Simpozium me konstitucionaliste, juriste dhe magjistrate
Propozimet e dala prej simpoziumit D-Day (Dita e Drejtësisë) organizuar prej Lëvizjes shqipON, më 20/03/2015, Hotel Tirana International
Në gjendjen aktuale, ku korrupsioni dhe krimi ka prekur rëndë të gjitha instancat vendimmarrëse dhe format e pushtetit shtetëror, është jorealiste të shpresosh që zgjidhja do vijë thjesht nga rikonfigurimi i strukturave aktuale. Ndryshe nga debati dikotomik, që synon rritjen apo zvogëlimin e vetëqeversjes së pushtetit gjyqësor nga bota e politikës, ne mendojmë se drejtimi i duhur është ai i reduktimit të pushtetit shtetëror në gjitha format e tij (politik apo juridiksional), sepse paraqet kudo të njëjtën sindromë të papërgjegjshmërisë dhe korrupsionit kapilar.
Mosfunksionimi i drejtësisë, falë papërgjegjshmërisë së pushtetit gjyqësor, ka pezulluar faktikisht të drejtat kushtetuese në vend, nuk lejon zhvillimin e një shteti dhe ekonomie moderne bazuar tek e drejta dhe siguria juridike. Në këtë gjendje ilegaliteti 25 vjeçar, ku sundojnë privilegjet dhe jo ligjet, janë krijuar struktura pushteti politik dhe ekonomik, që refuzojnë ndryshimet që shqiptarët presin.
Kujtojmë që sovraniteti i përket ende popullit, dhë është e drejta e qytetarëve shqiptarë të kërkojnë demokratizimin e makinës shtetërore, hapjen e sistemit për vendimmarrje direkte të qytetarëve që do rriste llogaridhënien, transparencën, dhe mbi të gjitha do risillte besimin tek një shtet që kuron interesin publik dhe jo atë klientelist.