BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Më fal bir, që nuk luftova për një Shqipëri më të mirë.

Ky artikull është provokativ ndaj një artikulli antonim publikuar kohë më parë e titulluar “Më fal bir, që zgjodha të të rris në këtë vend”.

E kuptueshme jehona që ky artikull përcolli në opinionin publik shqiptar. Ai përkonte qoftë me realitetin e trishtë ashtu dhe me frymën fataliste që ka përfshirë vendin.

Të zhytur tashmë nën vorbullën neoliberiste, shqiptarët kanë humbur aftësinë për të reaguar kolektivisht. Individualizmi ekstrem ka çmontuar tashmë çdo ind social e vlerë komunitare. Ajo çfarë mbetet është vetëm fatalizmi dhe kuja individuale.

Nga ana tjetër, sistemi ka të gjithë interesin jo të fshehë problemet (e pamundur) por të zhdukë çdo mundësi ndryshimi. Brenda këtij kurthi bien jo vetëm të pashkollët por dhe gjysëm-shkolluarit.

Sistemi nuk është natyror por social e historik. Ai përbëhet nga institucione dhe njerëz në krye të këtyre institucioneve. Shoqëria ka ditur të ndryshojë e përmirësojë gjithmonë këto mekanizma edhe kur zaptuesit e tyre bëjnë rezistencë.

Kjo është edhe situata sot. Institucionet shtetërore, ekonomike, mediatike e akademike janë zaptuar nga një grusht njerëzish. Në këtë mënyrë sistemi i shërben vetëm 1% duke sakrifikuar 99% të popullit.

Në këto kushte çdo qytetar shqiptar ka të drejtën dhe detyrimin të luftojë për çlirimin e atdheut nga kjo hordhi parazitare. Por kjo luftë nuk bëhet i vetëm, sepse pushteti është entitet i organizuar.

Prandaj duhet hequr dorë nga individualizmi e protagonizmi i fasadës, për të mundësuar një bashkëpunim me të ngjashmit e tjerë që vuajnë si ty. Qaramania mund të sjellë disa like e një solidaritet pasiv, por nuk zgjidh dramën e askujt. Dramat kolektive zgjidhen vetëm me beteja kolektive e jo individuale.

Nga ana tjetër deri sa energjitë tona ti hedhim vetëm në punët private e jo ato publike, deri sa politikën aktive t’ua dele/gojmë partive e lobeve e ne të bëjmë sehir, zor se qaramania do na shpëtojë.

Sado e vështirë të duket bashkëpunimi me të ngjashmit, ajo duhet të fillojë diku e të përhapet si valë. Çdo bashkëpunim ngrihet mbi ide e vlera të përbashkëta e jo në zbrazëtirë. Ai kërkon të durosh e kuptosh tjetrin, të sakrifikosh pak nga vetja për të fituar shumë herë më shumë së bashku: TË ARDHMEN TËNDE DHE FËMIJËVE TË TU!

Prindërit tanë mund ti falim pse pranuan komunizmin. Ata nuk dinin.
Kurse sot ne kuptojmë e përsëri heshtim.
Nuk besoj se fëmijëta tanë do na e falin këtë nesër

 

*****

Postuar nga Dr. Ledian Droboniku

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked