BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

S.O.S – zbërthim i sistemit operativ shqipon Integrimi ekonomik Shqipëri – Kosovë !

1094037_810894798942468_1203283670767952825_o (1)

S.O.S – zbërthim i sistemit operativ shqipon

Platformë mbi përfitimet e integrimit ekonomik Shqipëri – Kosovë

 

1.    Pse është e nevojshme një rritje e marrëdhënieve me Shqipërinë?

  1. Krijimi i një poli gjeopolitik force.
  2. Krijimi i një tregu që fillon e bëhet interesant për të huajt.
  3. Shfrytëzimi i pasurive natyrore në mënyrë të bashkërenduar.
  4. Bashkimi i kapacitetit intelektual.
  5. Shfrytëzim i energjive të një entiteti me përqindje të lartë të popullsisë së re aktive.

2.    Nevoja për krijimin e tregut të përbashkët Shqipëri – Kosovë

Për të mbështetur idenë e dobisë së tregut te përbashkët Shqipëri – Kosovë le të fillojmë nga përcaktimi i asaj që Çfarë është një treg? Bashkësia e relacioneve ndërvepruese  shkëmbyese midis aktorëve të ofertës me ata të kërkesës realizuar nën ombrellën e një kuadri të caktuar ligjor. Do të thotë që këta aktorë bashkëveprojnë me njëri tjetrin brenda një entiteti ekonomik, duke iu nënshtruar rregullave të njëjta. Nëse këto rregulla ndryshojnë për aktorë të ndryshëm dhe/ose nuk zbatohen njësoj atëherë nuk kemi një treg të përbashkët por tregje të ndryshme, që pikërisht për këtë do të prezantojnë kosto dhe çmime më të larta relative. Nga ana tjetër nënkuptojmë që kuadri i përbashkët ligjor është një kusht i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm për krijimin e një tregu të përbashkët, për bizneset. Kompetitiviteti brenda një entiteti nacional ndryshon nga ai me vendet e tjera.Në një botë ku tentohet me të gjitha mënyrat për të dalë të parët në garën kompetitive, nga ana strategjike, pa dyshim që është i nevojshëm krijimi i aleancave për tu përballur me konkurrencën. Pikërisht kjo, duhet të jetë pikënisja për shtysën që duhet t’i jepet rritjes së bashkëpunimit Shqipëri – Kosovën. Nëse ne do t’i referoheshim një ndërmarrje aksionet që ajo ndërmerr për tu përballur me ambinetin lidhen me menaxhimin me efiçencë dhe efikasitet të  burimeve të brendshme, me qëllim krijimin e një avantazhi strategjik për ta përdorur në luftën e saj konkurrenciale me rivalët e saj. Pra nga njëra anë menaxhimi i burimeve dhe nga ana tjetër përballja në tregun vendas apo ndërkombëtar. Forcat që lëvizin tregun dhe që duhen menaxhuar janë, furnitorët, klientët, konkurrentët direktë, hyrësat potencialë dhe prodhuesit e produkteve zëvendësuese.  Këto elementë duhen patur parasysh në çdo moment dhe nga ana e qeverive.

Shqipëria dhe Kosova janë importuese neto produktesh importi dhe funksionojnë si tregje te ndara, ku secila ka firmat e veta të importit. Këto firma u shesin popullsive përkatëse të dy tregjeve të ndryshme në dy legjislacione të ndryshëm. Çmimi që aplikohet është më i lartë se në rastin kur kontraktori importues do të ishte i vetëm dhe do të kish mundësinë t’i shiste një tregu prej pothuaj 7 milion banorësh, në vend të mesatarisht 3 milion banorësh që është sot. Fakti që kjo sot nuk ndodh do të thotë që kostot e importimit dhe shitjes së mallit në të gjithë tregun Shqiptar, nga e njëjta firmë, me bazë në Kosovë apo Shqipëri, janë të larta. Për të operuar në dy vende të ndryshme duhet të kesh dy firma të ndryshme, me kosto administrative, tatimore etj shtesë, për të evituar kostot doganale. Duke lënë mënjanë për momentin diferencat në kostot tatimore, nëse nuk do të egzistonin kostot doganore atëherë firmat në të dy vendet do të mund të konkurronin tanimë për shitjen në një treg prej 7 milion banorësh. Kompetitiviteti do të bente të mundur që, firmat me kosto më të ulëta, do të nxirrnin nga tregu ato më pak efiçente. Psh. firmat qe kanë kosto më te ulëta të transportit për mallra importi të caktuara do të udhëheqin tregun përkatës. Për ta kuptuar më mirë; teorikisht,firmat Shqiptare të importit të mallrave prej porteve të Adriatikutdo të ishin të avantazhuara, ndërsa firmat e Kosovës do të ishin në avantazh me firmat Shqiptare për mallra importi prej Serbisë etj.

Mundësia e një tregu unik do të bënte të mundur kontraktimin me një fuqi më të madhe me fornitorin duke pasur si rezultat çmime më të ulëta për konsumatorin dhe fitime me të larta për firmat importuese si rrjedhojë e rritjes së bazës konsumatore, në një treg prej 7 milion banorësh.

Por, rritja e bazes konsumatore nxit edhe shtysën për të prodhuar mallrat në vend. Kjo pasi në një treg me 7 milion banorë ka me shumë gjasa që të ulen kostot për njësi të prodhimit në një masë të tillë që të shndërrojnë në fitimiprurëse bizneset prodhuese. Mundësia më e mirë për këtë do të kish qënë filtrimi i mallrave të para të shportës së  importit dhe inçentivimi i prodhimit në vend të tyre me efekte pozitive për punësimin. (duke konsideruar Shqipërinë me Kosovën bashkarisht).

Pra, nuk ka asnjë dyshim që bashkimi i tregjeve është i vlefshëm për të dy vendet. Problemi qëndron se cfarë duhet bërë për të eliminuar pengesat egzistente midis sistemeve ekonomike të Shqipërisë dhe Kosovës. Përpara se të vazhdojmë me sqarimin e kësaj pike le t’i referohemi dhe njëherë përcaktimit të tregut: Bashkësia e relacioneve ndërvepruese  shkëmbyese midis aktorëve të ofertës me ata të kërkesës realizuar nën ombrellën e një kuadri të caktuar ligjor. Relacionet ndërvepruese në një treg të veçantë karakterizohen nga kostot më të ulëta që ato prezantojnë me njëra tjetrën brenda tregut, në krahasim me tregje të tjerë të jashtëm. Pra, brenda tregut kostot e relacionimit duhet të jenë më të ulëta. Për rëndësinë që merr unifikimi ligjor i të drejtës private (civile) e kemi cikur më sipër si një kusht i paevitueshëm dhe i domosdoshëm për egzistencën fillestare të tregut. Më pas sqaruam rëndësinë e eliminimit të barrierave doganore.

Por krijimi i një tregu të përbashkët kërkon dhe plotësimin e disa kërkesave të tjera. Brenda tregut është e rëndësishme që aktorët tu nënshtrohen të njëjtave kushte. Nëse aktorët u nënshtrohen dy sistemeve të ndryshëm fiskalë atëherë nuk mund të flasim për treg unik, por për tregje të ndryshëm, dhe pamë më sipër që tregje të ndara Shqipëri – Kosovë janë më të dobëta në lidhje me tregjet e furnizimit dhe pengojnë zhvillimin e prodhimit vendas për shkak të mungesës së ekonomisë së shkallës.

Pra një pikë tjetër e rëndësishme themelore është unifikimi fiskal i të dy vendeve. Kjo është,  besoj, pika më problematike, ajo nga e cila qeveritë e të dy vendeve e kanë më të vështirë të ndahen. Por nëse iu referohemi sinjaleve të fundit, ku nga qeveritarë të ndryshëm të vendeve të CEFTA-s është folur për një Federatë Ballkanike, atëherë humbja e pavarësisë fiskale në favor të një entiteti që mund të krijohet ad hocështë e domosdoshme. Arsyet janë të njëjtat me sa kemi cikur më sipër: Nevoja për krijimin e tregut unik të përbashkët, që do të lejojë përballjen dinjitoze të Shqipëri + Kosovë në skenën kompetitive Ballkanike. Futja në një federatë utopike ballkanike me sisteme të ndara mund të rezultojë problematike për Shqipërinë dhe Kosovën, pasi të ndara, si aktorë të ndryshëm ekonomikë nuk mund të shfrytëzojnë të plotë potencialin që do të mund të ofronte krijimi i një Entitetit të ri në hapësirën Shqiptare. Ideja është që në një rast hipotetik të krijimimit  të hapësirës ballkanike Shqipëri + Kosovë mund të marrin rolin e Udheheqësit (leader) vetëm po të kenë krijuar tregun unik. (Duke konsideruar burimet natyrore dhe pozitën gjeografike roli i liderit në ballkan do te vinte vetvetiu)

Rol të udhëheqësit që, jo vetëm nuk e kemi por në tregjet tona po të merren ekstraktet e regjistrimit të ndërrmarrjeve do të shohim se kush realisht i kontrollon ekonomitë tona. Gjëja më normale do të jetë që këta aktorë importi (të huaj të hapësirës Sllave) dominantë në tregjet tona, do të mbrohen me forcë, por nuk do ta kenë të mundur të ekzistojnë dhe të ushtrojne presion  në një treg të përbashkët të Shqipërisë etnike prej 7 milion banorësh.

Por, krijimi i një Entiteti të ri ekonomiko juridik që do të marrë kompetenca ligjore Shqipërisë dhe Kosovës, është i vështirë duke konsideruar kontekstet e ndryshme ekonomike në Shqipëri dhe Kosovë për këto arsye:

  1. Kosova nuk prezanton një borxh të lartë publik, ndërsa Shqipëria po;
  2. Kosova e ka tatimin mbi fitimin 10% ndërsa Shqipëria 15%.
  3. Do kontrolluar se sa është T.V.SH (VAT) në Kosovë).
  4. Monitorimi Ndërkombëtar në Kosovë dhe presioni i FMN-së në Shqipëri.

Këto pengesa na bën të kuptojmë që do të ketë dhe kosto për unifikimin e tregut. Me borxhin e lartë publik që prezanton Shqipëria, e vetmja mundësi është që Kosova t’i përshtatet normave fiskale të Shqiperisë. Kjo është një kosto për sa i përket kompetitivetit fiskal, por nga ana tjetër tregu prej 7 milionësh do të ketë më shumë përfitime që do të mbulojnë këto kosto.

Ky Entitet i Ri duhet të jetë hapi i parë, përpara krijimit të çfarëdo krijimi federativ rajonal, me qëllim shfrytëzimin e potencialeve dhe rezurseve që vendet tona gëzojnë. (Me qëllim që rezurset tona t’i perdorim si Forcë dhe mos të jenë llokma të thjeshta të firmave të huaja.)

Në përbërje të këtij Entiteti duhet të përfshihen specialistë elitarë nga shkenca, ekonomia, menaxhmenti dhe jurisprudenca e të dyja vendeve.

Duke vazhduar me definicionin e tregut, një treg mund të jetë i veçantë, unik, nëse kostot e shkëmbimeve brenda tij janë më të ulëta se tregjet kufitare. Për këtë duhen eliminuar të gjitha kostot shtesë…

Qarkullimi i dy monedhave të ndryshme në të dy vendet Shqipëri dhe Kosovë, përcakton nje kosto me të lartë dhe nje risk valutor, në shkëmbimet midis tyre. Kjo kosto, ky risk, do të mund të eliminohej me futjen e një monedhe të përbashkët midis dy vendeve. Kjo monedhë mund të jetë leku ose një tjetër e perbashkët për shkembimet reciproke. Këtu, do të mund t’i drejtoheshim Bankës së Shqipërisë si një autoritet i pavarur që mund të ushtrojë të drejtën e sinjorazhit, njëkohësisht dhe qeverive përkatëse. Mjafton që qeveria e Kosovës të pranojë dhe qarkullimin e lekut ose të monedhës së përbashkët brenda territorit të saj, në pagesat qeveritare dhe pagat në vend, duke eliminuar ne këte mënyrë, pamundësinë e Bankës Qendrore të Kosovës.

Mundet, gjithashtu, që kjo detyrë t’i ngarkohet nje enti tjetër qendror monetar të përbashkët.

Tregu i unifikuar Shqipëri – Kosovë është një mundësi e artë për tu incentivuar dhe shfrytëzuar, për rritjen e sigurisë ekonomike dhe rolit rajonal të entitetit shqiptar rajonal.

Pikat e domosdoshme, ku duhet të mbështet një unifikim i tillë i tregjeve janë:

  1. Unifikimi doganal.
  2. Unifikimi Fiskal
  • Krijimi i Entiteteve ekonomiko – juridike mbi-kombëtare.
  1. Krijimi i monedhës së përbashkët nëpërmjet Bankës së Shqipërisë ose krijimit të një Entiteti Monetar të përbashkët.
  • Mjafton që një nga këto pika mos të plotësohet dhe nuk mund të flasim për treg unik, por treg konkurrencial mes veti.

Dhe pika e fundit e më e rëndësishme është ndërgjegjësimi për egzistencën e oportunitetit të  madh qe sjell një treg i unifikuar.

Nëse këto nuk verifikohen, jo që nuk do të mund të flasim për treg unik, por nën ndikimin e lobeve furnitore importuese, do ta kemi gjithnjë e më të vështirë për të folur për të njëjtin komb ne Shqipëri dhe Kosovë.

Nëse një komb karakterizohet nga Kultura dhe gjuha e përbashkët dhe nëse kultura ndikohet nga realiteti i shkëmbimeve dhe konteksti i përditshëm, atëherë mungesa e shkëmbimeve ekonomike, kulturore mes veti, do të shkaktojë një ndarje dhe më të thellë sesa aktualja e do të jete vështirë të vazhdojmë të flasim për një komb….

Në fund, kompleksiteti i këtyre ideve është shumë i lartë, por vështirësia më e madhe është politike: do të pranojnë qeveritarët tanë të humbasin një pjesë të pavarësisë  institucionale, në favor të një entiteti ekonomik mbarëkombëtar? Kompleksiteti i dytë lidhet me profesionalizmin: Do të jenë të aftë qeveritarët tanë të  paraqesin në negociatat me ndërkombëtarët koston e lartë poltike ekonomike që dy vendet tona paguajnë duke qëndruar të ndara?

Profesionalizëm do të thotë dhe meritokraci, dhe kjo duhet të jetë obiektivi i përbashkët i qeverive që punojnë për vendin. Pa meritokraci, nuk ka profesionalizëm, nuk ka mbrojtje interesash madhore për ekonomitë e të dy vendeve.

 

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked