BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Rimarrim simbolet

Rimarrim simbolet

Majlinda Kola – aktiviste shqipON

image

 

Shqipëria doli e fundit nga regjimi komunist për të nisur një rrugëtim të ri shoqëror, politik dhe ekonomik. Kjo botë e re kishte nevojë për simbole të reja për tu realizuar sepse simbolet jo vetëm plazmojnë një sens përbashkimi por shtyjnë shoqërinë drejt një veprim kolektiv. Shoqëria nuk është vetëm fryt i një pakti të mëparshëm, por dhe përpjekje e “diçkaje të ardhshme” për të cilën ia vlen të bashkëpunosh. Simboli politik, është pikërisht ai që hap këtë dimension shprese.

Por hyrja e Shqipërisë në erën e re, nuk u shoqërua me një emancipim të shoqërisë shqiptare, që të mund të vetë-krijojnte simbole  të reja për zhvillimin material dhe shpirtëror. Si çdo gjë tjetër vërtet e rëndësishme, edhe parafabrikimi i simboleve do të mbetej tagër eskluzive e njerëzve të vjetër me kostume të reja.

Kështu, fabrika e simboleve do të anullonte që në fillim hovin jetësor të shqiptarëve drejt një bote të re, pikërisht duke deformuar simbolet dhe bashkë me to mesazhin që ato përcillnin. Nëse njerëzit do kuptonin tërësisht botën, nuk do kishte nevojë për simbole dhe forma të tjera të gjuhës indirekte. Shpërndarja e antivlerave me forcën e  autoritetit, do të shokonte që në gjenezë përpjekjen për një botëkuptim të ri të shoqërisë ku tentonim të hynim.

Mjafton të kujtojmë simbolin “Liri-Demokraci”. I trumbetuar prej një sekretari partie diktatoriale, do të dukej qesharak dhe patetik. Por shqiptarët (njësoj si dhe çdo popull tjetër) besuan tek forca e simbolit, pavarsisht se çfarë fshihej pas tij. Shpejt do kuptohej, se “demokracia” nuk shërbeu për të dhënë një sens të përbashkët shqiptarëve për ndërtimin e vendit. Ai u përvetësua nga “gjysma e klanit” për tu dalluar nga klani tjetër. Lufta e klasave tashmë kishte një format të ri, por prapë efikas për përçarjen e popullit për mos tu organizuar kurrë ndaj kastës sunduese. Pa një kulturë demokratike, pas shpine, shqiptarët nuk e kuptuan kurrë që demokraci do të thoshte të vendosnin ata dhe jo strukturat nga sipër, si 45 diktaturë dhe 25 vjet demokraturë.

Kurse simboli i “lirisë” u artikulua jo si liri politike (në kuptimin grek të fjalës – që ushtrohet e gëzohet nga individi brenda një komuniteti që rritet së bashku) por si istinkt kafshëror, ku më i forti përvetëson, shkatërron e degradon çdo gjë. Sigurisht kafsha më e fortë ishte ajo që pajisej me kthetra prej  pushtetit të ri me të cilin ndante plaçkën. Kishte filluar një cikël pervers.

Shpërfytyrimi i simbolit të lirisë, do përkëthehej nga një anë si liçencë e të fortëve për të nënshtruar të dobëtit, dhe nga ana tjetër boshatisjen e lirisë për shumicën e heshtur. Ç`mund të bëjë një i ri në Shkodër, Elbasan, Gjirokastër, me lirinë e tij ku bota përqark është një shkretëtirë materiale dhe shpirtërore.

Plaçkitësit nuk mund të kryejnë dot vjedhjen e pasurive materiale, pa vjedhur më parë botën shpirtërore dhe simbolike të një populli. Simboli i “Rilindjes” kishte mbetur ende,  një ishull i dlirë, që i kishte rezistuar gërryerjes komuniste, e nga ku mund të nisej organizimi i një populli për normalizimin e vendit.

Fabrika e simboleve, nuk mund ta toleronte këtë gjë. Duket qesharake sepse asnjë prej eksponentëve të rilindjes mavi nuk ngjasonte qoftë me një rilindas të vërtetë, për nga bëmat, zgjuarsia apo patriotizmi. Fakti që populli përsëri ra pre e fabrikës së simboleve, tregon qartë se aksioni politik nuk mund të bëhet pa simbole, sidomos për një shoqëri të prapambetur që nuk rrok dot esencën por mbetet tek forma.

Një simbol tjetër, që mund të mundësonte aksionin kolektiv, ishte padyshim “kauza kombëtare” e perceptuar nga shqiptarët si padrejtësi historike dhe amanet për tu vënë në jetë. Kasta arriti të nxirrte nga mëngët e saj, një figurë tragjikomike që do të përdhoste kauzën jo vetëm me të kaluarën e tij por dhe me gjuhën e përdorur. Bashkimi kombëtar duhet të bazohej në një platformë serioze, me intelektualë e discours racional. Ajo që ndodhi ishte banalizimi i kauzës, imitimi i metodave kleptokratike të partive dhe sjellja e gjuhës së stadiumit në hapësirën publike. Diçka që me të drejtë nuk do përkrahej nga shumica e popullit dhe miqtë e Shqipërisë.

Kasta neutralizoi edhe simbolin e “rinisë” në politikë, nga një anë me klonimin e të rinjve nga kanalet e pushtetit të vjetër, nga ana tjetër me recetën e “supës së ringrohur”, ku fytyra të vjetra nga sistemi përbetohen se do sjellin ndryshimin e ri.

Në komunikim janë të rëndësishëm të gjitha istancat dhe jo vetëm vektori. Nuk është e vërtetë që mjafton “kauza”. Më e rëndësishme është të shohësh se “kush” dhe “si” çohet përpara kauza nëse jemi racionalisht të interesuar për suksesin e saj objektiv.

Në epokën e sotme, ku gjithsecili mund të thojë të tijën, bëhet kaq e rëndësishme “autoriteti” ose më mirë cilësia e subjektit që artikulon idetë. Nuk është njësoj të flasë për ndershmëri një i moshuar që ka punuar tërë jetën me djersën e ballit dhe një pushtetar që ka fituar brenda disa viteve pasuri për të gjithë brezat.

Por nëse mediat pompojnë pa pushim deklaratat patetike të pushtetarëve, njerëzit jo vetëm që i largohen pushtetarit, por i largohen edhe simbolit te politikës si e kanë njohur. Njerëzit priren të besojnë si të vërtetë vetëm atë që del nga ekrantet e televizionit dhe jo nga burime të tjera.

Nëse “autoriteti” formohet vetëm nga mediat në duart e kastës, braktisim median për të qarkulluar idetë direkt në internet si po bën bota e civilizuar. Një inteligjencë kolektive, pa filtra e struktura piramidale, ku çdokush flet e vlerësohet direkt nga të ngjashmit e tij.

Rinia në politikë, nuk do të thotë furnizim me trapiante të reja për një politikë të vjetër. Nuk është as rekrutimi antikushtetues i të rinjve që në gjimnaz pranë  “gjirit të partisë”.  Skllevërit e rinj përgatiten që në moshë të re, kur shohin edhe brenda në shkollë se e vetmja mënyrë për të pasur sukses, nuk është përsosja në dije në talente e aftësi, por përsosja me strukturat e partisë.

Por simboli i rinisë në politikë, realisht do të thotë që të rinjtë krijojnë një vizion të ri për realitetin që domosdoshmërisht duhet të zëvendësojë këtë realitet të trishtuar, ashtu si bënë miliona të rinj spanjollë apo italianë që krijuan realitete të reja në politikë.

Fatkeqësisht rinia shqiptare në limitet e varfërisë, privuar nga një arsimim i vërtetë, nën presionin e formave degraduese të suksesit ekonomik, politik, mediatik nuk është në gjendje të imagjinojë një botë tjetër përveçse atyre të ofruara nga miqtë “bujarë” masonikë hequr si shoqëri civile. Ente të errëta që nga një anë mbajnë me thërrime të rinjtë, nëpër projekte dhe konferenca idjote për të mos folur për gjëra të rëndësishme, për mos tu rebeluar ndaj një kaste që plaçkit ekonominë kombëtare dhe rrënon të ardhmen e tyre.

Ripërvetësimi i simbolit të rinisë nuk mund të bëhet pa një çtoksikim të simbolit të “politikës”. Deri sa të rinjtë të perceptojnë politikën si lojra pushteti për të sunduar dhe plaçkitur, pjesa më e mirë e rinisë do i rrijë larg për të lejuar vetëm oportunistët të bëjnë politikën. Por zgjidhja nuk është braktisja e politikës. Vendimet për jetët tona do i marrë dikush tjetër.  Zgjidhja është pjesëmarrja aktive  në politikë për të vendosur vetë atë që sot e vendosin partitë për ne. Zgjidhja nuk është “reformimi” i kësaj politike të degradimit por përbysja e saj dhe themelimi i një politike vërtetë ku një popull mazhoren vendos vetë pa u marrë prej dore prej liderave dhe partive.

Ligjet nuk mund të bëhen vetëm prej një kaste autorefernciale, që vetëmërohet dhe riciklohet në privilegje dhe hajdutëri. Një institucion në duart e qytetarëve është “referendumi”. Kasta këtë gjë e di shumë mirë, prandaj shpejtoi ta njolloste me parodinë mavi të ramës kundër ramës.

Referendumi i vërtetë është ai që thirret nga qytetarët jo nga pushtetarët, ai që organizohet me nismën e popullit dhe jo nga sipër, ai që vendos për “gjerat” dhe jo për “njerëzit”. Pikërisht një referendum i tillë jo vetëm që nuk është bërë kurrë, por as që nuk ekziston një ligj për referendumet, nismat ligjore apo peticionet. Njerëzit kur dëgjojnë tashmë për referendumin sjellin ndërmend vetëm atë që psikorama dhe fabrika e simboleve parafabrikoi. Prandaj mbetet detyra jonë për të përvetësuar edhe këtë instrument të rendësishëm prej duarve manipuluese të kastës.

Në një botë toksike ndërtuar nga një kastë tragjikomike, çdo simbol del i deformuar. Ashtu sikundër është së fundmi reforma e drejtësisë, që po i imponohet shqiptare si e barabartë me simblin “drejtësi”. Çuditërisht ata që janë mishërim i padrejtësisë ftohen  të përgatisin drejtësinë. Ndërsa ndërkombëtarët manipulojnë simbolin “konsensus” si formulë magjike, duke harruar se shkatërrimi  i kushtetutës, ekonomisë, ushtrisë etj erdhën pikërisht kur hienat gjetën konsensusin me ujqërit.

Askush nga brenda apo jashtë vendit, nuk po i shpjegon shqiptarëve se ku konsiston kjo reformë drejtësie, se përse kjo është e veçantë dhe do ketë sukses. Simboli i “reformës” si një nismë propozitve për vendin tashmë është e infektuar nga realiteti i trishtë, sa të bëhet mishi mornica kur dëgjon fjalën “reformë”. Në fakt të gjitha reformat në vend kanë përkeqësuar të drejtat tona, kanë privatizuar pasuritë e shqiptarëve, shkatërruar shkollën, shëndetësinë, ushtrinë dhe kanë forcuar pushtetin autokratik të kastës dhe ndërhyrjen e të huajve.

Jetojmë në një kohë orwelliane, ku hajdutët thërrasin për paqe e dashuri, dhe skllevërit ftohen të duartrokasin për padronët e tyre.

Zgjohemi nga hipnoza 25 vjeçare. Gjumi për një popull të vogël është zhdukja e tij. Rimarrim simbolet e vjedhura, imagjinojmë një Shqipëri normale, rimarrim të drejtën për të vendosur si qytetarë sovranë, pa parti e oligarki, por vetëm demokraci e begati.

Nuk është utopi, por e drejta jonë për të jetuar me dinjitet në atdheun tonë, në Shqipëri.

Demokraci Pjesemarrese

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked