BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

A po vepron Banka e Shqipërisë në shkelje me mandatin dhe objektivat e saj?

 

Nga Dr. Eugen Musta

A po vepron Banka e Shqipërisë në shkelje me mandatin dhe objektivat e saj?

Gjatë 2-3 viteve të fundit është vënë re një fuqizim i ndjeshëm i monedhës kombëtare – Lekut përkundrejt monedhave të tjera ndërkombëtare. Siç dihet, ndryshimet në kursin e këmbimit të monedhës kombëtare në një ekonomi të hapur kanë ndikim të madh në ekonominë e vendit dhe pikërisht për këtë shkak Banka Qendrore, si institucioni përgjegjës i politikave monetare, ndër objektivat e saj primar ka edhe stabilitetin e kurseve të këmbimit.
Aktualisht ky forcim i shpejtë dhe i pajustifikuar i lekut po sjell humbje të mëdha në ekonomi dhe gjithashtu po dëmton seriozisht rritjen e saj duke goditur njëkohësisht prodhuesit vendas dhe kërkesën agregate. Të parët që e kanë ndjerë këtë efekt negativ që vjen nga forcimi i monedhës vendase janë eksportuesit, të cilët shohin çdo ditë se si marzhet e tyre të fitimit po zvogëlohen duke i ekspozuar ato edhe më shumë drejt rrezikut të falimentimit. Për ta sqaruar procesin marrim shembullin e një biznesi eksportues. Një biznes i tillë produktin e tij e shet në valutë të huaj, le të themi euro ndërsa shpenzimet e tij ku përfshihen paga, qira, energji, transport, taksa, tatime, etj. janë në lekë. Duke qenë se me forcimin e lekut ndaj valutave të tjera tashmë vlera e eurove që ai marr si shpërblim për shitjen e mallrave apo produkteve që ai prodhon këmbehet në më pak lekë, kjo për të do të thotë fitime më të vogla pasi shpenzimet nuk janë ulur në të njëjtin raport. Në një situatë të tillë biznesi ka vetëm një mundësi për të mbijetuar, të ulë shpenzimet gjë që do të përkthehej në ulje të rrogave, apo shkurtimit të vendeve të punës apo më keq akoma mbylljen e tyre. Këto veprime si pasojë to të sjellin uljen e kërkesës agregate pasi tashmë të ardhurat e disponueshme janë pakësuar dhe fuqia blerëse ka rënë. Në forcimin e lekut fshihet edhe një nga faktorët që i bën prodhimet tona bujqësore më të shtrenjta për tregun e huaj dhe jo-konkurrente me vendet e rajonit.
Humbës të tjerë në këtë situatë janë gjithashtu të gjithë ato shtetas që marrin të ardhura apo kanë kursime në valutë të huaj. Humbja që ato kanë pësuar si pasojë e zhvlerësimit e përllogaritur nga burime të ndryshme vetëm për tre muajt e fundit i kalon 200 milion euro.
Në skenarin e forcimit të një valute normalisht ka edhe një anë që përfiton. Sipas logjikës së thjeshtë ekonomike tashmë që leku është më i shtrenjtë përkundrejt valutave të tjera ne si konsumatorë mund të blejmë mallra importi me çmime më të lira apo mund të shkojmë të bëjmë pushimet jashtë me më pak lekë. Edhe pse një situatë e tillë është e dëmshme për bilancin tregtar të vendit, ne për një moment do ta injorojmë këtë efekt dhe do të përqendrohemi vetëm në përfitimin afatshkurtër, atë që përmendem më sipër pra që konsumatori mund të blejë më lirë dhe në këtë mënyrë të rrisë konsumin e tij, por a po përfiton konsumatori vendas nga kjo? Përgjigjja është jo! Kjo pasi siç edhe raportohet nga indeksi i çmimeve të konsumit, thënë ndryshe inflacioni është pozitiv në nivelin e 1.9 % sipas Instat-it që do të thotë që çmimet nuk po ulen.
Gjithashtu blerjet e drejtpërdrejta të individëve në tregjet e huaja të cilat sot janë më të mundshme se kurrë, si pasojë e teknologjive të komunikimit nuk janë një opsion për qytetarin mesatar për të përfituar nga ky fuqizim i lekut, pasi siç kushdo mund ta kujtojë para disa vitesh qeveria jonë aplikoi taksë mbi vlerën e shtuar 20% dhe tarifa doganore në varësi të vendit të origjinës mbi çdo blerje të bërë në internet me vlerë mbi 22€.
Atëherë mbasi përjashtuam konsumatorin, përfituesi i vetëm që mbetet janë importuesit, marzhi i fitimi i të cilëve është rritur, kjo pasi blerjet që ato bëjnë janë më të lira si pasojë e sasisë më të vogël të lekëve që u duhen tashmë për të blerë të njëjtën sasi malli të cilin e shesin me çmimet e mëparshme. Por në ndryshim nga biznesi prodhues vendas, biznesi i importit nuk e ndihmon ekonominë përkundrazi e dëmton atë duke përkeqësuar bilancin tregtar të vendit.
Efektet negative të forcimit artificial të valutës që u analizuan më lart janë në realitet një e vërtetë e thjeshtë dhe e gjithëditur ekonomike, por megjithatë ne po dëgjojmë analistë, ekonomistë apo edhe vetë guvernatorin e Bankës së Shqipërisë të na thonë të kundërtën. Komentet rreth ndikimit të forcimit të lekut në ekonomi variojnë nga nuk ka ndikim mbi ekonominë, në ka ndikim pozitiv në ekonomi, përfshirë këtu edhe Guvernatorin Seiko i cili nuk merr përgjegjësi për fuqizimin e lekut. Në daljen e tij të fundit para shtypit kur komentoi lidhur me vlerësimin e lekut që në fillim i lau duart duke “fajsuar” faktorë të tjerë, citoj: “fondamentalë si përmirësimi i llogarisë korrente, nivelet e larta të investimeve të huaja…” dhe se “ky fuqizim i lekut nuk pasqyron efektet direkte dhe as objektivat e strategjisë së BQ për të nxitur përdorimin e monedhës vendase”. Kjo dekleratë e fundit është e ndryshme nga ajo e mëparshmja e cila pretendonte se forcimi i lekut ishte si pasojë e forcave spekulative të tregut të cilat duke i paraprirë objektivave të BQ për de-eurizimin e ekonomisë, kishin rritur kërkesën për lekë në treg duke zhvlerësuar kështu valutat e tjera. Duke e quajtur këtë trend të vlerësimit të lekut ku afatmesëm e ku afatshkurtër, guvernatori në asnjë moment nuk e konsideron atë një faktor negativ dhe për pasojë nuk merr përgjegjësi për dështimin e Bankës Qendrore në detyrën e saj për të ruajtur stabilitetin e kurseve të këmbimit nga goditjet spekulatore, apo objektivin për mbështetje të rritjes ekonomike dhe rritjen e punësimit.
Për të kuptuar dhe gjykuar nëse Banka e Shqipërisë ka dështuar në ushtrimin e detyrës së saj në fillim duhet të kuptojmë faktorët “fondamental” që ndikojnë në kurset e këmbimit dhe funksionin e autoriteteve përgjegjëse për kontrollin e tyre.
Siç e dimë Shqipëria operon një model ekonomik të orientuar drejt tregut të hapur dhe Banka e Shqipërisë është institucioni përgjegjës për politikat monetare. Banka e Shqipërisë në funksionin e Bankës Qendrore operon në bazën e modelit të objektivave hierarkike ku në vend të parë qëndron ruajtja e stabilitetit të çmimeve, dhe më pas sipas nenit 3.2 të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë” – “… mbështet dhe nxit zhvillimin e regjimit dhe të sistemit të këmbimeve valutore ekonomik të vendit …. në mbështetje të stabilitetit dhe të zhvillimeve ekonomike të vendit”.
Shqipëria zbaton një regjim të lirë të kursit të këmbimit. Në këtë regjim vlera e lekut kundrejt valutave të huaja përcaktohet lirisht në tregun e këmbimit valutor. Sipas BQ luhatjet e kursit reflektojnë lëvizjen e lirë të mallrave e të kapitalit në shkëmbimet tregtare dhe financiare të Shqipërisë me partnerët e saj tregtarë.
Për të kuptuar arsyet e fuqizimit të monedhës tonë kombëtare përkundrejt monedhave është e rëndësishme që të identifikojmë dhe analizojmë faktorët që kanë ndikuar në këtë fuqizim. Teoria ekonomike numëron disa faktorë makroekonomik që mund të ndikojnë mbi kurset e këmbimit dhe në dobi të analizës tonë është e rëndësishme të shqyrtojmë sjelljen dhe influencën e secilit prej tyre.
Si faktor i parë me ndikim mbi kurset e këmbimit radhitet norma e inflacionit. Një vend me një normë inflacioni më të ulët se vendet e tjera do të shihte një forcim të monedhës së tij përkundrejt asaj të vendeve të tjera. Por a është kjo arsyeja për forcimin e lekut? Faktet nuk i japin mbështetje këtij faktori. Në vitet e fundit normat e inflacionit në vendin tonë kanë qenë të ulëta nën 2 %, por më të larta ose të krahasueshme me vendet e tjera të rajonit (Serbia 1,5%; Bosnja -1%) dhe ato të vendeve të BE (1.4%) apo OECD që janë edhe partnerët tanë më të mëdhenj tregtar.
Faktori i dytë ndikues janë normat e interesit. Një rritje e normave të interesit në lekë do të sillte automatikisht një rritje të kërkesës për monedhën tonë, për shkak të mundësisë për të përfituar më shumë rikthim nga mundësitë për arbitrazh, gjë që do të sillte rritje të çmimit të saj përkundrejt valutave të tjera. Por a është kjo arsyeja? Me sa duket jo, pasi siç dihet normat e interesit në vendi tonë gjatë viteve të fundit kanë qenë në rënie dhe nga 2016 norma bazë e interesit e BQ është 1.25%. Edhe pse kjo normë interesi është më e lartë se ajo e Unionit Evropian, ajo është më e ulët se normat e interesit të vendeve të rajonit ku p.sh Serbia e ka 3%, Kroacia 2.5%, etj. Të cilat nuk kanë pësuar fuqizim të monedhave të tyre.
Faktor i tretë ndikues është bilanci i pagesave që siç vihet re nga të dhënat e raportuara nga Banka e Shqipërisë vazhdon të jetë negativ, ku Llogaria Korrente aktualisht është në -294 milion Euro dhe nuk shënon përmirësim nga periudhat paraardhëse që të justifikojë forcimin e valutës vendase. Bilanci negativ i pagesave ka efekt zhvlerësues për monedhën vendase. Ai tregon diferencën në pagesa midis vlerës së paguar për importet e mallrave që hyjnë në vendi tonë dhe vlerën e eksporteve të mallrave që prodhuesit vendas shesin jashtë Shqipërisë. Për ta bërë të kuptueshme këtë proces mjafton të kujtojmë ligjin e kërkesës dhe ndikimin e tij mbi çmimin, pra duke qenë se ne importojmë më shumë sesa eksportojmë atëherë kërkesa për euro do të jetë më e madhe se ajo për lekë duke bërë që çmimi i euros të ishte më i lartë se ai i lekut dhe jo e kundërta.
Faktori i katërt është Borxhi Publik, pra borxhi i akumuluar nga qeveritë gjatë viteve për financimin e buxheteve qeveritare. Një borxh i lartë publik sjell më pak siguri dhe për pasojë më pak preferencë për investitorët e huaj për të mbajtur investime në lekë. Kjo automatikisht do të ndikonte në zhvlerësimin e monedhës dhe jo në fuqizimin e saj.
Një faktor tjetër ndikues mbi kurset e këmbimit valutor është edhe stabiliteti ekonomik dhe politik. Rritja e stabilitetit ekonomik dhe atij politik do të sillte më shumë siguri tek investitorët dhe për pasojë do të kishim më shumë kërkesë për monedhën vendase duke çuar kështu në fuqizimin e saj. Por siç duket edhe ky faktor nuk ka pasur përmirësim. Për këtë mjafton të shohim rënien që kemi pësuar në gati të gjithë indekset që matin këto indikator. Konkretisht indeksi Economic Freedom na rendit në vend të 63 me përmirësim 0.1 pikë, indeksi Doing Business na rendit në vendin e 65 disa vende më poshtë vendeve të rajonit.
Guvernatori i BSH-së përmend rritjen e investimeve të huaja direkte (IHD) si faktor që ka ndikuar mbi fuqizimin e lekut por realisht nuk ka asnjë fakt që ta dëshmojë këtë pasi niveli i IHD-ve bazuar në raportime të ndryshme të vendit dhe ndërkombëtare nuk ka ndryshuar.
Po ashtu edhe niveli i valutës që hynë në vend në formën e remitancave mbetet në nivel të ulta, rreth 7% e PBB-së, krahasuar me vitet e arta kur ky zë ishte në vlera mbi 13 % të PBB-së.
Përjashtimi i këtyre faktorëve “fondamentalë”, sjellja e të cilëve nuk e mbështet forcimin e lekut ndaj valutave të tjera, por përkundrazi secili prej tyre tregon se në të vërtetë ne duhej të ishim dëshmitarë të një zhvlerësimi të vazhdueshëm të tij, na çon drejt një faktori të mbetur ai spekulativ. Pra në mungesë të faktorëve fondamental ky vlerësim i çuditshëm i lekut mbetet të ketë ndodhur si pasojë e operacioneve spekulative në tregun e këmbimit valutor. Në këtë pikë është radha të drejtojmë gishtin drejt institucionit përgjegjës për rregullimin dhe stabilitetin e kurseve të këmbimit, pra atij institucioni që duhet të na mbrojë nga këto tendenca spekulative që siç e pamë lart kanë efekt negativ mbi ekonominë tonë. Ky institucion nuk është tjetër veçse Banka e Shqipërisë e cila në funksionin e Bankës Qendrore të vendit ka në dorë instrumentet e politikave monetare.
Pra në këtë fuqizim të dëmshëm dhe të pabazë të monedhës tonë kombëtare fajtor rezulton të jetë vetëm Banka e Shqipërisë e cila rezulton e tillë në dy skenarë. Në skenarin e parë ajo është fajtore se me anë të pasivitetit të saj nuk ka kryer funksionin e saj të detyrueshëm me ligj për garantimin e kurseve të stabilizuara të këmbimit valutor në ndihmë dhe mbështetje të rritjes ekonomike të vendit. Në skenarin e dytë ajo është fajtore e drejtpërdrejtë pasi në ndjekje të strategjive të saja për de-eurizimin e ekonomisë vendase ka vënë në rrezik ekonominë e vendit duke dëmtuar sektorin e brishtë prodhues dhe duke rritur si pasojë papunësinë.
Në këtë situatë duhet të kërkojmë nga Banka e Shqipërisë të marrë përgjegjësi për situatën dhe të ndërhyjë menjëherë në stabilizimin e kurseve të këmbimit duke ndaluar menjëherë këtë proces shkatërrues të forcimit të lekut. Luksin e forcimit artificial të monedhës nuk e kanë as vende të zhvilluara e jo më një ekonomi si e jona. Banka e Shqipërisë duhet të punojë në përputhje me objektivat ligjor në ndihmë të stabilitetit ekonomik dhe stimulimit të ekonomisë në favor të bizneseve prodhuese në vend dhe jo kundër tyre. ShBA-ja, ekonomia më madhe në botë, i tmerrohet fuqizimit të dollarit dhe vazhdimisht ndërhynë në treg për ta mbajtur atë mjaftueshëm të zhvlerësuar, ndërsa ne një ekonomi e rrënuar nuk denjojmë të bëjmë asgjë, bilës as të ngremë gishtin dhe të adresojmë këtë problem që po rrënon ekonominë. Të ndalojmë për një moment nga fajsimi i fermerëve që nuk dinë çfarë të mbjellin kur prodhimi ngelet pa shitur dhe të konsiderojmë pak efektin e madh që ushtron fuqizimi i lekut mbi konkurrueshmërinë e prodhimit vendas.

 

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked