BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Çfarë armësh i duhen një populli?

Njerëzimi lindi nga bashkëjetesa brenda një komuniteti. Njerëzit kuptuan se mund të begatonin vetëm nëse do të bashkëjetonin në një komunitet që ngrihet mbi drejtësinë.
Por bashkë me të lindi dhe dëshira perverse tek një grup i vogël, që kuptuan se nëse organizoheshin mund të sundonin shumicën e qytetarëve që jetonin në qetësi.
Për të shpëtuar nga kjo tirani e një pakice të organizuar, populli kuptoi se nuk kishte rrugë tjetër veçse të organizohej dhe ai.


Kështu përveç punës private brenda familjes, njeriu duhet të harxhonte energji dhe për punët publike. Ashtu si ishte vigjilent për familjen e tij duhet të ishte vigjilent edhe për komunitetin (atdheun) nëse nuk donte të binte përsëri në skllavëri.
E pra, ky sistem që populli shpiku për të mbrojtur interesat e tij ishte Demokracia.
Ajo u shpik 2500 vjet më parë dhe shërben për të mbrojtur qytetarët prej tiranisë, oligarkisë, monarkisë, ksenokracisë, ierokracisë, plutokracisë, financokracisë, masonerisë, teknokracisë, partitokracisë, despotizmit, komunizmit, fashizmit, neoliberizmit, fondamentalizmit etj.
Pra armiqtë e demokracisë janë pa fund.
Ata ndryshohen, sofistikohen, përditësohen e pësojnë mutacion njësoj si virusi.
Ja përse edhe demokracia duhet të përmirësojë arsenalin e saj, për të mbrojtur efektivisht popullin dhe të drejtat e tij.

Cilat duhet të jenë sot, armët e popullit për të mbrojtur të drejtat e tij?

1. Referendumet. Referendumi është arma më e fuqishme që duhet të ketë një popull, sepse qytetarët vendosin vetë për politikat publike pa ndërmjetësim të askujt.
Kushtetuta dhe ligjet e rëndësishme nuk bëhen e modifikohen pa pëlqimin e popullit.
Propaganda krijon kaos por Referendumi thirret nga populli e jo nga sipër, nga partia apo qeveria.
Ja përse Referendumi është çka tremb më shumë oligarkinë, se nëse populli e shijon njëherë këtë armë, ai do kërkojë ta përdorë gjithmonë.
Ja përse sot, nuk ka një ligj për referendumet duke privuar popullin prej të drejtës së tij origjinale.

2. Zgjedhjen e të gjithë zyrtarëve të lartë direkt prej qytetarëve.
Nëse populli zgjedh vetëm Presidentin, ai përqendron pushtetin e kthehet në diktator.
Duhet që pushtetarët të mos emërojnë më njëri-tjetrin sepse shteti zaptohet nga bandat plaçkitëse.

3. Juria Qytetare në mënyrë që drejtësia dhe zbatimi i ligjit mos të bëhet kundër popullit.

4. Shkarkimin popullor të përfaqësuesve të popullit nëse ai humbet besimin e popullit.
Mandati i bardhë dhe pa kontroll është leje për të vjedhur.
Kufizimi në vetëm 2 mandate që mos të krijojë lidhje korruptive me lobet.

5. Zgjedhjen e Governatorit të Bankës Qendrore direkt nga populli, në mënyrë që pasuria kombëtare mos të përqendrohet në pak duar. Paraja është pronë e popullit që krijon pasuri dhe e i jep vlerë dhe jo e bankave.

6. Zgjedhjen e shefit të ushtrisë dhe policisë nga populli, që mos ti shërbejë partisë por atdheut.

7. Drejtorin e TV publik dhe AMA-s nga populli, që elitat sunduese mos të manipulojnë e të përçajnë popullin.

8. Rektorët, dekanët që shkolla të trasmetojnë dijen dhe demokracinë që qytetarët të arsimohen e mos të manipulohen nga elitat.

9. Votime të shpeshta dhe jo 1×4 vjet sepse vetëm kështu vendoset higjena politike dhe pisllëku hiqet pa u bërë mal. KQZ e zgjedhur nga populli e jo emëruar nga partia.

10. Edhe kur ligjet i bën parlamenti ato nuk hyjnë në fuqi nëse populli nuk i aprovon me Referendum.

11. Trasparenca e plotë dhe on line e gjithë aktivitetit shtetëror dhe pasurive të pushtetarëve.
Sot bëhet me kampione larg syve të popullit.

Këto dhe qindra institucione të tjera, janë ARMËT e vërteta që mbrojnë popullit prej elitave sunduese, partitë, ambasadorët dhe masoneritë!

Tifoja për partitë dhe përçarja mes veti, është garanci për skllavëri.
Dorëzimi i sovranitetit popullor të huajve është kolonizim dhe shitje e atdheut.
Fjetja gjum është vdekje e ngadaltë për një popull që nuk do të marrë në dorë institucionet e vendit të tij.

Kush punon për Demokraci punon për Shqipëri!

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked