BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Manifesti dhe Programi – Levizja shqipON

MANIFESTI_shqipON

 

Programi

E jona është një Lëvizje dhe ky nuk është një Program përfundimtar!

Këto janë vetëm linjat tona të mendimit mbi të cilat do diskutojë dhe vendosë populli i rrjetit

 

Demokratizimi i një vendi ka nevojë për të gjithë. Shqipëria ka nevojë për të gjithë!

Pyetjet mund ti ngrejë gjithsecili por Përgjigjet  duhet ti jepni vetëm JU,  duke  diskutuar dhe reflektuar pse gjërat nuk funksionojnë  dhe si mund të funksionojnë!

Së bashku do dalim nga ky kurth jo rastësor, së bashku  do gjejmë forcën, kurajon dhe kompetencën për të gjetur idetë dhe zgjidhjet për këtë vend!

Përse sistemi funksionon vetëm për pushtetarët dhe të inkriminuarit dhe jo për të gjithë NE!

Këto rreshta nuk janë për ata që presin që mrekullia të ndodhë vetë!

Kjo lëvizje është për ata që besojnë dhe duan të nxjerrin Shqipërinë jashtë banalitetit ku është katandisur!Indiferentizmi  ynë ka shërbyer për të bërë komodë bandat e pushteteve dhe e ka cuar Shqipërinë 100 vite pas!

Pavarsisht se “ata” vjedhin me dorën e djathtë, me dorën e majtë ose me të dyja bashkë, për Ne janë vetëm hajdutë !

 

Ndaj themi :Zgjohuni dhe Bashkohuni me NE

Ne Guxojmë

Ne jemi shqip ON !

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Qytetari dhe Shteti

Shqiptarët besuan tek Demokracia, por ky Shtet që u instalua këto dy dekada i shëmbëllen një bande që punon vetëm për antarët e saj. Por ky nuk është faji i Demokracisë, ajo funksionon kudo përqark nesh, përveçse këtu. Qytetari shqiptar ka të drejtë të jetojë vërtet në një regjim demokratik, ku shqetësimi i vetëm i pushtetit të jetë përmirësimi i jetës së popullit të tij. Parlamenti nuk përfaqëson më qytetarët që nuk mund të zgjedhin dot kandidatët e tyre të bekuar vetëm nga Njëshi i Partisë. Kushtetuta nuk gjen zbatim, institucionet nuk janë të depersonalizuara. Partitë politike nuk i shërbejnë më demokracisë por janë kthyer në biznese fitimprurëse që shpërndajnë pronën publike si  ndere dhe privilegje për të forcuar radhët e partisë. Pushteti nuk jep llogari askund dhe askujt.

 

OFF:Të drejtës së zgjedhjes të përfaqësuesve në Kuvendin shqiptar nga Kryetari i Partisë

ON: Të drejtën e zgjedhjes së deputetëve  nga trupi elektoral me lista të hapura. Lehtësimi i procedurave ndaj listave qytetare dhe kandidatëve të pavarur nga partitë politike.

 

OFF: Harresës së shqiptarëve jashtë Shqipërisë si  pjesë vitale e saj

ON: Të drejtën e votës për emigrantët, krijimin e një nëndhome në Parlamentin shqiptar me përfaqësues nga diaspora shqiptare, krijimin e një Ministrie për Diasporën dhe emigrantët shqiptarë, hapja e seksioneve të Radio Televizionit shqiptar në vendet me prezencën më të madhe të shqiptarëve.  Zhdukja e dinosaurëve të tokës dhe ajrit &  Lejimi i një kompanie ajrore low cost (si ryan air)  do shtonte kontaktet me vendin amë të miliona shqiptarëve jashtë Shqipërisë. Fluski i pasagjerëve edhe sot e lejon këtë.

 

OFF: Ngrirjes-shkrirjes së  vullnetit të popullit vetëm  një herë në 4 vjet

ON: Zbatimit  konkret të formave të demokracisë direkte (referendume, nisma ligjvënëse, peticione) qoftë në nivel kombëtar ashtu dhe atë rajonal (sipas modelit zviceran ku Shqipëria është akoma më e vogël se Zvicra)

 

OFF: Përjetësimit të pushtetarëve dhe ofiqarëve në postet publike

ON: Kufizimin e mandateve të deputetëve e posteve të tjera publike  në dy.

 

OFF: Mandatit të bardhë e pa përgjegjësi te deputetëve

ON: Krijimin e mandatit “urdhërues”  ose modelit “recall” amerikan në mënyrë që fushatat elektorale mos të shndrohen në sfilata mashtrimesh. Në këtë mënyrë do i rikthehemi idesë së mandatit origjinal, kur qytetari jo vetëm të zgjedh por dhe mund të kërkojë shkarkimin e të zgedhurve të tij kur besimi i tij tradhëtohet. (Ky është realitet në shumë vende të Botës, kujtojmë se ekziston psh  në në 38 shtete  të SHBA-së, dhe mund të aplikohet shumë lehtë në një vend të vogël si Shqipëria)

 

OFF: Financimit të errët të partive politike

ON: Transparencës  reale te financimit të partive politike në Shqipëri. Krijimin e një kuote maksimale të dhurimit. Rishikimin e veprës penale për financime të errëta për personat e financës së Partive. Mos lejimin  e bizneseve që janë në borxhe të mund të japin dhurata partive duke shpresuar rikompensimin me ardhjen e tyre në pushtet.

 

OFF: Çmilitarizimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga partitë

ON: Krijimit të një Komisioni me funksionarë që ti shërbejnë Republikës dhe jo partive. Zgjdhjes së tyre me short nga me antarë që vijnë nga bota akademike që disponojnë kompetencat profesionale për sigurimin e një procesi zgjedhor me standarde evropiane.

Votim elektronik garantuar nga gjithë subjektet elektorale dhe nga shoqëria civile apo faktorët ndërkombëtarë.

 

OFF: Kandidimit të personave të gjykuar penalisht apo atyre që nuk bëjnë përpara deklarimin e plotë të pasurisë dhe mënyrës së fitimit të saj.

ON: Kandidimit të personave me integritet dhe të pagjykuar nga Drejtësia. Deklarimi on line direkt (pa nevojën e një kërkese paraprake si është tani)  i pasurisë, cv-së,  paraprakisht dhe më pas të gjithë funksionarëve të Republikës.

 

OFF: Pazareve me postet e administratës publike

ON: Krijimin e një adminstrate serioze vetëm npj konkursit publik, ashtu si e parashikon Kushtetuta, si mjeti i vetëm për të zgjedhur ata që e meritojnë të formojnë administratën publike në shërbim të qytetarit shqiptar. Zgjedhja nga elektorati dhe të një Instituti Qendror, përgjegjës për rekrutimin dhe karrierën e nënpunësit publik. Krijimin e përgjegjësisë civile (përveç penale dhe administrative) të këtyre personave që rezultojnë se kanë hequr njerëzit pa të drejtë nga puna. Këta do dëmshpërblejnë me rrogat e tyre të gjitha dëmet shkaktuara nga veprimet e tyre antiligjore deklaruar nga Gjykata.

 

OFF: Pasurimit nëpërmjet shfrytëzimit të postit publik

ON: Trasparencës dhe hetimit te plotë të pasurive të çdo personi (dhe të afërmeve të tij) që ka ushtruar dhe ushtron pushtet të çfarëdo natyre mbi të mirën publike. Kthimin e pasurive të vjedhura shtetit shqiptar. Ndihmë me Europolin dhe Marrëveshje me vendet e parajsave fiskale për të sekuestruar pasuritë e vjedhura kudo janë fshehur.

 

OFF: Harresës dhe mosndëshkueshmërisë të tragjedive mbi këtë popull

ON: Transparencë dhe mbi dosjet e pluhurosura të komunizmit, dhe dosje të tjera që pushteti ka gatitur këto dekada, për të kuptuar dhe  shmangur në të ardhmen tragjedi të tilla kombëtare. Shumë prej këtyre nuk parashkruhen dhe ekzistojnë mjetet procedurale për ti rihapur e për të nxjerrë jashtë qelbin që mban të infektuar trupin e Shqipërisë.

 

OFF: Kancerizimit të planetit të Drejtësisë

On: Krijimin e jurive qytetare në gjykatat shqiptare si vaksinë kundër hermetizimit të Drejtësisë në vetvete.

Krijimin e përgjegjësisë civile për çdo nënpunës publik, përfshirë magjistratët shqiptarë.

Zgjedhjen e gjyqtarëve dhe Prokurorit të Përgjithshëm nga populli sipas shembullit të eksperiencës amerikane. Pavarsi efektive të prokurorit të çështjes dhe jo eprorit të tij.

Detyrim direkt për prokurorin e vendit ku ndodh ngjarja kriminale të nisë procedimin dhe përgjegjësi penale dhe administrative ndaj çdo inercie të tij. Prokurori kërkon informacionin mbi krimin dhe jo e kundërta. Fragmentimizimin dhe krijimin e gjykatave të veçanta për fusha të veçanta, si tribunali elektoral, tribunali për korrupsionin, tribunal  vetëm për të drejtën e pronës,  tribunali për gjobat, tribunal i llogarive, vazhdimi i gjykatës së krimeve të rënda, etj. Vetëm në këtë mënyrë do pengojmë krijimin e një korporate magjistratësh dhe matjen e efiçencës për çdo tribunal duke rritur konkurrencën për punë sa më të mirë.

Ridimensionimi i KLD-së si organ vetëqeverisës, dhe futjen e instrumentit të impeachment për çdo magjistrat. Iluzioni se gjyqtarët do dënojnë njëri tjetrin është vetëm një kimera. Publikimi on-line i çdo vlerësimi të magjistratëve dhe të kritereve të përdorura.

Rasti i Gjeorgjisë  është për tu përshendetur se si në pak muaj reformuan tërësisht sistemin e Drejtësisë. Konkurs të hapur, on streaming të për të gjihtë juristët të zgjidhen magjistratë dhe jo vetëm ata të shkollës së magjistraturës. Tani ka një paradoks ku studentët e shkollës bëhën magjistratë dhe pedaogët e tyre, apo juristë të tjerë me vlera jo. Ne besojmë vetëm tek Konkursi Publik i hapur për të gjithë! Futja e menjëhershme e 400 magjistratëve të rinj  do shkundte sistemin e tanishëm kleptokratik, duke vazhduar më pas me vlerësime profesionale dalëngadalë brenda sistemit.

 

 

 

INFORMIMI

E drejta e informimit është  e drejtë themelore.  Demokracia ka si premisë të sajën një qytetar të mirinformuar sepse ajo është një pushtet që legjitimohet nga populli. Një qytetar që nuk është i informuar, nuk kupton dhe nëse nuk kupton nuk mund të votojë në mënyrë racionale. Individë të tillë janë ëndërr për çdo pushtet, sepse nuk i duhet të japë llogari por të ofrojë spektakël;  të shpikë probleme që nuk janë probleme; reforma që nuk janë reforma;  jo të zgjidhë por  të nxisë  konflikte mes grupeve sociale në mënyrë që mos të farkëtohet dot një ndërgjegje kolektive, e aftë për të tronditur status quo-n e trishtueshme.

 

OFF: Një televizioni publik në shërbim të partive dhe në hije të atyre private që nuk duan ringritjen e tij.

ON:  Kthimi i Televizionit publik shqiptar vetë shqiptarëve, duke zgjedhur antarët e bordit në mënyrë periodike direkt nga populli mes kandidaturave me profil të lartë. Trasparenca dhe niveli i programacionit do jenë të vetme kriteret të  vlerësimit për drejtuesit e tij.  Kthimin e ambinteve publike televizionit shqiptar dhe institucioneve publike të artit e Kulturës.

 

OFF: Errësirës së financimit të Mediave

ON: Trasparencë  e plotë dhe periodike  on-line nga një organ i posaçëm llogaridhënës për çdo financim të medias.

 

OFF: Monopoleve të tregut të reklamave

ON:  Krijimi të një  tavani prej 10% të mbledhjes së tregut të reklamave për çdo subjekt ekonomik privat. E drejta e informimit është për qytetarët dhe Shteti  duhet të lejojë pluralizëm zërash pa krijuar monopole në këtë drejtim.

 

OFF: Errësirës së auditelit

ON: Krijimit dhe administrimit nga një organ i veçantë i auditelit në Shqipëri si në çdo vend tjetër evropian.

 

OFF: Përqendrimit të pushtetit mediatik në duart e disa aktorëve.

ON: Mos lejimin të asnjë medie kombëtare të shkruar apo vizive në duart e një njeriu të vetëm, por e shpërndarë me aksione jo më shumë se 10%.  Dixhitalizimin standard (me anë të çfarëdo lloj  dekoderi)  të televizioneve pa krijuar monopole në treg.

 

OFF: Kaosit të shërbimit internetit

ON: Strategjit kombëtare për Sigurimin e së drejtës së internetit quasi falas për çdo qytetar dhe krijimin e qytetarisë dixhitale. Kjo elitë anakroniste nuk mund të mbajë peng të ardhmen tonë dixhitale. Shtrirja e linjës ADSL në gjithë territorin;  ose Shtrirjen kudo të përsëritësve WIMAX për internetin mobile. Kjo kërkon një kosto minimale por shtron autostradën e qytetarit modern shqiptar.

 

OFF: Privatizimeve antikombëtare

ON: Rikthimin në pronësi publike të rrjetit kabllor telefonik, si çështje dhe me rëndësi për sigurinë kombëtare.

 

OFF: Një administrate ngritur mbi kulturën e errësirës

ON: Krijimi i një anagrafie publike, ku çdo institucion publik të bëjë trasparencë on-line gjithe aktivitetin e tij. Këtu përfshihen kush dhe si kanë votuar, çfarë kanë votuar si dhe traparencën financiare të çdo shpenzimi qe kanë realizuar.

 

EKONOMIA dhe TRANSPORTI

Shqipëria nuk krijoi dot këto dy dekada një impiant industrial pas shkatërrimit,  dhurimit apo privatizimit të atij të trashëguar, një bujqësi intensive por vetëm familjare, një sistem funksional të transportit (automobilistik, hekurudhor, detar, ajror), një turizëm që të sjellë të huajtë dhe jo të largojë dhe shqiptarët, një sistem energjetik efiçent, një shkembim tregtar dhe financiar  të sigurtë ku të mund të funksionte një Bursë Qendrore transparente. Gjithë këto nuk janë rastësi. Virtuoziteti ekonomik dhe kapitenët e ekonomisë nuk gjejnë dot hapësirë në një vend, ku ligjin e bëjnë banditët dhe parazitët që mbajnë peng zhvillimin e një vendi kaq të bekuar nga natyra.

 

OFF: Një ekonomie kaotike ngritur jo mbi virtuozitetin dhe konkurrencën e lirë por mbi babëzinë dhe lidhjet kriminale apo politike.

ON: Zbatimin e  modeleve të rritjes së qëndrueshme, në harmoni me ambientin dhe me ekonominë kombëtare.

 

OFF: Qarkullimit të kapitalit pa kontroll dhe burim i gjithë aktiviteteve kriminale apo degradimit të makinës shtetërore.

ON:  Hapjen urgjente të  Bursës Qendrore Kombëtare dhe detyrim për bizneset e mëdha të bëjnë publike vlerësimet reale të  aseteteve të  tyre, duke përdorur penalitete të larta.

 

OFF: Papërgjegjshmërisë të bizneseve për produktet që ofrojnë qytetarit shqiptar.

ON: Parashikimin si vepër penale me burg për gjithë ato biznese që nuk respektojnë kriteret e cilësisë të produkteve të tyre dhe jo vetëm gjoba qesharake.

 

OFF:  Monopoleve në ekonominë shqiptare

ON: Konkurrencës së lirë që Tregu i Lirë të mundësojë prosperimin e shqiptarëve.

 

OFF: Një bujqësie feudale

ON: Krijimi i një bujqësie moderne dhe jo mbijetese, përdorimi i politikave fiskale në këtë drejtim të promovojë forma bashkëpunimi të afta të konkurrojnë ato të huaja. Heqja e taksave të shitblerejes së tokave nëse ato janë pjesë e një projekti serioz. Kjo do çonte ne defragmentizimin e tokave. Zgjidhjen përfundimtare të problemit të pronave me tituj të qartë. Futjen e qindra juristëv në sistem për të përshshpejtuar mijëra dosje. Dixhitalizim efektiv dhe të shpejtë të gjithë pronave. Vepër penale të veçantë për abuzuesit publikë dhe privatë të mbivendosjes të pronës.  Dixhitalizimi i çdo aktiviteti bujqësor, rikrijimi i rrjetit të agronomëve, veterinerëve. Penalizim i çdo fermeri që nxjerr në treg produkte të pakontrolluara e të çertifikuara nga agronomi ose veterineri.  Penalizim për çdo kënd ndërton në toka bujqësore.  Përpunimin e një plani kombëtar të ujitjes dhe jo rikthimit të kënetave.            Nxitja e industrisë ushqimore dhe manifaturiere.

 

OFF: Vampirëve të pasurive kombëtare

ON:  Krijimin e industrive përpunuese të pasurive tona minerale. Kontroll transparent on-line të çdo subjekti që merret me shfrytëzimin e pasurive tona kombëtare dhe listën e plotë të pagesave dhe aplikimin e formave më të mira  të transaprencës sugjeruar  nga organizmat ndërkombëtarë ad hoc.

 

OFF: Kaosit mbi sistemin energjitik kombëtar

ON: Nxitjen e prodhimit të  energjisë së rinovueshme dhe përfshirjen në rrjetin evropian të energjisë. Përgjegjësi penale për çdo titullar që abuzoi më këtë pasuri tonën kombëtare

 

OFF: Lënies në mëshirë të qytetarëve shqiptarë përballë superfuqisë së kompanive të mëdha

ON: Krijimit të  një “class action” dhe forma të tjera të mbrojtjes së konsumatorit shqiptar sipas  aquis communitaire.

 

OFF: Zhvillimit vetëm të trasportit rrugor

ON: Krijimit dhe modernizimit  trasportit publik hekurudhor për u lidhur me rrjetin evropian, dhe  pastaj për gjithë vendin. Krijimin dhe të trasportit ujor duke lidhur qytetet më të rëndësishme detare shqiptare.

 

OFF: Një vendi bregdetar pa flotë peshkimi

ON: Krijimit të një flote dhe industrie peshkimi dhe me kontribute shtetërore në fillim.

 

OFF: Qyteteve si geto që ndërtuan lordët e betonit

ON: Krijimin urgjent kudo të  shesheve publike dhe parkingjeve publike, duke dënuar gjithë ata që lejuan këtë masakër. Nuk mund ti vihen gjoba qytetarit kur nuk ke krijuar kushte që ai mos të thyejë ligjin.

 

OFF: Hegjemonisë së makinave në hapësirën e qytetit shqiptar

ON:  Krijimi dhe shtimi i rrugëve dedikuar biçikletave dhe këmbësorëve. Dekurajimi i përdorimit të makinave për distanca të shkurtra ka qenë i suskseshëm në shumë vende perëndimore.

 

OFF: Politikanëve, kryebashkiakëve arkitektë të qytetit tonë.

ON: Diskutimi dhe votimi i detyruar i çdo plani ndërtimi apo dhe një ndërtimi të vetëm nga banorët e interesuar.

 

SHENDETËSIA

OFF: Një vendi ku jeta e njeriut blihet dhe shitet nga matrapazët me bluza të  sterrosura

ON: Një shërbim mjekësor të denjë, falas për shërbimet bazë dhe me pagesa të reduktuara por të parapguara në sistem dhe jo personit. Rënia e spitalit publik ka koinciduar me lulëzimin e atyre privatë, edhe pse punojnë të njëjtet mjekë.

 

OFF: Babëzisë dhe abuzimit me të drejtën e shenjtë të jetës nga askush

ON: Ndarjen e detyruar të ushtrimit të profesionit të mjekut në formë publike apo private, duke mbrojtur në radhë të parë qytetarin dhe shëndetin e tij, nga çdo grykësi financiare. Jeta është e drejtë primare që nuk mund të cënohet nga kërkesat karrieriste apo biznesi të askujt. Dhe në degë të tjera, kush ushtron një funksion publik nuk mund të ushtrojë dhe atë privat. Dokumentimi i rreptë i sistemit të kartelave mejekësore. Transparencë e pasurive të gjithë mjekëve!

 

OFF: Abuzimit me barnat e skaduara

ON: Parashikim i një vepre penale të rëndë për cilido që abuzon më cilësinë e barnave. Çmonopolizim i tregut te barnave. Ringritjen e fabrikimit të barnave në Shqipëri. Trasparencë on line e gjithë tenderave që sistemi shëndetësor shqiptar kryen me barnat

 

OFF: Kancerizimit të asaj çka konsumojnë sot shqiptarët.

ON: Shtimi i sëmundjeve të rënda kërkojë patjetër realizimin e SIGURISË USHQIIMORE. I duhet dhënë fund matrapazllëkut të çdokujt me atë që shqiptarët konsumojnë. Kontrolle zinxhirrë nga prodhimi i produktit deri në shitjen finale të tij. Zgjedhjen e antarëve të AKU-t nga populli. Përgjegjësi jo vetëm civile si sot, por penale për gjithë ata që po kancerizojnë shqiptarët sot.

 

ARSIMI DHE EDUKIMI

OFF: Shkatërrimit të dijes në Shqipëri

ON: Një plani kombëtar për rimëkëmbjene Arsimit:  a)               Njohja dhe promovimi i identitetit kombëtar si dhe vitalizmi i  diasporës  shqiptare; b) futja me detyrim në shkollë e historisë mbi genocidin e komunizmit mbi gjthë shqiptarët;  c) Riprovim dhe vlerësim i detyrueshëm dhe konstant i gjihtë mësuesve në Shqipëri duke përfshirë ne kete proces dhe prindërit e nxënësve për arsimin jo universitar dhe atë studentor direkt për çdo pedagog, drejtues shkolle dhe Universiteti. Kjo është demokracia dhe duhet të vërshojë kudo, sidomos në shkollë; d) Parashikimi i një provimi shtetëror për gjitha profesionet e zhvilluara, në mënyrë që të dalin jashtë loje certifikatat e prodhuara nga industria arsimore këto vite;  e) dixhitalizim i çdo programi mësimor si po e bëjnë vendet perëndimore f) futjen dhe përgatijen dixhitale  efikase të rinisë për tu përballur me kolegët e tyre evropianë; g) rritjen të paktën 5 fish të buxhetit të arsimit në Republikën e Shqipërisë, për tiu afruar sadopak vendeve të tjera; h) Parashikimin e një vepre penale të veçantë për cilido abuzon me detyrimin për arsim.

 

OFF: Banalitetit të artit dhe kulturës shqiptare. Lënies në dorë vetëm të privatëve të merren me artin dhe kulturën

ON: Krijimit dhe Fuqizimit të institucioneve publike aktuale përgjegjëse për Artin dhe Kulturën. Rritja e buxhetit dhe kompozimi i tyre jo nga politika por nga publiku i gjerë përballë shumë kandidatëve dinjitozë. Afrimi i të mijëra të rinjve që kanë mbaruar akademitë jashtë Shqipërisë është vitale në një vend ku Universiteti po lëngon.

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked