BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Afera 85 milionë euro Berisha-Meta me “Alpetrol”

Afera Berisha-Meta me “Alpetrol”, ku janë zhdukur 85 milionë euro?

Kryeministri Sali Berisha dhe zevendesi i tij Ilir Meta, gjate nje seance parlamentare, ku kryeministri Berisha, ka prezantuar programin e qeverise se tij te re.

 

E ndërsa shteti, sipas marrëveshjes dhe ligjit shqiptar kërkoi të merrte 85 milionë euro e sigurisë së 10% të ofertës, rezultoi se ato nuk gjendeshin të depozituara e të ngrira në bankën e Teksasit, të cilat ende nuk dihet se në cilët xhepa përfunduan dhe cila është përgjegjësia e Ministrisë së Ekonomisë dhe ministrit të asaj kohe Edmond Haxhinasto dhe njerëzit e tij në dikaster.

 

Pavarësisht se ka shumë kohë që është pjesë e axhendës së shqyrtimit, drejtësia shqiptare nuk ka arritur të zbardhë skandalin e aferës korruptive të skenarit të dështuar qëllimisht, për procedurën e shitjes së kompanisë shtetërore “Albpetrol”, aferë e cila ka ndodhur në kohën e qeverisjes “Berisha-Meta” dhe ku minister i Ekonomisë ishte Edmond Haxhinasto, aktualisht Ministër i Transporteve. Dështimi i privatizimit të ‘Alpetrol’ la prapa mashtrimin e madh, ku shteti shqiptar humbi 85 milionë euro. Madje askush nuk e përmend një skandal të tillë. Po ashtu dhe kryeministri Edi Rama nuk i kërkon këto para pavarësisht vështirësisë ekonomike në të cilën gjendet vendi. Kryeprokurori Adriatik Llalla u pyet nga gazetarja e “Zërit të Amerikës” për fatin e kësaj dosjeje korruptive që megjithëse kanë kaluar katër vite ende nuk është hapur, por që mori një përgjigje evazive nga ana e kryeprokurorit, shumë të akuzuar si njeri të kapur nga Berisha dhe veçanërisht nga Meta! Kjo dosje përmban misterin e fatit të pagesës 10%, ose më saktë të vlerës 85 milionë dollarëve sigurim të ofertës së shit¬blerjes së kësaj kompanie shqiptare, që ish-Ministri Ekonomisë Edmond Haxhinasto e kishte firmosur me firmën “Vetro Energy”! Pra, për të mos hyrë në prapaskenat e privatizimit të “Alpetrol” apo kush qëndronte pas këtij privatizimi, gjithë interesi i shqiptarëve është që të dihet fati i 85 milionë euro garanci për privatizimin e kësaj kompanie. Ndërkohë që ashtu si shumë dosje të tjera, pluhuri ka mbuluar një nga aferat më flagrante dhe më të rënda të viteve të fundit, e cila lidhet me dështimin e privatizimit të “Albpetrol” në fund të pushtetit të Sali Berishës. Protagonisti i kësaj historie është Edmond Haxhinasto, sot ministër i Transportit dhe Infrastrukturës. Skandali është i thjeshtë. Ministria e Ekonomisë, e cila drejtohej në atë kohë nga Edmond Haxhinasto, shpalli fituese një kompani për privatizimin e “Albpetrol”, pa asnjë dokument për garancinë financiare prej 85 milionë eurosh. Përgjegjësit janë të qartë. Por çfarë ndodhi realisht me privatizimin e “Albpetrol” kur në pushtet ishte qeveria “Berisha”? Që në fillim u kuptua se ishte një proces fals. Që atëherë procesi ka qenë i montuar, i orientuar. Akuzat në atë kohë ishin mbi mënyrën se si u trajtua privatizimi i “Albpetrol” dhe qëndruan praktikisht. Atëherë e provoi koha që qëndruan. Njerëzit duhej të ishin përballur me përgjegjësitë e tyre. Ishte e pastër çështja për mua. Pritej që të mos arkëtohej ajo garanci. Ministria e Ekonomisë së asaj kohe, me në krye Edmond Haxhinaston shpallën fituese kompaninë “Vetro Energy”, për privatizimin e kompanisë më të madhe shtetërore për prodhimin e naftës “Albpetrol”. Në tender ishte përcaktuar që çdo firmë duhej që të jepte një garanci prej 10% të shumës së investimit, që ishte 85 milionë euro. Por pasi u shpall fituese firma, ajo u tërhoq dhe në bazë të ligjit garancia prej 85 milionë eurosh duhej të mbahej nga qeveria. Mirëpo faktet treguan se nuk kishte garanci.

Dështimi me garancinë 85 milionë euro, shkeljet

Ndonëse ishte një nga pikat kryesore të kontratës dhe ishte përmendur disa herë nga zyrtarët e asaj kohe, nuk u mor asnjë garanci financiare nga kompania “Vetro Energy”. Edhe pse ministri i asaj kohe, Edmond Haxhinasto tha se po ndiqet si rast, nuk ndodhi asgjë, pasi edhe sot kjo garanci nuk është marrë, ndonëse në prokurori ndodhet dhe një dosje hetimore për kupolën e Ministrisë së Ekonomisë së asaj kohe. Nga mënyra se si u pozua në publik dukej që ajo garanci nuk kishte probleme që të merrej. Por siç duket në prapaskenë janë zhvilluar histori të tjera sepse ishte një garanci e paaplikueshme. Si rregull, garancitë nuk mund të tërhiqen nëse nuk i çliron institucioni që zhvillon tenderin. Pra atëherë nuk u pa ndonjë dokument që kjo garanci u çlirua nga qeveria shqiptare, e cila zhvillonte tenderin. Gjithçka ishte false. Dhe personat përgjegjës për mosmarrjen e kësaj garancie duhet që të mbajnë përgjegjësi, pra ata që zhvilluan tenderin në fjalë. Mungesa e lëvizjeve për të marrë garancinë ka ngritur dyshime për gjithë procesin e privatizimit të “Albpetrol”. Kështu, përmes një vendimi qeveria “Berisha” kishte përcaktuar se për privatizimin e “Albpetrol” kompania duhej të linte një garanci prej 85 milionë euro. Përveç kësaj theksohej: “Garancia duhet të jetë në formën e një garancie bankare, e lëshuar nga një bankë, që bën pjesë në 50 bankat kryesore të botës, e zgjedhur nga kandidati. Formati i garancisë bankare duhet të jetë në përputhje me formën e garancisë së ofertës, sipas shtojcës 2”. Nga ana tjetër kandidati në atë kohë paraqiti një garanci nga American Chartered Bank e SHBA, e cila nuk është në 50 bankat më të mira. Për të vërtetuar përshtatshmërinë e garancisë së ofertës, Komisioni ka kryer verifikimet e tij dhe, gjithashtu, i ka kërkuar konsulentit “Patton Boggs” kryerjen e verifikimeve përkatëse pranë Amercian Chartered Bank. Me anë të letrës së datës 25 shtator 2012, përfaqësuesi i konsulentit z. David Farber ka konfirmuar kryerjen e verifikimeve pranë kësaj banke, duke njoftuar komisionin se garancia është e vlefshme dhe e mbuluar me një kolateral të mjaftueshëm, por nuk u mor asnjë garanci. Patton Boggs mori rolin, autoritetin dhe kompetencat e ministrive, pra u shndërrua nga konsulent nё superinstitucion shtetëror, ndërkohë që kjo kompani paguhej nga shteti shqiptar dhe qeveria Berisha dhe për lobimin pranë qeverisë amerikane duke marrë dhe mijëra dollarë të tjerë për të ‘retushuar’ keqqeverisjen e Berishës. Deklaratat e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të ministrave respektiv dhe të çdo institucioni shtetëror lëshoheshin duke cituar kompaninë konsulente. Garancia bankare e bujshme nuk ishte lëshuar nё një nga 50 bankat e përcaktuara nga VKM i dalë posaçërisht për këtë procedurë, por nga një bankë e nivelit të dytë, banka këto që nuk iu lejohen të bëjnë as transaksione jashtë vendit të tyre, jo më të lëshojnë letër garanci nё shumën 85 milionë euro. Ministri i Ekonomisë dhe ministri i Financave i hapën rrugë veprimeve abuzive nё kurriz të ligjit. Ata nё asnjë rast nuk duhet të lejonin vazhdimin e procedurave të privatizimit, që nga moment kur garancia nuk ishte lëshuar nga një prej 50 bankave që kishte përcaktuar vendimi i posaçëm i qeverisë.

Kush e mbylli dosjen 85 milionë euro të “Alpetrol”, ende pa ndëshkim

Nuk ka qënë pa domethënie intervista e “Zërit të Amerikës” më kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe pyetje e drejtëpërdrejtë se nga kanë ikur 85 milionë euro e “Alpetrol” që i takojnë shtetit shqiptar. Një intervistë që vjen pas intervistës së sikletshme që “Zëri i Amerikës” bëri me kreun e LSI njëherësh kreun e Kuvendit Ilir Meta, të cilit me një pyetje i shembi si pa të keq postulatin “me qetësi dhe dashuri”, duke e bërë që të dalë nga karakteri dhe të nervozohej, apo pas intervistes me Ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja, të cilit i prenë fjalën në mes, teksa ai po fliste tjetër për tjetër nga pyetja që i kishin bërë. “Zëri i Amerikës” i përcolli kryeprokurorit Llalla mesazhin e qartë për nisjen e zbardhjes së këtij krimi financiar me vlerë 85 milionë euro dhe që ka një përgjegjës konkret dhe direkt. Kryeprokurorit Llalla iu dha mesazhi qartë, se prej tij dhe institucionit që ai drejton ka një “harresë” për dosjen e krimit të 85 milionë euro të Albpetrol. Dhe deri më tani Prokuroria e Përgjithshme, i ka kërkuar një banke në Teksas, informacion në lidhje me fatin e garancisë financiare 85 milionë euro, që shteti shqiptar kërkoi nga firma “Vetro Energy”, vlerë e cila nga ministri Haxhinasto, u deklarua se u pagua! Dosja hetimore që hapi prokuroria dhe anti¬krimi ekonomik financiar, kishin ngritur këto pista hetimi: Nëse ish¬-ministri i ekonomisë Haxhinasto, ka lejuar procedura për verifikimin e fatit të garancisë 85 milionë euro, apo jo? Pista tjetër e hetimit, ka qenë zbardhja e faktit nëse firma konsulente amerikane “Patton Boggs’, ka favorizuar konsorciumin blerës, apo jo? Pista tjetër e hetimit, ka qenë fakti që në dosjen e procesit të shit¬blerjes së Albpetrol, rezulton se firma konsulente “Patton Boggs” ka dhënë me shkrim konfirmimin e vlerës së garancisë 85 milionë euro, si “të paguar” nga firma fituese e blerjes “Vetro Energy”, deklaruar publikisht ky fakt edhe prej ish¬-Ministrit të Ekonomisë Edmond Haxhinasto, por që më pas u mohua nga ai, si “lapsus e gabim njerëz”! Mirëpo këto pista nuk u hetuan deri në fund, duke u lënë si “pista pa indicie”! Përkundrazi nga organi i akuzës u bë një raport përfundimtar, sikur “dosja “Haxhinasto” e procedurës së privatizimit ishte në përputhje me ligjin”! Fakti është se 85 milionë euro nuk janë derdhur në arkën e shtetit shqiptar, dhe ende shqiptarët nuk e dinë, se cili institucion pengon e cili nuk bashkëpunon. Fakti është se prokuroria e ka mbyllur këtë dosje me krim 85 milionë euro. Por nga ana tjetër kjo dosje ka të konfirmuar si njeriun që e shkatori ish-Ministrin e Ekonomisë Edmond Haxhinasto dhe disa ish¬vartës të tij, përfshirë dhe ish-zv.ministrin Sokol Dervishaj, aktualisht drejtor i kabinetit të kreut të kuvendit, Ilir Meta.

Dosja “Haxhinasto”, me hetim edhe në SHBA

Skema për të privatizuar kompaninë “Albpetrol”, sipas hetimeve që kanë nisur dhe po vazhdojnë ende në SHBA, tregon se ka shenja të qarta të një afere me megamashtrim, pasi sipas dosjes hetimore të nisur në SHBA, ka shumë dyshime mbi qëllimin e vërtetë të firmës “Vetro Energy”, të shpallur fituese nga ana e ministrit Haxhinasto. Njëherësh ka dyshime për mashtrim në lidhje me vendndodhjen e saj, mënyrën e regjistrimit, të ardhurat dhe garancinë që ka vendosur për këtë blerje e që sot quhet “afera 85 milionë euro sigurim oferte, fati i të cilës nuk dihet, aferë për të cilën kryeprokurori Llalla, deklaroi nga SHBA se “do të hapet si dosje krimi VIP”. Njëherësh, që në vitet 2012¬-2013, grupi hetimor i Njësisë TaskForcë, i ka dërguar drejtësisë amerikane disa letër¬porosi për firmat që kanë marrë pjesë në këtë tender dhe kërkoi informacione në SHBA, Kinë dhe Kanada, por që ende nuk kanë ardhur informacione lidhur me hetimin për firmat, pasi si firma e shpallur fituese ashtu dhe firmat e tjera kanë të dhëna të pa qarta identifikimi si pronarë dhe si veprimtari! Në dosjen “Albpetrol”, krahas akuzave të shkeljes së barazisë në tenderë dhe shpërdorimit të detyrës, theksohet se tenderi i zhvilluar për shitjen e “Albpetrol” është nën hetim edhe “për mashtrim”. Gjithashtu, në dosjen e tenderit të ministrisë së Ekonomisë, figuronte, por nuk ekziston më një shkresë e lëshuar nga banka e Teksasit, që të konfirmonte se kjo shumë është e arkëtuar e ngrirë në këtë bankë. Konfirmimi u mohua më pas nga ministri Haxhinasto, por vetëm pasi procedura e privatizimit, po nga Haxhinasto, u tha “shitja u anulua”, me argumentin se fituesi nuk kishte shumën 850 milionë euro. E ndërsa shteti, sipas marrëveshjes dhe ligjit shqiptar kërkoi të merrte 85 milionë euro e sigurisë së 10% të ofertës, rezultoi se ato nuk gjendeshin të depozituara e të ngrira në bankën e Teksasit, të cilat ende nuk dihet se në cilët xhepa përfunduan dhe cila është përgjegjësia e Ministrisë së Ekonomisë dhe ministrit të asaj kohe Edmond Haxhinasto dhe njerëzit e tij në dikaster.

Demokraci Pjesemarrese

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked