BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Milionerët e Shqipërisë së varfër- Illo Foto

Illo Foto

Unë i përkas brezit që lindi në prag dhe gjatë luftës. Nuk patën pasuri as prindërit tanë, as ne. Shokët e mi pasanikë, me prindër të pasur, nuk e morën vesh sa e mundimshme ishte të kishe shtëpi, të vije pasuri. Mendimi që hasej me shpesh, ishte se pasurinë njerëzve jua jepte Zoti.

Mbas luftës njerëzit nisën një start të ri. U bënë të tërë të varfër. Pasurinë e kishte vetëm shteti, që punësonte secilin shtetas, pa ndonjë kriter të shprehur qartë.

Instiktivisht shoqëria është e ndarë në të pasur dhe në të varfër. Është thënë edhe ndryshe: Po qe se nuk shfrytëzon dikë, dikush tjetër të shfrytëzon ty.

Të pasurohesh është një epope njerëzore, sepse duhet të kalosh prova dhe vështirësi që të bëjnë të harrosh veten. Qëllon që bëhesh i pasur që kur lind, duke qenë trashëgimtar i një paraardhësi pasanik. Përgjithësisht, këta lloj trashëgimtarësh, vdesin të varfër. Edhe kur nuk e humbasin pasurinë, jeta e tyre nuk ka dimensione hapësinore, por gjithsesi janë të rrethuar me drejtësinë e ligjit dhe simpatinë e opinionit.

Në ndryshim nga fetarët, shkencëtarët, ushtarakët, pasanikët nuk kanë grada dhe nishane më tuje. Grada e tyre është shumë reale. Atë e përcakton kuleta. Pasanikët gradohen: milionerë, miliarderë, multimilionerë dhe multimiliarderë. Përpara këtyre gradave zhvleftësohen gradat: dhespot, gjeneral, akademik. Fjala vjen, një prift në fshatin Shënepremte, mund të dijë më shumë tropare se vetë dhespoti. Një major i xhenios e lë në provimin e parë gjeneralin e artilerisë.

Ndryshe ndodh në hierarkinë pasurore. Një milioner është i detyruar instiktivisht të rrijë gatitu përpara një multimilioneri. Kjo situatë kështu ka ardhur që nga lashtësia. Mendoj se gradimet në të tëra formacionet shoqërore duhet të mësojnë nga gradimet në fushën e pasanikëve, që pas shumë testimesh, deri sa kanë arritur në këtë nomenklaturë të pathyeshme as nga njerëzit, as nga teknika më e sofistikuar.

I thërret tjetrit Prof.Dr në shkencat ekonomike, teknike, pa përmendur shkencat historike dhe ky graduat i lartë nuk di nga lidhet gomari. Fatkeqësisht të tillë profesorë doktorë trashëguam shumë nga monizmi, ndërsa në tranzicion u shtuan me progresion gjeometrik. Jetojmë në mes të profesorëve – doktorë, që me sa duket, shumica janë informalë ose zorzopë. Nuk di nëse ju kujtohet doktor Vehbi Alimuça që u doktorua në Rumaninë post komuniste. Më kanë thënë që Alimuça nuk kishte dijeni për ligjin universal të masës dhe energjisë, por u bë milioner dhe doktor. Këtë nuk mund ta shpjegojë asnjë lloj alkimie, por është fakt i pamohueshëm.

Ta harrojmë të kaluarën edhe të largëtën, edhe atë të Alimuçës si dhe të Sudes. Të entuziazmohemi se aktualisht kemi 10 milionerët e parë shqiptarë të shpallur zyrtarisht në shtypin tonë. Publikimi periodik i listës së milionerëve është një praktikë e njohur e mediave, kudo në botë. Nën këtë optikë, edhe lista e milionerëve tanë është një tjetër shkallë e zhvillimit kapitalist të Shqipërisë.

Instiktin për të qenë i pasur e kanë të lindur 95% e të tërë njerëzve. Kjo ndjenjë e sundon ndërgjegjen e njeriut, që sa njeh veten, deri në grahmat e fundit. Konkurrenca nuk i nxjerr të tërë fitimtarë, prandaj jeta është multidimensionale dhe shpesh e ngarkuar me konflikte dhe terror.

Fitimtare është shoqëria kapitaliste, që zhvillohet në stade më të përparuara dhe më të sinqerta. Në këtë vështrim, na mbetet t’i urojmë milionerët për grada më të avancuara, për hir të zhvillimit të vendit. Milioneri bëhet partner me shtetin që i lindi. Sipërmarrja e kapitalistit është shtet brenda shtetit, sepse milioneri investon nëpërmjet rritjes së pasurisë së tij. Sipërmarrja milionere punëson shtetasit.

Unë nuk njoh asnjë milioner drejtpërdrejt. Nuk kam prekur asnjërin prej tyre me dorë, por e di që janë njerëz, si të tërë ne, me mish e gjak, por me aftësi të spikatura drejt pasurimit. Nuk kanë ndonjë veçori tjetër mendore, madje as etike. I respektoj milionerët, pavarësisht se ata përveç parasë nuk respektojnë askënd.

Një vit më parë, unë kam botuar librin tim politiko-ekonomik, “Kriza financiare përballë bujqësisë fermere”. Në tryezën e punës dhe në imagjinatën time kaluan disa dhjetëra ekonomistë dhe milionerë. Personalisht bëj pjesë në 5% e popullsisë që nuk e kanë të zhvilluar instinktin e pasurimit. Në mënyrë krejt të njëanshme, në librin tim, milionerët i kam quajtur pasuri kombëtare, sepse të tillë janë, por kam sjellë në analizë bankerin milioner Madoff, që u pasurua nga fondet publike, kryesisht nga abuzimi me ligjin bankar. Ligji amerikan e dënoi këtë multimilioner me 101 vjet burg dhe ju sekuestrua pasuria e tij dhe e të dyshuarve. Një drejtësi e tillë na duhet. Drejtësia nuk importohet. Ajo rritet duke konkurruar me krimin. Me këtë episod, si dhe mijëra episode të tjera të kësaj natyre, ndërgjegjja kapitaliste dhe opinioni i shëndoshë publik, kërkon ndershmëri transparente në arritjen e gradës së milionerit.

Unë i quaj milionerë edhe tanët, deri sa për ta nuk ka një vendim gjyqi, siç pati për amerikanin Madoff. Milionerët që janë bërë të tillë me djersën e ballit meritojnë të tërë respektin e shoqërisë si promotorë të zhvillimit. Milionerët informalë mohojnë me dashje identitetin. Janë moralisht anonimë. Morali real i tyre është dyzimi i karakterit. Pa dyzim, ata dalin me fytyrën e vërtetë prej bishe.

Dyzimi bën pjesë në instiktet njerëzore, mania për t’u dukur ndryshe nga ç’je, veçanërisht kur nuk je askush sipas aforizmës, shih rrushi rrushin dhe piqu. Milionerët kanë aksesorët e tyre të dukshëm dhe të padukshëm. Në të dukshmit bëjnë pjesë orët, varëset, çantat etj. Cilat janë orët e tyre e shpjegoi thjesht dhe qartë Ambasadori Lu. Një orë e tyre ka vlerën jo më pak se vlera e veturës së ambasadorit. Aksesorët e tjerë na i paraqiti në ekran emisioni i Filipit, “Fiks fare”. Varëse lloj-lloj formash, prej ari dhe platini me delfin, kaproj; nuk më zuri syri imitacionin e prangave të praruara.

Varëset prej floriri në formë prangash kemi parë në shumë qafa njerëzore. Janë imitacione që sfidojnë litargjinë e cilësdo drejtësie. Pamë çanta që të tronditin me vlerën dhe bukurinë e tyre. Disa ishin me lëkurë gjarpri, foke, krokodili. Me lëkurë njeriu nuk kishte, jo vetëm për papërshtatshmëri teknologjike, por lëkura e njeriut më shumë vlen aty ku është, për të krijuar mundësinë e çantave të tjera.

Flitet gjerësisht në opinion për pasuritë përrallore të politikanëve shqiptarë, madje janë shumë të besueshme. Aksesorët e tyre janë makroskopike. Njerëzit flasin për politikanë që kanë në pronësi vila, apartamente, pasuri të paluajtshme, prona të paluajtshme; shumica të padeklaruara dhe të tjera që janë shkruar në emër të fëmijëve, grave, soje e sorollopëve dhe miqve me besë shqiptare. Ish-pasuria publike shqiptare është bërë pre e një hajdutllëku të organizuar, nga hajdutë të maskuar, por hajdutë modernë që kanë bërë pasuri në shumë valenca, simbas sentencës “Shqipëria rast i veçantë, as lindje as perëndim”. Të tërë janë të pasur, ose milionerë informalë. Faktikisht këta moralisht nuk janë as politikanë, as milionerë, sepse këto janë tituj të respektuar. Këta janë zorzopë dhe derbederë, që kanë vënë besimin e popullit në shërbim të familjeve të tyre dhe të miqve. Janë bastardët e këtij kombi që kemi pritur me padurim t’i dënojë drejtësia.

Cila drejtësi? Vetë drejtësia është informale. Hajdutët janë të evidentuar shumë lehtë. Nuk mund të japi drejtësi një person që quhet gjykatës dhe mban orë, sa një veturë luksoze. Politikanët milionerë të paligjshëm kanë bashkëpunuar me gjyqtarët e pandërgjegjshëm. Vetë krijimi i kursit të plepave është segment i plotë të linjës së mosndëshkimit.

Gjyqtarët dhe pushtetarët, në bashkëpunim, kanë krijuar një korporatë që ka marrë tiparet e pushtuesit të vendit. Janë njerëz pa karakter, sepse kurrë nuk mund të thonë atë që mendojnë, as atë që bëjnë. Janë karaktere të dyzuar. S’kanë ngjashmëri me asnjë karakter tjetër, sado i poshtër që të jetë. Dyzimet e karakterit në këto vite të tranzicionit janë shfaqur në disa variante: Quajnë veten antikomunistë komunistët më të thekur, quajnë veten demokratë ata që s’janë të tillë, quajnë veten fisnikë ata që mbajnë thikën në dhëmbë, quajnë veten të varfër ata që janë pasuruar shumë shpejt dhe s’dihet si.

E krijoi koha këtë situatë absurde, ose njerëz të veçantë, këtë e zgjidh drejtësia e reformuar, askush tjetër. Kombet kështu e kanë zgjidhur, duke prurë në krye të drejtësisë njerëz të ndershëm dhe të përkushtuar me jetën e tyre.

Është e natyrshme se nuk mund ta reformojnë drejtësinë ata që e kanë e shpurë në këtë derexhe. Personalisht mendoj se drejtësia shqiptare u korruptua nga politika, por ja kaloi çiraku ustait. Ku i gjetën vilat, pasuritë, apartamentet me qira, bizneset legale dhe ilegale? Ne vijmë nga varfëria e barabartë dhe dinjitoze. Nuk pretendohet se do të ishim të barabartë. I respektojmë biznesmenët që filluan me shitje bananesh, cigare, çikërrima dhe arritën të kthehen në investitorë. Për këta shqiptarë kam shkruar në librin tim se janë pasuri kombëtare. Vetëm kur të justifikojnë pasurinë e meritojnë të bëhen miliarderë dhe investitorë të respektuar.

Nuk e vë dorën në zjarr për pasuritë e 10 milionerëve të parë, por nuk janë tërësisht të dyzuar. Kanë faqen e bardhë të pohojnë se janë milionerë dhe pretendojnë për më shumë. Nuk janë të tërë të një marke, por më entuziazmon fakti që njëri prej tyre është biznes bujqësor pikërisht ish-ministri i Bujqësisë, Agron Duka. Nuk e njoh direkt. Si politikan dhe ministër nuk bëri hije. Kam dëgjuar nga shokë të tij se përfaqëson biznes të ndershëm. Të paktën nuk është i përfolur. E ka filluar me paret e emigracionit dhe ka vijuar me investime graduale. Kur u bë ministër ishte milioner, ndërsa të tërë ministrat e tjerë dhe kryeministrat kur kanë lënë poltronin ministror, janë ulur në kolltukun e artë të biznesmenit ose të “papunit” të dyzuar.

Nuk është vetëm kapitalizmi shqiptar që ka kaluar periudhë amullie, kur krimi ka sunduar ligjin. Në forma të tjera, një situatë e ngjashme ka ndodhur dhe në Amerikë, kur oligarkët e pasurive të shtëpive arritën të mposhtin ligjin dhe te organizonin vrasje seriale. Në Shqipëri ka politikanë dhe juristë shumë të ndërgjegjshëm, më shumë se sa të korruptuarit. Ata ndodhen aty, në mjedisin shqiptar. A do të ketë midis tyre një ose disa Edgar Hoover shqiptar? Historia do ta zbulojë cilët do të jenë këta burra që do ta çojnë drejtësinë shqiptare në hullinë e drejtësisë së Skënderbeut dhe të Ismail Bej Vlorës.

Demokraci Pjesemarrese

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked