BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Familjarët e pushtetarëve në administratën e Bankës së Shqipërisë

banka-e-shqiperise

Familjarët e pushtetarëve në administratën e Bankës së Shqipërisë

 

Faqja e Bankës së Shqipërisë bën të ditur se të gjitha vendet e punës janë të zëna nga fëmijët, gratë, nipërit e kushërinjtë e klasës politike
Departamentet ku janë punësuar fëmijë, vëllezër, motra, nipër e mbesa politikanësh
Familja
Mbesa e guvernatorit: Mbesa e vetë guvernatorit Ardian Fullani punon në Agjencinë e Sigurimit të Depozitave në BSH
Nipi i guvernatorit: Nipi i guvernatorit Ardian Fullani punon në Departamentin e Burimeve Njerëzore në BSH
Mbesa e gruas: Mbesa e bashkëshortes së guvernatorit Ardian Fullani punon në Departamentin e Informatikës në BSH
Ka një arsye që i përligj shpenzimet e luksit në Bankën e Shqipërisë. Zyrat e shtrenjta, pagesat për ushqim e deri për aktivitete sportive janë favore që i gëzojnë një numër i madh familjarësh të njerëzve me pushtet politik në këtë vend.
Bij, bija, motra, vëllezër, kunetër e kunata të pushtetarëve janë të punësuar në administratën e Bankës së Shqipërisë, ku njerëzit paguhen dhe trajtohen si në asnjë institucion tjetër.
Burime brenda Bankës së Shqipërisë i treguan gazetës “Shqip” lidhjet nepotike të disa nëpunësve në departamente të rëndësishme të administratës së BSH.
Një nga emërimet e fundit me lidhje në politikë është ai i vajzës së nënkryetares së PD-së dhe Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, në Departamentin e Kërkimeve. Ndërkohë mësohet se vajza e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, ministrit të Financave Ridvan Bode, punon në Departamentin e Stabilitetit Financiar në BSH.
Në Departamentin e Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë punon djali i një tjetër funksionari të lartë të PD-së, ish-nënkryetarit të Kuvendit Fatos Beja, i cili është aktualisht kryetar i Komisionit Parlament për Politikën e Jashtme.
Në BSH punon edhe djali i ish-kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, republikanit Robert Çeku. Djali i Çekut mësohet se punon në Departamentin e Kontabilitetit.
Edhe kryetari i PD-së, Kryeministri i vendit, Sali Berisha, e ka një të afërm pranë guvernatorit. Kunata e tij është këshilltare e Ardian Fullanit.
Në radhët e nëpunësve të Bankës së Shqipërisë mund të gjesh pastaj familjarë të pushtetarëve të të gjitha niveleve. Të paktën tre nga zëvendësministrat e qeverisë së koalicionit PD-LSI, Eno Bozdo i METE-s, Ylli Manjani i MPPT dhe Alfred Rushaj i MF kanë njerëz të punësuar në BSH – dy të parët motrat, i treti kunatën.
Burimet brenda Bankës së Shqipërisë i thanë gazetës “Shqip” se në këtë institucion janë punësuar gjithashtu të afërm të kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha, të prefektit të Tiranës Kletis Kruja, të ish-kreut të ALUIZN-it dhe ish-deputetit demokrat Shaban Memia etj.
Lista e nëpunësve të BSH-së me lidhje në politikë është e gjatë dhe përfshin edhe ish-funksionarë të së majtës, si Ylli Bufi, që ka të punësuar vajzën dhe Xhoana Nano vëllain. Në BSH mësohet se punon gjithashtu edhe një nga mbesat e udhëheqësit të fundit të PPSH-së, Ramiz Alia.
Ndërkohë, burimet e gazetës bëjnë të ditur se në poste të rehatshme në BSH janë emëruar edhe persona nga rrethi familjar i vetë guvernatorit Ardian Fullani. Kështu mësohet se një nga mbesat e bashkëshortes së guvernatorit punon në Departamentin e Informatikës. Një mbesë e vetë guvernatorit punon në Agjencinë e Sigurimit të Depozitave, ndërsa nipi i tij, në Departamentin e Burimeve Njerëzore.
Numri i nëpunësve të Bankës së Shqipërisë me lidhje direkte apo indirekte me persona të pushtetshëm është më i madh, por çfarë u numëruan më sipër janë fakte të njohura për të gjithë në administratën e fryrë e të mirëpaguar të këtij institucioni që ka për detyrë të kujdeset për paratë e shqiptarëve.
Gazeta nuk disponon prova dhe nuk ka pretendime se emërimet e sipërpërmendura janë bërë në mënyrë të jashtëligjshme. Por logjika e thotë që diçka nuk shkon, kur sheh se sa shumë njerëz të lidhur me politikën kanë zënë vend në karriget e paguara shumë shtrenjtë me para publike. Ky realitet mund të shpjegojë në njëfarë mënyre edhe mbështetjen e fortë që gjeti në Kuvend Ardian Fullani, për të marrë një mandat të dytë në krye të Bankës së Shqipërisë.
Politika
Vajza e Jozefina Topallit, nënkryetares së PD-së dhe Kryetares së Kuvendit, punon prej disa muajsh në Departamentin e Kërkimeve në BSH
Vajza e Ridvan Bodes, ministrit të Financave, punon në Departamentin e Stabilitetit Financiar në BSH
Kunata e Sali Berishës, Kryeministrit të vendit, punon si këshilltare e guvernatorit të BSH
Djali i Fatos Bejës, ish-nënkryetarit të Kuvendit, punon në Departamentin e Mbikëqyrjes në BSH
Djali i Robert Çekut, ish-kryetarit të KLSH, punon në Departamentin e Kontabilitetit në BSH
Motra e Ylli Manjanit, zëvendësministrit të Punëve Publike dhe Transporteve, punon në Departamentin Juridik
Edhe kryetari i PD-së, Kryeministri i vendit, Sali Berisha, e ka një të afërm pranë guvernatorit
Shpenzimet
Të dhënat nga bilanci zyrtar i bankës tregojnë se shpenzimet e personelit në Bankën e Shqipërisë janë rritur me gati 40 për qind krahasuar me vitin 2009
Favoret
Ç’përfitojnë nëpunësit e BSH-së
Punonjësit e Bankës së Shqipërisë, jo vetëm që janë më të mirëpaguarit në vend, por kanë edhe benefite të tjera. Si askush tjetër në këtë vend, kush punon në Bankën e Shqipërisë ka të drejtën të aplikojë të marrë kredi nga vetë banka me interes 0.5 për qind. Ky nivel konsiderohet më i ulëti, madje të pastrehët kur marrin kredi nga shteti, paguajnë interes 3 për qind (kategori e caktuar). Në “qeverisjen” e guvernatorit Ardian Fullani, Banka e Shqipërisë ka dyfishuar stafin dhe fondet për shpenzime personeli janë rritur çdo vit, sikurse edhe për pagat, duke kapërcyer 1 miliard lekëshin. Kështu në vitin 2009, shpenzime për personelin ishin 950 milionë lekë, kurse në vitin 2012, sipas të dhënave zyrtare nga buxheti i miratuar i vetë bankës, ka arritur në 1.3 miliardë lekë, pra 400 milionë më shumë, ose 30 për qind më tepër. Në shpenzimet për personelin, BSH përfshin edhe kompensim për ushqimin, si dhe financim për aktivitete sportive në shifra tepër të larta.

Demokraci Pjesemarrese

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked