BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Koloni ekonomike apo ekonomi prodhimi

Ka dy lloj ekonomish:

KOLONI IMPORTI

1. Krijohen vetëm dy shtresa. 1% super e pasur dhe skamje për pjesën tjetër.
Vendi deindustralizohet dhe humbet aftësitë prodhuese, ai kthehet në koloni ku papunësia dhe emigrimi fusin vendin në një spirale kolapsi.
E vetmja mënyrë pasurimi në vend mbetet vjedhja legale apo ilegale. Kufiri mes Politikës, Ekonomisë dhe Krimit është imagjinar. Meritokracia, Ndershmëria, Puna, Konkurrenca dhe Talenti nuk janë më të nevojshme. Vendi udhëhiqet nga energjitë më negative të tij.

2. Vendi kthehet në treg konsumator të importeve të huaja jo vetëm ato materiale por dhe ato kulturore.

3. Paraja grumbullohet në pak duar të monopolistëve të importit, ndryshe nga ekonomia e prodhimit që ndan pasurinë në territor duke zhvilluar territorin, mirëqënien e popullit, shkollat dhe institutet shkencore.

4. Rolin kryesor nuk e ka borgjezia e prodhimit, por aristokracia financiare e cila nuk është e interesuar të investojë në prodhim por spekullim (qendra tregtare, luks, resorte brenda e jashtë Shqipërisë)

5. Monopolet e importit si zëdhënëse të lobeve ndërkombëtare janë të vetmet që kanë likujditet për të kontrolluar oligarkinë politike-mediatike si dhe klerin intelektual me projekte e ojf gjumndjellëse.

6. Sektorët strategjikë (bankat, nafta, minierat, porte, aeroporte, siguracione e telekomunikacionet) kalojnë në duart e të huajve që duan fitime spekullative e jo zhvillim harmonik të vendit

7. Paraja përqendrohet në pak duar duke penalizuar kontaktet mes operatorëve ekonomikë. Duke qenë i rrallë, vlera e lekut ngrihet artificialisht duke lehtësuar importet e goditur eksportet dhe prodhimin e brendshëm.

8. Pa investime kërkesa për punë bie duke ulur dhe rrogat. Por ulja e rrogave do të thotë dhe ulje e fuqisë blerëse dhe kërkesës agregate. Si pasojë prodhuesit shqiptar nuk gjejnë treg. Prodhimet e tyre flaken ose zëvendësohen me importe skadente e kancerogjene. Sa më shumë bie prodhimi vendas, aq më shumë biznesi detyrohet të pushojë punëtorët, sa më shumë shtohet papunësia aq më shumë ulen rrogat e bashkë me to konsumi e aq më shumë bie konsumi aq më shumë firmat mbyllen në një spirale pa fund. Të vetmit që kanë cash janë monopolet e importit, oligarkia politike dhe krimi. Por me kaq fuqi të kapitalit mbi punën, 1% i stërpasur ble jetën e njerëzve, duke skllavëruar e prostitutuar brezat e rinj.

9. Pa ekonomi prodhimi as shteti nuk mbledh dot të ardhura të mjaftueshme. Duke qenë i kontrolluar nga monopolet ai lejon evazionin e madh por godet biznesin e vogël, shtresën e varfër, duke ulur akoma më shumë prodhimin dhe konsumin e brendshëm. Padrejtësia sociale shtohet dhe më shumë sepse shteti privatizon çdo shërbim e pasuri publike për llogari të klientëve të kastës. Kostoja e jetës shtrenjtohet e njerëzit i drejtohen listave të ushqimit ose kredive konsumatore. Bankat japin “bujarisht” vetëm kredi konsumatori por jo investime prodhimi.
Kështu cikli i kolonisë së importit përforcohet duke robëruar popullin shqiptar. Por i robëruar është dhe shteti duke qenë i detyruar të marrë borxhe publike, duhet të rrisë taksat dhe reduktuar shërbimet/investimet, për të sigurar pagesën e interesave të borxhit ndaj “miqve” kreditorë ndërkombëtarë. Me pak fjalë 99% e popullit punon për të larë interesat e borxhit publik dhe privat edhe pse depozitat janë mbushur me miliarda euro të kursimeve shqiptare.

10. Ky model nuk siguron mirëqënie të përgjithshme por privilegje të 1% kundër 99% të popullit.
Për këtë arsye kasta duhet të neutralizojë çdo lloj rezistence këtij 99%shi përbërë prej të mjerëve, punëtorëve, biznesit të vogël, studentëve, pensionistëve etj.
Po si?
Më kryesorja është mbjellja e një kulture vetëfajësimi, ku përgjegjës dalin vetë të mjerët, sepse injorantë, dembelë, pijanecë, hajdutë, anarkikë etj. Të bindur se janë vetë fajtorë qytetarët kërkojnë një dorë të fortë që ti edukojë.

Nëse propaganda ka funksionuar, faza e dytë, ajo e mbajtjes popullit larg qarkut vendimmarrës dhe kontrollit politik është më e thjeshtë. Nuk është më populli që kontrollon pushtetin (demokracia) por pushteti që kontrollon popullin (diktatura).
Istituti i votës boshatiset (si në komunizëm) dhe bëhet dekorativ. Kasta nuk lejon formimin e partive autentike patriotike sepse kontrollon financën, median, ojf, krimin, kqz dhe istitute të tjera.
Oligarkia politike në simbiozë me monopolet ekonomike, përqendron pushtetin gjithmonë e në më pak duar. Kështu demokracia, parlamentarizmi, ndarja e pushteteve, të drejtat e njeriut, sindikatat e shoqëria civile mbeten thjesht dekorative për të bërë të pranueshëm sistemin.

*****

Ekonomi Prodhimi

1. Krijohet shtresa e mesme e cila garanton funksionimin e demokracisë dhe shtetit. Ka stabilitet sepse shtresa e varfër dhe e pasur është e paktë e nuk bashkohen dot për destabilizim të rendit kushtetues.

2. Ekonomia bazohet mbi punën dhe pasuria krijohet e shpërndahet më shumë e më mirë. Rritja e GDP lejon ngritjen e rrogave, shtetit social dhe modernizimin e infrastrukturës.

3. Paraja qarkullon më shpejt sepse normat e interesit të kapitalit bien dhe elitat financiare humbasin rolin që kanë sot. Shteti, tregu, media çlirohen dhe kontrollohen demokratikisht nga Qytetarët duke i shërbyer interesit të përgjithshëm.

4. Një ekonomi prodhimi zhvillon territorrin dhe kohezionin social. Konfliktet zbuten dhe partitë nuk ndërsejnë dot të mjerët kundër njëri-tjetrit.

5. Krijohet një rrjet i gjerë operatorësh ekonomikë bazuar mbi konkurrencën e jo privilegjet. Talenti, meritokracia, drejtësia zhbllokojnë energji titanike të kombit.

6. Partitë humbasin rëndësinë sepse Qytetarët me mirëqenie nuk duan të delegojnë pushtet por të vendosin vetë. Referendumet dhe institutet e demokracisë direkte i japin fund oligarkive politike ekonomike mediatike. Në vend rikthehet llogaridhënia dhe Drejtësia.

7. Rolin kryesor e merr borgjezia e prodhimit e jo aristokracia financiare dhe lobet e importit.

8. Sektorët strategjikë (bankat, nafta, portet, aeroportet, telekomunikacioni, siguracionet, kompanitë ajrore etj) kthehen në duart e shqiptarëve.

9. Dalja nga kolonizimi ekonomik na çliron dhe nga pengmarrja e klasës politike nga lobet e huaja. Konfigurojmë interesin kombëtar duke marrë rolin e duhur në rajon dhe Europë.

10. Ndalon hemorragjia kombëtare duke ndryshuar drejtimin e emigrimit në imigrim të mijëra shqiptarëve dhe energjive më të mira.

*****

Përgatitur nga Dr. Ledian Droboniku

 

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked