BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Izet Haxhia ka rrëfyer për Dita edhe vrasjen e Azem Hajdarit

Izet Haxhia ka rrëfyer për Dita edhe vrasjen e Azem Hajdarit. Sipas tij, Azemin e nxori Sali Berisha në pritë.

largea_izet-haxhia-gr1410721987

“Në atë kohë sipas informacioneve, Azemi është thirr, nga Linda Ihsani, sekretarja e Berishës në zyrën e Berishës, më duket për të pa filmimet e mitingut që kishin bërë në Fier. Fisnik Sina (në atë kohë këshilltar i Azem Hajdarit) ka shku tek zyra e Sali Berishës, dhe i ka thënë se është një makinë me targa Vlore që dyshohet se ka bombë.

Sala ka thënë kështu: Azem dil e zgjidhe këtë çështje, se ti e zgjidh! Gjatë asaj ore ka ndodh kjo. Përballë makinës ku ndodhej Fatmir Haklaj, Jaho dhe Naim Çangu, në distancë nga trotuari ku ndodhej makina ka qenë një lokal. Aty ndodhej e ulur mbesa e Sali Berishës, Shpresa Breçani. Ajo i ka pa dhe i ka njohur, se njihen gjithë tropojanët. Ajo ka hyp në zyrë dhe ka tregu Berishës për atë që ka pa.

Sali Berisha kishte dijeni se kush ishte në makinën me targa Vlore përpara selisë së PD, jam sigurt”, ka thënë Haxhia. /Dita/

///////////

Histori: “Vrasja e Azem Hajdarit dhe Tentativa e Grushtit të Shtetit”

Duke lexuar librin e dy autorëve angleze, m’u kujtua një thënie e popullit tonë “kurrë mos bëj diçka për të cilën do të pendohesh një ditë”. Do të vijë një ditë që ‘turmat me qira’, siç i quajnë autorët e librit turmat e shqiptarëve, që u përdorën nga Berisha për të djegur Tiranën, do t’u vijë turp nga veprimet e papërgjegjshme të tyre. [Linda]

Gjatë vapës sfilitëse të javës së parë të shtatorit klima politike në Tiranë u bë edhe më e tensionuar. Qyteti i ngjante një qendre gjeratoreje të krizës së madhe dhe gjeopolitikisht gjithëpërfshirëse të konfliktit të Kosovës që ishte duke ndodhur. Thashethemnaja e fundit mbi një përpjekje të mundshme nga besnikët e Sali Berishës për të rrëzuar qeverinë kishin krijuar një atmosferë elektrizuese në kryeqytet. Forcat e sigurisë ishin vënë në gjendje alarmi të shkallës më të lartë dhe patrullonin si policë të maskuar rrugët sapo fillonte të errësohej, ndërsa shumëkush priste me ankth se çoç do të ndodhte. Dhe nuk do të prisnin gjatë.

Në mbrëmjen e 12 shtatorit 1998, një nga figurat më të shquara të opozitës, 35 vjeçari Azem Hajdari, një nga politikanët më popullorë të Shqipërisë u qëllua për vdekje ndërsa po dilte nga selia e Partisë Demokratike në Tiranë. Ai u qëllua nga njerëz të armatosur në një veturë të parkuar mu përpara godinës së PD-së. U vra gjithashtu edhe një truproje e tij. Hajdari, përfaqësuesi më i zjarrtë i të djathtës shqiptare, kishte udhëhequr studentët e Tiranës në demonstratat antikomuniste më 1990. Ashtu si edhe Berisha, ai ishte me origjinë nga rrethi verior i Tropojës dhe kishte qenë një nga kandidatët për udhëheqës të demokratëve më 1991, por një marifet i sajuar nga amerikanët, në vend të tij nxori Berishën në krye. Hajdari, i përshkruar nga një vëzhgues i huaj si “i ri, rrondokop dhe poterexhi i pagdhendur”, e dinte që ishte duke jetuar një kohë të dhuruar, pasi u kishte mbijetuar një sërë atentatesh, duke përfshirë dhe përpjekjen për vrasjen e tij në parlament në shtatorin e mëparshëm.

Nuk ishte i mundur asnjë hetim i skenës së krimit pasi, menjëherë pas vrasjes, trupat e Hajdarit dhe truprojës së tij u transportuan në spital pa u ekzaminuar. As autopsi zyrtare apo ndonjë ekzaminim nuk iu bë trupit të Hajdarit dhe hetuesit nuk qenë në gjendje të siguronin ndonjë nga sendet personale të tij në kohën e vrasjes. Rrobat e tij të përgjakura dhe dokumentet vetjake, si dhe telefoni celular ishin zhdukur para se policia të mbërrinte në skenën e ngjarjes. Është bërë e ditur se Hajdari ka marrë telefonatën e fundit, e cila bëri që ai të dilte nga zyra e tij në rrugë, pak minuta para vrasjes. Telefoni i tij celular nuk u gjet kurrë. Një element imponues që flet për dijeninë paraprake të vrasjes së tij është një deklaratë për shtyp në një anglishte shumë të mirë që shpërndau selia e Partisë Demokratike brenda 20 minutash pasi kishte ndodhur vrasja. Sipas një vëzhguesi, një njoftim zyrtar i PD-së për vdekjen e Hajdarit mbërriti në zyrën e OSBE-së në Tiranë me anë të faksit një orë pas vdekjes së tij. Faksi jo vetëm që ishte shkruar shumë mirë, por ai ishte gjithashtu shumë i hollësishëm, duke akuzuar njerëz konkretë për rolin e tyre në vrasje. Faksi dukej tej mase i ujdisur për një ngjarje të një nate të shtune. Fakset e PD-së gjatë orarit të punës shumë rrallë mund të krahasoheshin me këtë për nga qartësia dhe saktësia, ndaj dhe një numër njerëzish kanë spekuluar duke thënë se faksi mund të jetë përgatitur qysh më parë. Por, se për çfarë qëllimi, askush nuk ishte i sigurt për këtë.

Me përhapjen e lajmit të vrasjes, tronditja që pësoi vendi u shndërrua në ankth. Para së gjithash, shumëkush mendoi se çfarë kapitali politik do të fitonte Berisha nga vdekja e një njeriu, të cilin shumica e njerëzve besonin se ai personalisht e kishte neveri, por që tani bëhej më shumë se i vlefshëm si një martir ‘i sakrifikuar për demokraci’. Turmat u mblodhë gjatë natës në selinë e PD-së ku në mëngjes herët u mbajt nxitimthi një konferencë shtypi. Atje, përballë turmave që shtoheshin e shtoheshin, me një pamje prej meiti, Sali Berisha fajësoi kryeministrin Fatos Nano për vrasjen e Hajdarit dhe e paralajmëroi atë të jepte dorëheqjen brenda 24 orëve, përndryshe ai do të përballej me ‘pasoja katastrofike’. Shtypi opozitar u përgjigj me shpejtësi duke i rënduar dyshimet për vrasjen e Hajdarit mbi shpatullat e kryeministrit. Titujt e të përditshmes pro-PD Albania me piskamën ‘Azem Hajdarin e vrau Fatos Nanoja!’ i hidhnin më shumë benzinë zjarrit. Nga ana tjetër, mbështetësit e qeverisë ishin të bindur se Berisha vetë e kishte sajuar vdekjen e Hajdarit me synimin për të krijuar një martir që pastaj të fitonte mbështetje në popull në përpjekjen e tij për t’u rikthyer në pushtet me anë të një revolte popullore. Në një intervistë televizive në orët e para të së njëjtës ditë Nanoja, dukshëm i shqetësuar u kishte bërë thirrje shqiptarëve që të mos lejonin kundërshtarët e tij të merrnin pushtetin me forcë.

Berisha me siguri ishte i implikuar në ngjarjet e 12 shtatorit nëpërmjet njërit prej tre njerëzve që më vonë u dyshuan për vrasjen e Hajdarit: Jaho Salihit (Mulosmani), një shef policie, gjithashtu nga Tropoja (vendi i origjinës së Hajdarit). Në maj të vitit 2001, Salihi pranoi në gjyq se e kishte vrarë Azem Hajdarin. Megjithatë, vetëm dy muaj më vonë ai tha në gjyq se, pavarësisht se kishte marrë pjesë në vrasje, Azemi u qëllua nga Fatmir Haklaj, i cili ishte jo vetëm shef i policisë së Tropojës, por edhe kreu i bandave kriminale të qytetit. Hajdari ishte ngatërruar keqas në tregtinë plot dyshime të shitjes së armëve UÇK-së, e cila e kishte bazën në Tropojë. Ky ishte një biznes mjaft fitimprurës që hapi shumë gjakmarrje si pasojë e konkurrencës së egër midis tregtarëve të armëve.

Kishte a s’kishte dorë Berisha në vdekjen e Hajdarit, drejtpërdrejtë apo tërthorazi është një ndër akuzat që ende kanë mbetur të paprovuara. Po kjo mund të thuhet dhe për akuzat e anasjellta të PD-së kundër Fatos Nanos. Por ekziston edhe një mundësi që Hajdari të jetë vrarë nga ndonjë prej fraksioneve brenda UÇK-së që grindeshin ashpër për dërgimin e armëve në Kosovë.

Në të vërtetë, është e çuditshme se si Hajdari jetoi aq gjatë. Kjo ishte të paktën përpjekja e tretë për t’i marrë atij jetën. Orvatja e parë për ta vrarë atë u bë më 1996 në tragetin e Fierzës, kur një bashkudhëtar, ndoshta një zyrtar i lartë i PD-së, veshi pardesynë e bardhë të Hajdarit, prandaj u qëllua ai dhe jo Hajdari nga brigjet e lumit. Orvatja e dytë ndodhi brenda ndërtesës së parlamentit më 18 shtator 1997, kur gjatë një debati të ashpër, Hajdari i futi kokën midis shalëve një deputeti socialist, Gafurr Mazrekut. Ky veprim ishte një fyerje mjaft e rëndë për shumë njerëz që e panë, kështu që Mazreku u detyrua të hakmerrej për të vënë në vend nderin e tij. Ai e qëlloi dhe e plagosi rëndë Hajdarin mu brenda parlamentit. Pak kohë pas këtij incidenti, më shumë se 150 plumba u shtinë ndaj një autokolone në të cilën udhëtonte Hajdari.

Duke ndjekur ultimatumin e Berishës për dorëheqjen e Nanos, rreth dy mijë nga ithtarët e tij marshuan drejt selisë së kryeministrisë dhe, duke thirrur “Vdekje Fatos Nanos!”, shtinin në ajër me armë dhe qëllonin pareshtur me gurë godinën qeveritare. Turma hyri me forcë në ndërtesë, ku Fatos Nanoja dhe kabineti i tij ishin duke mbajtur një takim me ngut, dhe, pasi shkëmbeu ca të shtëna me rojet, i vuri flakën katit të parë. Ministrat ikën në panik nga një dalje anësore midis shpërthimeve të serbatorëve të veturave, që protestuesit u kishin vënë flakën. Njerëz të armatosur mandej plaçkitën zyrën e kryeministrit dhe zyra të tjera, ndërkohë që mbështetës të opozitës të hipur në vetura dhe të armatosur rëndë valëvisnin flamujt kombëtarë duke rendur me shpejtësi rrugëve të kryeqytetit. Ambasadori i OSBE-së, Daan Everts, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Mariza Lino, si dhe ambasadori italian Spatafora ishin ndërkohë në takim me Fatos Nanon dhe zyrtarë të tjerë të lartë për të diskutuar mbi krizën.

Ditën tjetër u pa një dhunë edhe më e egër kur u mbajt funerali i Azem Hajdarit, truprojës së tij dhe një protestuesi që ishte vrarë në përleshjet e së dielës. Gjatë funeralit, Berisha përsëriti deklaratën e tij se Nanoja ishte përgjegjës për vrasjen e Hajdarit, ndërsa bëri thirrje për ‘një ditë paqeje’ për të nderuar kujtimin e ish-udhëheqësit karizmatik të studentëve. Kjo retorikë kontradiktore veçse e ndezi më keq situatën. Gjatë ceremonisë së përmortshme, qindra nga demonstruesit antiqeveritarë mbajtën në krahë arkivolin e Azemit duke ecur përgjatë bulevardit qendror të kryeqytetit në drejtim të zyrës së kryeministrit (e cila ishte sulmuar dhe djegur gjatë trazirave të së dielës). Përleshje të ashpra u bënë kur turma u përpoq të fuste tre arkivolet në zyrën e kryeministrit. Turma, as më shumë e as më pak, i përplasi arkivolet s dash për të goditur dyert, të cilat u shqyen dhe nisi grabitja e u bë një ferr i vërtetë. Më vonë zyrtarët e PD-së pretenduan se gjithë ç’ndodhi ishte reagim ndaj të shtënave që erdhë nga ndërtesa e kryeministrisë. Por zëvendësshefi i Misionit të OSBE-së, Tim Isles, ishte një nga dëshmitarët okularë që kishte ndjekur pareshtur ngjarjet në bulevardin qendror. Ai ka njoftuar se nuk është e vërtetë që të shtënat erdhën nga godina qeveritare. Edhe granata u hodhën drejt godinës qeveritare gjatë atij sulmi. Pas një shkëmbimi të dendur zjarri, turma lëvizi drejt rezidencës së Nanos aty pranë. Tanke dhe mjete të tjera të blinduara dolën në rrugë, nja dy prej të cilëve u rrëmbyen nga turma e armatosur. Një grup protestuesish u dyndën drejt studiove të TV shtetëror, duke nxjerrë jashtë me dhunë punonjësit e tyre. Shikuesit panë pastaj një burrë të panjohur duke njoftuar nga ekrani se ‘Ne kemi marrë pushtetin’. Pastaj ai i kërkoi popullit të priste me durim derisa qeveria të jepte dorëheqjen.

Situata u përkeqësua me shpejtësi pasi u pa se qeveria kishte humbur kontrollin e kryeqytetit. Nga pasditja, mijëra njerëz vinin rrotull sheshit Skënderbej, duke shtënë vazhdimisht me armë në ajër dhe duke plaçkitur dyqanet (të cilat ishin mbyllur për funeralin e Hajdarit). Hajdutët harbutërisht iu turrën Ministrisë së Drejtësisë dhe filluan të mbushnin makinat e tyre me mobiljet, tapetet dhe aparaturat kompjuterike. Në këtë moment, sipas një vëzhguesi, ambasadori i OSBE, Everts vendosi të takohej me krerët më të lartë të politikës për të testuar gjendjen. Ai thirri Kastriot Islamin, Presidentin Meidani dhe Sali Berishën, pasi kryeministri Nano nuk gjendej gjëkundi. Islami ishte krejtësisht i çoroditur dhe i kërkoi ambasadorit se çfarë duhej të bënte Presidenti Meidani ishte shumë i shqetësuar, por me shumë qetësi shprehu rezervat për bisedimet me Berishën. Evertsi takoi mandej Gramoz Pashkon, i cili ndodhej në ministrinë e Brendshme. Sipas Pashkos, ai dhe ministri i Brendshëm Perikli Teta, kishin rreth 100 njerëz të armatosur dhe kishin ndërmend të vrisnin cilindo nga protestuesit që do të përpiqej të hynte në ndërtesë. Pashko ka thënë se i kërkoi ambasadorit Everts t’u jepte një mesazh protestuesve duke u thënë se ishte më e udhës që ata të tërhiqeshin menjëherë nga ndërtesa, përndryshe njerëzit e tij do të hapnin zjarr. Pas kësaj Evertsi bëri dy telefonata. Fillimisht ai kishte në linjë Islamin dhe mandej, ndërsa edhe Islami dëgjonte, i telefonoi Genc Pollos. Evertsi i kërkoi Pollos të zmbrapste protestuesit nga godina. Pollo tha se do të përpiqej, por shtoi se ‘rebelimi popullor’ ishte tepër i vështirë për t’u kontrolluar. Ambasadori Everts iu përgjigj me zemërim se ‘Ky është një konfrontim i armatosur që duhet të ndalet. Në këto kushte nuk mund të bisedohet’. Për fat të mirë, pas pak protestuesit u tërhoqën.

Mes gjithë kësaj rrëmuje, u vranë disa mbështetës të Berishës dhe u plagosën 14 të tjerë. Vetë Berisha mbeti i mbyllur në selinë e Partisë Demokratike deri vonë natën e së hënës. Për habinë e qeverisë dhe të huajve që ishin në Tiranë, nuk dihej vendndodhja e Fatos Nanos. Është e pabesueshme, por kryeministri kishte fikur telefonin celular dhe ishte zhdukur. Nanoja ishte gjendur krejtësisht i befasuar kur turma e PD-së iu turr zyrës së tij, ndaj dhe braktisi detyrën dhe shkoi drejt Maqedonisë ku gjeti strehë për disa ditë, duke lënë Presidentin Meidani të mbante barrën e shtetit. Meidani, me cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të forcave të armatosura, në mungesë të Nanos thirri forcat speciale për të bërë zap turmat e ndërkryera dhe të armatosura të Berishës s dhe për të vënë nën kontroll rrugët brenda kryeqytetit. Në mbrëmje vonë forcat qeveritare rifituan kontrollin në pozitat kyçe të zëna nga mbështetësit e Berishës në ditën e rrëmujshme të dhunës. Presidenti Meidani bëri një deklaratë në TV ku i bënte thirrje popullit për qetësi, ndërsa policisë i kërkoi të gjente sa më shpejt të ishte e mundur vrasësit e Hajdarit. Nga ana e saj, Ministria e Brendshme njoftoi se kishte caktuar një shumë prej 200 mijë dollarësh për informatorët që do të çonin në arrestimin e vrasësve.

Më 16 shtator situata ishte qetësuar në mënyrë të konsiderueshme. Qeveria kishte rifituar kontrollin e qendrës së qytetit, duke mposhtur mbështetësit e Berishës që ruanin selinë e PD-së me kallashnikovë dhe me dy tanke që ia rrëmbyen ushtrisë të hënën. Të dy tanket u dorëzuan pa çak pa bamp të martën vonë, ndërsa njerëzit e armatosur të Berishës ia kishin mbathur nga ndërtesa e PD-së para se të mbaronte afati që u ishte vënë për t’u larguar nga godina. Forcat speciale qëndruan mandej të ruanin selinë e PD-së dhe të arrestonin Berishën në rast se ai do të përpiqej të arratisej nga vendi. Por kreu i PD-së i tha CNN-it se ai ‘nuk do të largohej nga Shqipëria’. Në përfundim, tri ditët e dhunës patën si bilanc tetë të vdekur dhe rreth 100 të plagosur.

Kjo trazirë, e cila e zhyti Shqipërinë në krizën e dytë madhore vetëm brenda 18 muajve, shkaktoi një alarm të dukshëm në qarqet ndërkombëtare. Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe të BE-së lëshuan një deklaratë të përbashkët ku dënohej dhuna dhe paralajmërohej se ata mund të ndërprisnin ndihmat ekonomike nëse binte qeveria. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Havier Solana, u kërkoi të gjitha palëve të kthenin paqen dhe qëndrueshmërinë në krejt vendin. E interesuar për stabilitetin e Shqipërisë, NATO-ja ishte e shqetësuar se mos rrënimi i mëtejshëm i ligjit dhe rendit në republikën politikisht të dobët mund të nxiste dhe përkeqësonte konfliktin në Kosovë. Greqia fqinje i frikësohej një përhapjeje të mundshme të dhunës në jug të Shqipërisë, ndaj dhe postat kufitare greke u vunë në gjendje gatishmërie të lartë. Gjatë dhunës mbështetësit e Berishës iu kishin vënë flakën tri bankave greke, përfshi dhe Bankën Kombëtare të Greqisë.

Në ditët pasardhëse u pa një përforcim i sigurisë në Tiranë, ndërsa forcat speciale të policisë të veshur në të zeza ngritën postblloqe për të peshkuar ndonjë makinë që ishte duke udhëtuar drejt Tiranës. Më 17 shtator Parlamenti nxitoi të miratonte një ligj që ia kalonte Ministrisë së Brendshme drejtpërdrejt varësinë e policisë ushtarake dhe komando nga varësia prej ushtrisë. Ky ligj i dha mundësi qeverisë për të mbajtur rendin pa ndihmën e ushtrisë. Pavarësisht nga këto lëvizje, qeveria mbetej e pasigurt dhe e nervozuar. Në një përpjekje për të fituar mbështetjen e uniformave blu, kryeministri i vetmuar Nano nxitoi të dyfishonte rrogat e policëve. Nanoja, pasi u kthye nga udhëtimi i tij në panik në Maqedoni, fajësoi për dhunën bandat e Berishës, duke e quajtur atë ‘organizatorin kryesor të përpjekjes për grushtin e shtetit’. Por Berisha i shpërfilli akuzat ndaj tij duke i quajtur ato ‘qesharake’, ndërsa për trazirat tha se ishin ‘provokuar’ nga SHIK-. Ai e quajti Fatos Nanon një ‘terrorist leninist’ dhe këmbënguli në dorëheqjen e Nanos dhe krijimin e një ‘qeverie teknike’ që të përgatiste zgjedhjet e reja. Në ditët në vazhdim, nja njëmijë mbështetës besnikë të Berishës e ndoqën atë në protestat e zakonshme nëpër rrugë. Përmes talljesh dhe fishkëllimash të qytetarëve spektatorë, turma e njerëzve të paguar e udhëhequr nga Berisha thërriste në mënyrë provokative rrugëve të Tiranës ‘Vdekje Nanos! Vdekje komunizmit!’

Vrasja e Hajdarit ishte një ngjarje kulmore në polarizimin e politikës shqiptare të atij viti dhe e një fushate të mundimshme të Partisë Demokratike për të minuar qeverinë dhe për të bllokuar çdo lëvizje drejt ndonjë marrëveshjeje për kushtetutën e re. Madje mund të thuhet se që nga ardhja në pushtet e qeverisë së kryesuar nga socialistët një vit më parë, Partia Demokratike me veprimet e saj e kishte mbajtur peng qeverinë. Pavarësisht thirrjeve të Nanos dhe të Ndërkombëtarëve që Partia Demokratike të ndihmonte në rimëkëmbjen e përgjithshme të vendit, në të vërtetë opozita parlamentare nuk funksiononte. Përveç organizimit të protestave në rrugë, PD-ja kishte bojkotuar thuajse të gjitha institucionet parlamentare, duke thënë se qeveria nuk ishte e ligjshme ngaqë kishte ardhur në pushtet nga ‘zgjedhje jo legjitime’ e mbështetur nga ‘banditë mafiozë të udhëhequr nga komunistët’. Berishës i pëlqente t’i quante në shumë fjalime Nanon dhe qeverinë e tij si ‘Pashallarë të kuq dhe bllokmenë’ duke aluduar me ngjitjen e Nanos në krye të Partisë së vjetër të Punës nën komandën e vijës së ashpër të komunistëve para vitit 1990.

Si rezultat i këtyre trazirave dhe në kundërshtim me shtypjen e tyre, koalicioni i dobët i udhëhequr nga socialistët bënte në vendnumëro gjithë nervozizëm. Me sulmet e përditshme mbi nëpunësit e qeverisë, me vrasjet dhe arrestimet e militantëve të opozitës, vendi ishte mbërthyer nga një klimë frike dhe pasigurie. Shqipëria edhe një herë u bllokua nga një gjendje braktisjeje, me një paralizë të përgjithshme të institucioneve parlamentare dhe me një rënie të ndjeshme të projekteve të ndihmave ndërkombëtare, ndërsa të huajt e punësuar në Shqipëri nuk pranonin të ktheheshin aty përderisa situata të normalizohej. Mitingjet e PD-së vazhdonin ritualin e tyre të përditshëm në sheshin Skënderbej të Tiranës, me Berishën që ulërinte në një mikrofon duke përmendur pambarimisht emrin e të ndjerit Hajdari, në një përpjekje të dëshpëruar për të ngritur sadopak entuziazmin midis turmave që ai i paguante për këtë punë dhe që përbënin pjesën kryesore të mbështetësve të tij. Shfrytëzimi i vrasjes së Hajdarit nga ana e tij ishte tej mase i pasinqertë.

Vrasja e Hajdarit i kishte krijuar Berishës shansin të vihej në lëvizje, ajo që ai kishte shpresuar të bëhej një kryengritje e armatosur popullore që do ta katapultonte për t’u kthyer në presidencë dhe në qeveri. Berisha u llahtaris nga shpejtësia me të cilën kundërshtarët e tij u mobilizuan në marsin e 1997-ës në jug të Shqipërisë. Në të njëjtën formë ai u përpoq të nxiste një rebelim popullor të ngjashëm duke u mbështetur në ver. Deri më tash revoltat e parashikuara prej tij kundër qeverisë nuk kishin ndodhur. Shqiptarët ishin lodhur e rraskapitur nga kaosi i pafundmë dhe dhuna e politikës së rrugës. Thirrja e Berishës për një revoltë të gjerë në shkallë kombëtare nuk arriti të prekte telat e popullsisë së stërmunduar dhe të tromaksur. Ish-Presidenti, baza e mbështetjes së të cilit ishte relativisht e vogël dhe ideologjikisht e paqëndrueshme, i kishte bërë hesapet shumë gabim kur kishte kujtuar se do të kishte me vete aq njerëz gjithandej vendit që ta mbështesnin atë për t’u rikthyer sërish në pushtet. Madje në vendlindjen e tij në Tropojë, në zgjedhjet e 1997-ës, shumica e zgjedhësve kishin votuar për Partinë Socialiste, ndoshta më shumë nga shpresa për të marrë sërish paratë e humbura në skemat e falimentuara të fajdeve se nga ndonjë admirim për Nanon dhe Partinë Socialiste. Fakti që shëmtia e Tiranës nuk u përsërit në qytete të tjera të vendit, madje as në trevat e shpallura si antisocialiste si Kavaja dhe Lazarati, provuan mungesën e plotë të mbështetjes ndaj Berishës në shkallë vendi, sikurse në të vërtetë kishin treguar zgjedhjet e qershorit.

Menjëherë pas vdekjes së Hajdarit, mbështetja e Berishës u duk se pësoi një rritje të përkohshme, në një kohë që njerëzit demonstruan zemërimin e tyre ndaj krimit që iu bë një figure aq popullore. Prapëseprapë, përveç disa qindra njerëzve në Tiranë, përfshi këtu edhe ata që ishin të armatosur si truproja jozyrtare të tij dhe që ishin gati të shndërroheshin në kamikazë për të, nuk kishte pothuajse asnjë shenjë për mbështetje ndaj tij. Në demonstratat e tij të shpeshta antiqeveritare para krizës së shtatorit 1998, Berisha nuk qe kurrë në gjendje të mblidhte më shumë se tre mijë njerëz. Kjo punë e marrjes me qera të turmave përfaqësonte një aleancë të shthurur midis rrugaçëve dhe ish-punonjësve të SHIK-ut, të cilët ishin përzier në veprimtari të ndryshme kriminale, por tani në përballje me një të ardhme të pasigurt, nëse do të shkëputeshin nga ‘mbrojtja’ e ish-presidentit të tyre. Shqiptarët në përgjithësi nuk kishin asnjë dëshirë të përsëritej dhuna e vitit të mëparshëm, vëmendja e tyre ishte përqendruar në gjetjen e mënyrave për të mbijetuar në një kohë që rrënimi ekonomik i vendit vazhdonte tatëpjetën. Përpjekja për grusht shteti kishte qenë një farsë e parashikueshme, e cila i la shumicën e njerëzve të traumatizuar dhe i tëhuajti edhe më shumë nga politika dhe proceset demokratike. Por, ndonëse kjo u shndërrua në apati kronike ndaj proceseve politike (një zhvillim i dëmshëm për një demokraci aq të papjekur si të Shqipërisë), donte të thoshte gjithashtu se thuaj askush nuk kishte oreks për një rebelim tjetër popullor. Sipas të gjitha gjasave, e vetmja ngjarje që mund të provokonte një destabilitet të mëtejshëm do të kishte qenë arrestimi i Berishës. Por Nanoja ishte aq i zgjuar sa të mos binte në këtë kurth.

Gjithsesi, qeveria tashmë po përpiqej ta fuste në grackë Berishën duke e kërcënuar me forcën e ligjit për përpjekjet e tij për përmbysjen e qeverisë. Një komision parlamentar kishte votuar për t’i hequr ish-presidentit imunitetin politik, kështu që qeverisë t’i hapej rruga ta padiste atë për organizim të kryengritjes së armatosur. Por në situatën aq të paqëndrueshme, vështirë ishte të përfytyroje se si arrestimi i Berishës, do të shërbente për të arritur diçka, me përjashtim që do t’i hidhte më shumë benzinë zjarrit të përkeqësimit të krizës në vend. Nga ana tjetër kishte një trysni të fortë nga ndërkombëtarët për mosarrestimin e Berishës nga meraku se ndjekësit e tij mund të shkaktonin trazira të mëtejshme, të cilat mund edhe të çonin në një destabilizim të krejt rajonit të paqetë të Ballkanit.

Përfundimisht, trysnia e të huajve, sidomos ajo e ushtruar nga trojka e BE-së (Austria, Italia dhe Greqia), e cila e vizitoi Tiranën menjëherë pas përpjekjes për grusht shteti, bëri që Berisha të mos arrestohej. Sidoqoftë, edhe po qe se ai do të ishte arrestuar shanset për kthimin e tij në një figurë martire nuk ishin aq të larta, duke gjykuar nga mbështetja e paktë që ai kishte në shkallë kombëtare. Ashtu si u bë, Berishës iu mundësia ta hidhte prapa krahësh përpjekjen për grushtin e shtetit, por gjatë këtij procesi u arrit që vetë ai ta diskreditonte veten dhe partinë e tij, e cila në të vërtetë kishte degjeneruar në një turmë të çoroditur. Në një përpjekje për të shpëtuar besueshmërinë e opozitës, dymbëdhjetë parti të krahut të djathtë dhe disa shoqata nacionaliste dhe antikomuniste formuan një ‘Front të Mospajtimit me Diktaturën’, që në të vërtetë ishte një lëvizje kundër qeverisë. Por nga ana tjetër, dhe qeveria në të njëjtën kohë ishte duke u vënë nën trysninë e së majtës. Partia Komuniste e reformuar rishtazi ishte gjithashtu gati t’u bashkohej sherreve antiqeveritare.

Për gat të keq, kriza e Tiranës largoi vëmendjen nga kriza e Kosovës në përgjithësi dhe veçanërisht nga vala e fundit e refugjatëve kosovarë që kishin mbërritur në qytetin verior të Shkodrës pas dëbimit të tyre prej Malit të Zi. Më 12 shtator Mali i Zi mbylli kufijtë për shqiptarët etnikë që largoheshin prej luftimeve në Kosovë, ndërsa përcolli rreth 3 mijë refugjatë për në Shqipëri. Në atë kohë Mali i Zi numëronte rreth 45 mijë refugjatë nga Kosova, ndërsa zyrtarët thanë se nuk mund të prisnin më prej tyre për shkak të vështirësive të shumta që u ishin shtuar. Mjedise strehimi (duke përjashtuar strehimin familjar) për refugjatët në Shqipëri pothuajse nuk ekzistonin, ndërsa dimri po afrohej me shpejtësi dhe situata humanitare po bëhej kritike.

Faza e fundit e trazirave në Tiranë përkoi me mungesën e kontrollit të qeverisë në veriun e vendit, i cili tashmë ishte bërë skena kryesore për konfliktin e Kosovës. Mungesa e mëtejshme e kontrollit kufitar të qeverisë shqiptare solli përfitime të ndjeshme dhe në rritje për një numër shqiptarësh nga tregtia e paligjshme kufitare me shitjen e armëve, municioneve si dhe të furnizimeve me mjete dhe barna mjekësore për UÇK-në. Shumë nga këta ishin zyrtarë të lartë nga veriu i vendit që përdornin të gjitha strukturat e fuqishme klanore në të dy anët e kufirit midis Shqipërisë dhe Kosovës. Trazirat që ndodhën në Tiranë bënë që vëmendja e policisë dhe ushtrisë të përqendrohej në mbrojtjen e kryeqytetit dhe rrethinave të tij, duke u lënë dorë të lirë tregtarëve të armëve dhe UÇK-së të vepronin lirshëm në veri.

Por ndërkaq ishin duke vazhduar hetimet për gjetjen e njerëzve përgjegjës për përpjekjen e grushtit të shtetit. Pandehmat ishin të mëdha për përzierjen e shqiptarëve të Kosovës në krizën e brendshme politike të Shqipërisë. Nga fillimi i qershorit, një tjetër forcë luftëtare e shqiptarëve etnikë doli në Shqipërinë veriore, e cila si edhe UÇK-ja, të paktën teorikisht, thoshte se luftonte për pavarësinë e Kosovës. Ky grupim i ri paraushtarak, i njohur si Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, ose FARK, kontrollohej nga Bujar Bukoshi, ‘kryeministri’ në mërgim i Lidhjes Demokratike të Kosovës që pretendonte njëfarë qeverisjeje paralele të shqiptarëve të Kosovës. FARK-u kishte kundërshti të thella me UÇK-në dhe fërkimet midis dy grupimeve ishin thelbësore. Pavarësisht se nuk arriti të numëronte kurrë më shumë se disa qindra njerëz në radhët e saj, dhe asnjëherë nuk mund të matej për nga angazhimi dhe aftësitë organizuese me UÇK-në, FARK-u përfaqësonte një forcë të re paraushtarake destabilizuese të së djathtës që operonte në zonat veriore kufitare të vendit. Ajo u dha material të freskët mediave botërore, të cilat me këtë rast theksuan konfuzionin në rritje dhe rrezikun që i kanosej rajonit në përgjithësi.

Bujar Bukoshi, i cili rrinte në Gjermani dhe ishte një përkrahës i fortë i Sali Berishës ishte përgjegjës për mbledhjen e fondeve të qeverisë paralele për të financuar ‘Forcat e tij të Armatosura’. FARK- komandohej nga ish-oficerë shqiptarë etnikë të Jugosllavisë që kishin luftuar kundër serbëve si vullnetarë në Bosnjë. Këta ishin shumë më të mirinformuar mbi taktikat bashkëkohore të ushtrisë jugosllave se sa oficerët e vjetër të ushtrisë jugosllave nga diaspora kosovare që ishin të shquar në UÇK, por nga FARK-u konsideroheshin më shumë idealistë se realistë. Ndryshe nga Interesat e UÇK-së, FARK-u kishte një angazhim të dyshimtë në luftën kundër serbëve dhe dukej se ishte i kënaqur me një autonomi të zgjeruar se sa me pavarësinë e plotë të Kosovës.

Ekzistenca e dy ushtrive etnike shqiptare paraqiste një sërë vështirësish në terren. Nëse FARK-u do të rritej, do të bëhej e pamundur për të përcaktuar se kush do të ishte përgjegjës për aksionet ushtarake. Shfaqja e një ushtrie të dytë etnike shqiptare të përqendruar në Shqipërinë veriore rrezikonte seriozisht gjithashtu integritetin territorial të Shqipërisë. Qëkurse të dy grupimet ishin të detyruara të ndërmerrnin shumicën e ofensivave të tyre nga kufijtë veriorë të vendit, kishte një rrezikshmëri në rritje për ndërhyrje nga forcat e Beogradit kundër Shqipërisë. Gjithashtu, pandehmat se anëtarë të FARK-ut kishin luajtur një rol (mbase të vogël) në rebelimin e armatosur, ishin një shenjë e keqe për një konflikt të mundshëm brenda etnik që mund të ndodhte në tokën shqiptare. Berisha duket se ka bërë një gabim trashanik në besimin ndaj mbështetjes së FARK-ut për të gjetur forca në përpjekjen e tij për të përmbysur qeverinë. Disa komandantë të FARK-ut i kishin premtuar Berishës 400 burra të armatosur që do ta ndihmonin atë për të marrë pushtetin në Tiranë. Në ngjarjet e shtatorit vetëm nja 180 prej tyre morën pjesë, por edhe ata u zhdukën me t’u marrë vesh dështimi i përpjekjes së grushtit të shtetit. Dy nga njerëzit e Bukoshit, të dy shqiptarë të Kosovës, ishin midis atyre që u arrestuan kur forcat e sigurisë rimorën ndërtesën e Radio-Televizionit shtetëror të Tiranës për pjesëmarrje në protestat antiqeveritare. Përkrahësit e tjerë të Bukoshit nxituan të fshihen në Tiranë, në Durrës e Shijak.

Javën që vijoi, një deputet i njohur socialist deklaroi publikisht se udhëheqësit kosovarë ishin përzier në përpjekjen e dështuar të grushtit të shtetit duke furnizuar me armë militantët e Partisë Demokratike. Sipas Spartak Brahos, në atë kohë kryetar i Komisionit parlamentar të mandateve dhe imunitetit, ‘disa udhëheqës kosovarë, si për shembull Bujar Bukoshi, ishin përfshirë në përpjekjen për grusht shteti’. Braho e akuzoi qeverinë në mërgim të Bukoshit për furnizim të PD-së së Berishës me ‘njerëz të armatosur, të cilëve u ishin ngarkuar të kryenin detyra të veçanta gjatë përpjekjes së grushtit të shtetit.’ Më 21 shtator, policia arrestoi 11 kosovarë për armëmbajtje pa leje. Ata thanë se ishin të UÇK-së, por në të vërtetë ishin anëtarë të FARK-ut. Të njëmbëdhjetë u arrestuan ndërsa po udhëtonin nga Tropoja për në Tiranë. Në një zhvillim dramatik të mëtejshëm, në të njëjtën ditë, kryekomandanti i FARK-ut, Ahmet Krasniqi, u qëllua dhe u vra nga dy njerëz të armatosur dhe të maskuar në Tiranë. Dy vrasjet e bujshme në Tiranë brenda nëntë ditëve donin të thoshin për shumëkënd se vëndi tashmë ishte në rrezikun e një ‘vale vrasjesh politike’.

Pavarësisht se askush nuk u arrestua për vrasjen e Krasniqit, incidenti shërbeu për përqendrimin e vëmendjes në veprimtaritë e kosovarëve të përfshirë në luftën e Kosovës, pasi ata ishin duke i bashkërenduar gjithnjë e më tepër lëvizjet e tyre nga Tirana. Ashtu si për Hajdarin, edhe për Krasniqin kishte hamendësime të shumta se kush dhe pse e vrau. Demokratët këmbëngulnin se komandanti i FARK-ut, i cili ishte me banim të përkohshëm në Tiranë, u vra nga Shërbimi Informativ, SHIK-u, ndoshta në bashkëpunim me shërbimin e fshehtë jugosllav, UDB-në. Dyshimet u ngjallën vetëm pak orë pas vdekjes së Krasniqit, kur u mësua se punonjës të SHIK-ut kishin grabitur banesën e tij natën para vrasjes. Dyshimet u shtuan edhe nga mbërritja e katër makinave të policisë në vendin e ngjarjes menjëherë pas vrasjes. Socialistët nga ana tjetër prireshin të largonin dyshimet mbi përzierjen e SHIK-ut në këtë ngjarje, por pohonin se ndonjë shërbim i huaj mund të kishte gisht në të. Por shqiptarët e zakonshëm në atë kohë nuk kishin dijeni për rivalitetin e egër që ekzistonte midis klaneve të ndryshme të shqiptarëve të Kosovës, ndërsa qenë të bindur se ‘Fuqitë e Mëdha’ ishin pas ngjarjeve kryesore që kishin lidhje me Kosovën.

Vrasja e Ahmet Krasniqit ishte një inkurajim për gjuetinë ndaj organizatorëve kryesorë të rebelimit të armatosur. Më 24 shtator, policia arrestoi kryetarin e partisë së vogël monarkiste të Lëvizjes së Legalitetit, Ekrem Spahia, si dhe dy ish funksionarë ushtarakë, Sali Shehun, një ish-zyrtar të lartë të policisë dhe Fatos Hoxhën, ish-komandant i trupave komando të ushtrisë. Të tre akuzoheshin për organizim dhe pjesëmarrje në kryengritjen e armatosur. Spahia ishte një nga tre njerëzit që doli drejtpërdrejtë në TV shqiptar më 14 shtator për të njoftuar rënien e qeverisë, pasi ishin zaptuar zyra e kryeministrit, parlamenti si dhe radio-televizioni. Oficerët e lartë në pension ishin mbështetur në veprimet e tyre nga disa elementë në Gardën Kombëtare Shqiptare s dhe në ministritë e Rendit Publik dhe të Mbrojtjes.

Gjatë kësaj kohe pati një trysni të fortë mbi Fatos Nanon të bënte ndryshime në kabinetin e tij si një mënyrë për të forcuar përpjekjet e qeverisë për të fituar kontrollin që i takonte pas trazirave, ose të jepte dorëheqjen. Diplomatët perëndimorë i kërkonin gjithashtu Nanos të vepronte me shpejtësi për të vendosur sigurinë në veriun e vendit. Më 24 shtator Nanoja tha në një mbledhje të Komitetit Drejtues të Partisë Socialiste se nuk kishte ndërmend të jepte dorëheqjen para vitit 2001. Por përpjekjet e mbinatyrshme të Nanos për të ruajtur pushtetin politik dhe institucional do të testoheshin një ditë më pas kur parlamenti mori në shqyrtim një paketë anti-krizë, e cila përfshinte edhe problemin e ndryshimeve rrënjësore në qeveri, strukturat qeveritare dhe stilin e qeverisjes. Papritmas, Nanoja mori lehtësisht një mbështetje të plotë nga Komiteti Drejtues për të formuar një qeveri të re. Paradoksalisht, ai u duk se kishte forcuar pozitën, në një kohë që ai kishte humbur aq shumë besueshmërinë e ndërkombëtarëve për shkak të ngadalësisë së tij në luftimin e korrupsionit të shfrenuar në vend. Ekonomia kishte filluar të gjallërohej ndjeshëm, por më të shumtat e parave shkonin në xhepat e Nanos dhe të miqve të tij në strukturat partiake. Por duhet thënë se autoriteti politik i Nanos, pas zhdukjes së tij për disa ditë gjatë përpjekjes së grushtit të shtetit, ishte bjerrur së tepërmi si në radhët e Partisë Socialiste, ashtu dhe te partnerët në koalicionin qeverisës.

Dorëheqja e papritur e kryeministrit Fatos Nano, e cila u njoftua në TV më 28 shtator në mbrëmje vonë, erdhi si një befasi e plotë për të gjithë vëzhguesit. Ikja e Nanos zgjidhi nyjen që kishte paralizuar Shqipërinë gjatë dy javëve të fundit. Pavarësisht se opozita kishte kërkuar dorëheqjen e tij që kur qeveria e koalicionit e drejtuar nga socialistët filloi punën në gusht 1997, Nanoja kishte përjashtuar çdo mundësi për dorëheqje deri në mbrëmjen e vonë të 27 shtatorit. Në ditën e fundit si kryeministër, Nanoja u rrek të rikthente njëfarë besueshmërie te kabineti i tij jetëshkurtër, por nuk mund të fshihte mosmarrëveshjet ndërpartiake, që në të vërtetë ishin dobësia themelore e pushtetit të tij. I sulmuar nga të gjitha anët, Nanoja mençurisht pa se gëzonte mbështetje të paktë brenda partisë së tij.

Por largimi i Nanos kishte qenë diçka e pritshme qëkurse ai u zhduk në ditët e përpjekjes për grusht shteti të Berishës. Shpejtësia me të cilën ai dha dorëheqjen dhe dorëzoi postin, duket se ishin organizuar nga Presidenti Meidani, i cili në atë kohë ishte politikani më i respektuar në spektrin shumëngjyrësh të diskredituar të politikës. Prej kohësh Meidani ishte i pakënaqur me punën e Nanos si kryeministër, sidomos me vesin e tij të të pirit, ndaj dhe kishte menduar se si ta zëvendësonte atë. Në kulmin e trazirave të mesit të shtatorit, gjatë mungesës së Nanos, Presidenti thirri në takim Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Pandeli Majkon, për të biseduar rreth krizës dhe ku u pa se emërimi i Majkos si pasues i Nanos do të ishte i sigurt.

Qëkurse Nanoja u duk se do të ishte në epiqendrën e zemërimit të Berishës, ikja e tij ishte menduar si e nevojshme për të ulur tensionet e atmosferës politike. Pati një lehtësim të madh pas këtij hapi, i cili shpresohej se do t’i jepte fund rrugës pa krye në të cilën ishte futur vendi qysh me arrestimin e gjashtë ish-zyrtarëve të PD-së në gushtin që sapo kishte kaluar. Pasardhësi i tij riosh, Pandeli Majko (31 vjeç), përgjithësisht vështrohej si i panjollosur nga e kaluara komuniste, kështu që ishte më i pranueshëm për një popullsi të mërzitur nga klasa e vjetër e politikanëve me një mendësi të fortë komuniste. Majko, i cili si edhe Hajdari, kishte luajtur një rol të rëndësishëm në demonstratat studentore të cilat çuan në rënien e qeverisë komuniste, përfaqësonte një brez të ri të politikanëve shqiptarë te të cilët shpresohej se do të sillnin një fllad të freskët në atmosferën e amullt të politikës. Gjithsesi, Perëndimi u shqetësua nga ky ndryshim në udhëheqje në një kohë që kriza e Kosovës kishte hyrë në një fazë të rrezikshme. Qëndrimi i Majkos ndaj Kosovës nuk dihej, kurse Nanoja, të paktën teorikisht, lidhur me Kosovën kishte qenë një partner i besueshëm për bashkësinë ndërkombëtare, pasi kishte injoruar thirrjet për pavarësi të krahinës dhe kërkonte një zgjidhje paqësore të krizës.

Një nga detyrat e para të Majkos në vjeshtën e 1998-ës ishte të kërkonte shkarkimin e shefit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosit, për shkak të dyshimeve për përzierje në vrasjen e Azem Hajdarit. Por Presidenti Meidani nuk pranoi ta firmoste kërkesën e Majkos për shkarkimin e Klosit, me sa duket nga ndërhyrjet e disa shërbimeve të huaja të zbulimit që nuk ishin të interesuara për ndryshimin e kreut të Shërbimit Informativ në një kohë që tensioni në Kosovë ishte në rritje. Sipas Meidanit, vendimi për mosshkarkimin e Klosit ishte kërkuar nga një punonjës i ‘një shërbimi të fuqishëm zbulimi që ishte i shqetësuar nga zhvillimi që po merrnin ngjarjet në Kosovë’. Meidani shpjegon se ai kishte marrë dorazi një copë letër të mbyllur, ‘e cila thoshte se akuza ndaj Klosit ishte një çështje që i përfshinte edhe ata (shërbimin e huaj të zbulimit), që u mundësonte të kontrollonin zhvillimin e situatës në Kosovë. Ky shënim kërkonte prerazi të mos bëheshin ndryshime të strukturave drejtuese të Shërbimit Informativ në atë kohë. Pavarësisht se nuk ka prova të mjaftueshme, ka pak dyshime se kërkesa për Klosin është bërë nga Shërbimi i fshehtë grek.

Përzierja e Berishës, SHIK-ut, UÇK-së, FARK-ut si dhe disa ‘shërbimeve të fshehta të huaja’ në ngjarjet e turbullta të shtatorit 1998, kanë shërbyer për t’i majtur në hije autorët e vërtetë të akteve të ndryshme destabilizuese që ndodhën atëherë në Tiranë dhe në Shqipërinë veriore. Kriza në Kosovë ishte duke u shndërruar në një betejë të vërtetë, dhe ishte fjala për një çështje shumë më të madhe, sesa për t’u marrë me gjetjen e ‘së vërtetës’. James Pettifer, Miranda Vickers “Çështja Shqiptare…” faqe 254-274

Materiali u postua nga Linda

– See more at: http://www.gazetakritika.net/Forumi/index.php?itemid=105#sthash.tvGjr7na.dpuf

Vrasjen e Azemit e ka inskenuar Sali Berisha, i interesonte eliminimi i tij si rival potencial në krye të PD

926  0 googleplus2  1275

 

 

Postuar: 16/03/2013 – 11:17

Vrasja e Azem Hajdarit, nuk ishte “rastësi”. Ajo është vrasje politike, ashtu siç e ka cilësuar qysh në 12 shtator 1998, kreu u PD Sali Berisha. Madje, ky deklaroi me emër dhe vrasësit e motivet e këtij krimi, por që sot, “çuditërisht” nuk po i denoncon ata përpara drejtësisë shqiptare edhe pse ka 8 vite që gjendet në pushtet. Përkundrazi, ka shtrënguar duart me të akuzuarin për vrasjen Fatos Nano dhe tashmë është mik e ortak politik me të. Faktet e deri sotme 15 vjet pas 12 shtatorit 1998, është pikërisht Sali Berisha që ka bërë dhe po bën gjithë përpjekjet dhe prapaskenat, që kjo dosje të mos hapet më kurrë, por të mbetet e mbyllur me dënimet që janë dhënë prej drejtësisë, ndërkohë që deklaroi publikisht, se sa të vinte në pushtet, do të rihapte dosjen, duke vënë përballë drejtësisë dhe ndëshkimit autorët e vërtetë të vrasjes së Azemit. Sali Berisha nuk ka qenë dhe nuk është aspak i interesuar të zbardh këtë vrasje, mbasi sipas dëshmive dhe provave që tashmë ekzistojnë dhe zbardhen çdo ditë prej dëshmitarëve e shërbimeve speciale, por edhe sipas dosjes që mbahet e fshehtë në zyrat e SHISH dhe të prokurorisë shqiptare, kreu i PD është skenaristi i këtij krimi, i interesuar për të postuar dhe eliminuar Azem Hajdarin, liderin fuqiplotë e me mbështetje të madhe brenda rradhëve të demokratëve. Lidhur me këtë akuzë dhe me fakte të tjera që implikojnë Sali Berishën, u prononcua dje për gazetën “SOT”, Marjan Gryka, ish-truproja i Azem Hajdarit dhe aktualisht, Kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare “Azem Hajdari”.

Nëse Azemi do të ishte gjallë sot 50 vjeç, cili mendoni se do të ishte qëndrimi i tij përballë Berishës?

Unë që e kam njohur nga afër Azemin dhe që kam punuar shumë afër tij, jam i bindur se ai sot, po të ishte gjallë, do të ishte në ballë të demonstratave, kundër Berishës, pavarësisht se ky i fundit ishte shok “armësh” i tij, që nga Dhjetori historik. Pra, Azemi nuk do të pajtohej kurrë me qëndrimet aktuale anti-demokratike e anti-kombëtare të Sali Berishës. Sot e prej 8 vitesh pas ardhjes në pushtet, Sali Berisha i ka tradhëtuar idealet e demokratëve dhe të Azem Hajdarit. Desha të kujtoj Azem Hajdarin, që shteti dhe miqtë e tij të Dhjetorit e kanë lënë jo thjeshtë në harresë, por kanë përdorur dhe po përdorin të gjitha mjetet për ta denigruar dhe pse jo edhe për ta injoruar figurën e tij prej kolosi të demokracisë në Shqipëri. Berisha për t’i hedhur pluhurin e harresës, gjithë atyre gjërave, që sipas tij nuk i interesojnë më sot. Por siç shihet asgjë nuk mund të ndodhë sa të jetë Berisha në pushtet, pasi ai duket se e ka moto të tij mashtrimin, para se të marrë votën. Kryeministri i tanishëm kishte premtuar se do të bënte të pamundurën sa të vinte në pushtet për rihapjen e zbardhjen e çështjes së ish deputetit Azem Hajdari. Por nuk e bëri dhe nuk po e bën e nuk dëshiron ta bëj, mbasi hapja e dosjes “Hajdari” krijon shqetësime për Berishën. Kujtoj, që të njëjtën gjë kishte premtuar Sali Berisha dhe në vitin 1992, kur deklaroi se do të hapte gjoja hetimet për ngjarjen e 2 prillit në Shkodër, por nuk e bëri këtë akt.

Përse nuk e hap Berisha dosjen “Hajdari”?

Këtë e di më mirë zoti Berisha. Të gjithë shqiptarët kujtojnë atë ditë të 14 shtatorit, kur Berisha dhe gjithë lakejtë e tij u vunë mbas shtratit që mbante Azem Hajdarin dhe po thërriste se ‘Nano dhe Gjinushi janë ata që e kanë vrarë liderin e demokracisë’. Koha tregon se në as një moment nuk u vërtetua kjo dhe kurrë as vetë Sali Berisha nuk u ingranua në një hetim të tillë. Përkundrazi, kryeministri, ish-shefi i opozitës në atë kohe, si për “çudi” të të gjithëve nuk mori pjesë fare në procesin hetimor dhe gjyqësor për vrasjen e Azem Hajdarit, por akuzonte kryeprokurorët, herë Arben Rakipin e herë Dhori Sallakun dhe më pas “laviren e bulevardit” (kjo e thënë nga zoti Berisha), ish Silvia Konti! Sot Berisha ka në gjirin e tij pikërisht Neritan Cekën, atë që kur gëzonte postin e ish Ministrit të Brendshëm, i bëri atentat 7 here Azem Hajdarit (si në ngjarjen e Milotit, etj). Sot mbas 15 vjetësh mendoj se ka ardhur koha t’i themi gjërat troç dhe pa as më të voglin ngurrim e komplikacion. Unë paraprakisht, dua të bëj me dije të gjithë opinionin publik dhe sigurisht në mënyrë të veçantë kreun e PD, Sali Berisha se do të paraqes në kohën më të afërt 4 video filmime me fjalime, biseda dhe fakte që tregojnë prova “anti-Berishë” në lidhje me vrasjen e Azemit. Aty do të tregohet qartë fakti, se përse Sali Berisha nuk ka dashur kurrë ta zbardhë vrasjen e Azem Hajdarit, gjë e cila ndodh për shumë arsye, por arsyen e vërtetë dhe me domethënëse të këtij mbulimi e di vetëm Saliu.

Përse konkretisht, Berisha trembet nga hapja e dosjes “Hajdari”

Pa bërë komente, po rendis katër motive, se përse Sali Berisha edhe sot pas 15 vjetësh e sa të jetë gjallë nuk dëshiron dhe nuk lejon të hapet dosja “Hajdari”.
1.    Azem Hajdari ishte një pengesë e madhe në rrugën për konsolidimin e diktaturës berishiane në Shqipëri.
2.    Zbardhja e të vërtetës do të çonte në zbardhjen e implikimit të vetë udhëheqjes së atëhershme të PD në atë vrasje.
3.    Zbulimi i së vërtetës do të çonte në bankën e të akuzuarve, shumë persona, që sot po i bëjnë temena dhe po e mbështesin në qëllimet e tij anti- demokratike dhe anti- vlerash kryetarin e PD dhe kryeministrin Berisha.
4.    Vrasjen e Azemit e ka inskenuar Sali Berisha, i interesonte eliminimi i tij si rival potencial në krye të PD
5.    Ka edhe arsye politike që e “detyrojnë” Berishën ta fshijë nga memoria Azem Hajdarin.
– Cilat janë psh., arsyet politike që e bëjnë Sali Berishën, ta bllokoj këtë dosje?
– Po i përmend dhe këto arsye, që shqiptarët dhe mbarë opinion t’i dijë ato.
1.    Vetë Azemi ishte një i djathtë tipik i pazëvendësueshëm dhe nuk pajtohej me arnimet karrieriste që bënte Berisha vetëm për të marrë votën dhe nuk zbatonte asnjë premtim ndaj elektoratit. Pra, një rehabilitim i figurës së Azemit, do të nxirrte zbuluar busullën me të cilën drejtohet sot PD dhe vendi ynë në tërësi.
2.    Shembujt janë në mendjen e njerëzve të thjeshtë, pasi vetë Azemi ishte në ballë të shumë demonstrimeve anti-Berishë që atëherë, deri sa u bë njësh me grevën e urisë së minatorëve në 1996 dhe me Sindikatat e Pavarura, për të rrëzuar qeverinë e PD, kur Berisha e përjashtoi Azemin nga PD, e shkarkoi nga funksioni i Kryetarit të Komisionit të Rendit e SHIK-ut, i hoqi imunitetin si deputet. Dhe Azemi u deklarua deputet i pavarur dhe me plot sulme te egra e survejime nga i ndjeri Bashkim Gazidede, derisa arriti kulmin dhe forcat e rendit ndërhyjnë në një takim me sindikatat në Korçë, për ta arrestuar, ku situata degjeneroi deri aty sa Azemi kaloi në përleshje fizike. Urdhri ishte dhënë nga lart, pra nga ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha i cili synonte të ‘asgjësonte” politikisht Azemin.
3.    Azem Hajdari përbënte vlerë të madhe në PD, dhe sot ato që ai predikonte atëherë janë fshirë dhe janë zëvendësuar me mendësi social-fashiste, që nuk kanë asgjë të përbashkët me idealet e Dhjetorit të madh.

Cili është qëllimi Z. Berisha për këto që bën ndaj figurës së Azemit?

Mendoj se qëllimi kryesor është denigrimi dhe injorimi total i figurës së tij, duke marrë hak për atë që simbas tij, i ka bërë Azemi dikur kur ishin shokë armësh në luftën kundër diktaturës. Dikur edhe mund të kishte skeptik në radhët e së djathtës për ndonjë veprim të Azem Hajdarit, i cili e cilësonte Berishën, si njeri autoritar dhe pse jo diktator në shumë raste. Unë personalisht kam disa kaseta filmike, kur zoti Hajdari, në takimet me sindikatat, ka folur hapur për Sali Berishën, duke e quajtur karrierist, diktator, të implikuar në krime dhe i pa denjë për të çuar përpara kauzën e së djathtës së vërtetë shqiptare. Këto kaseta, nuk janë bërë publike, por siç duket ka ardhur koha që ato t’i paraqiten opinionit publik shqiptar, nëpërmjet gazetës “SOT”.

A mendoi se janë vërtetuar deklaratat e Azem Hajdarit sot në lidhje me moralin e PD?

Azemi kishte shumë të drejtë pasi sot duket se në ç’gjendje është katandisur Partia Demokratike. Thirrjet dhe çjerrjet e Berishës se Lulëzim Basha është ndër njerëzit më kryesor të Partisë Demokratike, një njeri që nuk ka dhënë asnjë dite kontribut në PD dhe nuk ka ditur kurrë se nga i bie selia e PD, sot figura kryesore e makinacioneve të mbrapshta dhe te pabesa të Berishës, tregojnë se pikërisht janë njerëz si Basha që nuk kanë asnjë lidhje me PD, që sot janë bërë të dobishëm për Berishën, por kurrsesi nuk i shërbejnë PD. Akuzat që opozita dhe populli opozitar (edhe ai i djathtë i vërtetë) i bën sot Bashës, si vjedhës dhe shpërdorues të postit, deri edhe vrasës (kam parasysh 21 Janarin), tregojnë se interesat e familjes dhe klanit “Berisha”, janë të lidhura me njerëz të tillë, që për pak kohë në politik kompromentuan gjithë vijën dhe drejtimin e PD, duke e katandisur atë, në një parti oborri dhe aspak kolegjiale e udhëheqëse për të djathtën shqiptare. Partia Demokratike e Berishës sot ka në gjirin e saj Imamër gjeneralë të ’97-ës apo Cekat, etj, të cilët kanë një histori komplotuese ndaj aspiratave të PD, por edhe ndaj udhëheqjes së saj. Kur ishte në vitin 1997 Ministër i Brendshëm Neritan Ceka, unë jam dëshmitar që ishin plot 7 atentate që u bënë ndaj Azemit. Po kujtoj këtu edhe atentatin që iu bë Azem Hajdarit në Milot. Këto akuza i ka bërë vetë të qarta Azemi kur ishte gjallë dhe ka deklaruar se në ta ka ‘dorë” dhe Sali Berisha. Karrierizmi dhe despotizmi i Berishës sot dhe pushteti i vjedhur e I mbajtur me grupe mafioze e korrupsion deri criminal, nuk i bëjnë përshtypje.

Pyetje për Berishën, nga Shoqata “Azem Hajdari”

– Pse, sot 8 vjet që je në pushtet, nuk ke marrë as nismën më elementare, që çështja “Hajdari” të ridalë në skenë, fillimisht për hetime të mëtejshme dhe më pas për një gjyq të drejtë ndaj atyre që e kanë bërë këtë krim?
– A do të vazhdosh ta ofendosh akoma më shumë emrin e Azem Hajdarit me makinacionet e tua politike, duke bashkëpunuar me ata që vetë i akuzove për vrasjen e tij?
– Zoti Berisha, kush e vrau Azem Hajdarin zoti kryeministër, ish shok i tij?
– Pse nuk pranove dhe nuk shkove në gjyqin për të zbardhur ato që dije (siç i the disa minuta mbas vrasjes?)
– A vazhdon të mendosh sot, apo i mohon deklaratat që bëre, se Fatos Nano dhe Skënder Gjinushi fshiheshin mbas dorës gjakatare, që vrau Azem Hajdarin?
– Sa do t’ju dëmtonte ose jo, juve dhe bashkëpunëtorëve të tu, zbardhja e të vërtetës për vrasjen e Azem Hajdarit? Intervistoi: Përparim Halili

– See more at: http://www.sot.com.al/dossier/vrasjen-e-azemit-e-ka-inskenuar-sali-berisha-i-interesonte-eliminimi-i-tij-si-rival#sthash.DSRJEOKX.dpuf

Demokraci Pjesemarrese

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked