BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Mjediset komunitare baza e një rezistence aktive

Që nga antireforma neoliberale e “terapisë shok” dhe deri sot, i tërë rrugëtimi i dështimit tragjik të tranzicionit është pikërisht histori neokolonializmi, histori e instalimit të vrullshëm (pa më të voglën rezistencë të elitës) të regjimit neoliberal.


Si një kandërr e stërmadhe parazitare neoliberizmi mbërtheu vendin (që në vitet e para të pseudo demokracisë) në pezhishkën e vet neokoloniale duke tretur e pangacmuar, triumfatore, në tre dekadat e tranzicionit dhe në vijim tërë potencialin njerëzor dhe ekonomik të vendit.
Rezultati?
Në pezhishkën neokoloniale ndihet vetem kërkëllima eshtërore e një (ish) kombi që rrezikon të zhbëhet në hiç.
Si në diktaturën komuniste edhe sot në regjimin neoliberal, ai që paguan rënien e demokracisë, ende pa u ngritur në këmbë, drejt kolonizimit të plotë të vendit, jemi ne, populli.
E pozicionuar në këtë shkrim, si dhe në jetë, në përkatësinë shoqërore të 99% të shoqërisë, synoj të ndihmoj sado pak bashkëvuajtësit e mi të braktisur prej shtetit të munguar, për më keq edhe të izoluar.
Detyra e parë si individ, në përpjekjen e gjithësecilit në mbrojtje të jetës së vet, është vetëdijësimi për rëndësinë e “njohjes bazike” të realitetit ekonomiko-social të cilit i përkasim, pa këtë njohje bazike nuk mund të ndihmojmë as veten, as shoqërinë.
Njohja minimaliste, por bazike, na ndihmon jo vetëm t’i japim përgjigje pyetjeve: pse ka rritje të pabarazisë, ulje të rrogave, rritje të papunësisë dhe të kostos së jetës, rritje të taksave, të borxhit publik, etj, por është dhe fillesë e një orientimi të drejtë në kërkimin e mundësisë për t’u realizuar si qënie individuale dhe shoqërore.
Pjesë e “njohjes bazike” të neoliberizmit si sistem është veçanërisht njohja e ideologjisë së tij, ndoshta kjo e fundit është po aq, madje edhe më e rëndësishme se njohja e strukturës së sistemit të ri. Një njohje e mirë e ideologjisë neoliberiste prej individit të braktisur dhe të izoluar është ndërkohë dhe një shanc i shtuar për të dal prej kurthit rrënues të dogmave të saja. Ideologjia neoliberale edhe pse një përzierje dogmash është një histori ekspansioni e shpejtë dhe e suksesshme.
Përse në regjimin e sotëm neokolonial individi ndihet i kërcënuar deri në ekzistencën e vet?
Në perceptimin e cilitdo individ, të atij që jeton demokracinë liberale apo te individit që jeton regjimin autokratik, shteti shihet si rregullator në jetën e një kombi. Por ajo çfarë ndodhi me regjimin e sotëm neokolonial tek ne ishte pikërisht përmbysja e këtij perceptimi klasik.
Si kapitalizëm i devijuar, parazitar, neoliberizmi global është i interesuar vetëm për paranë, financat, të cilat edhe ato nuk i qarkullon, por i grumbullon “stok” në banka apo i xhiron në histori borxhesh kolonizuese të kombeve të dorëzuara si ky i yni. E interesuar të zgjasë pafund grabitjen e kolonive të veta, elita financiare globale mban “frymën gjallë” të kombeve koloni me borxhe gjithmonë dhe më skllavëruese, pa lejuar të zhvillohet ekonomia prodhuese, ekonomia që zhvillon vendin dhe hap vendet e reja të punës.
Në regjimin e sotëm neoliberal, kolonial, shteti ynë i çliruar nga çdo pushtet tjetër kontrolli, jo vetëm është duke përmbyllur dorëzimin e sovranitetit të vet, por në aleancë me elitën kolonizatore po finalizon kolonizimin dhe plaçkitjen e vendit. Ndërsa populli i braktisur nuk ka një “derë” shtetërore ku të përplasë agoninë e vet ekzistenciale.
Në një investigim të thjeshtë mund të shihet qartë se si zyrat e punës nëpër qytete (madje të rëndësishme) dhe zona të tëra të vendit nuk funksionojnë më. Pjesa më e madhe e tyre ka shumë kohë që janë mbyllur, ndërsa pak prej tyre janë formalisht të hapura, shpesh përdoren për shërbime të tjera jashtë çështjes së punësimit.
Largimi nga vendi i gati gjysmës së popullsisë me kosto e histori nga më dramatiket në këto tre dekada ëshë dëshmia më e qartë e një populli me ekzistencë të mohuar, që paguan peshën e indiferentizmit dhe të padijes së vet në lejimin e kolonizimit rrënues të vendit.
Largimet masive janë dëshmi e një popullate të mundur dhe e një rezistence aktive të munguar.
Për të kuptuar realitetin dramatik duhet vëzhguar gjendja e terrenit komunitar, realitetit ku lind, edukohet dhe kalitet rezistenca shoqërore.
Por ç’është komuniteti si koncept i thjeshtëzuar?
Është pak a shumë “hambari” i përbashkët ku mblidhen dhe ndahen dijet e të gjitha fushave: të organizimit të shoqërisë, dijet rreth ekonomisë, shkencës, filozofisë, artit dhe kulturës.
Komuniteti erdhi si kërkesë jetike e individit në rrugëtimin e vet evolutiv. Jeta në komunitet për njeriun siguroi kapërcimin thelbësor të tij nga qenia individuale drejt qenies shoqërore. Njeriu është unifikim i dy qenësive të veta, qenies individuale dhe asaj shoqërore. Shkëputja e cilësdo prej tyre çon në gjymtim të personalitetit të individit. Njeriu si qenie individuale dhe shoqërore është produkt i dijeve të veta, dije të cilat i siguron, zhvillon dhe shpërfaq vetëm në komunitet.
Mbi gjithçka, komuniteti është terreni i vetëm, që jetëson konfliktin shoqëror, i cili mbron dhe evolon interesin e përbashkët publik. Pa konfliktin shoqëror nuk ka progres. Si një makineri gjigande, Ai centrifugon tërë shoqërinë duke ndarë vlerën shoqërore nga antivlera, interesin publik nga ai individual.
Cilat janw marrëdhëniet e regjimit të sotëm neoliberal, kolonial me individin dhe komunitetin?
Është ky një proces i domozdoshëm njohjeje për të kërkuar, dhe pse jo, realizuar Ndryshimin.
Neoliberizmi, gur themeli të ekzistencës së vet si sistem në hegjemoni ka konceptin e tregut, i cili sipas neoliberizmit rregullon gjithçka.
Po ç’është tregu? A mundet tregu të sigurojë të drejtat e individit, si punësimin? A mundëson funksionimin e komunitetit, jetës shoqërore, pa të cilin nuk ka zhvillim, mirëqënie, progres individual dhe shoqëror?
Në konceptimin e cilitdo tregu për sinonim ka fjalën “pazar”. Si “pazar” që është tregu mbetet një realitet i papërcaktuar, pa aftësi strukturore për të ndërtuar histori të zhvillimit dialektik.
Por individi si qenie individuale dhe komunitare (shoqërore), është një histori e tërë dialektike. Për më tepër komuniteti, mjedisi ku njeriu gjallon si qenie shoqërore, është një realitet me histori konfliktesh përmes të cilave u mundësua zhvillimi i sotëm i shoqërisë njerëzore.
Tregu amorf është më shumë se i dobët për t’i besuar supeve të tij të pa trajtë ngritjen e dialektikës së shoqërisë njerëzore. Një analizë minimaliste, që tezën hegjemone neoliberiste, “tregu është gjithçka”, e rikthen në realitetin e vet fiktiv e dogmatik.
Pra regjimi i sotëm neoliberal, neokolonial, nuk ka një realitet strukturor mbi të cilin të ndërtojë marrëdhënien me individin dhe komunitetin.
Një histori e zbrazët absurdi?!
Jo!
Mungesa e një baze strukturore, që do të menaxhonte marrëdhënien e regjimit me individin dhe komunitetin nuk ka brenda vetes asnjë handikap, përkundrazi, është rrjedhojë dhe shprehje e thelbit të sistemit, që është vetëm mbrojtja e interesit të elitës ekonomike transnacionale, ajo që në gjuhën e përditshme etiketohet si 1% i popullsisë
Neoliberizmit nuk i intereson individi apo komuniteti ku ai gjallon (aq më pak ai kolonial, si ne), pra nuk i intereson mirëqenia e 99% të popullsisë, kjo është arsyeja pse kjo marrëdhënie e munguar nuk është e shprehur strukturalisht.
Zbrastësinë strukturale e mbulon fuqishëm ideologjia. Edhe pse një përzierje dogmash dhe sloganesh kjo ideologji agresive siguroi hegjemoninë e sotme të sistemit.
Në dualitetin individ-komunitet, ideologjia neoliberiane përqëndroi sulmin te Individi dhe të drejtat e tij, një çështje të cilën e trajtoi të përmbysur, duke zeruar në të njejtën kohë funksionin e komunitetit si të panevojshëm për individin.
Të drejtat e njeriut janë “masa e çdo gjëje në shoqëri”, është kjo një nga dogmat më ekspansioniste të ideologjisë neoliberale.
Trajtimi i individit dhe të drejtat e tij vetëm si të drejta të personalizuara (Individualizmi), duke refuzuar njohjen e gjysmës tjetër të individit, që është qenia e tij shoqërore dhe të drejta të shprehura në raport me këtë qenësi, është dëshmi e qartë se si ideologjia përmbys realitetin progresiv, duke dëshmuar se ideologjia punon dhe mbron sistemin e vet dhe jo të drejtat e njeriut. Përmbysje e këtij realiteti progresiv në kuadër të individualizmit është në fakt dëshmi jo e mbrojtjes, por e çmontimit të drejtave të njeriut.
Por çfarë ndodh me strukturën neoliberale? Struktura me pushtetin e vet financiar eliminon që në gjenezë çdo formë komunitare, duke lënë si “dekor” segmente të blera të shoqërisë civile apo ndonjë sindikatë të dalboje për shit-blerjet me sistemin.
Në përmbylllje të rrugëtimit të tre dekadave kur Shqipëria po përmbyll kolonizimin e vet dhe në vend është instaluar regjimi neoliberal, individi shfaqet i përgjysmuar, ka humbur gati tërësisht përmbajtjen më thelbësore, qenien e vet shoqërore.
Humbja është edhe më dramatike. Elita transnacionale kolonizatore, që instaloi regjimin neoliberal në Shqipëri, së bashku me kastën kanë rrënuar gati tërësisht mjedisin komunitar.
Asgjë nuk është rastësi. Me pushtetin e parasë, lobet e huaja dhe kasta, që kërkojnë përjetësimin e grabitjes së vendit, rrënojnë çdo formë të jetës komunitare, mjedisit ku njeriu formohet si qenie shoqërore për betejat politike në kërkim të çlirimit të të drejtave të përbashkëta prej lobeve dhe kastës plaçkitëse.
Duke ndier në jetët tona të grabitura, dhunën e pamëshirë dhe perverse të regjimit kolonizator dhe kastës e vetmja zgjidhje për individin dhe shoqërinë mbetet rezistenca përmes angazhimit aktiv politik.
Nëse flitet për rezistencë aktive ajo duhet ta shënojë fillesën e vet me vetëdijësim për të punuar fort në ngritjen e habitateve të para komunitare, të cilat si kërpudhat që ushqejnë tokën, do të punojnë fort për ngritjen e vetëdijes shoqërore, veçanërisht të të rinjve studentor dhe masës në përgjithësi.

Majlinda Zeneli
Fier, 3 Dhjetor 2018.

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked