BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Të jetosh dhe jo të mbijetosh? – PhD, Ledian Droboniku

Të jetosh dhe jo të mbijetosh!

13262130_1703038779976656_1287933419_o (1)

Nga LEDIAN DROBONIKU, gazeta Dita April 23, 2013 

Sfida më e rëndësishme që e Majta do i duhet të përballet me ardhjen në pushtet është pikërisht zhdukja e një pabarazie sociale të tejskajshme. Çdo discours-i politik ka si premisë faktin se ekziton një jetë politike, ekonomike, sociale dhe si i tille nuk mund të mendohet aty ku bëhet fjalë thjesht për mbijetesë. Mbijetesa nxjerr në pah vetëm instiktet e njeriut dhe jo virtytet e tij si individ apo si krijesë shoqërore.

Ushtria e fëmijëve që lanë bankat e shkollës për të shitur cigare makinave luksoze  është vetëm një frame e filmit tragjik që përjeton sot shoqëria jonë. Me një shkallë të tillë polarizimi social, teoricienë të demokracisë mësojnë se nuk mund të ndërtohet asnjëlloj strukture komunitare e qëndrueshme, sepse solidariteti zëvendësohet nga rivaliteti i egër dhe dimensioni qytetar prej dimensionit individulist ekstrem. Për këto arsye, insitucionet duken kaq të huaja edhe kur atyre i vë pas mbiemrin “demokratike”. Shteti nuk arrin të ndërtojë një projekt të përbashkët e të besueshëm për qytetarët, sepse nuk i bën pjesë në këtë projekt as si individë dhe as në formacione ku këta marrin pjesë. Mjaftohet t’iu shesë paketa ëndrrash të prodhuara kudo gjetkë përveç dialektikës me popullin e vet.

Kjo qeveri ka shkuar dhe më tej, ku jo vetëm ka braktisur qytetarin në fatin e vet (me idenë se fajin e ka vetë sistemi dhe jo pushtetmbajtësit);  nuk ka tentuar të rikompozojë indin social të fragmentizuar të këtij vendi, po u ka fryrë ndasive të çdo lloji. Është karakteristikë e çdo lloj regjimi antidemokratik ai që syonon të qeverisë duke  vënë  qytetarët e tij kundër njëri tjetrit, qoftë për pozitën e tyre sociale, ekonomike ashtu dhe për origjinën dhe bindjet e tyre politike. Në këtë klimë “lufte” e pasigurie, nuk ka vend për njerëzit e paqes, sepse nuk lejohen  hezitimet, dyshimet, reflektimet, diskutimet apo më keq llogaridhëniet. Psikoza kolektive edhe me një remineshencë historike, delegon aftësinë për të kuptuar dhe vendosur vetëm “Njëshit” të padiskutueshëm. Kjo është çfarë po ndodh prej më shumë se dy dekadash nga këto anë.

Për këtë arsye lëvizja e së majtës duhet të jetë dy kahëshe. Nga njëra anë duke afruar politikën tek qytetarët, por nga ana tjetër duke afruar qytetarin tek politika duke i rikthyer  dinjitetin e tij njerëzor. Vetëm trajtimi si pjesëtar i komunitetit me dinjitet ekonomik dhe social pavarsisht aftësisë së tij paguese siguron një pjesmarrje aktive dhe identifikim në ndërtimin e “polis”-it

Nuk duhet thjesht ndërtuar istitucione demokratike që të japin idenë e të punuarit për të mirën e përbashkët dhe jo atë personale, por të paraqesë një projekt të ri për bashkëjetesën e gjithë shqiptarëve. Bashkëjetesë që nuk mund të ndërtohet padyshim pa ringjallur idenë e solidaritetit në radhë të parë. Ata që kanë përfituar më shumë duhet të kontribuojnë më shumë, është aksiomë e një shteti demokratik. Në këtë frymë është patetike boria e pushtetit për ta trumbetuar me të madhe taksën e sheshtë dhe tek shtresat më në nevojë, sepse kështu po na ka zili dhe Gjermania. Taksa është një sakrificë që të gjithë sipas mundësive të tyre duhet të realizojmë nëse duam të jetojmë së bashku.

Sigurisht, Shteti nuk duhet të shqetësohet vetëm për shpëndarjen e pasurisë por dhe për krijimin e saj. Nuk dua këtu, ndryshe nga sa ndodh rëndom, të zhvendosë debatin në një sfidë mes dy sistemesh ideologjikë të ndryshëm, thjesht sepse ajo që ka ndodhur këtu del jashtë këtyre skemave klasike.

Ideja qëndrore duhet të zhvendoset drejt një rikonceptimi të projektit për zhvillimin e vendit. Ky projekt duhet të rivërë në qendër të vëmendjes, si kudo, të mirën e përbashkët dhe alokimet optimale të asaj çka ky vend duhet të prodhojë. Pseudo-ideja që ka shoqëruar tranzicionin tonë,  që vetëm individualisht mund të ndërtojmë jetët tona, ka rezultuar falimentare. Një pasuri apo e mirë është e tillë jo vetëm atëherë kur “rrethohet” nga privati por kur ajo prodhon benefite për të gjithë komunitarët. Shkatërrimi i territorit, bregdetit, dekorit të qyteteve, shëndetësisë, arsimimit në emër të një konsumizmi të pakuptimë nuk u shoqërua dot me krijimin e një impianti ekonomiko-industrial por me invesitme “tallava”. Pa një strukturë të qëndrueshme dhe ato përfitime ekonomike personale duken kaq të brishta dhe të pasigurta për këdo.

Detyra pedagogjike e shtetit, si istanca më racionale që shoqëria prodhon, duhet të shkojë pikërisht në këtë drejtim. Paaftësisë së sipërmarrësve në këto vite, që nuk nëdrtuan jo vetëm një sistem ekonomik solid por një brand të vetëm shqiptar, duhet shoqëruar të paktën fillimisht me një ndërhyrje të fortë të shtetit për ta krijuar sektorët strategjikë që të shërbejnë si forcë tërheqëse për investimet e mëtejshme. Më tej mund të përfshijë në të dhe kapitalin privat, për siguruar kështu akumulimin dhe qarkullimin e  kaptialit npërmejt një sigurie ligjore si do ishte psh. krijimi i vonuar i Bursës së Shqipërisë. Hapi tjetër mund të ishte padyshim dhe adresimi i investimeve produktive serioze npërmjet një politike fiskale të larmishme.

Sigurisht, mjete dhe instrumentat mund të merren prej eksperiencave të shteteve perëndimore, por kurrsesi nuk mund të kryhen duke i shërbyer edhe interesave klienteliste edhe interesave të komunitetit. I vetëdijshëm se këto janë sfidat serioze dhe jo aprovimi i ligjeve në letër, pikërisht për këtë arsye nuk mund të lihen më në harresë apo më keq të punohet në drejtimin e kundërt duke prodhuar anti-modele ekonomike, politike apo sociale që jo vetëm nuk na afrojnë me familjen e madhe europiane por rrezikojnë të shkatërrojnë dhe familjen tonë të vogël shqiptare.

Demokraci Pjesemarrese

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked