BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

PSE ELITAT KUNDËRSHTOJNË POLITIKAT E PUNËSIMIT

 

 

Një pjesë e madhe e ekonomistëve pranon se edhe në Kapitalizëm, është i mundur punësimi i përgjithshëm.

Kjo shoqërohet me rritjen e rrogave sepse sa më shumë punë dhe punëtorë të duhen, aq më shumë rritet fuqia negociuese e punëtorëve për rroga të larta. Dhe e kundërta, sa më pak punë të ketë, papunësia është aq e lartë sa ata pak punëtorë do pranojnë dhe rroga mbijetese. Një kapitalizëm që bazohet mbi një papunësi artificiale e rroga të ulëta nuk është efiçent e prodhon konflikte sociale.

Kurse ata që njohin teorinë ekonomike Keynes dhe zbatimimin e politikave të punësimit në Perëndim deri në fund të viteve “70, kuptojnë që kjo është mëse e  mundur. Ajo që nuk thuhet me zë të lartë është se punësimi i përgjithshëm përmbys raportet e forcës në një shoqëri kapitaliste. Kjo krijon një demokraci thelbësore e jo vetëm formale. Prandaj dhe kundërshtimi i vërtetë ndaj politikave të punësimit ka sfond politik. Një kontribut interesant në këtë drejtim jep ekonomisti polak Kalecki.

Ai pyet se përse elitat nuk dëshirojnë punësimin e plotë, kur kjo sjell fitime të mëdha për sipërmarrësit, të cilët arrijnë të prodhojnë/shesin më shumë me një fuqi blerëse kaq të madhe që sjell punësimi i përgjithshëm, falë ndërhyrjes së shtetit me investime publike?

Këtu duhet të kemi parasysh se kapitalistët ndahen në 2 pjesë:  ata prodhues dhe ata spekullativë financiarë. Të parët sigurojnë fitimin duke investuar në punë e prodhim dhe të dytët pasurohen me rentën e kapitalit. Në varësi të faktit se cilët dominojnë skenën, do kemi dhe politika pro punës që nxisin investimin/prodhimin apo politika pro kapitalit që maksimizojnë fitimin e parasë nga paraja, pa kaluar nga prodhimi. Nëse kapitalizmi është financiar, rrethi i atyre që pasurohen reduktohet ndjeshëm duke proletarizuar dhe ata që më parë ishin sipërmarrës. Pra zhdukja e shtresës së mesme dhe rritja e hendekut shoqëoror, si po ndodh prej dekadash duke ndjekur kursin e neoliberizmit financiar.

Por mundohemi të kuptojmë arsyet e vjetra dhe të reja që kundërshtojnë politikat e punësimit dhe rolit aktiv të Shtetit për optimalizimin e burimeve ekonomike të një vendi.

Këto arsye mund të ndahen në tre kategori: 1) alergjia ndaj një shteti mbi çështjet e punësimit në përgjithësi 2) alergji përballë shpenzimeve publike (investime dhe subvencione ndaj konsumit) 3) alergji ndaj transformimeve sociale dhe politike që rrjedhin nga mbajtja konstante e punësimit të përgjithshëm.

Duke filluar me alergjinë ndaj ndërhyrjes publike në çështjen e punësimit duhet thënë se çdo zgjerim i Shtetit (kujtojmë se Shteti është hapësira e qytetarëve me të drejtë vote të barabartë) shihet me dyshim prej kapitalistëve, por në rastin e rritjes së punësimit me anë të shpenzimit publik kjo shkakton alarm më të madh. Në sistemin e Laissez-Faire niveli i punësimit varet nga e ashtëquajtuara “klimë besimi”. Kur kjo klimë besimi prishet, investimet private reduktohen, gjë që passjell rënien e prodhimit dhe punësimi (direkte apo indirekte nëpërmjet një reduktim të  të ardhurave mbi konsumin dhe investimet). Në fakt është krejt e kundërta, si ka shpjeguar qartë  Keynes mbi krizën e 1929. Kur besimi bie asnjë privat nuk do të investojë dhe i vetmi që mund të restaurojë klimën e besimit është Shteti sepse ai nuk investon për fitim por frymëmarrje të përgjithshme të ekonomisë dhe nevojave të qytetarëve.

Megjithatë, kjo “klimë besimi” autonome i suguron elitave një kontroll automatik mbi politikat publike. Qeveria duhet të evitojë gjithçka që mund të turbullojë “klimën e besimit” sespe kjo mund të prodhojë krizë ekonomike. Por nëse qeveria zbulon sesi mund të rrisë punësimin dhe me shpenzime publike, atëherë ky “aparat kontrolli” i elitave humbet fuqinë. Prandaj dhe defiçiti i bilancit publik, i nevojshëm për të realizuar ndërhyrjen shtetërore, duhet të anatemohet si i rrezikshëm. Funksioni social i doktrinës së “stabilitetit financiar” bazohet pikërisht mbi varësinë e punësimit nga “klima e besimit”

Alergjia e elitave ndaj politikave ekspansive të shpenzimeve publike bëhet akoma më akute nëse konsiderohen qëllimet për të cilat ato destinohen, pra investimet publike dhe subvencionet ndaj konsumit të masave.

Objektivi që synon ndërhyrja shtetëore kërkon që investimet publike të kufizohen në ato sektorë që nuk prekin aparatin produktiv të kapitalit privat (psh shkolla, spitale, autostrada) sepse në rastin e kundërt, rritja e investimeve publike do ketë një efekt negativ mbi investimet private, dhe rënia e tyre do kompensonte efektin pozitiv të investimeve publike mbi punësimin. Elitat duan një “shtet minimal” por mund të pranojnë me zor edhe një  konceptim si ky më sipër. Por problemi qëndron se duke ndjekur këtë llogjikë, Shteti mund të zgjerojë aktivitetin e tij dhe të bëjë publike ujin e pijshëm, shërbimet publike, transportin, shkollat, kulturën etj. Ideale për elitat do ishte që gjithçka ti realizonte privati dhe ti nënshtroheshin fuqisë së parasë. Jo vetëm shkollat e spitalet por dhe kulturën, të luajnë OJF e aktorë privatë. Nëse gjithçka bëhet me para dhe paranë e kontrollojnë elitat, varësia e masave ndaj 1%shit  bëhet e plotë si në mesjetë.

Dikush mund të thotë se elitat, ndryshe nga investimet publike,  nuk kanë pse të shqetësohen të paktën ndaj subvencionimit të konsumit të masave duke mbajtur lart kështu kërkesën agregate në vend. Kjo nuk sjell asnjë ndërhyrje më sferën e “aktivitetve të sipërmarrësve privatë”.  Në realitet çështja paraqitet më ndryshe: subvencionimi i konsumit të masave shkakton një alergji më të thellë sesa investimet publike. Përse? Sepse këtu përplasemi me një parim “moral” me rëndësi të madhe: bazat e etikës kapitaliste kërkojnë që “të fitosh bukën e gojës me djersën e ballit” (nëse nuk jeton me rentën e kapitalit).

Konsideruam më sipër arsyet politike ndaj kundërshtimit ndaj politikave të punësimit të përgjitshhëm me anë të shpenzimeve publike. Por dhe nëse kjo kundërshti do të ishte fituar nga presioni i masave, mbajtja e punësimit të përgjithshëm do të sillte ngadalë dhe transformime polito-sociale që bien ndesh me interesat e elitave. Në fakt, në një regjim të punësimit të përgjithshëm “pushimi nga puna” nuk do kishte më vlerë si masë disiplinore, sepse punë alternative do kishte me bollëk. Kjo do rriste nga ana tjetër vetëdijësimin e punëtorëve si klasë sociale të cilët do kërkonin kushte akoma më të mira për punën dhe tensione politike, ndaj një sistemi që kontrollojnë elitat.

Nga ana tjetër është e vërtetë se fitimet e sipërmarrësve do të rriteshin shumë në një regjim punësimi të plotë, krahasuar me nivelin e ulët që siguron “laissez-faire”. Por dhe rritja e rrogave, falë një pozicioni më të fortë të punëtorëve dhe prodhimit të madh (në një trup që rritet dhe qarkullimi i gjakut rritet, pra paraja në qarkullim) sjell dhe rritjen e çmimeve duke goditur fitimet e rentierëve kapitalistë. (Nëse ka para për të gjithë, pesha e elitave financiare bie, kështu dhe fitimet prej interesave të kapitalit. Inflacioni (rritja e çmimit) godet ata që kanë stok parash, e jo ata që kanë fluks, pra punëtorët. Sepse dhe rrogat. si çdo çmim tjetër, janë në rritje, duke zgjeruar fuqinë blerëse të punëtorëve, do mjaftonte indeksimi automatik i rrogave. Kurse ndaj pensionistëve etj kategori të dobëta shteti subvencionon për të mbajtur lart konsumin dhe kërkesën agregate. Pra në një lojë të tillë fitojnë punëtorët dhe biznesi prodhues, në dëm të elitave financiare).

Por “stabiliteti politik” dhe “nënshtrimi i punëtorëve” janë shumë herë më të rëndësishme sesa fitimet. Instikti i klasës elitiste dikton se një punësim i përgjithshëm nuk është “i shëndetshëm” sepse nga një këndvështrim i tyre, papunësia është një element integral i një sistemi kapitalist normal.

Prandaj duhet që dhe qarku mediatik e kulturor të jetë privat, duke shpërndarë tek turrmat këtë dogmë si të vërtetë absolute. Dhe turmat besojnë duke kënduar refrenin e elitave.

Duke përfunduar, mund të themi se ka vetëm një rast ku elitat do pranonin me kënaqësi punësimin e përgjithshëm. Dhe kjo ndodh vetëm në regjime totalitare, ku punësimi i përgjithshëm nuk shoqërohet me rritje rrogash e fuqizim të punëtorëve as në terma ekonomikë e as në terma politikë. Pra zhdukjen e demokracisë, ose kontrollit të shtetit nga ana e popullit. Në të kundërtën e një shteti totalitar kontrolluar nga elitat, është më e preferueshme një “shtet minimal” ku kontrolli i elitave është indirekt e larg syve të popullit.

Dr. Ledian Droboniku

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked