BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Pa rënien e partive-shtet nuk ka shtet!

..Shërimi i këtij sistemi të sëmurë me anë të krijimit të partive të reja, ka aq sukses sa dhe shtimi i gotave të alkoholit ndaj një personi të alkoholizuar…!!!

 

 

Gjithmonë e më shumë po zë vend mendimi publik, se shkaktarë të paralizës shqiptare janë pikërisht partitë politikë për numrin dhe mënyrën se si këto funksionojnë. Shërimi i këtij sistemi të sëmurë me anë të krijimit të partive të reja, ka aq sukses sa dhe shtimi i gotave të alkoholit ndaj një personi të alkoholizuar.

Pavarësisht përbetimeve e premtimeve, të një “dehuri” të tillë kronik, e vërteta është se ai vetë nuk mund të dalë dot nga gjendja ku ka rënë. E tillë është situata e klasës politike të tranzicionit që ndoshta edhe “dëshiron”  të dalë jashtë  sistemi kurth që vetëkrijoi. Por kjo është thjesht e pamundur për toksinën, skemat dhe sjelljet që ka në gjak.

Sistemi që krijuan në praktikë, është diamtetralisht i kundërt me kontratën sociale që populli shqiptar nënshkroi pas rënies së komunizmit. Aspiratat e shqiptarëve për ndërtimin e një demokracie substanciale, ekonomie tregu dhe shteti të së drejtës u zvanitën pikërisht për shkak të uzurpimit total të hapësirës prej partive politike që do vijonin të kontrollonin jetën politike e ekonomike të vendit. Demokracia e vërtetë si pushtet i popullit, kërkon pajisjen e qytetetarëve me instrumenta kontrolli dhe vendimmarrës mbi institucionet publike. Pra, një demokraci nga poshtë dhe jo e imponuar nga lart.

Por të gjitha këto instrumenta i mbetën po partisë, edhe pse tani me rotacion. Ato pak institucione që Kushtetuta e 1998, kërkoi ti shpëtonte nga partitë, dalëngadalë do binin nën orbitën e partisë me anë të deformave shitur si reforma. Në këto kushte kapjeje të shtetit, ky i fundit nuk mund të luajë dot, rolin e tij si mbrojtës i interesit publik. Ai vihet në shërbim të një kaste që rigjenerohet me privilegje dhe shantazhime reciproke. Kuptohet atëherë përse shtimi i numrit të partive dhe betejave të ashpra për zaptimin e tyre. Shqipëria është “Republikë pseudo-parlamentare”, prandaj kush kap partitë kap parlamentin e kush kap parlamentin kap të gjithë shtetin duke e vënë në shërbim të interesave të tij.

Dahrendorf kujton se regjimet totalitare ndryshojnë format por jo thelbin e tyre, edhe pse maskojnë me retorikë, uzurpimin e institucioneve publike për interesa klanore e privilegje.

Sovraniteti nuk u bë kurrë popullor por mbeti pronë e partive dhe njerëzve të saj. Kurse shqiptarët vazhdonin të mbeteshin vetëm nënshtetas pa u lejuar të bëheshin qytetarë sovranë që vendosin lirisht e realisht fatet e vendit. Këto vendime vazhdoheshin të merreshin nga një grusht njerëzish të organizuar në parti, që njësoj si në Nomenklaturë emëronin njëri-tjetrin. Edhe rituali i votimit vazhdoi i njëjtë si në komunizëm ku populli voton por pa vendosur dot fatet e tij, fiksuar nga partitë. Për 26 vite populli voton mbi programe zhvillimi, punësimi, përmirësim të shëndetësisë, arsimit, energjisë, bujqësisë, por vendimet e ndërmarra me të ardhur në pushtet janë krejt të kundërta me ato të kontratës në fushatë elektorale. Dhe populli vështron i pafuqishëm sesi mashtrohet me rotacion. Demokracia kërkon një pactum unionis mes qytetarëve dhe jo një pactum subiectionis diktuar nga partitë.

Demokracia liberale thekson Habermas, kërkon pikërisht një hapësirë të lirë ku njerëzit të mund të diskutojnë dhe marrin pjesë në vendimmarrje jashtë skemave totalitare. Por kjo hapësirë e lirë nuk u lejua të krijohej. Në vend të tij u krijua një qeli e padukshme, ku njerëzit brenda saj lëvizin “lirisht” sa mund të lëvizësh brenda burgut por pa dalë jashtë tij.

Kështu, të gjithë mund të flasin por jo aq shumë sa fjalët e tyre të trasformohen në ide të përbashkëta për ndryshimin e realitetit. Mediat, gazetat, sindakatat, shoqëria civile do mbahej nën kontroll nga kasta e organizuar në parti. Të gjithë mund të merren me ekonomi, por ato të thjeshta si lokale e parukeri, pa rrezikuar të prekësh monopolet e vërteta që diktojnë ekonominë.

Mendimi unik iu është ngulur tashmë në tru çdo individi, se ekonomia do rregullohet me sforco personale, me perceptime mikro-ekonokomike. Por kjo s’do ndodhë kurrë, sepse ekonomitë moderne varen nga makro-ekonomia, nga modeli dhe politikat publike që ndërmerren larg syve dhe perceptimit të një qytetari mesatar. Ky model i konkorduar nga oligarkia shqiptare me lobet ndërkombëtare, ka për synim pikërisht mbajtjen në ekonomi primitive, koloni importi, përqendrim të pasurisë, monopole ekonomike dhe oligarki politike në një kontroll reciprok larg qytetarëve dhe biznesit të vogël.

Debati publik, orkestruar nga mediat dhe klerikët e sistemit, u induktua të përqendrohej vetëm mbi fytyra dhe sllogane, por asnjëherë mbi çështjet konkrete. Si reagim i kushtëzuar ndaj kësaj retorike, populli televiziv priret të shohë  zgjidhjen vetëm tek përzgjedhja e fytyrave dhe jo vendimarrja direkte për “gjërat”, tek delegimi i partive dhe jo pjesëmarrja aktive.

Mendimi i partisë është gjithashtu edhe mendimi i tij përderisa ai nuk lodhet të bëjë vetë një sintezë. Në këtë mënyrë parazitare skema parti-shtet përforcohet nga të dyja anët duke u legjitimuar si e vetmja e mundshme. Nëse dikush vë në dyshim këtë skemë 70 vjeçare, denigrohet si populist ose izolohet për të mos u përhapur e shumuar. Politika vazhdon të konsiderohet çështje e një “elite” dhe qytetarët si të paaftë, injorantë që duhet ti rrinë larg vendimmarrjes mbi politikat publike.

Këta mund të llomotisin për politikën por jo të vendosin për të. Kuptohet që ky refren i pëlqen në radhë të parë “intelektualëve”, që shohin problemin tek qytetarët dhe jo tek një grusht njerëzish që kanë gjunjëzuar vendin për privilegje. Kuptohet që është më lehtë të “bësh hajër” duke u rreshtuar pranë partisë sesa në një garë reale. Por kjo perspektivë është iluzore sepse formëson një spirale falimentare e drejtuar poshtë, duke fundosur jo vetëm këta që zgjedhin këtë skemë por për 99% të qytetarëve shqiptarë jetim në një shtet dhe ekonomik të kapur. Administrata ka hequr dorë nga shërbimet publike dhe i gjithë buxheti harxhohet për rroga, si një makineri perfekte elektorale që përjetëson këtë sistem barbar.

Nga ana tjetër, kjo kastë e 1% të popullsisë, për të sunduar e  ruajtuar privilegjet ka nevojë ekzistenciale që të përhapë përçarjen me anë të metastazës së partive. Kudo mbijnë fytyra të reja në parti të vjetra apo fytyra të vjetra në parti të reja, duke shërbyer si trapiantë përbindëshit të shtetit-partiak.  Më rëndësi sesa vuajtjet reale marrin premtimet virtuale dhe pretendimet se vetëm i partitizuar mund të kesh sukses e të mbijetosh. Në këtë grackë nuk bien vetëm intelektualët, por dhe biznesmenët deri tek humoristët dhe artistët e vendit të ndarë si pronë mes partive. Fatkeqëssisht nëse intelektualët tradhëtojnë vendin, populli mbetet jetim e nuk arrin të imagjinojë dot një rrugëdalje jashtë skemës së qelisë, tashmë jo dhe aq të padukshme.

Por si mëson Hegel, asnjë konstukt shoqëror nuk është i përjetshëm, aq më pak skemat piramidale që fundosen nën peshën e tyre. Shumica e qytetarëve dhe intelektualëve kuptojnë tashmë se ky ekuacion nuk mund të mbajë më duke rrezikuar seriozisht të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve.

Ajo që mungon është vetëm guximi për të dalë nga kjo skemë, për ti hequr mbështetjen kësaj piramide, pa patur frikën se do humbasin pozicionin e tyre social. Pasuria dhe begatia për të qenë të qëndruesheme dhe të sigurta kanë nevojë për një shoqëri dhe institucione të shëndosha që i garanton. Fillimisht ky ndyshim i perspktivës duhet të fillojë nga intelekutalë të rinj dhe biznesi i vogël deri sa të arrijë një masë kritike dhe përqafohet nga shumica e stërvuajtur në këtë sistem që nuk krijon as pasuri materiale dhe as shpirtëore.

Kur sëmundja është serioze, nuk ka zgjidhje të thjeshtë pavarsisht doktorëve sharlatanë.

Duhet kuptuar se është po aq e rëndësishme largimi i gjithë faraonëve të mjerimit ashtu si dhe rënia e piramidave për nostalgjikët e së nesërmes. Këto piramida kanë për bazë pikërisht partitë politike, që shërbejnë si brigada plaçkitëse e mbajnë brenda tyre mumje e vampirë të çdo lloj rrace.

Prandaj, pa rënien e partive-shtet nuk mund të ngremë dot kurrë një shtet në kuptimin modern, që arrin të sintetizojë unitetin kombëtar e të kurojë interesin publik e jo atë klientelar. Të rrëzosh vetëm fytyrat pa ndryshuar sistemin, është njësoj si të largosh mizat pa larguar më parë bajgën.

Organizmi i shtetit shqiptar si përmend Sami Frashëri tek vepra e tij “Shqipëria çka qenë, çfarë është e çdo do të bëhet”, ka nevojë për të gjitha forcat e tija materiale dhe morale në një pjesëmarrje aktive dhe në të gjitha nivelet, pa krijuar skema totalitare dhe udhëheqës autoritarë. Pikërisht kjo frakturë e thellë mes shqiptarëve që prodhojnë partitë-shtet, anullon çdo energji pozitive në përplasje mes tyre. Ndarja në fitimtarë dhe humbës, për katër vjet prodhon një luftë klase për privilegje dhe mbijetesë. Si pasojë vendi mbetet në vend numëro, pa trasformuar dot energjinë në lëvizje progresive.

Ajo që duhet të bëjmë si një vend i vogël dhe fantastik për demokracinë – si shprehet Moneteskie – është pjesëmarrja e vazhdueshme e qytetarëve direkt në politikat publike, duke kaluar nga popull spektatorë në vendimmarrës, nga tifozë partish në përgjegjës të jetëve tona. Adhurimi primitiv për dogmën partiake dhe udhëheqësin e saj të trasformohet në dashuri për atdheun dhe territorin si i kanë shërbyer heronjtë e harruar të Shqipërisë. Kështu fillojmë të merremi me Politikë me “P” të madhe dhe jo thjesht me politikanët, me politika publike dhe jo figura publike. Garant i interesit publik është vetë publiku, garant i të drejtave të Qytetarëve janë vetë Qytetarët vetëm nëse këta shtien në dorë instrumentat juridikë për vendimmarrje dhe kontroll të makinës shtetërore dhe politikave publike.

Që këto mos të mbeten vetëm sllogane duhen përkëthyer në institucione të reja mbi një Kushtetutë të re që tani nuk ngrihet mbi partitë si është sot, por mbi demokracinë pjesëmarrëse. Prandaj, këto forca progresiste në vend duhet të punojnë për këto themele të reja të vendit, për inkurajimin e qytetarëve që të heqin dorë nga zbukurimi i bunkerit dhe ndërtimit të një shtëpie të re ku çdo shqiptar ndihet Zot për të kontribuar. Partitë do vazhdojnë të ekzistojnë, por ato do zhvishen nga ku super pushtet që kanë sot dhe atë çfarë partitë e vendosin sot, nesër duhet ta vendosin vetë qytetarët në forume të ndryshme. Pa këtë super pushtet, partitë nuk shërbejnë më si magnet i energjive dhe njerëzve negativë. Ato kthehen në shtratin kushtetues, si ndërmjetëse por jo uzurpuese të vullnetit popullor, si forume të ideologjive dhe elitave alternative pa patur mundësi të jenë totalitare. Për këtë qëllim dhe për rëndësinë që kanë, partitë do vishen me garanci kushtetuese që të ndalojnë oligarkinë e brendshme dhe funksionojnë në përputhje me demokracinë e Republikës. Organizimi nga poshtë lart, zgjedhjet periodike një antar një votë, mandate të kufizuara e jo të përjetshme, trasparenca e financimit, nuk do jenë më çështje të brendshme të partisë në varësi të kryetarit, por të garantuar nga një insititucion publik i zgjedhur direkt nga qytetarët shqiptarë. Ridemensionimi i pushtetit të partive higjenizon vetë ato dhe sistemin prej një numri kaq të madh e të pajustifikuar të tyre. Përhpaja e partive me të njëjtën strukturë e ideologji si ajo totalitare komuniste është si metastaza e një kanceri, që nga një shumohet në shumë. Kështu zgjidhja nuk është një apo shumë kancere por eliminimi i informacionit gjenetik dhe kthimi i partisë në qelizë të shëndetshme për trupin shoqëror dhe shtetin.

Meqenëse pushteti, është një shumatore e mbyllur, dobësimi i partive do të thotë fuqizim i Qytetarëve dhe i shtetit demokratik e të përgjegjshëm.

Tashmë do kemi lejuar jo vetëm lirinë e qytetarëve, por dhe atë të biznesit, të sindakatave, të shoqërisë civile, të mediave dhe shkollës. Shqipëria fillon e merr frymë lirisht, duke dalë nga totalitarizmi politik dhe banaliteti kulturor-ekonomik. Mendimet dhe idetë formësohen në forume të ndryshme duke bërë pjesëmarrës çdo njeri e energji të këtij vendi. Nuk është më e nevojshme të jesh i pasur a me pushtet për të thënë fjalën tënde për politikat publike. Politika zbret tek hallet e përditshme. Armatat e gangsterëve, hajdutëve që emërojnë njëri tjetrin duke zaptuar parlamentin, qeverinë, administratën apo gjykatat, zhduken pasi nuk është më partia që të garanton fitoren por kontakti i drejtëpërdrejtë me qytetarët që vendosin zgjedhjen dhe shkarkimin në çdo moment të përfaqësuesve të tij më të denjë. Shteti ndalon së qenuri një “bunker i mbyllur” që hapet vetëm nga brenda kur duan partitë, por një ndërtesë trasparente që i shërben gjithë qytetarëve që ndërmarrin reformat që dëshirohen prej shumicës së shqiptarëve.

Referendumet në erën e informacionit të shpërndarë kudo, duhet të jenë instrumenti kryesor për miratimin e politikave publike. Aristoteli mëson se një turrmë khehet në popull vetëm nëse ai merr një valencë politike, vetëm nëse ai diskuton dhe vendos fatet e polis-it të tij. Deri sa ai i delegon këtë pushtet partive apo dikujt tjetër, ai mbetet minoren (Kant docet) dhe merret me thashetheme mbi fytyra dhe emra. Shteti do kurojë interesin publik vetëm nëse ai togëzohet me qindra instrumenta tek qytetarët, si insitucioni i parë i vendit. Vetëm kështu shteti dhe populli bëhet një dhe shoqëria rritet së bashku pa rrezikuar fraksionimin dekadent.

Nëse zyrtarët e lartë të shtetit do emërohen prej partisë, ata nuk do jenë kurrë shërbëtorë të Republikës por partisë dhe llogjikës së saj autorefernciale oligarkike. Prandaj, shumë shtete praktikojnë, zgjedhjen direkt nga populli, të Deputetëve, Presidentit, Prokurorit të Përgjithshë, Drejtorit të Policisë, Magjistratëve, Avokatit të Popullit, Governatorit të Bankës, e të tjera agjenci të pavarura. Me këta zyrtarë të lartë zgjedhur prej popullit, largohen hijet e përqendrimit të pushtetit, rritjes së përgjegjshmërisë, kontrollit reciprok dhe higjenizimit të makinës shtetërore. Sigurisht, që këto kontrata me qytetarët duhet të perfeksionohen, duke parashikuar jo vetëm zgjedhjen por dhe shkarkimin në çdo kohë.

Era që po fryn kudo është pikërisht zgjerimi i demokracisë, përditësimi i saj prej formave osbolete të para dy shekujve, rënien e partive si të vetmet rregullatore të jetës kolektive.

Era e re është ngritja e qytetarëve vendimmarrëse, në një botë ku informacioni do jetë gjithmonë e më shumë në dispozicion të të gjithëve, prandaj dhe një përdorim i tij në forma të reja direkte pa ia deleguar një elite autoreferenciale.

Kjo erë po fryn tashmë dhe në Shqipëri dhe do fryjë gjithmonë e më shumë në përmbysjen e këtyre piramidave prej letre, që nuk mundin më të mbulojnë dritën që çdo komunitet ka nevojë për tu rritur e prosperuar.


Dr. Ledian Droboniku – aktivist ShqipON

 

 

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked