BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

FUSHATË ZGJEDHORE MILIONERE ME NJË EKONOMI TË RRËNUAR

Nga DAUT GUMENI

Në një nga ditët e fushatës zgjedhore milionere, fushatë që ka muaj të tërë që zien anë e mbanë vendit,  qytetarëve të shurdhuar nga daullet e sazet e propagandës zyrtare për “vendin e tretë të botës me zhvillimin më të shpejtë ekonomik”,  iu dha lajmi se Ministria e Financave , që merr borxh edhe për të paguar rrogat e zyrtarëve ,paska gjetur  (nuk e thotë se ku) një milionë euro për të pajisur zyrat e veta(!)

Pasi kanë rrahur kryq e tërthor mbarë vendin më të varfër të Europës me muaj e muaj të tërë të një fushate zgjedhore të parakohshme e prandaj të jashtëligjshme, pushtetarët na njoftuan dje se paskanë vendosur më në fund që brenda afatit ligjor të fushatës zgjedhore të “mos përdorin asnjë mjet zyrtar. Se këtë e kam  bërë vetëm unë e vetëm unë do ta bëj prapë e prapë e prapë”…

Na siguron për këtë bëmë pushtetare vetë brigadieri i vrerosur i pushtetit aktual të Tiranës , a thua se nuk e kanë parë e nuk e kanë dëgjuar shqiptarët të bëjë fushatë të pandërprerë për 22 vjet të gjatë. Dhe jo vetëm që qytetarët e këtij vendi të varfër e të varfëruar ca më keq nga pushtetet e babëzitura e kanë parë dhe e kanë dëgjuar aq gjatë, por i kanë hequr në shpinë të gjitha gjëmët që u ka sjellë sokëllima e tij fushatë pas fushate zgjedhore. Të këtij vendi në tranzicion të zgjatur e aq të rënduar, veç të tjerash, edhe për “arsyen e mosarsyes” që na kanë dëshmuar pushtetarët e kësaj fushate të paprerë për 22 vjet të tërë. Një fushatë e çuditshme që nis me muaj e me muaj të tërë para kohe dhe që merr me vete miliona euro nga taksat e qytetarëve të këtij vendi ,  qytetarë aq  të varfër sa gati një numër i madh prej tyre e marrin dhe bukën me listë. Një fushatë aq e shtrenjtë  milionere, që nuk zhvillohet në Amerikën e begatë, por në Shqipërinë e tranzicionit, kur edhe për automjetet e policisë nuk ka fonde për të blerë karburantin e nevojshëm. Një fushatë zgjedhore milionere, që po zhvillohet në një kohë kur ekonomia e rrënuar po e shpie vendin drejt falimentimit financiar.

Një fushatë ku nuk pasqyrohen fare shpenzimet zgjedhore të partisë në pushtet e këtej marrin shembull dhe partitë opozitare me pjesën e tyre në bizneset me mbështetje politike. Madje pushteti arrin deri aty sa të na garantojë se mospasqyrimi i shpenzimeve partiake gjatë fushatave zgjedhore  përbën një sekret të sigurisë kombëtare… Kot nuk gjeti pushteti aktual një ekspert aq të shquar për “këshilltar për sigurinë kombëtare”, si zotëria e tij Toma (jo ai i Kolegjit Zgjedhor që na shpalli humbësin fitues të zgjedhjeve, por ai Toma amerikan i pushuar nga detyra e sekretarit të sigurisë në vendin e vet, ai Toma i madh amerikan që tanimë na erdhi si përgjegjës i një firme private për të nxjerrë ca dollarë më shumë me sigurinë kombëtare të Shqipërisë së varfër, edhe duke i bërë më të vyera këshillat e tij me caktimin e njëfarë Faslliu ballkanik si komisar e mik për kokë të pushtetit aktual të Tiranës pranë Këshillit tonë të Sigurisë Kombëtare….

Si të mendojë për të kursyer paratë e qytetarëve shqiptarë pushteti aktual i Tiranës, kur paguan me to jo vetëm tomat e fasllinjtë e “sigurisë kombëtare’, por paguan me dorë të lëshuar dhe fushatat zgjedhore milionere, pastaj me ato që mbeten nga buxheti  i firasur i shtetit tonë të dështuar nuk kursehet të paguajë dhe ca firma amerikane të specializuara për të ndryshuar rregullat zgjedhore në mbarim të lojës e për të na gjetur dhe votat që na i duhen pushtetit “të hedhura gabim” nëpër ato kutitë e bekuara  të ngjeshura e të çara me pako votash pushtetare të hedhura me qëllim?… Se nuk janë paguar pakë këto ditë të fushatës milionere edhe ato firmat eksperte për të nxjerrë fitimtarin humbës e humbësin fitimtar, pasi kanë bërë malet bashkë duke u përpjekur të na fshijnë ca zgjyrë nga faqja e zezë e pushtetit aktual të Tiranës. Nuk janë paguar pakë për shërbimin  e atyre firmave lotuese, që po e mjelin si lopë race buxhetin e tharë të shtetit të dështuar shqiptar , por janë paguar në një dorë plot 400 mijë dollarë nga taksat e qytetarëve të varfër shqiptarë dhe nuk e dimë nëse do t’ia dalin vërtet të heqin ndonjë dorë zgjyrë nga faqja e katranosur e pushtetit aktual të Tiranës…

***

Vendi i vetëm në botë që nuk kemi qeveri, por kemi dy opozita. Vërtet që njerën e kemi në pushtet e tjetrën në opozitë, por që të dyja palët sillen e veprojnë si opozitë. Kush nuk i mban mend nga shqiptarët, e jo vetëm, ato sjellje prej opozite të këtij lloj pushteti edhe kur kalorësin e vet të luftës së klasave e kishte president të Republikës , por edhe këto tetë vjetët e fundit që e ka pasur të vetëpunësuar si kryeministër të vendit?… Sapo kujtohet më të rrallë opozita e nëpërkëmbur të protestojë duke zhvilluar një miting të madh në bulevardin qendror të Tiranës, brigadieri vrerosur i pushtetit mbledh me ngut  e rreshton në kuadrate revolucionare të gjithë punonjësit buxhetorë dhe tërë taborin e mbështetësve të tij me kuç e me maç në “Sheshin Skënderbe” e më pas në Sheshin “Nënë Tereza”, duke e bërë vendin e demokracisë OMGJ me Dy Opozita njëherësh. Opozita hedh me të drejtën e saj të robit e të Zotit parullën “Ta përmbysim këtë pushtet të korruptuar e të inkriminuar!”, kurse pushteti hedh parullën”T’i përmbysim bllokmenët e rinj si baballarët e tyre!” Dhe shqiptarët e ndërkombëtarët e kishin dhe e kanë sot e këtë ditë aq të vështirë të marrin vesh mirë se cila është opozitë e cili është pushteti në këtë Shqipërinë tonë të tranzicionit të pasosur. Sepse të dyja palët kërkojnë të përmbysin pushtetin e njëra-tjetrës dhe nuk merret vesh se kush është vërtet në pushtet. Është aq e ngatërruar gjetja se kush është vërtet në pushtet këto vite të tranzicionit tonë të zgjatur qëllimisht për të barazuar dhe me vite e dhe me bëma diktaturën, sa të duket sikur pushteti aktual nuk e harron dot që është i caktuar të bëjë opozitën e partisë-shtet, që na bëri sikur  e la pushtetin në fillim të viteve 1990. Duket që trashëgimtarët e diktaturës nuk e harrojnë dot porosinë për të bërë me parulla opozitën e fandaksur të pushtetit, që u vari këmborën për ta mbajtur në qafë, por jo dhe për ta tundur. Ndryshe, si të mund të shpjegojë i shkreti njeri se ç’dreqin ka një brigadier i vrerosur i pushtetit që sillet si opozitar i dëshpëruar, edhe kur është president i Republikës, edhe kur vetë-emërohet si kryeministër i vendit?…

Si mund të shpjegohet ndryshe një mungesë e tillë përgjegjësie e një pushteti, që ka në një dorë të vetme të gjithë institucionet qeverisëse të vendit, një mungesë aq ulëritëse e përgjegjësisë sa të shpenzojë miliona dollarë të taksave të shqiptarëve të varfër, vetëm për të bërë njëfarë makijazhi për faqen e vet të nxirë me bëmat e veta? Ja dhe e besuan për aq kohë sa të marrin paratë në dorë ato firmat lobuese amerikane se ia ndreqën disi faqen këtij lloj pushteti pa sy e faqe e pa lapë syri, po pastaj? Ato firmat lobuese amerikane, që bëjnë në Shqipërinë e varfër biznes edhe me vetë demokracinë, nuk besoj se do ta besojnë gjatë një gjë të tillë dhe as do të përpiqen për shumë kohë të lyejnë e të ngjyejnë faqen e këtij lloj pushteti, se me shiun e parë të verës ka për të dalë dhe ajo lyerje e ajo ngjyerje dhe as Amerika e as bota mbarë nuk do të gënjehen dot më nga makijazhi i firmave lobuese, që tek e fundit gjejnë shesh pa bëjnë përshesh. Po pastaj? Ku do t’i gjejnë milionat e tjerë nga një ekonomi e rrënuar pushtetarët tanë? Në një gjendje të tillë të ekonomisë , kur pushteti detyrohet të marrë borxhe dhe për të larë kamatën e borxheve , mos vallë një fushatë zgjedhore milionere do ta shpëtojë ekonominë nga rrënimi? Apo mos një ekonomi të tillë do ta shpëtojë nga falimentimi parulla absurde e zgjedhur nga ky pushtet si logo fushate :”Ne jemi Ndryshimi”?…

Nuk besoj se mund të shpëtojë nga humbja e 23 qershorit një pushtet kaq i kalbur nga abuzimet e ligjet e me vetë Kushtetutën e vendit. Nuk besoj se mund ta shpëtojë nga një humbje e rëndë këtë lloj pushteti as premtimet e përsëritura të fushatave të kaluara zgjedhore. Nuk besoaj që mund ta shpëtojë këtë lloj pushteti nga humbja as fikja e dritave në veprimtaritë politike të Frymës së Re Demokratike. Nuk e shpëton dot nga humbja e sigurt e 23 qershorit këtë pushtet të trembur aq keq nga ndryshimi , sa kujton se mund ta ndalojë dhe ndryshimin me parullën absurde:”Ne jemi Ndryshimi!” Se një qeveri e përgjegjshme flet njëherë për dështimet e veta , tregon arsyet e atyre dështimeve e pastaj mund të hidhet në premtimet e reja , edhe kur ato janë premtime “për fushatë elektorale”, sikundër e kanë pohuar vetë këta lloj pushtetarësh të paskrupuj sa herë që kanë bërë pirueta të pamoralshme e të pështira për të qëndruar në pushtet më çdo kusht e me çdo çmim.

Se këto lloj premtime të përsëritura janë katandisur një lloj refreni  i pabesueshëm e tepër qesharak. Aq qesharak, sa më kujtojnë një thnëie të të ndjerit Dom Simon Jubani, kur iu drejtua dikur një hierarki të diktaturës që vizitoi burgun e Burrelit: “Keni tash 30 vjet që po na zgjedhoni kohën e ardhshme të mënyrës dëftore”Do ta bajmë kët e do bajm at, por deri tash nuk keni ba asgjë nga ato që premtoni”

Duket që edhe në këtë rastin e pushtetarëve tanë të tranzicionit qenka me vend ai proverbi i njohur popullor: “Dardha bie nën dardhë”. Ndryshe nuk kuptohet dot nga asnjë mendje e shëndoshë se si mund të zhvillohet një fushatë zgjedhore milionere me një ekonomi të rrënuar.

Demokraci Pjesemarrese

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked