BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Pse reforma e vërtetë është Revolucioni Civil, demokratik dhe paqësor

Pse reforma e vërtetë është Revolucioni Civil, demokratik dhe paqësor!

Jemi të ndërgjegjshëm që shkojmë kundër rrymës dhe dogmës së fabrikuar nga kasta, miqtë dhe mediat e saj: “se reforma për drejtësi do të sjellë drejtësi”. Në një vend ku mediat janë të kapura,  për të kuptuar të vërtetën duhet të përmbysësh lajmin! Reforma për drejtësi është sajesa e radhës e një kaste për të fituar kohë dhe vonuar reagimin e shqiptarëve për ndryshimin e gjithë sistemit!

rdtrdutr

 

Ky vend nuk normalizohet nga lojrat e kastës brenda pallatit të pushtetit.

Reforma e vërtetë është vetëm një revolucion civil nga poshtë që e kthen shtetin nga një strukturë oligarkike në një shtet komunitar-demokratik që krijohet dhe kontrollohet nga qytetarët dhe jo nga partitë, oligarkikë, të huajt apo masoneritë.

Atë çfarë duhet të kishim bërë në 1990, demokratizimin e Shqipërisë.

Revolucion civil do të thotë që lëvizja vjen nga vetë qytetarët dhe jo nga struktura e sipërme vendase apo të huaja.

Revolucion civil do të thotë që ndryshohet jo partia apo fytyrat  por përqasja ndaj institucioneve, politikës dhe ekonomisë.

Revolucion civil nuk do të thotë që delet të zgjedhin bariun e mirë, por vendosin  të mos jenë më dele.

Revolucion civil do të thotë që qytetarët kërkojnë më shumë pushtet, atë që deri më sot e vendosin partitë dhe ambasadorët,  nesër ta vendosin vetë qytetarët!

Kjo nuk bëhet me sllogane apo premtime, por rikonfigurim të shtetit: nga një shtet i kontrolluar nga partitë dhe oligarkitë në një shtet ku vendimet i marrin qytetarët me instrumenta të reja!

Revolucion civil do të thotë që qytetarët të mos mjaftohen me të zgjedhur sundimtarët por të vendosin direkt për gjërat. Ky pushtet i qytetarëve nuk krijohet nga hiçi, por u merret partive – shtet.

Revolucion civil do të thotë fundi i partive-shtet dhe rritja e vendimmarrjes qytetare me referendume të detyrueshme, zgjedhje dhe shkarkim të çdo zyrtari të lartë direkt nga qytetarët dhe jo më nga partitë.

Çfarë bën reforma e re?

A e hap sistemin për qytetarët? Flet për demokraci apo vetëm “drejtësi”? A i jep reforma më shumë instrumenta vendimmarrës dhe kontrollues qytetarëve? A krijohen juri qytetare si vendet demokratike?

Jo!

Kjo reformë si të gjitha reformat këto 26 vite janë reforma elitiste dhe antidemokratike! E trajtojnë shtetin sikur është çështje e elitave dhe jo vetë popullit! Popullit i thuhet edhe njëherë, të presë e të durojë se diçka do të ndodhë atje sipër.

Reforma është gati ti japë pushtetin të huajve por kurrsesi qytetarëve shqiptarë. Reforma nuk flet për superpushtetin që kanë kryetarët e partive, listat e mbyllura, rolin e madh që ka ekzekutivi në dëm të parlamentit, militantizmi i KQZ dhe të gjitha organeve shtetërore, monopolizimin e ekonomisë dhe dhurimi i sektorëve strategjikë në duart e të huajve!

Revolucioni civil e demokratik e përmbys këtë vizion. Dhe si i tillë nuk mund të bëhet me një reformçkë nga njerëzit e kastës, miqtë dhe mediat e kastës!

Revolucioni civil ndryshe nga revoltat e telekomanduara nuk bëhet duke zëvendësuar maskat por duke mbyllur fabrikën e maskave!

Normalizimi nuk bëhet ngadalë si ka qejf kasta të thotë, me reforma një nga një! Ato ndodhin në një vend normal dhe jo një shtet të kapur! Në një shtet të kapur reforma kërkon përmbysje dhe jo arnim tw strukturave piramidale që sigurojnë privilegje!

Revolucioni civil hedh bazat për një Kushtetutë të Re bazuar mbi demokracinë pjesëmarrëse.

Kushtetuta e re krijon ato institucione që ndalojnë që vendimet të merren pa pyetur qytetarët në mënyrë demokratike!

Kushtetuta e re i jep fund ndasive partiake dhe përçarjes së popullit, sepse vendimet publike, politike dhe ekonomike nuk merren më nga partitë dhe bandat rreth tyre por direkt nga qytetarët.

Kur partitë mos të kenë më pushtet do rrëzohen të gjitha rrjetet kriminale që mbajnë peng zhvillimin e vendit për hatër të privilegjeve apo shitjen e interesave kombëtare!

Si rezultat do kemi një shtet komunitar që afrohet tek qytetarët dhe qytetarët që afrohen tek shteti! Nuk do ketë vetëm një fill kontakti mes shtetit dhe qytetarit si është sot 1×4 vjet, por qindra fije që togëzojnë vullnetin e popullit sovran me aksionin e shtetit.

Kështu qytetarët nuk do mjaftohen vetëm me zgjedhjen e deputetëve (që tani  janë përcaktuar nga shefi i partisë dhe nesër me lista të hapura dhe sistemi primariesh), por do zgjedhin dhe shkarkojnë: Presidentin e Republikës, Prokurorin e Përgjithshëm, Këshillin e lartë të drejtësisë, Komisionin qendror të zgjedhjeve, avokatin e popullit, governatorin e bankës kombëtare, drejtorin e trasparencës kombëtare, drejtorin e ISTAT, Drejtorin e Konkurrencës, të mbrojtjes së konsumatorit, Drejtorin e AMA, drejtorin e TV publik shqiptar etj etj.

Kështu sigurojmë dhe higjenizimin e shetit prej korrupsionit dhe privilegjeve sepse populli në çdo moment mund të shkarkojë të zgjedhurit e vet pa pritur 4 vjet mashtruesin e radhës. Mandati  i bardhë do përfundojë dhe çdo zyrtar do jetë i kontrollueshëm nga qytetarët dhe jo shefi i partisë.

Normalizimi i vendit do kwrkojë njerëzit dhe energjitë më pozitive që ka kombi dhe prandaj do të duhet përfaqësimi i diasporës dhe emigrantëve jo vetëm në votime por përfaqësimin e tyre direkt në senatin e Republikës.

Kuptohet që nga ky proçes do të përjashtohen të gjithë ish zyrtarët e lartë të shtetit, partive dhe mediave kwto 26 vite oligarki!

Është pra e kuptueshme që askush nuk e do këtë gjë dhe prandaj shpëtimi nuk do vijë nga ekranet e mediave apo gojët e pseudointelektualëve shërbëtorë të kastës!

Shpëtimi do vijë nga vetë populli që jo vetëm kupton hallet e tij por dhe rrugën për të dalë jashtë kurthit. Atëherë kur populli të ndalojë së shari njëri tjetrin apo të rend pas liderrrave, partive dhe ambsadorëve! Atëherë kur populli ndalon së qenuri minoren dhe kërkon më shumë pushtet për vete në ndërtimin e shtetit dhe një ekonomie kombëtare.

Kasta po përgatit kaosin e radhës, ndryshimin e maskave drejtuese për sundim edhe për disa dekada falë mbështetjes të të huajve që u kemi dhuruar ekonominë, financat, pasuritë dhe sektorët strategjikë të vendit!

ShqipON do luftojë betejat për instalimin e demokracisë pjesëmarrëse si e vetmja mënyrë për normalizimin e vendit, krijimin e një ekonomie kombëtare që u shërben të gjithë qytetarëve dhe jo vetëm një pakice ngritur mbi privilegje.

Të bindur se demokracinë dhe sovranitetin e shteteve po e lufton rendi i ri botëoror kërkojmë mbështetje vetëm tek populli shqiptar brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë për ti dalë Zot vendit tonë si kemi bërë ndër shekuj!

Lexojmë dhe shpërndajmë Kushtetutën dhe Projektin SOS për Normalizimin e Shqipërisë: http://levizjashqipon.org/foto-galeri/thirrje-per-kuvend-kombetar-per-normalizimin-e-shqiperise/

 

Demokraci Pjesemarrese

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked