BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Media je TI:

Mendime të një qytetareje mbi Tiranën:
Marsida NAJDENI*

E dua qytetin tim!
Tiranën është vështirë mos ta duash nëse je lindur e rritur aty me breza. Syresh çdo kush do të shprehej kështu për qytetin e vet, ama vetëm se Tirana mbetet kryeqyteti i shqiptarëve. Kryeqyteti është dritarja e parë e një kombi në botë. Mjafton kaq për të kuptuar se Tiranën në fakt duhet ta duan të gjithë shqiptarët. E siduhet një qytet? Për shembull, unë Tiranën e dua nga gjënesa e saj, ja dua historinë dhe banorët. Ja kam dasht gjithmonë atë bujarinë e saj, sepse Tirana mbetet metaforë e mirësisë. Megjithatë për ta dasht këtë qytet nuk mjafton vetëm kaq, me plot kuptimin e fjalës duhet të dish ta mbash atë. Në fakt çdo qytet duhet ta dish ta mbash por, unë vëmendjen e kam tek Kryeqyteti.
Përse na pëlqen aq shumë të shohim fotografitë e vjetra të Tiranës? Sidomos fotografi të periudhës së artë të viteve ‘10-‘40, kohë kur Tirana bëri diferencën nga gjithë qytetet e tjera. Sepse në ato foto shohim se në qytet mbizotëron dëshira për të ecur përpara me anë të punës. Shohim vit mbas viti pastërtinë që shtohet, shohim rregull dhe mbi të gjitha shohim harmoninë ndër banorë. Gjithmonë themi se qytetarët e atëhershëm kanë ditur ta mbajnë atë, Tironën pra, ose më saktë, kanë ditur ta duan qytetin dhe kanë ditur ta duan njëri – tjetrin. Kjo dashuri ndaj qytetit shihej jo vetëm tek banorët e thjeshtë, por, edhe tek institucioni shtetëror siç është Bashkia. Historia e fillimeve të Bashkisë së Tiranës na ka treguar se ka patur të punësuar gjithmonë dashamirës të këtij qyteti, të cilët me vetmohim ju dedikuan përmirsimit të jetës qytetare të Tiranës. Kjo traditë ka tashmë vite që është prishur dhe kjo kuptohet fare thjesht duke parë se karrigia e kryetarit të Bashkisë së Tiranës nuk luan rrolin që duhet, por rol politik ushqyer nga ambicia për karrierë. Kjo e fundit vlen dhe për puntorë të tjerë të ketij institucioni, që as e kanë përzemër mirëqënien e qytetit, por duan vetëm karrierë politike në kurriz të Tiranës. Me anë të Tiranës mbledhin vota për të kapur një karrige në Parlament.
Për të kuptuar sa pak e ka dasht Bashkia Tiranën vlen të sjellësh disa mendime qytetare në mend.

1. Emërtimet ose Toponimet
Gjatë sistemit komunist shumë emra lagjesh autoktone dhe emra rrugësh me personalitete autoktonësh u hoqën duke u zëvendësuar me emra komunistash dhe vrastarësh. Në gjithë këto vite “demokraci” Bashkia e qytetit kurrë s’ka marrë mundimin të rikthejë toponimet e lashta dhe të hershme të qytetit.Tirana ka historinë e vet, e si të tillë nuk duhet kurrësesi t’ja mohojmë. Lagjia e Mujos, Rruga Shëngjergji, Shkolla “Ali Kukaleshi” etj, dhjetra e dhjetra raste ku kemi humbje identiteti.
Jo vetëm kaq. Edhe tani kur vendosen emra rrugësh, përse nuk vendosen autoktonët në bashë të vendit? Dakort jam se si Kryeqytet emra si Fan Noli, Gjergj Fishta, Skënderbeu, Naim Frashëri etj, vetëm sa ja rrisin vlerën Bashkimit Kombëtar, por ka emra të tjerë pa lidhje që vendosen në vende kyçe të qytetit. Bashkia emrin e një prej patriotëve tiranas Nikolla Nishku, i cili më 26 Nandor 1912 shpalli Pavarësinë e qytetit, e ka vendosur në periferi të Selitës. Si mund të bëhet një gafë e tillë? Them se kjo nuk është më gafë por, dashakeqsi. Emri i tij dhe patriotëve të këtij rrangu duhet të jenë, përsëris, në krye të qytetit.
Pale paradoksi tjetër i Bashkisë është se komunistin Bardhok Biba, të cilin për tradhtinë që bëri s’e kanë dashur as mirditorët e tij, ku për hir të tij u internuan plot 300 familje mirditore, sot Bashkia e Tiranës e lejon emërtimin e një rruge me emrin e tij pikërisht paralel me Hotel Tirana (15 katëshi).Paradoksi vazhdon kur me këtë rrugë kryqezohet rrugica e martirit të demokracisë, Mandelës së Shqipërisë, intelektualit tiranas Osman Kazazi, i cili u burgos plot 43 vjet. Osman Kazazi rrjedh nga një familje qytetare tiranase, e cila ka bërë shumë për qytetin e saj, ama emri këtij personaliteti vendoset syresh në një rrugicë, kurse Bardhok Biba, i cili s’ka asnjë lidhje gjenetike dhe historike me Tiranën, e mbi të gjitha një figurë tepër e përfolur në Mirditë nga bashkfshatarët e tij, është në krye të qytetit.
Përse patrioti, artisti, intelektuali Murat Toptani mos të ketë një bust? Përse tregtarët dhe patriotët Vëllezërit Kondi mos të ketë një bust? Përse një shkollë mos të ketë emrin Dom Gjergj Lleshi si mësuesi i parë, i cili u mësonte vajzave Shqip në shkollën katolike më 1872? Do të më duhej një ditë e gjatë të shkruaj për qindra raste të tilla të munguara emërtime rrugësh, lagjesh, shkollash, institucionesh, bustesh dhe ato pak që kemi nuk mundohen të paraqesin as 1% të historisë së Kryeqytetit.

2. Mungesa e Angazhimeve Kulturore Historike
Tirana pa frikë është Kryeqyteti i vetëm në Evropë që nuk ka një Muze Historik -Etnografik të tijin. Po mos të shkojmë aq larg deri tek Evropa, fqinjët tanë të gjithë Kryeqytet e tyre i kanë me Muzeume. Mos ngaterroni Muzeumin Kombëtarë me Muzeumin e një qyteti. Një neglizhencë kjo nga ana e Bashkisë së Tiranës që të bën të kuptosh sa pak e do kjo Bashki qytetin për të cilin bën sikur punon. Kërkesa e vazhdueshme e qytetarëve me rrënjë karshi Bashkisë ka marrë premtime boshe përsa i përket krijimit të një Muzeumi. Po bëhen afro 20 vjet që kjo kërkesë shkon në vesh të shurdhët.
Tjetër mungesë angazhimesh nga Bashkia është fakti se nuk di apo nuk do të krijojë “Java Tiranase”, ku mund të bëhen panaire në kujtim të atij të Shën Lleshit me produkte të kësaj treve dhe veshje tradicionale, ku të bëhen mbrëmjë kulturore dhe ku të flitet për personalitetet autoktone të fushave të ndryshme që ka nxjerre ky qytet dhe janë me qindra, ku njerëzia të njihet me gastronominë e qytetit, të mësoi mbi folklorin e këtij qyteti, të tregohen gojëdhëna apo histori të kësaj treve, etj aktivitete të këtij lloji. Besoj kërkush nuk e di se kur ishte Dita e Verës në Tiranë, festë e lashtë Pagane, të gjitha shtëpiat vendosnin në dyert e oborreve kurora me lule të bardha. Nuk po pretendoj që 1 milion banorë të vendosin kurora të bardha lulesh në dyer, por pretendoj se Bashkia e ka për detyrë që këto histori t’i trashëgoi ndër brezat që do të vinë qofshin këto autoktonë ose jo.
Kjo trashigimi nuk do të arrihet me neglizhencë. Ama sa shumë kërkoj dhe une nga jeta… Bashkia as do t’ia fishkëllejë nga kjo anë. Premtime gënjeshtarësh, që nëpër fushata elektorale i shesin sa frëngu pulën vetëm për të marrë votën. Përse Bashkia ka fonde dhe forca të krijoi “Java Rome”, e në fakt bënë shumë mirë, por nuk ka fonde dhe forca dhe mbi të gjitha dashuri të krijojë një “Java Tiranase”, që sigurisht do të qe më mirë “Java Tironase” në dialekt, për ta promovuar dhe këtë të fundit si trashigimi.+ Add New Category

3. Çrregullimi Urbanistik
Katrahura e urbanistikës së Tiranës, që tashmë e dimë dhe e njohim të gjithë, është masakra më e madhe që mund t’i bëhet një qyteti. Këtu duhet t’ja vemë fajin dhe vetes, pra popullit, i cili dhunon pronën private dhe atë publike pa menduar pasojat. Por historia botërore na tregon se nuk mund të dënosh popullin, por gjithmonë janë dënuar institucionet shtetërore. E rasti i Bashkisë së Tiranës është për t’u dënuar, qysh nga prishja e pamjes vizive së përgjithshme të Kryeqytetit me përdhosjen e qendrës së tij, më pas tek lejimi i ndërtimit të kjoskave dhe ndërtimit pa leje të shtëpiave në toka sikur të ishin mall pa Zot, por lejohesh gjithë kjo sepse thithnin elektorat, e deri tek mbyllja e syrit që u bë gjatë betonizimit të gjelbërimit të qytetit, gjë që vazhdon dhe teksa shkruaj këto rreshta.
Të kthehemi mbrapa në histori të kujtojmë si u prishën Pazari i Vjetër, që sot do të qe vlerë mbi vlera, si u shemb ndërtesa e Bashkisë së Tiranës, që mbetet një perlë e arkitetkurës së Kryeqytetit, si u rrënua Kisha Orthodokse e Ungjillizmit bashkë me ndërtesën e bukur të Kafe Qendra dhe po ashtu dyqanet përreth, ashtu siç u shemb dhe Xhamia e Sulejman Pashës. Të dyja këto ndërtesa fetare sot do t’i jepnin qytetit sa më shumë dashuri. Me qendrën ose sheshin pastaj katrahura rradhës do të bëhej kur Bashkia vendosi të prishe lulishten mbas bustit të Skënderbeut ndërtuar gjatë periudhës së Zogut. Mos dashuria e Bashkise ndaj qytetit të Tiranës vazhdon dhe tek fakti që nuk kanë dy pare mend se atë fushë futbolli shumë mirë mund ta kthejnë sërisht siç ishte ose të paktën të venë disa stola e të krijojne dy lulishte të vogla.
Prap në kohë mund të kujtojmë masakrën e qytetit me kjoskat, sidomos përdhosjen që ju bë Lanës. Kjo rrjedhë uji e lashtë në duart e barbarëve u shterua dhe u fundos nën plehrat mijra kuintalshe të neglizhencës së banorëve nga e gjithë Shqipëria si dhe nga neglizhenca e Bashkisë. Jo më kot sot mbas gjithë kesaj maskarade Tirana ka ajrin më të ndotur. Jo më kot sot po sëmuremi sepse jetohet përkrah pisllëkut. Jo më kot sot është bërë jetesa si xhungël duke u bërë një urbanizim i pa kontrolluar. E jo më kot s’e kam përmend deri tani, por fajin më madhor e ka shteti, që lejon Bashkinë më të madhe në vend të bëjë siç i do kaplloqja.

Këto janë disa nga problemet më të rëndësishme për mua si qytetare. E pra unë, qytetarja, pa asnjë titull dhe asnjë interes, i bëj thirrje publike Bashkisë të sensibilizohet karshi këtyre problemeve. U bëj thirrje puntorëve, e merrni që e merrni rrogën të paktën futuni në histori për mirë. Tirana nuk i përket as PS-së dhe as PD-së, mjaft më e keni kthyher në veglën tuaj elektorale. Tirana ose Tirona i përket gjithë qytetarëve, të cilët e duan këtë qytet dhe jetojnë në Kryeqytet. U përket atyre qytetarëve të cilët kanë edukatën të paguajnë taksat publike, me shpresë se ato para shkojnë drejt mirëmbajties së qytetit.
Kur do të kemi Kryeqytetin që meritojmë? Normalisht kur populli të ndërgjegjësohet dhë në Bashki të punësohen njerëz falë punës e meritës dhe jo ngjyrës politike.

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked