BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Tetris Demokraci – PHD, LEDIAN DROBONIKU

LEDIAN DROBONIKU

Tetris Demokraci

13262130_1703038779976656_1287933419_o (1)

Tetris, për ata që nuk e dinë, është një lojë interesante që konsiston në ndërtimin e një muri me figura të shtrembra dhe kur vjen një figurë e drejtë rezulton e vështirë t’i gjesh vendin. Nuk e di pse vjen kaq natyrshëm të përdoret kjo paradigmë për të përshkruar demokracinë shqiptare, e tejmbushur me personazhe që rrinë shtrembër dhe duket sikur flasin drejt.

Baroni Monteskje na kujton, se demokracia është sistem vlerash dhe ndërtohet nga njerëz virtuozë, e kundërta e saj është frika, shantazhi, vrasja, mashtrimi, vjedhja, grabitja, glorifikimi i njëshit dhe në fund, përulja. Shpeshherë, teoricienë të ndryshëm të shqetësuar nga aftësia rigjeneruese e demokracisë për t’iu përshtatur realitetit historik konkret, ngrenë pyetjen se çfarë ndodh nëse në krye të demokracisë vjen dikush që nuk beson te demokracia? Problemi amplifikohet tek ato demokraci të reja që nuk kanë pasur kohën dhe energjinë e duhur për të prodhuar antikorpët shoqërorë.

Nuk dua të bëj këtu apologjinë e demokracisë, sepse duket se dhe kjo fjalë është tejkonsumuar nga përdorimi toksik i përditshmërisë shqiptare. Ajo që duhet thënë, është më e thjeshtë, demokracia nuk është thjesht shprehje e fuqisë verbale, por rezultante e veprimeve konkrete dhe vlerave që frymëzojnë këto veprime. Në shërbim të “zonjushës” demokraci, shoqëria krijoi institucionet, pikërisht për të ruajtur këtë krijesë sa të bukur, aq dhe të brishtë. Historia botërore por dhe ajo shqiptare na mëson, se ky rrezik është konstant, pavarësisht evoluimit që mund të pësojnë antagonistët e saj në pamje dhe buzëqeshje. Nëse dikush do të dalë prej kësaj gjendjeje, mund ta bëjë veçse me “energji” individuale, pavarësisht kostos që kjo shkakton në shoqëri. Paralizimi i institucioneve nxjerr si surrogat figurën e “kompetentit” që siguron zgjidhje ad personam dhe sporadike, edhe pse të mjaftueshëm për rastin konkret. Pusht-eti, në kundërshtim me interesin kolektiv, nuk merret me zgjidhjet e problemeve dhe konflikteve sociale, duke lënë të kuptohet se fajin e ka gjithë sistemi shoqëror, kështu që s’mund mund të bëhet asgjë në mënyrë institucionale. Ilustruese për këtë mund të ishin deklaratat pa fund të institucioneve që mjaftohen të “demaskojnë” probleme pa tentuar t’i zgjidhin ato, sikur të ishin spektatorë dhe jo përgjegjës për parandalimin apo zgjidhjen e tyre. Shërbëtorët e shtetit, në vend që të kryejnë sintezën e konflikteve sociale dhe t’u japin përgjigje problemeve që rëndojnë mbi këtë truall, bëjnë pikërisht të kundërtën, duke i vënë shqiptarët kundër njëri–tjetrit, qoftë si individë apo qoftë si kategori. Në këtë drejtim duket sikur shkojnë dhe ngjarjet e fundit mbi “njëshin e njëshave” dhe gjurmët që ato lanë në imagjinatën kolektive. Duhet shumë kurajë dhe fantazi të pranohet normaliteti i të zgjedhurit të një ministri të përbrendshëm, President i të gjithë shqiptarëve. Nuk duhet krijuar konfuzion me eksperienca të tjera juridike, sepse Presidenti ynë duhet të jetë një figurë jopolitike, pasi nuk votohet mbi bazën e një programi politik, madje pa debat, pikërisht të mos cenohet as formalisht natyra e tij unitare kombëtare. Kundër atyre tezave minimaliste që mjaftohen me një përputhje formale të Kushtetutës, duhet kujtuar se ajo ka natyrë krejt tjetër. Sikundër dhe bibla që është në fund të fundit një akt rregullator sjelljesh, mund të interpretohet qoftë si në Mesjetën e hershme të inkuizicionit ashtu dhe në frymën e botës së sotme ku mbizotërojnë vlera krejt të tjera. Interesante ishte dhe ideja e një lloji konsensusi sui generis që u hodh në tregun mediatik. Ndoshta të ndonjë konsensusi me vetveten ose me alteregon, nëse nuk bie shpesh herë dakord me veten? Parashtesa “kon” te fjala konsensus nga ata që e krijuan, kërkon detyrimisht një tjetër interlokutor. Pra, kuptohet që konsensusi është institut procedural, që kërkon respektim të disa rregullave nga të dyja palët të interesuara për një zgjidhje ekuidistante. E kundërta quhet thjesht imponim, bazuar mbi forcën. Sigurisht kjo përqasje mund të ishte e përshtatshme për t’iu afruar Europës së viteve ‘40 por jo asaj së sotme.

Për të siguruar maksimizimin dhe pastaj devijimin e energjive të spektatorit, ishin përkujdesur që këtë spektakël ta orkestronin si një ndeshje shqiptare futbolli, ku fitohet jo falë virtuozitetit, por falë forcës dhe dhunës. Nga ana tjetër, pushteti, duke dekurajuar çdo lloj pjesëmarrje aktive të qytetarit nëpërmjet votës apo referendumit, i shkon për shtat ky lloj qytetari – spektator. Pyetja është nëse i mjafton qytetarit shqiptar të jetë një spektator me atë që bëhet në emër të tij e të bëjë tifo plot pasion njësoj si në “Big Brother”. Më duhet të pranoj se fatkeqësisht shqiptarët marrin me sportivitet gjërat serioze dhe me shumë seriozitet gjërat sportive. Ajo që humbi dhe një herë është vetëm Shqipëria e dobët dhe e mekur e jo ata që e kundërshtuan këtë gjë. Edhe pse jemi po ky popull që ka nxjerrë prej shpirtit të vet Nënë Terezën, vlerat duket sikur i kemi humbur rrugës dhe kemi krijuar një terren pjellor për kultivimin e disa antivlerave, pasi vakumi nuk ekziston. Sesa e rrënjosur është kjo përqasje ndaj të dobëtit, mund të nisemi që nga “satira” e neveritshme e spektakleve televizive deri te vendimet e Gjykatës Kushtetuese, kur zhvesh më tej pakicën prej mekanizmave kushtetues për të ushtruar një minimum kontrolli mbi shumicën qeverisëse.

Është ky çelës leximi për të kuptuar sesa triumfuese dalin mburrjet e njëshit, se ka mundur me radhë të gjithë eksponentët e palës tjetër, sikur qëllimi final në demokraci të ishte qëndrimi i gjatë dhe me çdo kusht në pushtet dhe jo qarkullimi i figurave. Falë kësaj metode dhe përqasje ndaj të dobëtit, u arrit të pranohej marrja e jetës pikërisht atyre që kërkonin thjesht përmirësimin e cilësisë së saj. Kur pritej reagimi prej të gjithë dashapaqësve nga këto anë, regjimi shtrëngoi çuditërisht radhët, sepse askush prej tij nuk e ndjente veten mjaftueshëm të pastër për të protestuar ndaj një akti të tillë makabër që kishte kaluar çdo lloj vije të kuqe. Boria e luftës kishte rënë. Reagimi i terrorit dhe persekutimit që vijoi më tej e nuk kurseu as gazetarët, hodhi një pëlhurë të re trishtimi kolektiv.

Nga ana tjetër është zhgënjyese kur dëgjon disa intelektualë me pseudo dhe pa, të ankohen sepse nuk kanë opozitën që ata do meritonin, dhe për pasojë, aq vlen sa të pranohet status quo–ja. Nuk është e vështirë t’u përgjigjesh që në demokraci, zëri opozitar nuk duhet shuar kurrë, sepse përmirësimi është koncept dinamik dhe jo statik. Është në instinktin autokonservativ të çdo krijese të mos pranojë vdekjen e ngadaltë, por të provojë gjithçka për ta luftuar atë, pavarësisht rrugës së vështirë e plot mjegull. Në këtë grackë, opinioni publik rrëshqet duke mos e kuptuar që ky është guri i fundit i regjimit për të zgjatur agoninë e vet. Denigrimi i tjetrit dhe frika për të ardhmen mbetet i vetmi instrument, kur nuk ka më asnjë argument propagandistik, me një ekonomi dhe financa të rrënuara, një mbretërim të Padrejtësisë sociale dhe ligjore, një korrupsion kapilar, me një Europë që largohet gjithmonë e më shumë dhe me një injorim të faktorit ndërkombëtar. Duke ndaluar pak tek miqtë tanë ndërkombëtarë të Shqipërisë, ajo që besoj se nuk sinkronizohet mirë, është përmbajtja e asaj që duan dhe forma si e kërkojnë atë. Gjysmë të vërtetat janë më keq se gënjeshtrat e kurrsesi nuk janë të mjaftueshme për të arritur qëllimin e tyre përfundimtar, që duhet të jetë demokratizimi i Shqipërisë. Kalibrimi i fjalës duhet të jetë i tillë që të arrijë në veshin e interlokutorit deri sa ai ta kuptojë atë. Ashtu si dhe ndaj pushtetarëve grekë apo hungarezë, edhe në rastin e Shqipërisë doza e ndërhyrjes duhet të jetë e aftë të përcaktojë përgjegjësit konkretë, pa rënë në një relativizim të përgjithshëm dhe të pafrytshëm.

Nga ana tjetër, pranohet që gjithë regjimet antidemokratike kanë nevojë për bashkëpunëtorë me pushkë, penë dhe madje mikrofona, por shoqëritë demokratike të atyre vendeve kanë ditur të vendosin më pas drejtësinë e dëshiruar. Një shoqëri që nuk vendos drejtësi, duke ndëshkuar shkaktarët e vërtetë, do jetë si një plagë plot vrer që herët a vonë ridel në sipërfaqe. I ndërgjegjshëm që kjo s’do jetë mjaftueshëm për Shqipërinë europiane, është gjithmonë një hap i parë dhe si i tillë nuk mund të hidhet veçse në bulevardin madhështor të drejtësisë.

Hartuesit e Kushtetutës shqiptare, në ravijëzimin e impiantit institucional shqiptar, persekutoheshin nga një fantazmë e vetme, përqendrimi i pushtetit. Kompleksiteti i makinës shtetërore shqiptare me mekanizma balancimi dhe kontrolli, justifikohej pikërisht nga kjo frikë e hershme e shtet-ndërtimit shqiptar. Por kjo barrikadë kishte rënë kohë më parë, kur në krye të demokracisë hipi një person që beson tek gjithçka, përveç demokracisë, ashtu si bota e njihte deri atëherë.

 

Botuar tek gazeta shqip – 22.06.2012

Demokraci Pjesemarrese

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked