BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Mekuli Press”, Vlerë e shtuar në historikun e medias Kombëtare.

Në ditët e LIRISË, ardhur përmes shekujsh të përgjakur, sot, kur politika në marri nxjerr në ankand “trupin tënd Kosovë, tue e varru”, kënga “pa lumni”, me “shqetësimet në zemër m’lulëzojnë”, të Esad Mekulit, gjithkush i ndien në shpirt.


Para pak kohësh, në adresën time online, mbërriti “Mekuli Press”, me informacione të ditës rreth zhvillimeve në Kosovë. U ndieva e surprizuar. Dikush prej “Mekulve” po “luftonte” me median e vet në këto kohë të vështira për Kosovën dhe Kombin.
Emri Mekuli, sigurisht më solli në kujtesë poetin e dashur, Esad Mekuli, poezitë – këngë të tij: “A është fajtor shqiiptari”, “Metohi”, “Kushtrimi” etj, të studiuara me pasion në vitet e fakultetit të letërsisë.
Pas kërkimit të momentit mësova me kënaqësi se Gëzim Mekuli, edituesi i “Mekuli Press”, jo vetëm ishte nipi i poetit, por ishte dhe një gazetar profesionist, me studime të kryera në shkencat e mediave, anëtar i Lidhjes së Gazetarëve në Norvegji (Gëzimi jeton me familjen e vet në Oslo, Norvegji), pra një “luftëtar” serioz në mbrojtje të çështjes kombëtare.
Në diskutimin analitik, online, Lëvizja ShqipON e ka trajtuar rëndësinë e veçantë që ka marrë media online në mbrojtje të interesit kombëtar dhe atij publik, veçanërisht sot, kur media tradicionale, si në Kosovë edhe në Shqipëri, i është dorëzuar tërësisht pushtetit oligarkik të politikës.
“Gjykimi i njeriut nuk mund të jetë më i mirë se të dhënat në të cilën ai e ka bazuar atë”. Arthur Sulzberger Heis. Konstatimi i mësipërm i themeluesit dhe botuesit të New York Times, qartas, e vë theksin në pushtetin palimit të informacionit (lajmit). Por informacioni, për t’u rritur në vlerë shoqërore aktive, kërkon pranë vetes edhe pushtetin e “dijes”.
“Dituria është si paraja: për të patur vlerë duhet qarkulluar, dhe në qarkullim mund të rritet në sasi dhe, me shpresë, edhe në cilësi”. – Louis L’Amour.
Gazetari profesionist di të zgjedhë mençurisht burimin informues që e çon drejt së vërtetës, drejt interesit kombëtar dhe publik. Me zemër dhe ndërgjegje, ai hulumton në shërbim të misionit të vet, për të shkuar përtej informacionit me refleksionet dhe analizat e veta mediatike.
Një gazetari e tillë e përgjegjëshme dhe profesioniste formon ndërgjegjen shoqërore të individit, e përgatit atë të jetë i gatshëm dhe i aftë të përballet mençurisht me realitetin, me synimin final, ndryshimin progresiv të tij.
E edukuar edhe brenda ShqipON-it për të qenë vigjëlente ndaj medias dhe informacioneve të saja, në kërkim të interesit kombëtar dhe atij publik, “Mekuli Press” nuk të “lodh” aspak, pasi interesi i Kosovës (por edhe i Shqipërisë) është mision për të.
Edhe pse edituesi i “Mekuli Press” jeton larg Kosovës dhe Shqipërisë, gazetari profesionist ruan ritmin e lajmit të ditës të pasuruar me informacione burimesh të besueshme, si dhe pasuruar me refleksionet analitike interesante të gazetarit profesionist.
Pas një farë kohe në kërkim të mediave të besueshme kosovare, kam “skarcuar” disa prej tyre (ndër to media të “lehta”, por tinëzare për shmangien e vëmendjes së publikut prej interesave të veta bazike, media “puthadore” të pushtetit korruptiv deri në pushtet antikombëtar), për të mbajtur për burim të sigurtë informimi dhe ndriçimi, fatkeqësisht, pak, shumë pak prej tyre, një ndër të cilat është edhe media e respektuar online, “Mekuli Press”.
Lëvizja ShqipON, ndihet e nderuar dhe është e interesuar të vendosi ura komunikimi me median vlerë, “Mekuli Press”, një media që me punën e vet të përgjegjshme dhe të përkushtuar është kthyer tashmë në një aset kombëtar.

Shkruar nga Majlinda Zeneli

Aktiviste e ShqipON

 

Demokraci Pjesemarrese

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked