*** SENATI? ***
Duhet shtuar një dhomë tjetër apo pakësuar numri i deputetëve aktualë?
Një makinist që çon trenin drejt humnerës nuk mund ti jepet një tren tjetër, por të zëvendësohet.
Rraca e politikanëve të tranzicionit po degradon bashkëjetesën mes shqiptarëve, duke nga larguar
gjithmonë e më shumë me Europën.
Senati ka mbetur një ëndërr e pushtetarëve tanë të tranzicionit dhe vetëm këshillimi me faktorin
ndërkombëtar nuk lejoi parashikimin e tij në Kushtetutën e “98-ës.
Problemi i demokracisë përfaqësuese shqiptare, ka të bëjë me raportin e besimit mes qytetarëve dhe të
zgjedhurve, që nuk zgjidhen më prej qytetarit po prej Njëshit të partisë me lista të mbyllura.
Deputeti normalisht i është besnik Njëshit, jo vetëm për zgjedhjen e tij por dhe për rizgjedhjen. Kjo
amplifikohet dhe më shumë nga zgjerimi i kompetencave (prill 2008) në favor të Kryeministrit duke i
dhënë
mundësi këtij të provokojë shpërndarjen e Parlamentit nëse deputetët e partisë i dalin kundër.
Në këtë darë ku gjendet “i zgjedhuri” i popullit raporti i besimit me qytetarin të cilin ai duhet ta përfaqësojë
VDES pa lindur kurrë dhe bashkë me të idea e një demokraciepërfaqësuese.
Figura e Njëshit dhe tendenca autoritariste është rritur dhe për faktin se demokratizimi i partive shqiptare
jo vetëm nuk ka bërë progres por regres. Partitë shqiptare nuk shihen si organizime vullnetare ku
diskutohen ide dhe propozime, por si brigada të emëruara nga Njëshi që rekrutojnë njerëz me premtime
për ndarjen e të mirës publike duke shkelur çdo normë të Kushtetutës dhe Shtetit të së Drejtës.
Nëse Partitë nuk funksionojnë në mënyrë demokratike brënda, si mund të injektojnë demokraci
në sistem? Sistemi i patronazhit që u ngrit në Shqipëri ekziston në çdo cep të çdo lloj pushteti dhe
funksionari.
Shtimi i një dhome tjetër thjesht do përhapte metastazën institucionale dhe do krijonte një “fole” tjetër për
të “suskseshmit” e sistemit që duan privilegje pa fund. Senati u shpik nga Romakët për njerëz të urtë dhe
të mënçur dhe vështirë të besohet se në Shqipëri ai do popullohet nga kjo rracë.
Larg diskutimit teorik për senatin, duhet të themi se Shqipëria nuk ka atë strukturë territoriale dhe
kombësie që mund të këshillojë ngritjen e një senati. Madje në vende që e kanë pasur historikisht, roli i
dhomës së dytë po zbehet duke mbetur simbolike.
Fatmirësisht roli i “pleqërimit dhe këshillimit” të legjislacionit mund të realizohet shumë lehtë (si bëhet
përditë) duke pasur si krahasim legjislacionin dhe standardet europiane si dhe strukturat e tyre.
Krijimi i një strukture në pamje demokratike, si është senati duket sikur zgjeron vendimarrjen por ashtu
si ka ndodhur me ndarjen e pushteteve në Shqipëri, çdo gjë shumëzohet me 0 nëse sistemi zëvendëson
instrumentin e llogaridhënies me besnikërinë ndaj Njëshit.
Përmirësimi i sistemit të mbërthyer nga pushtetarë të papërgjegjshëm, nuk bëhet duke TRASHUR
pushtetin por duke e HOLLUAR atë.
Përmirësimi i sistemit nuk mund të bëhet nga brenda tij dhe sidmos nga ata që e ndërtuan dhe përfitojnë
prej tij.
Sistemi do ngrihet vetëm me një dializë të plotë, duke futur linfë të re, jo nga sipër, jo duke klonuar të
renë sipas të vjetrës, por nga qytetarët që në një ushtrim demokratik të zgjedhin dhe të shkarkojnë
përfaqësuesit e tyre më të mirë në një garë meritokracie dhe llogaridhënie.
Quhet DEMOKRACI !
Është Europë !
*** shqipON ***