BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Hipokrizia me dhunën në familje

Majlinda Kola – ShqipON

Hipokrizia që ka përfshirë vendin tonë nuk mund të mos lërë mënjanë as diskutimet mbi dhunën në familje. Aktorët që flasin për këtë si dhe trajtimi i problemit nxjerr në pah jo vetëm mangësitë e shkollës shqiptare por dhe pandershmërinë intelektuale.

Kjo agravohet edhe më shumë kur sheh që këto personazhe dostojevskiane kanë zaptuar institucionet publike, median dhe shoqërinë civile. Për rrjedhojë ligjëratat antishkencore ndotin sferën publike duke devijuar apo përmbysur të vërtetat.
Dhuna në familje ka kohë që është tema e preferuar e mediave shqiptare.
Përse ndodh kjo?
Në radhë të parë kjo është pjesa e refrenit të ideologjisë oligarkike shqiptare që adreson problemet tek individët e jo sistemi. Duhet që përgjegjësia, si thotë Habermas, të shkojë në një istancë metafizike, amorfe të papërcaktuar. Kështu përgjegjësia tretet në asgjë dhe konstatimi trasformohet nga mjet në qëllim. Kant thotë që është më e lehtë për njerëzit të gjykojnë mbi etikën e sjelljeve të tjetrit sesa të sforcohen për të kuptuar fenomenin. Dhe sistemi kënaq këto instikte duke i amplifikuar debatet shterpë.


Qindra konferenca, seminare e dhjetëra OJF ushqehen me konstatimin e problemit, por asgjë nuk ndodh!
Përse?
Sepse “pa dashje” ka një gabim metodoligjik në premisën e problemit. Në një shtet të kapur, mediat shoqëria civile orkestrohen që debati mos të prekë sistemin si të tërë por segmente të tij. Kjo, si mëson Luhmann, është antishkencore sepse konsideron familjen si ishull dhe jo si nënsistem i sistemit të shoqërisë shqiptare.
Janë më të kthjellët qytetarët e thjeshtë sesa “studiozët” që marrin pjesë në këto konferenca apo studio televizive. Sepse qytetarët përjetojnë në kurriz të tyre që momenti i dhunës lidhet me dhjetëra faktorë kontigjentë e ndarja në njerëz të dhunshëm dhe paqësorë është trillim. Çdo njeri në kushte ekstreme mund të shpërthejë në dhunë, marrëzia primitive (sacro) që banon në psikën e çdokujt. Në këtë përfundim, pas shumë kostove humane, arritën dhe shkencat natyrore e sociale, kur pranojnë se njeriu është produkt i kushteve ku ai jeton.
Kthejmë pra debatin në shtratin natyror, merremi me kushtet ku jetojnë shqiptaret dhe i largohemi tentativave për të likujduar problemin duke sharë “krimenelat” apo “sensibilizuar” meshkujt shqiptarë.
Çështja është më e vështirë dhe do guxim për tu përballuar. Shqiptarët nuk janë një nën specie e hommo sapiens por vuajnë problemet qoftë perëndimore (mbizotërimi i hommo oeconomicus, rënia e autoritetit, zhdukjes së kufijve ndaj një lirie destruktive etj) ashtu dhe ato të një vendi të botës së tretë (pa punësi, pasiguri, shfrytëzim e manipulim në injorancë të programuar)
Dhuna është pjesë e njeriut, por që ajo të izolohet, shoqëria u organizua në istitucione në mënyrë që raportet të rregullohen nga e drejta.
Po a rregullohen nga e drejta raportet shoqërore në shoqërinë shqiptare?
Jo! Jo! Jo!
Raportet në këtë vend rregullohen nga forca sepse institucionet janë zaptuar me forcë e sigurojnë privilegje për një pakicë!
Pra forca dhe dhuna nuk është përjashtim por rregull në këtë vend. Pra atëherë, pse habitemi me dhunën në familje kur atë e has kudo. A nuk e has dhunën në botën e punës, në botën e biznesit, shkollës, gjykatës etj.
Përse nuk flitet për këto? Këtu ka përgjegjës që identifikohen e mund të merren masa, kurse në familje kjo nuk është e mundur sepse çdo familje është sistem më vete e nuk mund as të parashikosh as ndërhysh paraprakisht.
Por në botën e punës, po. Është detyrë e shtetit të mbrojë punëtorët si palë e dobët e jo ti dhunojë vetë duke mbushur administratën me “zoçka” e preferuar injorantët militantë në vend të atyre që sakrifikuan vitet duke stjudiuar. Si mund të shpjegohet ndryshe prostituimi i mijëra vajzave shqiptare për të mbijetuar edhe si shitëse kur gjenden të pambrojtura nga maniakë me lek e pushtet. Shumë vende zhvilluara kanë struktura të veçanta që jo vetëm nuk lejojnë që kriminelët të blejnë njerëzit, por i dënojnë apo i publikojnë fytyrat në skedare online. Këtu bëhen biznesmenë apo deputetë e gratë e tyre mbajnë konferenca kundër dhunës.
Nobelisti Amartya Sen thekson se pa kushtet minimale ekonomike njeriu nuk gëzon dot asnjë të drejtë. Përse në asnjë konferencë nuk shpjegohet pengmarrja ekonomike, monopolet, papunësia dhe varfëria ekstreme në vend? Apo është më e thjeshtë të shash shqiptarët, falë të cilëve ndihmohen familjarët në kushtet e rënies së shtetit social. Pikërisht, është detyrim kushtetues edukimi dhe punësimi i gjithë qytetarëve dhe jo privilegjet për vetëm 1% të tyre. A nuk ishte kjo kastë që përmbysi shkollën, çertifikoi injorancën dhe raportet e forcës dhe korrupsionit në zemër të shpirtit shoqëror. Çfarë mund të presësh nga një i ri që ekpserimenton në kurriz të tij të gjitha padrejtësitë nga dita e parë e shkollës deri tek gjetja e vendit të punës. Kudo çahet me forcë e jo të drejtë! Mendoni sa patetike u duken këshillat e grave të sistemit që nga ekrani sensibilizojnë kundër dhunës e padrejtësive.

E vërteta e hidhur është se ky sistem është ngritur mbi raporte force dhe prandaj çdo subjekt i dobët, grua, student, punëtor, konsumator do dergjet pa fund.
Prandaj dhe kjo betejë bëhet e përbashkët e jo të ndarë në kategori ashtu si sistemi dhe klerikët e tij përpiqen çdo ditë.
Beteja është për rrëzimin e kësaj piramide dhe instalimin e një shteti social që përkujdeset për qytetarët e tij, që nuk braktis familjen, që zbut e jo nxit konfliktet sociale.
Kjo është betejë për të drejtat e 99%-shit të dhunuar e pa zë. Këto të drejta realizohen vetëm kur shteti dhe institucionet nuk kontrollohen nga partitë, elitat apo lobet por nga vetë qytetarët!
Ja përse zgjidhja ndaj një dhune sistemike të organizuar është organizimi i shoqërisë në një Demokraci Pjesëmarrëse, ku vendimet merren së bashku pa mavijosur kurrë problemet sociale.
Me një shtet të tillë që siguron begati të përgjithshme, krijon siguri për jetën dhe realizimit të burrit dhe gruas, që rikthen edukimin kapilar, që ndalon mediat antivlerë mund të kemi krijuar kushtet për njeriun paqësor. Vetëm atëherë ndaj pjesës së vogël agresive e të dhunshme mund të merren masat për riedukimin e tyre efektiv, ashtu si detyrimi kushtetues e kërkon!
Romakët thoshin se dhuna (vis) është antiteza e së drejtës (ius)
Punojmë pra, për një shoqëri të drejtë si e vetmja mënyrë për të larguar dhunën e risjellë paqen sociale e familjare

#TiJeNe e ne jemi ShqipON

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked