BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Projektligji për Referendumet

Në datën 10 Dhjetor 2017, ora 10.00, ShqipON organizon takimin publik mbi propozimin e Projekt ligjit mbi
REFERENDUMET
(dhe institute të tjera të Demokracisë Pjesëmarrëse)

Shkarko në pdf Projekt-ligj-per-Referendumin-draft

Neni 1
Populli dhe Shteti shqiptar

Republika e Shqipërisë ngrihet mbi Demokracinë Pjesëmarrëse dhe Shtetin e së Drejtës.
Sovraniteti i përket popullit shqiptar i cili e ushtron në mënyrë të drejtëpërdrejtë ose nëpërmjet përfaqësuesve të tij, brenda kufijve të Kushtetutës.
Referendumi është instrumenti më i rëndësishëm i ushtrimit të sovranitetit popullor.

 

Neni 2
Referendum miratues

50 mijë qytetarë shqiptarë kanë të drejtën që të thërrasin një referendum kombëtar për miratimin e një ligji ose shprehjen mbi një çështje të veçantë

 

Neni 3
Referendum konfirmues

50 mijë qytetarë shqiptarë kanë të drejtën që të thërrasin një referendum kombëtar për konfirmimin e një ligji miratuar nga parlamenti ose një vendimi të qeverisë me rëndësi të veçantë kombëtare. Ligji i miratuar nga parlamenti ose vendimi i qeverisë pezullohen pas kërkesës depozituar në KQZ dhe hyjnë në fuqi pas konfirmit popullor.

 

Neni 4
Referendum shfuqizues

50 mijë qytetarë shqiptarë kanë të drejtën që të thërrasin një referendum kombëtar për shfuqizimin e një ligji, traktati ndërkombëtar apo vendimi të qeverisë.

 

Neni 5
Referendum kushtetutes

100 mijë qytetarë shqiptarë kanë të drejtën që të thërrasin një referendum kombëtar për ndryshimin e Kushtetutës. Ndryshimet kushtetuese nuk i nënshtrohen shqyrtimit të Gjykatës Kushtetuese. Referendumi kushtetues konsiderohet i vlefshëm nëse për të është shrehur shumica e qytetarëve shqiptarë me të drejtë vote.

 

Neni 6
Referendum lokal

20 mijë qytetarë ose 1/5 e popullsisë së njësisë vendore kanë të drejtën që të thërrasin një referendum lokal, me të njëjtat forma të referendumit kombëtar, por me interes lokal. Pjesëmarrja e qytetarëve në pushtetin lokal realizohet edhe për miratimin e buxhetit dhe propozimit për realizimin e veprave të ndryshme me interes publik.

 

Neni 7
Referendumet e detyrueshme

Parashikohet thirrja e detyruar e referendumit për konfirmimin popullor të ndryshimeve kushtetuese miratuara nga parlamenti ashtu si dhe ndaj ligjeve mbi organizimin e organeve kushtetuese dhe marrëveshjeve ndërkombëtare që sjellin kufizimin e sovranitetit kombëtar.

 

Neni 8
Ligjshmëria kushtetuese

Gjykata Kushtetuese është i vetmi organ i cili kontrollon ligjshmërinë kushtetuese të mbajtjes së Referendumit. Ajo mund të ndalojë thirrjen e referendumit nëse rrezikohen të drejtat dhe liritë e individit, integriteti territorial dhe social i vendit. Gjykata kushtetuese shprehet edhe nëse çështje të caktuara kanë interes kombëtar apo lokal.
Gjykata kushtetuese vihet në lëvizje nga të gjithë subjektet parashikuar në nenin 134 pa kushtëzim. Shprehja mbi ligjshmërinë kushtetuese të referendumit ka përparësi mbi detyrat e tjera dhe Gjykata Kushtetuese duhet të shprehet brenda 30 ditëve nga depozitimi i kërkesës. Kërkesa për kontrollin kushtetues të referendumit paraqitet vetëm pas mbledhjes së firmave por mund të paraqitet paraprakisht nga organizatorët e tij.

 

Neni 9
Organizimi i referendumit

Nismën për organizimin e një referendumi e ka çdo grupim qytetar prej jo më pak se dhjetë individësh. Kërkesa depozitohet në KQZ e cila vë në dispozicion të gjitha materialet llogjistike dhe lehtësirat e tjera financiare për mbledhjen e firmave. Me marrjen e kërkesës së organizatorëve KQZ publikon online nismën së bashku me projektin e paraqitur.
KQZ nuk mund të refuzojë mbajtjen e referendumit, mbledhjen e firmave apo konvalidimit të tyre. Përgjegjësia penale, civile dhe administrative, bie mbi organizatorët e fushatës së mbledhjes së firmave në mënyrë kolektive dhe individuale.
Organizatorët kanë 3 muaj afat për mbledhjen e firmave. Në rast se organizatorët nuk arrijnë të mbledhin firmat brenda këtij afati ose nëse Gjykata Kushtetuese shprehet kundër objektit të Referendumit, këta janë të detyruar të paguajnë shpenzimet e siguruara paraprakisht prej KQZ. Nëse populli nuk miraton çështjen e ngritur me referendum, organizatorët janë të detyruar ndër të tjera, ti paguajnë shtetit shqiptar shumën prej 2 milion lekësh si dhe ndalimin prej 5 vitesh të kësaj të drejte.

 

Neni 10
Shpallja e datës së mbajtjes së Referendumit

Pas dorëzimit të mbledhjes së firmave të duhura, KQZ shpall publikisht online dhe në fletoren zyrtare propozimin për referendum. Subjektet e parashikuar në nenin 134 të Kushtetutës kanë afat një muaj për të ushruar të drejtën e tyre për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për kushtetushëmrinë e propozimit. Pas kalimit të këtij afati ose pas shprehjes së Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Republikës ka detyrimin për thirrjen e referendumit brenda 3 muajve. Referendumi nuk mund të mbahet para 3 muajve që përkojnë me zgjedhjet për parlamentin.

 

Neni 11
Thirrja e referendumit nga organet shtetërore

Kuvendi Popullor ose Këshilli bashkiak me propozimin e jo më pak se një së pestës së antarëve, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj të shtrohet në referendum kombëtar apo lokal

 

Neni 12
Rezultati i Referendumit

Në referendum konsiderohet fituese alternativa që ka fituar shumicën e votave të vlefshme, por jo më pak se një të tretën e numrit të zgjedhësve të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Zgjedhësve, përveç kur parashikohet ndryshe në këtë ligj. Rezultati i referendumit shpallet me dekret të Presidentit të Republikës.
Nëse propozimi nuk miratohet nga populli shqiptar ai mund të rishqyrtohet përsëri vetëm pas 3 vitesh.

 

Neni 13
Nisma ligjvënëse popullore

20 mijë qytetarë kanë të drejtën e propozimit të një projektligji para parlamentit shqiptar. Parlamenti ka detyrimin e shqyrtimit të propozimit popullor brenda 3 muajve nga depozitimi i tij

 

Neni 14
Peticionet qytetare

10 mijë qytetarë kanë të drejtë të nënshkruajnë një peticion mbi një çështje të caktuar. Organeve të cilave iu drejtohet ky peticion kanë detyrimin për tu shprehur brenda 2 muajve.

 

Neni 15
Zgjedhja popullore e drejtuesve të lartë të shtetit

Për të garantuar efektivisht ndarjen e pushteteve dhe funksionimin demokratik të shtetit, qytetarët shqiptarë zgjedhin në mënyrë direkte:
1. Deputetët e Parlamentit shqiptar
2. Presidentin e Republikës
3. Avokatin e Popullit
4. Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës
5. Këshillin e Lartë të Drejtësisë
6. Komisionin Qendror të Zgjedhjeve
7. Governatorin e Bankës Kombëtare
8. Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit
9. Kryetarin e Bashkisë dhe antarët e këshillit bashkiak
10. Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë
11. Drejtorin e Autoritetit të Konkurrencës
12. Drejtorin e Autoritetit të Kontrollit Ushqimor
13. Drejtorin e AMA-s
14. Drejtorin e ISTAT-it
15. Rektorët e Universiteteve publike.
Përveç zgjedhjeve për parlamentin shqiptar, zgjedhja e drejtuesve të lartë të shtetit kryhet në dy raunde. Në raundin e parë marrin pjesë të gjithë ata kandidatë që përmbushin kriteret ligjore për postin. Në raundin e dytë marrin pjesë dy kandidatët që kanë fituar më shumë vota në raundin e parë. Në rastin e zgjedhjes së organeve kolegjiale numri i kandidatëve që kalojnë në raundin e dytë duhet të jetë dyfishi i atyre që duhet të zgjidhen.
KQZ garanton hapësirat mediatike në mënyrë të barabartë dhe pa pagesë si dhe mbikqyr trasparencëën e financimit të fushatave. Kandidatët që nuk respektojnë rregulloret e KQZ përjashtohen nga kandidimi, përveç dënimeve të tjera për prishjen e barazisë së garës. Kundër vendimeve të KQZ kandidatët mund të ankohen pranë Gjykatës Kushtetuese.

 

Neni 16
Shkarkimi Popullor

Për ushtrimin me besnikëri të detyrave shtetërore, mandati i çdo zyrtari të lartë të Republikës mund ti nënshtrohet kontrollit popullor në çdo kohë. Nismën për shkarkimin e zyrtarëvë të lartë shtetërorë mund ta ndërmarrin 70 mijë qytetarë në rafsh kombëtar dhe 1/5 e numrit të popullsisë në rrafsh lokal. Procedurat adminstrative janë të njëjta me ato të parashikuara për referendumet.

 

 

Neni 17
Juria Qytetare

Pjesëmarrja e qytetarëve në pushtetin gjyqësor realizohet edhe me anë të jurive qytetare. Parashikohet prezenca e jurisë qytetare në çështjet penale kundër korrupsionit të zyrtarëve dhe ndaj krimeve të rënda.
Juria nuk zëvendëson por plotëson detyrat e gjyqtarit me besnikëri ndaj Republikës. Juria shprehet mbi ekzistencën e fakteve inkriminuese dhe fajësimin e të pandehurit, kurse gjyqtari bën kualifikimin juridik dhe jep masën e dënimit. Vendimi i jurisë merret me shumicën e antarëve dhe në fshehtësi. Juria qëndron të gjithë kohën brenda gjykatës dhe i ndalohet të komunikojë me jashtë. Juria thirret në fazën finale dhe çështja zgjidhet brenda ditës.
Në shkallën e parë juria përbëhet prej 7 antarësh të zgjedhur me short nga lista kombëtare e zgjedhësve. Pjesëmarrja në juri është e detyrueshme përveç rasteve të konfliktit të interesave parashikuar nga kodi i procedurës penale. Mos respektimi i detyrimeve ligjore nga antarët e jurisë si dhe format e influencimit apo kërcënimit ndaj tyre, konsiderohen vepra të rënda penale e dënohen me burgim nga 15 deri në 25 vjet.
Në shkallën e dytë të apelit, juria përbëhet prej 5 antarësh zgjedhur me short. Antarët përzgjidhen prej listës kombëtare të zgjedhësve dhe duhet të kenë kryer studimet e larta.

 

●●●●●

 

Projektligji propozuar prej lëvizjes ShqipON mbetet një draft i hapur për përmirësime nga të interesuarit. Ai do i nështrohet diskutimit në forume të ndryshme qytetare dhe intelektuale.
ShqipON fton çdo qytetar shqiptar e patriot të kontribuojë për përhapjen dhe mbështetjen e tij si një kontribut për vendosjen e Demokracisë Pjesëmarrëse në Shqipëri.

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked