BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Vdekja e ligjit nuk mund të jetë Rilindje e Shqipërisë!

image

Vdekja e ligjit – Dr. Ledian Droboniku

 

Vdekja e ligjit dhe rilindja e politikës

Në shtetin e së drjtës primati i takon të drejtës dhe jo politikës si në regjimet totalitare. Por ky nuk është ende rasti shqiptar.

Demokracia formale shqiptare, e ngritur mbi antivlera dhe metoda devijuese të një demokracie evropiane nuk mund të zgjasë dhe shumë. Nëse sistemi ngrihet me figura të shtrembëra dhe godet të drejtët, ai është i destinuar të rrëzohet njësoj si regjimi komunist, sepse nuk është efiçent dhe privon shoqërinë nga forca dhe energji pozitive.

Delegjitimimi i kësaj klase politike shkon krah për krahë me humbjen e besimit tek qytetarët që votojnë gjithmonë e më pak, sepse kuptojnë që votimi një herë në 4 vjet nuk shërben më për ndryshimet që gjithë shoqëria pret.

Oligarkët vazhdojnë të pashqetësuar nga rezultati i zgjedhjeve, të krijojnë privi/legje dhe të pasurohen pa fund në një cikël pervers, që paralizon tregun e lirë dhe konkurrencën virtuoze. Paralizimi po ashtu i sistemit të Drejtësisë ka pervertuar dhe aplikimin e ligjit duke e transformuar në një instrument për të justifikuar abuzimet e më të “fortit”.

Në këtë mënyrë, ku ligji nuk shërben më si zgjidhje paqësore dhe racionale e konflikteve në shoqëri, zgjidhja është padyshim forca dhe arbitrariteti i pushtetarit të radhës kudo qoftë ai.

Është ky terreni i duhur për të prodhuar magjistarë të pushtetit, që i drejtohet drejëpërdrejt turrmave, duke anashkaluar të gjitha institucionet dhe u përbetuar për “mirësinë e tij”.

Diku në Europë këta quheshin diktatorë! Sepse Evropa me shumë dhimbje arriti të kuptojë që Shpëtimi i një populli nuk vjen nga “bujaria” e liderit por nga zbatimi rigoroz i ligjit prej institucioneve. Insitucionet u krijuan për qytetarët që mos të “magjepseshin” përsëri nga prestigjatori i radhës dhe të mbanin armët e rezistencës kundër çdo lloj abuzimi të pushtetit.

Në këtë mënyrë kancerizimi aktual i sistemit të Drejtësisë (si shumica e institucioneve) do të thotë letër e bardhë për politikën që të veprojë e pashqetësuar nga korniza kushtetuese dhe ajo ligjore. Meqënëse vakumi në politikë nuk ekziston, humbja e besimit tek qytetarët tek ligji do zëvendësohet me besimin e palëkundur tek recetat e liderave të tyre.

Mosfunksionimi i ligjit bën, që shqiptarët të humbasin shtëpinë apo pronat në emër të një “kauze” kombëtare dhe jo në emër të ligjit. Në këtë mënyrë askush nuk ndihet i mbrojtur, apo të mund të ankohet, sepse kauza është më e madhe se ata. Drejtësia që arrihet vetëm me anë të ligjit i lë vendi hakmarrjes së disa kategorive kundër disa të tjerave.

Vetëm kështu mund të kuptohet, sesi pusht/teti heq dorë nga dinjiteti i Njeriut (neni 3 i Kushtetutës shqiptare)duke e flakur në rrugë, kur shteti është i detyruar ti gjejë strehë edhe kur ai mbetet në rrugë për shkaqe natyrore dhe jo më ta dhunojë vetë.

Vetëm në mentalitetin e një diktatori diletant, mund të pajtohet idea e shkatërrimit të institucioneve me injorantë dhe militantë dhe zgjidhja e problemit me anë të forcës dhe propagandës.

Kur KESH apo instiucione të tjera mbushen me hajdutë dhe militantë si mund të presësh të luftosh vjedhjen e dritave? Kur sistemi emëron jo vetëm drejtorë dhe oficerë por dhe prokurorë apo dhe gjykatës me precedentë penalë, si mund të presësh luftën ndaj krimit?

Është e mundur të dënohet vetëm qytetari në këtë vend dhe jo titullarët e makinës shtetërore që me vepriemt apo mosveprimet e tyre prodhuan këtë realitet? Në vend që të penalizoheshin me burgim gjithë ata kryetarë bashkie, inspektorë të ndërtimit etj apo tu sekuestrohej pasuria e vënë me vjedhje dhe abuzim, ndëshkohen vetëm të dobëtit që rropaten për të mbijetuar përditë.

Edhe pse propaganda flet për forcën e ligjit, duhet të kujtojmë që forcën e ligjit, nuk e përcakton lideri politik por një sistem drejtësie që është efiçent. Mospasja e një sistemi të tillë, bën të rievokohet ulërima e Luigjit të 14, “la loi c’est moi”. (ligji jam unë). Në këtë pasiguri të plotë që vjen nga mosfunksionimi i arsyeshëm të ligjit, gjithça mund të lejohet nëse ke forcën e duhur edhe përse arsyeja nuk e pranon dot, sepse forca është kundër arsyes.

Kjo nuk ndodh vetëm me liderin e mazhorancës por dhe me atë të opozitës, që në një absurditet të plotë amoral, vjedh edhe të drejtën kushtetuese të protestës ndaj një situate që e ka krijuar po ai vetë me pozitat e sundimtarit të djeshëm. Kërkon të ketë më shumë pushtet, kur nuk jep llogari jo vetëm për atë që bëri dje, por as për pushtetin që ka ende si Kryebashkiak i Kryeqytetit të shqiptarëve që po degradon përditë.

Insitucionet dhe ligjet lidhin duart politikës të mos devijojë në kurimin e së mirës publike dhe të japë llogari para ligjit dhe qytetarit për veprimet e saj.

Është kjo arsyeja, që reformat e rilindjes nuk bazohen në një aksion të madh ligjor duke përshtatur institucionet por me shpatën e propagandës udhëhequr vetë nga Sherifi i vendit. Si mund të vihet demokracia, kur sherifi nuk beson tek ajo? Si mund të vihet Shteti i së drejtës kur sherifi ka alergji nga ligji? Si mund të vihet barazia në shanset ekonomike kur sherifi rrethohet nga matrapazë dhe abuzues të pasurive publike?

Sigurisht, ka dhe një mënyrë, ajo është mënyra klasike që funksionon “pothuajse” gjithmonë. Përçarja dhe fragmentizimi i shoqërisë, prej të dy liderave siamezë të politikës shqiptare.

Por ndërsimi i shqiptarëve kundër njëri tjetrit nuk do zgjasë përgjithmonë, sepse brezi i ri nuk ka atë prirje ndaj konfliktualitetit si prindërit e tyre. Ata nuk identifikohen më as tek “pseudolufta” ideologjike mes kampeve dhe do pranojnë gjithmonë e më pak të trajtohen si turrma të eksituara nga sharmi i njëshit të radhës.

Nga ana tjetër, dhe “kapaku i tenxheres” që deri dje parandalonte “revolucionin” sepse ishte i hapur për cilido që dëshironte të largohej nga ky vend i mallkuar, tani po mbyllet. Kjo bën që të rritet presioni për ndryshime rrënjësore në realitet dhe jo vetëm në letër. Ardhja nga ana tjetër i njerëzve që kanë studjuar apo punuar në Perëndim si mbartës natyrorë të vlerave evropiane do kërkojnë gjithmnë e më shumë të identifikohen në forma alternative të përfaqësimit.

Qënia afër Europës po sjell, edhe pse me një fazaturë kohore, modele jo vetëm në konsum dhe modë, por dhe në metoda qeverisjeje. Evropa e sotme, po kërkon gjithmonë e më shumë një qytetar aktiv, që të ketë instrumenta juridikë për të kontrolluar apo të vendosur drejtëpërsëdrejti fatet e vendit, duke mos qenë më spektator i lojrave të pallatit të politikës.

Vetëm atëherë, kur të zgjerohet dhe të shpeshtohet vendimarrja qytetare do vihet kontrolli dhe llogaridhënia ndaj pushtetarëve, vetëm kur qytetarët të kenë më shumë pushtet do shplahet toksina e prodhuar nga elita e sëmurë e tranzicionit. Vetëm duke dobësuar pushtetin dhe privilegjet e kësaj elite, do mundësohen ndryshimet e mëdha që vendi pret, si zhvillimi ekonomik virtuoz, një sistem drejtësie që jep drejtësi dhe një administratë në funksion të Re(s)publikës dhe jo të partisë apo interesave personale dhe klientelare.

Sigurisht Evropianizimin e vendit, si kudo në Evropën post-komuniste, nuk do e bëjnë dot politikanët e tranzicioinit që përdorin metoda të papranueshme me demokracinë evropiane.

Ndryshimi i sistetmit të tranzicionit me atë evropian, nuk e gjen Shqipërinë, në kushtet e viteve “90 ku mungonte një elitë progresiste për të pranuar demokracinë si pushteti vendimarrës i popullit. Pas 24 vitesh edhe pse sistemi banal shqiptar i ka lënë jashtë, Shqipëria zotëron sot burime njerëzore dhe energji pozitive për të mundësuar këtë ndryshim dhe kapur më në fund trenin e familjes së madhe evropiane.

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked