BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Varfëria, pabarazia dhe modeli ekonomik “trickle-down”

Shqipëria radhitet ndërv vendet jo vetëm më të varfra por dhe me pabarazi të thellë. Qeveritë e tranzicionit kanë thelluar këtë hendek duke realizuar politika në kundërshtim me kushtetutën ekonomike të vendit, si është drejtësia sociale, punësimi dhe dinjiteti i Njeriut. Në themel të këtyre politikave neoliberiste është i ashtëquajturi modeli trickle-down, ose “rrjedhja e pikave nga lart-poshte”. Nëse do pyesnim një klerik të sistemit se përse nuk ka politika rishpërndarjeje, përgjigjet që do merrnim do ishin: “në fillim duhet të prodhohet e pastaj të shpërndahet”, “më parë rrisim tortën pastaj e shpërndajmë” etj si këto.

Duken si përgjigje me vend dhe prandaj shumë njerëz i aprovojnë. Por kështu nuk është. Në pamundësi për të rrokur të gjithë sistemin, njerëzit priren të shpjegojnë ekonominë nga këndvështrimi personal apo familjar. Kështu që është normale që një familje në fillim duhet të prodhojë të ardhura e mandej ti përdorë ato për pjesëtarët e familjes.

Por nën këndvështrim makroekonomik, shpenzimet e një familjeje janë fitim për tjetrën në një proçes të pandërprerë në kohë: prodhim-shpërndarje-prodhim. Sipërmarrësit mund të fitojnë vetëm nëse arrijnë të shesin prodhimet e tyre. Një pjesë të këtyre fitimeve sipërmarrësit i konsumojnë dhe një pjesë i rihedhin për investime duke rritur aftësitë prodhuese.  Kjo rritje e prodhimit të tyre duhet të shoqërohet edhe me rritje të aftësive blerëse të konsumatorëve si dy anë të së njëjtës medalje. Politikat e investimit shkojnë përkrah me politikat e pagave. Vetëm kështu ekuacioni ekonomik mund të funksionojë.

Loja që bën ideologjia neoliberiste është të krahasojë shtetin me një familje. Kjo mund të vlejë për fushën shpirtërore ku shteti shihet dhe si atdheu. Por brenda një ekonomie tregu, të barazosh shtetin me familjen çon në përfundime të gabuara dhe të pallogjikshme.

Përse?

Sepse brenda një familje nuk ka antagonizëm por solidaritet dhe objektiva të përbashkët. Nuk ndodh shpesh që kryetari i familjes të mbledhë lekët  për vete e të bëjë qejf pa u shqetësuar se pjesëtarët e tjerë të familjes vdesin urie. Kështu asnjë familje nuk do e kishte të gjatë. Kurse në ekonomi kjo ndodh sepse secili sheh interesin e vet. Ekonomia e një shteti është e përbërë nga individë dhe familje me interesa të kundërta. Nëse brenda familjes harmonizimi ndodh natyrisht këtë gjë nuk mund ta themi për sistemin ekonomik. Pjesa që arrin të akumumulojë mbivlerën (kapitalin) nuk është gjithmonë e interesuar ta rihedhë atë në sistem, në formën e pagave, konsumit apo investimeve. Kapitali ose nxirret jashtë vendit ose bllokohet duke lënë “organizmin pa gjak” . Shteti social nuk është kundër krijimit të pasurisë private (si ai komunist) por me kusht që ajo mos të përdoret kundër interesave të vendit. Kështu shteti ka detyrimin kushtetues të realizojë ato politika që nxisin investimet, qarkullimin dhe shpërndarjen e pasurisë në të njëjtën kohë. Ekonomia është ai aktivitet njerëzor që prodhon të mira për përmbushjen e nevojave të gjithë komunitetit edhe pse jo në mënyrë të barabartë por dinjitoze. Që bashkëjetesa sociale të mbijetojë duhet që ekonomia të prodhojë e shpërndajë njëkohësisht të mirat e shërbimet.

Por ideologjia neoliberiste ka bindur në fillim intelek/tualet e mandej masat, se ekonomia e një vendi mund të rritet edhe ndryshe. Në fillim duhet privilegjuar krijimi i një shtrese super të pasur nga e cila mund të përfitojnë të gjithë pastaj. Nomeklatura me kostum të ri, ishte e lumtur me marrëveshjen që “miqtë ndërkombëtarë” i imponuan vendit. Nga ajo përfitonin qoftë oligarkët e rinj ashtu dhe lobet e huaja të interesuara për zaptimin e pasurive natyrore dhe sektorëve strategjikë. Terapia shock, kishte kështu dy qëllime: 1) deindustralizimin e vendit dhe trasformimin në një koloni importi 2) krijimin e një oligarkie shqiptare si mashë ndaj politikave neo-kolonizuese.

Kapitalistët shqiptarë nuk u krijuan në një proçes normal ku aftësia dhe risku i sipërmarrjes prodhuese krijonte pasuri. Ajo që ndodhi ishte krijimi artificial i një klase super të pasur pa merita e pa konkurrencë. Pushteti politik u përdor për pushtet ekonomik dhe pushteti ekonomik për të siguruar pushtet politik, në një qark pervers e antikombëtar. Kjo kastë nuk i ngjasonte borgjezisë së prodhimit por një oligarkie që fitonte duke importuar e spekulluar si zëdhënëse e lobeve të huaja. Çimentimi i këtyre interesave antikombëtare nuk godet vetëm qytetarët shqiptarë por dhe biznesin prodhues duke mos lejuar zhvillimin e vendit.

Ashtu si në nomenklaturën komuniste edhe në atë neoliberiste, partia duhet të njehsohet me shtetin. Nëse shtetin nuk e kontrollon populli, ai nuk i shërben atij por një grupi familjesh oligarkike mbledhur pas fasadave të partive. Kjo strukturë oligarkike politike garanton dhe oligarkinë ekonomike nga kërkesat për demokratizim dhe rritje të mirëqënies së përgjithshme.

Kapja e shtetit, politikës, ekonomisë, medias, shkollës, artit, etj nuk është vetëm fenomen shqiptar. Me nuanca të ndryshme, kjo po ndodh në të gjitha vendet perëndimore që kur braktisën kapitalizmin keynesian dhe adoptuan kapitalizmin neoliberist. Si pasojë e këtyre politikave, 90% e pasurisë është grumbulluar në duart e 1%, duke krijuar tensione të forta sociale dhe ndërkombëtare. Me gjithë shumëfishimin e aftësisë prodhuese të sistemit, me teknologjitë e reja, rrogat në Perëndim (sidomos në Amerikë) kanë mbetur ato në nivelin e viteve “80 kurse shërbimet publike janë reduktuar në mënyrë drastike. Po ashtu dhe barra e taksave është spostuar gjithmonë në kahun e të varfërve duke minuar kështu një ekonomi të qëndrueshme. Akumulimi i miliardave në pak duar, goditi jo vetëm punëtorët por dhe 99% të biznesit prodhues. Modeli trickle-down dhe politikat supply-side jo vetëm nuk rritën ekonominë si pritej, por e futën botën në një stanjacion global shekullor, ku fitues nuk është borgjezia prodhuese por vetëm elitat financiare që kontrollojnë shtetet dhe jetët e miliarda njerëzve.

Nobelistë të ekonomisë si Stiglitz, Krugman kishin parashikuar rreziqet e një modeli të tillë piramidal për mbarë botën. Modeli trickle-down dhe kurba e Kuznets u provuan tërësisht të gabuara nga faktet e pamohueshme të rritjes së pabarazisë dhe rënies së prodhimit kudo ato po zbatohen. Keynes mësonte se një ekonomi mund të rritet e shëndetshme  vetëm nëse të gjithë operatorët përfitojnë prej saj  e jo vetëm një pjesë si një kancer që paralizon të gjithë trupin. Kjo lidhje direkte mes varfërisë dhe pabarazisë është dhe thelbi i librit të Piketty “kapitali i shekullit XXI” ku nga analiza të shumta ekonomike dhe historike, vërtetohet se vendet zhvillohen vetëm nëse ka një shpërndarje universale të të ardhurave. Pra kur g > r, ose kur norma e rritjes ekonomike është më e lartë se rendimenti i kapitalit. Pra kur pasuria bazohet tek puna sesa tek renta parazitare. Kurse pabarazia sot është rikthyer në shifrat e shekullit XIX mesjetar duke rrënuar të gjitha fitoret dhe të drejtat e shekullit XX.

Nuk duhet të jesh ekonomist e njohës i grafiqeve dhe formulave për të kuptuar që një sistem i cili privilegjon  rentën parazitare në vend të punës së punëtorit dhe sipërmarrësit, është i destinuar të degradojë. E ngjashme është dhe oligarkia shqiptare që jo vetëm nuk lejon zhvillimin e vendit, pasurimin e qytetarëve por të gjitha politikat po thellojnë honin mes 1% që ka miliarda dhe 99% që zvarritet për mbijetesë.

Ky model rikthen privilegjet mesjetare, por vështirë se njerëzit do pranojnë të rikthehen në skllavëri nën sundimin e një aristokracie neofeudale lokale e globale. Asnjë sundim nuk zgjat përgjithmonë. Popujt herët a vonë kuptojnë dhe rebelohen ndaj çdo sistemi oligarkik pavarsisht propagandës hipnotizuese dhe përçarjes në parti, ojf e masoneri.

 

 

Përgatitur nga Dr. Ledian DROBONIKU

Demokraci Pjesemarrese

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked