BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

PLANI BEVERIDGE (1942) PËR NJË SHTET SOCIAL

William Beveridge konsiderohet si babai i welfare state (shtetit social).

Ai ishte një ekonomist dhe sociolog liberal britanik i diplomuar në Oxford në 1904. Takimi me Sidney e Beatrice Webb, filantropë dhe teoricienë të sindikalizmit anglez, e bënë që të hynte në komisionin që publikoi në 1909 raportin e famshëm mbi pakicat, skema e parë për një plan organik të sigurisë sociale. (welfare state anglez, që si studjues e teorizoi dhe si funksionar i shtetit kontribuoi për ta realizuar). Beveridge drejtoi (1919 deri 1937) LSE (London School of Economics) dhe drejtoi një komitet ndërministror me detyrën e krijimit të një sistemi britanik mbi sigurimet sociale. Në 1944 u zgjodh deputet liberal në parlamentin anglez dhe 1945 pranoi titullin Lord duke hyrë në dhomën e lartë. Që atëherë u morr me problemet lokale në qytetet e reja të Aycliffe dhe Pererlee. Mes veprave të tija më të rëndësishme kujtojmë “Punësimi i plotë në një shoqëri të lirë” dhe “Çmimi i paqes”.

Plani Beveridge kishte si nëntitull “relacioni i Sir William Beveridge për Qeverinë britanike mbi mbrojtjen sociale”. Pak gram “dinamiti kulturor” që do arrinte të shkundte dhe bindte intelektualët dhe qeveritarët e gjithë Europës për themelet e drejtësisë sociale, të solidaritetit mes klasave, mbi mbrojtjen e punëtorëve dhe shtresave më të dobëta, mbi detyrimet e Shtetit dhe pushteteve ekonomike për të garantuar lirinë dhe demokracinë. Ndërsa valonte lufta, relacioni pa fjali propagandistike nuk sugjeronte asnjë hipotezë socialiste por një katalog projektesh, programesh dhe të dhëna teknike. Ai tregonte mbi të ardhmen që duhet të prisnin popujt me tu çliruar nga fashizmi dhe nazizmi dhe sugjeronte “shijimin e padëgjuar” të mbrojtjes sociale dhe të lirive nga nevojat në një sistem demokratik të aktiv e të vërtetë jo thjesht formal.

Plani Beveridge ishte një plan pragmatik dhe funksional drejtuar jo sektorëve të ekonomisë si industria, bujqësia, shërbimet, bota financiare, (si ndodhi në SHBA me New Deal) por mbi përditshmërinë e njerëzve. Qeveria drejtuar nga Churchill, e kishte deklaruar para Dhomës së Deputetëve më 27 Janar 1942, si një iniciativë e një “komisioni interministerial për sigurinë sociale dhe shërbimet asistenciale” formuar në qershor 1941, në krye të së cilës ishte një ekonomist liberal 62 vjeçar, rektor i Universitetit College të Oxford, Sir William Beveridge.

Opinioni publik anglez, edhe pse më i moderuari dhe liberali, kishte kuptuar që me zgjerimin në Europë të fuqisë gjermane, lufta kishte marrë një drejtim të rrezikshëm. Por optimizmi dhe rezistenca mbizotëruar ato ditë në një klimë solidariste si kurrë më parë, prandaj dhe plani nuk hasi asnjë rezistencë nga askush. Dhe në ditët e para të janarit 1943 projekti i “mbrojtjes sociale dhe politikës sociale” dhe Welfare State në sensin më racional të termit filloi ekzekutimin e menjëhershëm.

Kanë kaluar 80 vjet, por idea që udhëhoqi Beveridge dhe bashkëpunëtorët e tij është më aktuale se kurrë edhe sot në epokën e një kapitalizmi pa frena. Plani implikonte tre premisa: “ndihma ndaj fëmjërisë, zgjerim universal të shërbimit shëndetësor, punësim i plotë”. Pra një rieformë politike totale të shoqërisë, që vazhdoi me sukses deri në fund te viteve “70. Zemra e planit qëndronte në konkluzionet e Beveridge se: “plotësimi i nevojave nuk mund të diktohet as dhurohet në një demokraci, por ajo mund të garantohet me besim, kurajo dhe ndjenjë të unitetit kombëtar”.

Me këtë frymë pasoi dhe plani i dytë Beveridge në 18 maj 1944, emëruar: Punësimi i Plotë në një Shoqëri të Lirë”. Kjo do të ishte dhe hetimi më i thellë që ishte shkruar ndonjëherë (600 faqe) mbi shkaqet e papunësisë dhe mundësisë se, me të mbaruar lufta, të realizimit të punësimit të plotë në industri, bujqësi dhe shërbime. Një ëndërr e ndërtuar mbi një diagnozë të thellë e perfekte, përtej disa formulave keynesiane, drejt funksionimit të Shtetit dhe strukturave të tija për realizimin e një sistemi kapitalist efiçent prodhues privat e publik. “Punësimi i plotë prodhues, në një shoqëri të lirë – shkruante Beveridge – është i mundur por nuk mund të realizohet me një shkop magjik financiar”.

Beveridge kishte teorizuar kështu detyrimin e Shtetit për të garantuar të drejtat ekonomike të qytetarisë nëpërmjet punës dhe të ardhurave.

“Nevoja përkufizohet si pamjaftueshmëria e të ardhurave për të siguruar një jetë të shëndetshmë: ushqim i shëndetshëm, banim, veshje dhe energji. Plani i sigurisë sociale ka si objektiv ti siguroji çdo qytetari (me kusht që ai të punojë sa të mundë duke i shkarkuar kontributet e pensionit) të ketë të ardhura neto për ti siguruar atij dhe familjes së vet jo vetëm një jetë dinjitoze por dhe kursime për ditë më të veshtira ose kur nuk punon dot. Përtej të ardhurave dinjitoze, relacioni propozon ndihma për fëmijët në mënyrë që asnjë fëmijë mos të gjendet më në kushte nevojtare, sidomos për ato ndaj shëndetësisë duke mos paguar dot doktorin apo mjekimin.

 

Duket si program socialist, por është veç një program i një liberali me bonsens pa etiketa por patriot për popullin e vet. Beveridge ashtu si Keynes kishte kuptuar se: punësimi dhe begatia e përgjithshme nuk arrihet vetvetiu nga tregu dhe bujaria e elitave financiare, por nga një bashkërendim i forcave progresiste të të gjithë kombit brenda një shteti që kuron interesin e përgjithshëm dhe jo vetëm një pakice.

Këto janë themelet mbi të cilat u ngritën shtetet moderne perëndimore, jo vetëm Anglia e ShBA por dhe Italia, Gjermania, Franca, vendet skandinave, Japonia etj. Këto duhet të jenë dhe mësimet prej të cilave duhet të nisemi për të ndërtuar një shoqëri të drejtë, një shtet dinjitoz dhe një kapitalizëm të shëndetshëm e efiçent. Pra bëjmë ato çfarë kanë bërë këto vende, e jo ajo çfarë nga thonë me receta neoliberiste, që pamundësojnë zhvillimin dhe rrisin varfërinë, padrejtësinë dhe konfliktet sociale.

 

Dr. Ledian Droboniku

 

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked