BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Banka Botërore, pranon se shqiptarët jetojnë nën nivelin e minimumit jetik

Qeveritë shqiptare, nuk kanë llogaritur kurrë minimumin jetik, pra sa para i duhen një individi apo familje për të jetuar në kushte njerëzore. Nëse nuk ka një nivel matës nuk ka as shqetësime dhe kasta mund të përrallisë çfarë të dëshirojë, si bën prej dekadash. Por realiteti është i zymtë e nuk mund të fshihet. Më në fund dhe Banka Botërore pranon se shqiptarët jetojnë nën minimumin jetik njësoj si afrikanët e larg standardeve të vendeve fqinje. Por Banka Botërore bashkë me FMN, u imponon qeverive shqiptare të ndjekin kursin neoliberist të austerity, politika deflative duke mos lejuar kreditimin e investimeve, duke imponuar rroga mesjetare që nuk lejojnë rritjen e kërkesës agregate, duke ndaluar investimet dhe shpenzimet publike, duke privatizuar sektorët strategjikë dhe pasuritë kombëtare.  “Miqtë e Shqipërisë” nuk kërkojnë kurrë politika punësimi-investimi por vetëm stabilitet financiar, pra ruajtjen e kapitalit për ata që e kanë vënë dhe jo politika ekpsansive për kalimin në ekonomi prodhimi e jo importimi.

Image

 

Një pjesë e madhe e familjeve shqiptare jetojnë në kushtet e mbijetesës, me të ardhura që nuk mjaftojnë as për nevojat bazë. Sipas të dhënave zyrtare nga Banka Botërore, aktualisht 32.1 për qind e familjeve shqiptare i kanë të ardhurat më pak se 34 mijë lekë në muaj ose 9 mijë lekë në muaj për person.

Me këto para ato duhet të përballojnë shpenzimet për ushqim, strehim dhe faturat e përditshme, në një kohë që kostoja e jetesës rritet nga viti në vit. Ndonëse zyrtarisht këto familje nuk klasifikohen si të varfra nga qeveria, të ardhurat e tyre janë të pamjaftueshme edhe për nevojat më të domosdoshme të jetesës.

Një studim i Avokatit të Popullit doli në përfundimin se minimum jetik në Shqipëri llogaritet në rreth 16 mijë lekë në muaj për person. Kjo do të thotë se për një familje me 3.8 veta, që është numri mesatar i personave në një familje shqiptare, të ardhurat duhet të ishin minimalisht 60 mijë lekë në muaj.

Sipas bankës Botërore 70 për qind e familjeve shqiptare i kanë të ardhurat nën nivelin e këtij minimum jetik.

Shqipëria më e varfra

Të dhënat krahasuese të Bankës Botërore tregojnë se Shqipëria është vendi më i varfër në rajon. Në të gjitha vendet e tjera fqinje me ekonomi të ngjashme numri i familjeve me të ardhura të ulëta është dukshëm më i vogël.

Për të bërë të krahasueshme shifrat e të ardhurave Banka Botërore i ka paraqitur ato në dollarë amerikanë sipas standardit të fuqisë blerëse. Sipas të dhënave, aktualisht 32.1 për qind e qytetarëve shqiptarë jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë sipas standardit të fuqisë blerëse.

Në Maqedoni, që rezulton vendi i dytë më i varfër i rajonit, pjesa e qytetarëve që jetojnë më pak se 5 dollarë në ditë është 21 për qind, ndërsa Serbi, Bosnje dhe Mal të Zi ajo është nën 7 për qind.

Sipas të dhënave, të cilat i referohen shifrave të nxjerra nga Institutet e Statistikave të vetë vendeve, Shqipëria rezulton vendi me nivelin më të madh të varfërisë. Rrogat e ulëta, niveli i lartë i papunësisë dhe pamundësia për të patur një jetesë normale është arsyeja kryesore se pse Shqipëria ka nivelin më të lartë të emigracionit në Ballkan.

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked