BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

KORRUPSIONI SHTETËROR LARGON INVESTITORËT DHE VENDET E PUNËS!

 

FB_IMG_1448567251846

SKANDAL! VARFËRIA E PROGRAMUAR SI METODË SUNDIMI. INVESTITORËT TËRHIQEN NGA RINGRITJA E KOMBINATIT TEKSTIL  TË BERATIT DHE QYTETE TË TJERA DUKE DJEGUR MIJËRA VENDE PUNE

 

Kompani të mëdha si Weibo Group, Terna, Geox, Johnson Control, Lear Corporation, Benetton, Ferrero Rocher, Power China, China State Construction Enginering etj., etj., kanë tentuar të zgjerojnë linjat e tyre të prodhimit në Shqipëri në këto pesë vitet e fundit, por klima e pafavorshme e investimeve, taksat e larta, apo dhe mungesa e burimeve njerëzore të kualifikuara i ka detyruar të zgjerohen në rajon. Si dështoi projekti i gjigantit turko-kinez për rivënien në punë të kombinatit të tekstilit në Berat me 600 milionë euro në investim, i cili tani është zhvilluar në Maqedoni e po kërkon të zgjerohet në Serbi. Kinezët e Exim Bank e fusin Shqipërinë në listën e zezë për investimet.

Kombinati i tekstileve në Berat do të ishte ringritur prej dy vjetësh, do të kishte punësuar 6500 punonjës, me së paku 600 milionë euro investim, sikur qeveria shqiptare të ishte treguar e përgjegjshme për të jetësuar projektin e gjigantit turko-kinez të prodhimit të veshjeve në botë, Weibo Group.

Kompania që prodhon veshje kualitative për markat e njohura Massimo Dutti, Cortefiel, Barutti, Roy Robson, Brax, Hirmer, Peek & Cloppenburg, Saks 5th Avenue, Dockers dhe shumë marka të njohura në Turqi, me fabrika në Kinë dhe Kamboxhia, rishikoi planet e diversifikimit për hapjen e një linje të re prodhimi në Europë për Europën.

Weibo e pati të pamundur të hapte fabrikën në Turqi, për shkak se vendi i ka plotësuar kuotat e eksportit të tekstilit “Made in Turkey” në Europë. Pas Turqisë, ndër vendet e tjera europiane u pa destinacion tërheqës Shqipëria. Në Stamboll, komuniteti i shqiptar është më i madhi, lidhjet e kompanisë me Shqipërinë ishin të mëdha, ndaj planet e para për zgjerim në Europë ishin fillimisht për Shqipërinë. Ndërmjet viteve 2013 dhe 2014, përfaqësuesit e Weibo Group survejuan për më shumë se tetë muaj tregun shqiptar.

Kompanitë e konsulencës i rekomanduan riaktivizimin e kombinatit të tekstileve në Berat. Në këtë zonë, industria e tekstilit ka një traditë gati 50-vjeçare të trashëguar nga regjimi komunist. Berati është ndër të paktat qytete në Shqipëri që ka një forcë të kualifikuar punëtore që përdorin që nga tornot deri te qepja. Për më tepër, në Berat ka vijuar tradita, pasi shumë fabrika të tjera të prodhimit të veshjeve dhe këpucëve kanë aktivitet në këtë qytet, duke ndikuar në krijimin e fuqisë së re punëtore me përvojë. Për rrjedhojë, Berati mund të përmbushte kërkesat e Weibo Group me “know how” si dhe me godina. Me vënien në punë, Weibo synonte të realizonte rreth 800 milionë euro eksporte në vit. Por projekti ka dështuar me “sukses” si shumë projekte të tjera të mëdha dhe serioze që i janë ofruar Shqipërisë.

Ky ishte rasti që Shqipëria të vendoste një standard të ri në industrinë fasone, duke realizuar ciklin e mbyllur të prodhimit dhe duke i dhënë shans real zhvillimit të klasterit në këtë industri. Arsyet e dështimit janë disa, por ekspertët që kanë konsultuar kompaninë, pohojnë se kryesorja ishte projekti jofizibël.

Barra e taksave dhe të gjitha kostot e tjera ishin më të larta se sa kostot me gjithë transportin nga Maqedonia në Durrës. Sot gjiganti turko-kinez ka hapur fabrikën në Maqedoni. Për shumë muaj, është impenjuar personalisht Kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevksi, i cili i ka pritur investitorët dhe për më tepër, ka përshpejtuar në mënyrë të jashtëzakonshme investimin në Maqedoni.

Kryetari i Bordit të Weibo Group, Selcuk Alperen, e njoftoi personalisht përzgjedhjen e Maqedonisë për projektet e reja. Alperen, në një deklaratë zyrtare, ka pohuar se kompania ka ndërtuar zonën e integruar industriale në Kriva Palanka, një zonë e lirë tregtare në Maqedoni. Investimi fillestar ishte 400 milionë euro me 500 të punësuar, me projekt për zgjerim të mëtejshëm në varësi të ecurisë së prodhimit. Kompania, 50% të prodhimit në Maqedoni i ka porosi për Hugo Boss, ndërsa pjesën tjetër për emra të mëdhenj të brandeve europiane të veshjeve. Prodhimi i Weibo është i lidhur vertikalisht që nga fillimi në fund. Kompania kujdeset vetë për prodhimin e pambukut dhe kryen të gjitha proceset. Por duket se Maqedonia (Kriva Palanka) nuk e ka përmbushur tërësisht kërkesën për fuqinë punëtore, ndaj Weibo është duke kërkuar për transferim të një pjese të aktivitetit edhe në Serbi.

Edhe pse Maqedonia nuk e ka në prioritetet e saj të zhvillojë industrinë e fasonit, kompanitë e huaja që kanë interesa të transferojnë prodhimin në Ballkan, e shohin atë mjaft atraktive. Taksat e ulëta, funksionimi i zonave të lira tregtare (pa taksa në shtatë vitet e para) dhe subvencioni monetar i çdo vendi të hapur pune e ka bërë vendin fqinjë konkurrues të denjë për fason industrial dhe atë tekstil.

Shqipëria, jo vetëm që ka humbur konkurrueshmërinë në aspektin fiskal, në të drejtat e pronësisë, por mbi të gjitha i mungojnë prioritetet e zhvillimit dhe vullneti i mirë për të sjellë investitorë seriozë, thanë ekspertët që më parë kishin këshilluar Weibo-n për Shqipërinë. Por ata shpjeguan se Weibo nuk është shansi i vetëm i humbur. Janë me dhjetëra raste të dështuara vetëm nga Turqia.

Një nga grupet më të mëdha turistike në Europë me resorte që nga Antalya, Belekeu, Londra dhe Nisa i është ofruar Shqipërisë për një investim 600 milionë euro për zhvillimin e një resorti turistik. Eksperti tha se nuk ishte në interesin e kompanisë të investonte në një zonë joshëse dhe të bukur siç është Jugu i vendit. Turqit ishin të vendosur të investonin në secilën copë toke që do të dëshironte qeveria shqiptare. Resorti do të ishte i nivelit luksoz me pesë yje dhe me kapacitet akomodues mbi 5000-6000 persona. Do të punësoheshin të paktën 900 persona dhe kompania kishte në plane të zhvillonte edhe pjesën e edukimit për shërbimin e turizmit njësoj siç bën edhe në Turqi.

Pas disa takimesh me autoritetet shqiptare, kompania ka hequr dorë. Duke mbajtur konfidencial emrin e kompanisë turke, eksperti tha se tani, projekti që ishte planifikuar për Shqipërinë, po jetësohet në Rumani. Një vend i Bashkimit Europian, Rumania i ka thjeshtuar shumë procedurat për investitorët e huaj. Mjafton të kesh interes të investosh atje dhe qeveria të rimburson që nga biletat e avionit, shpenzimet e hotelit të çdo investitori që shfaq interes.

Një tjetër kompani tuke, Limak, ka shfaqur interes të investonte në sektorin e turizmit në Shqipëri, duke sjellë specialistë të saj për të studiaur fisibilitetin e investimit. Kompania më pas u tërhoq, pasi grupi u përfshi në investimin në Aeroportin e Stambollit.

Por teksa vendet e Ballkanit janë vënë në garë të ethshme në lehtësimin procedurave dhe taksave për investitorët e huaj, Shqipëria ka bërë hapa mbrapa. Aktualisht, vendi ynë ka barrën e taksave më të larta në rajon dhe klimën më të rëndë për të biznes (Doing Business, 2016 World Bank).

Si pasojë e kësaj situate, qeveria shqiptare në tre vitet e fundit nuk ka sjellë asnjë investitor të huaj të njohur në vend, teksa nga ana tjetër ka pohuar se do të orientojë modelin e zhvillimit të ekonomisë nga konsumi te prodhimi.

Kinezët e Exim Bank fusin Shqipërinë në listën e zezë

Kompanitë kineze kanë qenë gjithmonë aktive dhe këmbëngulëse për të investuar në Shqipëri, por së fundmi, interesi i tyre ka kulmuar me HEC-in e Skavicës dhe Rrugën e Arbrit. Qeveria shqiptare ka qenë në negociata të gjata me Bankën Exim (banka që përfaqëson politikat e shtetit në investimet jashtë Kinës) për ndërtimin e Rrugës së Arbrit.

Geri Selenica, drejtor i Qendrës Shqiptare për Studime Strategjike, tha se “pas vlerësimeve të analistëve të Exim Bank rezultoi që projekti i Rrugës së Arbrit ishte një projekt i keq, madje edhe korruptiv. Pikërisht nga ky projekt dhe nga mosvlerësimi i propozimeve serioze, kjo Bankë e ka vendosur Shqipërinë në listën e zezë dhe për një periudhë katërvjeçare nuk do të vlerësojnë asnjë projekt financimi për Shqipërinë”.

Ky vendim iu komunikua para dy javësh edhe një kompanie kineze që kishte aplikuar për kredi për financimin e autostradës Adriatiko–Joniane, tha Selenica.

Ai tha se këto vitet e fundit, korporata të mëdha kineze kanë pasur interes të investojnë vetëm në sektorin energjetik, kryesisht në hidroenergji dhe më pak në nxjerrjen e naftës dhe gazit, por asnjë projekt nuk është finalizuar deri më tani.

Power China ka ofruar në tetor 2014 financimin, projektimin dhe ndërtimin për llogari të KESH të HEC Skavica (e madhe) 485 metër. Investimi kapte vlerën e 1 miliard eurove nga të cilat 600 milionë për ndërtimin e digës dhe mbi 500 milionë euro për shpronësimet dhe rehabilitimin mjedisor dhe ekonomik të zonës së përmbytur.

Mënyra e financimit të Skavicës ishte një kredi e butë për KESH-in mbi 1 miliard euro, e cila do të mund të shlyhej me 15 këste për 15 vjet pas përfundimit të veprës. Ndërkohë sipas llogaritjeve të kinezëve, Skavica me 485 metër do të shlyente investimin për 12 vjet, pasi do të kishte kapacitet prodhimi prej 2 milionë GW në vit me vlerë 100 milionë euro dhe shumë strategjik për ekonominë shqiptare. Qeveria nuk iu ktheu kurrë përgjigje kinezëve. Në sektorin e hidrokarbureve kanë shprehur interes CEFC (China Energy Fund) dhe CNPC (China National Petroleum Corp). Kompania kineze që nënshkroi me Bankers Petroleum marrëveshjen e interesit për blerjen e aksioneve me dyfishin e vlerës së bursës është e listuar në bursë. Shumë analistë burse hedhin dyshime mbi qëllimin e vërtetë të kësaj kontrate, pohoi konsulenti i investitorëve kinezë në Shqipëri.

Ai tregoi se në sektorin e ndërtimit të rrugëve ka pasur interes nga disa firma kineze si: Sinohydro, China Pacific Construction dhe CRBC. Sinohydro po ndërton dy autostrada në Maqedoni, ndërsa CRBC një autostradë në Malin e Zi dhe do të ndërtojë hekurudhën e shpejtë Rijeka-Zagrep-Bozovo (Hungari).

Asnjë firmë kineze nuk ka pasur sukses për rrugët në Shqipëri, pasi nuk ka asnjë projekt serioz rrugësh dhe Shqipëria nuk ka mundësi financimi për të tilla projekte, tha eksperti.

Vënia e Shqipërisë në listën e zezë nga Exim Bank e bllokon automatikisht çdo interes nga firmat kineze për ndërtim rrugësh dhe autostradash, lajmëroi Selenica.

Lënë Shqipërinë për Serbinë

Më herët, “Monitor” ka evidentuar me dhjetëra kompani europiane dhe ndërkontinentale që janë ofruar për të investuar në Shqipëri, por klima që ofron vendi ynë nuk i ka orientuar projektet drejt fizibilitetit, ndaj dhe kompanitë janë zgjeruar në rajon.

Kur kompania e njohur italiane e prodhimit të këpucëve, Geox, në 2013, vendosi të zhvendoste linjën e prodhimit nga Maroku në Ballkan, Shqipëria ishte në fokus, për shkak të pozitës gjeografike dhe kostos së lirë të krahut të punës.

Tre vjet më parë, ata studiuan tregun shqiptar, tregon znj. Donika Mici, drejtuese e fabrikës së prodhimit të këpucëve Donniana, të tërhequr nga forca e lirë e fuqisë punëtore dhe kualifikimi i saj, por një ofertë joshëse nga Serbia, i ka ndryshuar të gjitha planet. Në këmbim të punësimit të 1250 punonjësve, qeveria e Serbisë e ka subvencionuar Geox me 11,2 milionë euro (9 mijë euro për një vend pune, sipas mediave të huaja), duke mbuluar gati gjysmën e vlerës së investimit prej 23 milionë eurosh.

Serbia ka qenë vitet e fundit shumë konkurrente në tërheqjen e investimeve të huaja, sidomos nga Italia. Benetton, Ferrero Rocher, Geox janë disa raste, ku investitorët italianë, pasi kanë studiuar të dyja tregjet, kanë zgjedhur Serbinë për të investuar.

Aktualisht, Serbia është më agresivja në rajon për lehtësirat ndaj investitorëve. Dy janë pikat më të forta. Përjashtimi nga tatimfitimi për tre vitet e para të aktivitetit dhe subvencionimi me 1500 euro për çdo punonjës të punësuar. Gjithashtu, toka për investimin ofrohet falas. Serbia ofron edhe një avantazh tjetër, pasi ka shumë marrëveshje dypalëshe për tregti pa dogana, sidomos me ish-republikat sovjetike, duke i nxitur disa subjekte, që synojnë tregjet e ish-Bashkimit Sovjetik të hapin biznese në Serbi, me synim shmangien e taksave të dyfishta, që duhet të paguajnë në Shqipëri

Industria e mbështetjes së automjeteve shkon në Maqedoni

Të paktën tre kompani të mëdha të prodhimit të aksesorëve për industrinë e makinave, CapCon, Johnson Control dhe Lear kanë studiuar tre vitet e fundit tregun shqiptar për të hapur linjat e tyre të prodhimit, në kërkim të kostove më të lira të fuqisë punëtore. Por, siç kanë pohuar burimet pranë kompanive, në mesin e disa arsyeve ata kanë zgjedhur të mos investojnë në Shqipëri, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar. Tani të tre kompanitë në fjalë kanë hapur aktivitetet në Maqedoni, duke punësuar mijëra persona. Johnson Control njoftoi për hapjen e një fabrike të dytë, pas suksesit të asaj në Stip, ndërsa ishte në vitin 2014 sipërmarrja më e madhe në atë vend nga qarkullimi vjetor.

Kompania tjetër amerikane e prodhimit të airbegave për makinat, CapCon, pasi dështoi në Shqipëri për të gjetur krahun e kualifikuar të punës, zgjodhi Maqedoninë. Prej 2015-s kompania ka investuar 18 milionë euro dhe ka hapur 400 vende të reja pune atje.

Grupet e interesit në Shqipëri shpjeguan për Monitor se, amerikanët fillimisht kanë shfaqur interes për tregun shqiptar nisur nga aksesi më i shpejtë dhe kosto më e ulët e transportit për në Europë. Por përpjekjet e saj kanë dështuar pasi nuk kanë mundur të gjejnë fuqinë punëtore të kualifikuar për nevojat e prodhimit që ato kishin.

E ndërsa rajoni po thith gjithnjë e më shumë industri me vlerë të lartë për ekonominë, Andronaq Londo, dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, pohon se Shqipëria e ka humbur konkurrueshmërinë në burimet njerëzore, që duhen për të përballuar kërkesat e gjigantëve botërorë të industrisë. Londo, për këtë situatë, radhiti një sërë shkaqesh që na dizavantazhojnë në raport me rajonin.

E para është humbja e traditës. Shqipëria, para viteve 1990, për shkak të izolimit të tejskajshëm, e zhvilloi ciklin e mbyllur për të gjitha linjat e ekonomisë, ndryshe nga fqinjët. Pas viteve ’90, ekonomia, nga prodhimi dhe cikli i mbyllur, kaloi tek konsumi dhe sistemi arsimor orientoi më të mirët, drejt shkencave sociale.

Londo pohoi se aktualisht, sistemi arsimor i lartë, konkretisht inxhinieria mekanike, i ka mundësitë e kufizuara për shkak të mungesës së theksuar të infrastrukturës dhe laboratorëve. Një inxhinier i mirë nuk mund të mjaftohet vetëm në aspektin teorik, tha Dekani. Ai pohoi se universiteti përpiqet t’u shkojë pas prioriteteve të qeverisë. Në këtë periudhë është parë se, ekonomia po orientohet drejt prodhimit dhe zgjerimit të tregut të energjisë, ndaj edhe studentët janë këshilluar të diplomohen në degë të inxhinierisë elektrike. Londo tha se qeveria duhet të ketë një prioritet të qartë dhe shumëvjeçar në mënyrë që edhe sistemi arsimor universitar t’u përgjigjet nevojave reale të tregut. Por profesori pohon se, është shumë e rëndësishme që qeveria të orientojë arsimin e mesëm profesional, si hallka kryesore për të formuar krahun e kualifikuar të punës për të cilin ekonomia në këto momente ka shumë nevojë.

Dështojnë me Shqipërinë, italianët ndërtojnë interkoneksionin e energjisë nga Mali i Zi

Kompania shtetërore italiane e transmetimit të energjisë, TERNA, është duke avancuar në ndërtimin e një linje kabllore nënujore për transmetimin e energjisë elektrike me Malin e Zi, e parashikuar për të nisur nga transmetimi i energjisë në vitin 2017. Me ndërtimin e saj, Shqipëria humbi përfundimisht mundësinë për të tranzituar në periudhë afatmesme energjinë nga Ballkani në Itali dhe anasjelltas, kur dihet se interesi i kompanive shtetërore italiane ka qenë shumë i madh që linja e transmetimit të energjisë me kabllo nënujore të niste nga Shqipëria, nisur nga distanca e shkurtër që mundësonte projektin me kosto më të ulët.

Në vitin 2007, qeveria shqiptare nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me administratorin e përgjithshëm të kompanisë Enel, Fluvio Conti, për zhvillimin e sistemit energjetik shqiptar.

Në themel të marrëveshjes ishte ndërtimi i një termocentrali me qymyr në rajonin e Durrësit, nga gjiganti italian i energjisë. Investimi kapte vlerën prej 1.9 miliardë dollarësh dhe në të përfshihej edhe ndërtimi i një linje të re transmetimi nënujore për energjinë drejt Italisë.

Por përpjekjet gati 6-vjeçare me Shqipërinë nuk kanë rezultuar të suksesshme ndaj fqinjët italianë e kanë finalizuar projektin e transmetimit të energjisë me Malin e Zi.

Punimet janë duke avancuar. Investimi nga TERNA kap vlerën e 760 milionë eurove, ku 100 milionë euro ishin investime në rrjetin ekzistues në Malin e Zi.

Linja e transmetimit të energjisë me kabllo nënujore do të lidhë Italinë me Ballkanin nëpërmjet në 415 kilometrave, me kapacitet 400 kilovolt nga Villanova në Kotorr, me kapacitet transmetues 1,000 megavat.

“Flluska” e shifrave të investimeve shqiptare

Shqipëria dhe Serbia paraqiten me nivelin më të lartë të Investimeve të Huaja Direkte në rajonin e Ballkanit. Nga 4.6 miliardë dollarë që arritën flukset e investimeve në 5 vendet e rajonit në fund të 2014-s, një e katërta e tyre ose më shumë se 1 miliard dollarë, u destinuan në Shqipëri sipas vlerësimeve të UNCTAD (programi i Kombeve të Bashkuara, përgjegjës për trajtimin e çështjeve të zhvillimit, sidomos të tregtisë ndërkombëtare).

Por investimet në Shqipëri, në dukje në vlerë të madhe, nuk kanë sjellë vlerë të shtuar dhe punësim. Më shumë se gjysma e tyre janë përqendruar në industrinë e nxjerrjes së naftës. Shpimi i një pusi nafte varion nga 1-2 milionë dollarë dhe në shumë raste, shuma e shpenzuar nuk justifikohet me prodhim dhe nuk gjeneron punësim.

Për të gjithë vitin 2015, investimet e huaja arritën në 871 milionë euro, duke u rritur me vetëm 7.1% në raport me 2014-n dhe duke qenë 5.7% më të ulëta në raport me 2013-n.

Tremujori i katërt ishte më negativi, teksa Bankers Petroleum, investitori më i madh në vend, pothuajse pezulloi prodhimin për shkak të konflikteve me qeverinë shqiptare dhe rënies së ndjeshme të çmimeve të naftës. Sipas burimeve nga Bankers, në 2015-n, investimet e kompanisë ishin rreth 130 milionë euro, ndërsa këtë vit, ato pritet të përgjysmohen, në rreth 65 milionë euro, teksa nuk parashikohen hapje pusesh të reja.

Sipas Bankës së Shqipërisë, “prurjet në formën e investimeve direkte gjatë kësaj periudhe kanë ardhur kryesisht nga sektori i hidrokarbureve me rreth 44%, ai i energjetikës me rreth 10%, të ndjekur nga sektori i bankar dhe ai i telekomunikacionit, që kanë tërhequr përkatësisht 10% dhe 7% të flukseve hyrëse të Investimeve të Huaja Direkte”. Por sipas burimeve të “Monitor” pranë tregut të hidrokarbureve, mësohet se shifra e lartë e investimeve të huaja është llogaritur me planin e Bankers-it dhe jo me faktin, i cili ishte shumë më i ulët se plani për shkak të uljes së çmimeve të naftës

Shqipëria humb konkurrueshmërinë

Prej dy vitesh, Shqipëria ka humbur konkurrencën rajonale në politikat fiskale, duke u renditur si vendi me barrën më të lartë tatimore. Në vlerësimin e parë nga këndvështrimi i investitorit, ky është një dizavantazh i madh. Më pas vlerësohen incentivat. Çfarë ofron Shqipëria për investitorët dhe çfarë fqinjët tanë. Vende të tilla si Serbia, Maqedonia dhe Bosnja, që nuk kanë mundësi të zhvillojnë turizmin, transportin detar dhe nuk kanë të ardhura nga emigracioni, janë shumë agresive për incentivat ndaj investitorëve, si mjeti i vetëm i gjenerimit të vlerave monetare dhe punësimit. Shqipërisë nuk i është dashur të sforcohet kaq shumë, për shkak të pozitës gjeografike më afër Italisë, perspektivës për turizëm, pasurive nëntokësore, naftës etj.

Shqipëria, së bashku me Serbinë, kanë nivelin më të lartë të taksave në rajon, në TVSH, kontributet e sigurimeve, që paguhen nga punëdhënësi dhe tatimin mbi korporatat. Jo më kot, të dy këto shtete kanë nivelin më të lartë të taksave në përqindje ndaj fitimit, përkatësisht 36.5% Shqipëria dhe 39.7% Serbia.

TVSH

Sipas një tabele të nxjerrë nga të dhënat e Bankës Botërore, Shqipëria dhe Serbia kanë nivelin më të lartë të TVSH-së, në 20%.

Në Maqedoni, niveli më i lartë i TVSH-së është 18%, ndërkohë që vendi ka dhe një TVSH të reduktuar prej 5% për produkte ushqimore, produkte mjekësore, makineri bujqësore, publikime, shitja e parë e ndërtesave dhe apartamenteve, si dhe transporti dhe akomodimi.

Mali i Zi e ka TVSH-në 19%, Bosnja 17% dhe Kosova në nivelin më të ulët prej 16%.

Taksa mbi korporatat

Ndërsa përpara vitit 2008, i gjithë rajoni u fut në një garë të ethshme se cili i ulte sa më shumë taksat dhe zbatonte taksë të sheshtë në nivelin e afër 10%, me përshkallëzimin e krizës ekonomike, rezulton se vetëm Serbia dhe Shqipëria e rritën taksën mbi korporatat në 15%. Shtetet e tjera vazhduan të ruajnë norma të ulëta të tatimit që paguajnë sipërmarrjet.

Mali i Zi ka aktualisht nivelin më të ulët të kësaj takse në rajon, në 9%, ndërsa Maqedonia, Kosova dhe Bosnja e kanë atë në 10%.

Kontributet e paguara nga punëdhënësi

Shqipëria, së bashku me Serbinë, renditen ndër vendet që kanë nivelin më të lartë të kontributeve të sigurimeve shoqërore të paguara nga punëdhënësi në 15% dhe 17.9% përkatësisht. Megjithatë, Serbia po tregohet më agresive se Shqipëria në tërheqjen e investimeve të huaja, duke i “joshur” të huajt me subvencione direkte për punonjësit.

Maqedonia e ka të gjithë barrën të transferuar te punëmarrësi, në nivelin e 27%. Kjo është një nga arsyet kryesore që Maqedonia rezulton me normën më të ulët të taksës ndaj përqindjes së fitimit të bizneseve (12.9%). Edhe Mali i Zi ndjek të njëjtën logjikë, ku kontributet e paguara nga punëdhënësi janë vetëm 5% dhe ato të punëmarrësit 24%. Edhe në Bosnjë, punëdhënësi paguan 10.5% dhe punëmarrësi 31%. Nivelin më të ulët të kontributeve e ka Kosova me 5% punëdhënësi dhe po aq punëmarrësi.

Investimet, çfarë ofron rajoni

Maqedonia agresive

Qeveria ka miratuar ligje që parashikojnë krijimin e zonave të lira brenda zonave zhvillimore teknologjike industriale.

Që nga viti 2009, Maqedonia ka mundësuar blerjen e tokës nga investitorët për t’u realizuar në kushte të favorshme, me një zbritje prej 30%. Deri më tani, më shumë se 2,500 kompani kanë përdorur mundësinë për blerjen e tokës. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë e garanton të drejtën e investitorëve të pronës.

Industria e tekstilit është dyta më e madhe në eksportet në Maqedoni. Sektori i agrobiznesit angazhon 435,500 persona, në një popullsi prej 2.1 milionë banorësh.

Kompanitë e ndërtimit maqedonase mund të ndërtojnë fabrika me standardet ndërkombëtare dhe në çmime më konkurruese në Europë. Kostoja mesatare e ndërtimit 170-210 euro për metër katror. Çmimi i shitjes së tokës ndërtimore shtetërore për objektet industriale dhe të prodhimit ndryshon në varësi të vendndodhjes, nga 5–40 m². Maqedonia ka një ambient suportiv për biznesin. Kompania regjistrohet për katër orë dhe është në vendet e para në renditjen e Bankës Botërore “Të bësh biznes 2016”.

Maqedonia është në udhëkryq të Europës Juglindore, që e bën atë një tranzit ideal për tregjet europiane. Ka të zhvilluar linjat rrugore dhe hekurudhore, të cilat të kombinuara i mundësojnë vendit qasje në çdo vend të banuar në Maqedoni në më pak se 3 orë.

Infrastruktura hekurudhore ka qenë që në 1870. Sistemi i rrjetit hekurudhor të Maqedonisë është i lidhur veri-jug me sistemet e rrjetit hekurudhor të Serbisë dhe Greqisë. Paga mesatare mujore bruto në vitin 2013 është 502 euro. Qeveria ka vendosur për të rritur sasinë e subvencioneve për tërheqjen e turistëve nga Bosnja, Serbia, Bullgaria dhe nga 25 në 35 euro për turist. Në vitet e fundit, industria e software është shfaqur si një nga sektorët më dinamikë të ekonomisë së Maqedonisë. Me një rritje prej 7.7% në vitin 2009, industria software e Maqedonisë kaloi ritmin e zhvillimit të ekonomisë së përgjithshme dhe u bë një motor për rritjen, inovacionin dhe konkurrencën. Tregu i teknologjisë së informacionit në Maqedoni ka shënuar rritje të konsiderueshme në vitin 2009 prej 7.7%, duke arritur 212 milionë USD në vitin 2014.

Shteti ofron ndihmë shtetërore për investitorët në zonat industriale deri në 500.000 euro. Maqedonia vë në dispozicion ambiente me qira afatgjatë për një periudhë deri në 99 vjet. Taksat e ulëta, normat e sheshta korporative dhe tatimi mbi të ardhurat personale në 10%; tatimi 0% mbi fitimet e pashpërndara janë avantazh. Është një vend me kosto të ulët operative. Ka vend me pozicion gjeostrategjik. Mallrat dorëzohen brenda një dite në Europën Lindore, maksimum dy ditë në Europën Qendrore dhe Perëndimore. Është e zhvilluar telefonia dhe shërbimet Wireless. Universitetet janë të gatshëm për të bashkëpunuar me investitorët e ardhshëm në përmbushjen e aftësive të kërkuara.

Vendasit flasin gjerësisht anglisht dhe gjuhët rajonale kanë përdorim të gjerë. Ka fuqi të kualifikuar punëtore (42% nën moshën 30-vjeçare) me një etikë të fortë pune, sidomos në sektorin industrial.

Shqipëria konkurron me paga të ulëta

Shqipëria ka një sektor të eksportit dinamik. Eksportet janë rritur nga 1 miliard dollarë në 2.5 miliardë këto viteve. 57% e popullsisë së Shqipërisë është nën moshën 35-vjeçare. Paga mesatare në Shqipëri është një nga më konkurrueset në rajon. Paga minimale është më e ulëta në rajon. Shqipëria ka mbi 1 milion të mirarsimuar, profesionistë shumë të motivuar që flasin anglisht, italisht dhe greqisht gjerësisht. Çdo vit, më shumë se 100.000 nxënës regjistrohen në universitet. Shqipëria ka shumë mundësi të investimeve publike-private. Ajo gjithashtu ka një gamë të mundësive në sektorët e qëndrueshëm dhe në rritje të tilla si: energjia, bujqësia, industria mekanike dhe turizmi, sipas raportit prezantues për Shqipërinë nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA).

Serbia, konkurruese me kostot e energjisë

Investitorët janë të përjashtuar 10 vjet nga tatimi mbi fitimin. Përfitojnë kompanitë që punësojnë mbi 100 persona dhe investojnë më shumë se 8.5 milionë euro.

Sipas EUROSTAT, Serbia ka koston më të ulët të energjisë elektrike, gazit, lëndëve të tjera djegëse dhe telefonisë fikse në mesin e 37 shteteve europiane. Serbia ka fuqi punëtore me kualitete të larta.

Ekzistenca e fuqisë punëtore të arsimuar dhe të aftë janë stimuj për investitorë. Marrëveshjet e tregtisë së lirë me Federatën Ruse dhe Turqinë, si dhe infrastruktura e zhvilluar dhe pozita e favorshme gjeografike janë faktorët kryesorë për investime në Serbi.

Mali i Zi, taksat më të favorshme në Europë

Që nga futja e markës gjermane në nëntor të vitit 1999 dhe më vonë euros në shkurt të vitit 2002, vendi ka pasur sukses në krijimin e një klime të favorshme biznesi dhe në tërheqjen e investitorëve të huaj me reputacion.

Vendi ka krijuar Fondin e Investimeve të Zhvillimit. Ka një ndër sistemet e taksave më konkurruese në Europë dhe vendi vazhdon të tregojë përmirësim në mjedisin e biznesit nëpërmjet reformave strukturore të kombinuara me reformat në administratën e publike, arsim dhe shëndetësi. Në përputhje me reformat strukturore, investimet e reja në infrastrukturë, sektorin e energjisë dhe turizmit, kanë çuar ekonominë përpara.

revista Monitor

Demokraci Pjesemarrese

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked