zgjdhjen tek paragjykimi, stereotipizimi, stigmatizimi i atij që është ndryshe. Bota, komplekse dhe e globalizuar, bëhet prapë e thjeshtë falë miteve kolektive, devijimeve irracionale dhe të rrezikshme, antagonizmave ideologjikë që marrin forma si luftëra të vërteta religjoze.

Partitë e reja lindin me një logjikë ndërmarrjeje, suksesi elektoral ndërtohet si çdo fushatë tjetër marketingu – ashtu si reklamat, slloganet politike ngrihen mbi frikën, mbi dobësitë, deri tek meskiniteti i konsumatorit-zgjedhës. Në një shoqëri të shpërbërë perëndojnë edhe vlerat politike autentike për të fundosur edhe vetë kuptimin e “polis”. Vlerë politike bëhet vetëm ajo që përfaqëson një përfitim për individin dhe për familjen e tij. Interesi privat zëvendëson solidaritetin, një siguri e manipuluar merr vendin e drejtësisë, liçenca e atij që mund të shmanget prej rregullave të përbashkëta zë vendin e lirisë autentike dhe të vërtetë.

Mënyra më e mirë për tu përballur me krizën e demokracisë sot është ajo e të afirmuarit të një ideali demokratik më të plotë të mundshëm, më njerëzor dhe autentik sesa ai i sotmi shpërndarë nga rrjeti i armiqve të demokracisë; të mendojmë demokracinë jo vetëm si një sistem ku qytetarët të informuar dhe të formuar, zgjedhin përfaqësuesit e tyre, por ajo e një shoqërie ku të gjithë kanë pushtet. Një demokraci është autentike dhe e sigurtë për veten nëse ka mundësi të influencojë efektivisht mbi vendimet që merren mbi të mirën e përbashkët, duke kontrolluar klasën politike; kur është e mundur të disponojë informacion të lirë dhe jo të pilotuar dhe të parafabrikuar nga kasta; që është në gjendje të vlerësojë çështjet publike me qetësi dhe ndërgjegjësim; kur qytetarët kanë po aq rëndësi sa dhe të fuqishmit ekonomikë, politikë apo mediatikë; kur secili qytetar ka të njëjtën rëndësi, të njëjtjen mirënjohje, të njëjta të drejta, të njëjtën peshë politike, pavarisht titullit të studimeve, kushteve sociale dhe ekonomike; në një shoqëri demokratike vetë shtetësia nuk është një instrument për të mohuar të drejta të tjerëvë që shtetas nuk janë.

Një shoqëri demokratike duket prej gjithëpërfshirjes së saj për tjetrin (inkluzive): është një shoqëri e tillë ku të gjithëve iu njihet plotësia e humanitetit të tyre. Përsëritet shpesh, se demokracia është një sistem ku mbizotëron vullneti i shumicës. Por një shumicë mund të jetë dhe e dhunshme, diktatoriale dhe në fund antidemokratike. Kështu, që në mënyrë më të saktë duhet të formulojmë që demokracia, është ai sistem ku shumicat qeverisin në respekt të plotë të të drejtave të pakicave dhe mendimeve ndryshe, duke u dhënë mundësi që nesër ato të bëhen ata shumica.

Një testim efikas për të vlerësuar demokratizimin e një sistemi është ai që niset nga krahasimi i kushteve të atyre që simbolikisht ndodhen në periferi: si gjenden sot të varfërit, në vend që të ndihmohen, ata manipulohen, kërcënohen dhe u blihet dhe vota? Si janë të sëmurët, që zvarriten nëpër spitale për mbijetesë? Si janë të burgosurit, ku nëpër burgje ndodhen vetëm të pambrojturit dhe kurrë kasta, politikanët, biznesmenët, mjekët, inxhinierët, pedagogët, gazetarët etj? Si janë gratë, në një shoqëri që konsideron gratë si trupa për tu blerë nga ata që kanë pushtet? Si janë studentët, në një shkollë që ngre tarifat dhe ul cilësinë e studimit, ku abuzimi dhe arroganca e pedagogëve thyen çdo lloj raporti pedagogjik të trasferimit të dijes? Sigurisht një shoqëri e tillë nuk është demokratike!

Në një shoqëri demokratike ka një lëvizje të vazhdueshmë që shkon nga qendra drejt periferisë, për të përfshirë, njohur dhe vlerësuar. Një shoqëri, që bën të kundërtën, që ngre mure mes qendrës dhe periferisë është një shoqëri ku demokracia shërben vetëm si një alibi, një mjet retorike, një vetëpërfaqësim si selfie boshllëku.

Në një shoqëri demokratike të gjithë kanë dinjitet të barabartë. Dhe mes të barabartëve  raportet  nuk mund të mos jenë të barabartë, d.m.th. simetrikë. Të impenjohesh për një demokraci autentike do të thotë të ngresh simetrinë në të gjitha nivelet e jetës sociale dhe politike. Demokracia autentike është sistemi politik ku është për të gjithë e mundur ekperienca më gjerë e mundur e Njeriut. Meqënëse demokracia favorizon një zhvillim gradual, të plotë, harmonik dhe human, përbën kështu dhe qëllimin final të vetë edukimit. Kështu që autenticiteti i demokracisë i besohet autenticitetit të edukimit.

Quajmë pra, edukimin demokratik edukimin autentik.

 

Mbiemri (demokratik) duket pra si i tepërt, duke qenë demokracia I VETMI SISTEM kompatibël me realizimin e plotë të njerëzores. Refuzojmë kështu konceptimet dhe praktikat që relativizojnë dimensionin politik të qënies njerëzore, duke favorizuar de facto atë individualizëm të papërgjegjshëm që po degardon shoqëritë e sotme të avancuara. Fatkeqësisht kjo po ndodh sot nëpër shkolla, të cilat trasmetojnë një koncept utilitarist të kulturës si çdo mall tjetër, të struktururara në raporte asimetrike dhe ende autoritare.  Deri sa kjo asimetri nuk vihet në krizë prej një praktike edukative të docentëve, shkolla nuk do favorizojë por do pengojë demokracinë autentike. Qytetari që ka mësuar në shkollë të uniformohet ndaj një autoriteti, vështirë se nesër jashtë shkollës, do t’ia dalë të luftojë llogjikën e nënshtrimit apo betejat për njohje publike të dinjitetit të tij dhe të gjendjes së barazisë.

Edukimi demokratik niset nga raporti Docent-Student për ta ravijëzuar si një lidhje simetrike. Kjo kapërcen konceptin  e autoritetit me atë të bashkëpunimit në kërkimin e së vërtetës dhe në rritjen së bashku. Docenti nuk është një model, pika fikse e proçesit evolutiv të studentëve, por një person i angazhuar së bashku me studentët në një rrugëtim të përbashkët të rritjes reciproke. Në këtë rrugëtim, roli i tij është ai i udhërrëfyesit të një vendi jo plotësisht të njohur. Sepse askush, për sa e madhe të jetë kultura e tij, nuk mund të konsiderohet veçse si një eksplorator i një realiteti kompleks që Njeriu dhe mundësitë e tij përfaqësojnë. Në edukimin demokratik zhduket ajo klasë e kuptuar si një grup njerëzish që, pa komunikuar dhe bashkëpunuar mes tyre, dëgjojnë mësimin. Struktura e duhur ndaj idealit të edukimit demokratik është grupi i kërkimit; një grup i përbashkët njerëzish që ndërtojnë dituri duke u mbështetur tek njëri tjetri, duke komunikuar në mënyrë të thellë, duke  impenjuar në mënyrë kreative kompetencat e veta, nën drejtimin e një docenti që nuk trasmeton dije, por koordinon dhe orienton punën e tyre të përbashkët. Nëse edukimi institucional ka një program të përcaktuar, një sistem dijesh për tu trasmetuar, edukimi demokratik nuk mund të mos jetë i hapur, qoftë në përmbajtje ashtu dhe në metodat e tij; ndërsa në edukimin istitucional programi vendoset në nivel qendror dhe aktiviteti didaktik programohet prej docentit, në edukimin demokratik përcaktimi i argumentave të studimit është pjesëmarrëse dhe merr parasysh lirinë e të mësuarit si atë të të shpjeguarit.

john-dewey-quote

Edukimi demokratik karakterizohet prej hapjes së eksperiencës. Edukimi institucional identifikon një fushë të eksperiencës njerëzore, atë që korrespondon me vlerat, kulturën dhe stilin e jetës së klasës dominante, si e vetmja e vlefshme; gjithçka që nuk futet në këtë kuadër përjashtohet dhe ndalohet. Ky është një edukim klase, në të cilën nuk gjejnë hapësirë puna me dorë, aftësitë praktike, kultura materiale.

Edukimi istitucional është bërë për ti shërbyer sistemit. Kultura paraqitet si një instrument vetëm për afirmimin individual. Kurse edukimi demokratik ka një konceptim të kulturës si kërkim i përbashkët dhe i hapur, e lirë dhe çliruese e njeriut; nuk synon të imponojë një vizion të vetëm njeriut, një esencë të prezumuar të njeriut paevitueshmërisht ideologjike, por respekton ekzistencën e secilit dhe të drejtën e tyre për tu formuar në mënyrë të lirë, duke eksploruar shumë dimensione.

Ky sistem neoliberist sot, kapitalizëm ultrafinanciar global e pa asnje kontroll demokratik,  që në nivel botëror prodhon çekuilibre të dhimbshme mes vendeve të varfra dhe të pasura, mes personave që jetojnë në lluks dhe personave që nuk i lejohet as mbijetesa e thjeshtë, bazohet mbi një llogjikë të konkurrencës që penetron frikshëm edhe në edukim, duke e korruptuar në mënyrë thelbësore. I gjithë mekanizmi shkollor i notave, i promovimeve i dënimeve është funksionial ndaj këtij sistemi. Llogjika e konkurrencës dhe e seleksionimit paraqiten si absolutisht racionale, si e vetmja e mundshme. Kjo llogjikë kufizon masivisht rritjen individuale dhe në të njëjtën kohë duke dobësuar lidhjet komunitare.

Edukimi Demokratik punon për trasformimin social dhe ekonomik. Pushteti, dhuna dhe konflikti janë disa prej tematikave të saja qendrore. Këto shprehin tre pengesat kryesore ndaj atij eksplorimi të lirë ku konsiston edukimi. Është e çmueshme për të eksploruar vërtet këto mundësi për të konvertuar – në edukim dhe nëpërmjet edukimit – pushtetin e disave në pushtet të të gjithëve, dhunën në forcë, konfliktin shkatërrues në përballje të hapura dhe konstruktive, kërkimin e dallimeve nëpërmjet arsimimit në ndërtimin e durueshëm të një shoqërie të njerëzve të lirë dhe të barabartë falë studimit, punës dhe komunikimit autentik.

Shqipon.org ështv e angazhuar në lëvizjen ndërkombëtare  “democratic education

 

Demokraci Pjesemarrese

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked