BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

S.O.S – sistemi operativ shqipon!!! …… vijim mbi përgjegjësinë dhe llogaridhënien e makinës shtetërore !

Foto18

 

Përgjegjësia civile e gjykatësit

I ndërgjegjshëm për lodhjen që krijohet kur flitet pa fund  për gjyqësorin shqiptar, duket sikur faji është i atyre që guxojnë dhe flasin për të në vazhdimësi  dhe jo i togave të stërrosura. Njësoj sikur një i sëmurë kronik të shkonte për ditë tek mjeku dhe ky në vend që ta kuronte i thotë, “prapë ti?! , Mjaft, nuk e shikon që je bërë demode, zgjidh të paktën një sëmundje tjetër”.

 

Por lëngata vazhdon. Sistemi gjyqësor ashtu si dhe shteti ynë është në koma të plotë kurse çuditërisht ata që e përbëjnë gëzojnë një “ formë sportive të shkëlqyer”. Në fakt më këtë llogjik çdo sistem është i destinuar të bjerë njëlloj si në një organizëm të kancerosur me  qelizat që punojnë kundër jetës. Nuk dua këtu ti bashkohem shoqatës së bashkëvuajtësve shqiptarë për të nisur një kujë të re. Ajo që duhet bërë është diçka tjetër. Është e vërtetë që “i sëmuri i madh” refuzon ti nënshtrohet çdo lloj kurimi aq më keq të presësh ndonjë zgjidhje endemike prej tij. Konferencat patetike që zhvillohen prej vitesh thjesht sa rrisin nervozizmin e njerëzve për këtë hipokrizi. Duhet patjetër që zgjidhja të jetë nga jashtë sistemit dhe ajo të jetë radikale sepse dhe sëmundja është e tillë. Një ndërhyrje energjike e legjislatorit apo ndoshta shprehja me një referendum popullor, si disa vende do të ishin të mirëseardhura. Në këtë drejtim propozimet  e pozitës dhe opozitës nuk duhen adresuar thjesht tek një rizgjim i moralit, sepse aktualisht është më lehtë të besosh  që një vampir të dhurojë gjak sesa këta magjistratë të heqin dorë prej milionave të pista. Aq më shumë kur askush realisht nuk beson se edhe po ti zëvendësosh të gjithë administratën dhe gjykatësit, këta të fundit për ndonjë arsye misterioze do reshtin së vjedhuri. Zgjidhjet duhet të jenë realiste dhe të formësuara në institucione të qëndrueshme, që edhe pse nuk pamundësojnë totalisht korrupsionin, sjellin të paktën një rrezik potencial por serioz për autorët. Kuptohet që në këtë mënyrë ata “trima” që do e marrin këtë risk do jenë më të paktë se sa sot.  Lëvizja për kufizimin e çdo lloj superpushteti në duart e cilido funksionari është objektivi parësor  në emergjencën ku ndodhet sot shoqëria dhe shteti shqiptar.

Në fakt të flasësh për gjyqësorin nuk rezulton të jetë e lehtë edhe për faktin sepse mund të gjendesh në një terren të minuar. Këtu ekzistojnë tipe të ndryshme garancish që janë të finalizuara në dhënien e drejtësisë. Problemi që krijohet është pikërisht interpretimi i këtyre garancive. Ajo që pranohet prej të gjithëve – edhe prej vetë Gjykatës Kushtetuese – është se këto garanci nuk u jepen gjyqtarëve për të mirën e tyre, por është një mjet për të arritur qëllimet e një shoqërie të drejtë dhe të përparuar. Po a është arritur kjo e fundit dhe cilët janë shkaktarët e kësaj situate? Pyetja tjetër e radhës do ishte se si zhdëmtohet qytetari në shtetin e së drejtës, nga një dhunim i së drejtave të tija pikërisht nga ata që janë thirrur për ta mbrojtur atë?

Nga disktutimet të këtyre ditëve për kufizimin e imunitetit edhe të gjyqtarit theksi çuditërisht vihet vetëm për përgjegjësinë penale dhe jo atë civile.

Ndërsa aktualisht  është pothuajse e pamundur të përndiqet penalisht gjyqtari – për më së shumti  pas mbylljes së derës që kreu Gjykata Kushtetuese me vendimin e famshëm nr. 11 të 2008 dhe vështirësitë reale për të provuar krimin e tij – dyert janë mbyllur dhe për përgjegjësinë civile, pasi legjislacioni ynë parashikon vetë atë penale dhe disiplinore.

Kujdesi jo vetëm për të mbrojtur të drejtat e individit por më gjerë akoma përsa i përket rikthimit të besimit të qytetarëvë shqiptarë tek ky pushtet kaq i largët dhe i huaj – në kuptimin hostis dhe jo peregrin – mund të bëhet me një lëvizje dykahëshe. Nga njëra anë duke zbritur prej Olimpit dhe duke afruar gjyqtarin më afër qytetarit shqiptar, nga ana tjetër duke e afruar këtë të fundit më afër sistemit. Nuk ka dyshim që kjo fillon me çmontimin  e një relike si imuniteti – impunitet dhe vënies së kontrolli të plotë dhe jo me kampione të pasurive të tyre të vëna deri tani.  Mjafton të kujtojmë se vende të ndryshme në ditë të vështira të legalizmit të tyre, kanë hequr dorë prej privilegjeve të tepërta të mbajtësve të çdo lloj pushteti duke i hapur dritën jeshile sensit të përgjegjësisë e vënies së drejtësisë me çdo kusht.

Në drejtim të ngritjes së sensit të përgjegjësisë përveç kufizimit të imunitetit për gjyqtarët dhe jo vetëm, një tjetër hap i domosdoshëm do të ishte formulimi i një përgjegjësie civile të magjistratit. Përgjegjësia civile është një kategori juridike ku çdokush që me dashje apo me faj  i shkakton një dëm të padrejtë dikujt tjetër është i detyruar ta dëmshpërblejë financiarisht këtë të fundit. Kujtojmë se pothuajse të gjitha shtetet europiane kanë lëvizur në këtë drejtim – Italia madje ka zhvilluar një referendum popullor për këtë çështje dhe së fundmi po e zgjeron këtë përgjegjësi me ligjin Pinto – duke mundësuar një dëmshpërblim të qytetarit ndaj një dhunimi të një të drejte të tij subjektive prej një vendimi haptas të padrejtë prej gjykatësit të çështjes. Duke pranuar që format e kësaj përgjegjësie, duhet të jenë të tilla që mos të vënë në presion gjykatësin dhe garancitë e tij po kushtetuese, është e rëndësishme të konsiderojmë se magjistratët, edhe pse një lloj i veçantë, janë në fund të fundit nëpunës të Shtetit shqiptar. Në funksionet e tyre ata mishëriojnë Shtetin dhe prandaj nuk mund të jenë mbi Shtetin apo të sillen si legibus solutus. Nga ana tjetër, është nenit 44 i Kushtetutës shqiptare, që parashikon që çdokush të zhdëmtohet prej një veprimi ose mosveprimi të paligjshëm të organeve shtetërore. Kurse neni 107 kërkon që nëpunësit publikë të respektojnë ligjin dhe të jenë në shërbim të popullit. Edhe pse legjislacioni aktual shqiptar njeh vetëm formën e përgjegjësisë penale dhe disiplinore të magjstratit, parashikimi i përgjegjësisë civile do ndërgjegjësonte magjistratin për një vlerësim më rigoroz dhe objektiv të çështjes konkrete. Kutpohet që në këtë drejtim, forma subjektive nuk do të ishte vetëm dashja por dhe faji i rëndë apo neglizhenca e pajusitifikueshme e gjyqtarit në mos/marrjen e një vendimi, në mos/vlerësimin e një prove apo fakti të pakundërshtueshëm apo si ka ndodhur ndonjëherë me aplikimin e një ligji tashmë të shfuqizuar. Përveç përgjegjësisë direkte të gjyqtarit në rehabilitimin e plotë të së drejtës së dhunuar të qytetarit, mund të parashikohej edhe përgjegjësia solidare e shtetit. Për skeptikët kujtojmë gjithashtu se konstatimi i kësaj forme përgjegjësie kryhet brenda një proçesi gjyqësor normal, kështu që nëse nuk druhen qytetarët e thjeshtë përse paskan frikë vetë ata që krijuan këtë sistem. Besoj se nuk është kurrë e tepërt të ritheksohet se neni për barazinë e qytetarëve para ligjit është ende në fuqi në Republikën formale të Shqipërisë dhe përbën bazën e legalizmit juridik.

Nga ana tjetër, duke parë këtë kalbëzim të Drejtësisë pikërisht nga ata që duhet të japin drejtësi, besoj se do ishte produktive fragmentizimi i sistemit gjyqësor. Krijimi i gjykatave të veçanta – si ishte p.sh. ajo e krimeve të rënda – si forume drejtësie ende të paprekur nga kanceri i korrupsionit do të shërbente teorikisht për të krijuar standarde dhe pritshmëri të reja jo vetëm prej qytetarit por dhe nga ata efektivë të gjyqësorit aktual ende të pastër.

Një tjetër hap për afrimin e qytetarit ndaj sistemit të Drejtësisë do të ishte në mos zgjedhja e gjyqtarëve prej tyre (që është realitet dhe jo herezi në disa vende) parashikimi  i jurive qytetare, njohur prej shumë eksperiencave perëndimore madje  dhe  asaj shqiptare. Një lëvizje e tillë dykahëshe – sistemi drejt qytetarit dhe ky i fundit drejt sistemit –   nga një anë do legjitimonte këtë pushtet me linfë të re dhe nga ana tjetër do përgjegjësonte  vetë qytetarët për mangësitë e sistemit duke kontribuar që vetë shoqëria shqiptare të gjeje sensin e DREJTËSISË në errësirën ku është zhytur prej dekadash.

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked