BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Mos hiqni pagat minimale, por hapni fabrika e modernizoni ekonominë

Ky artikull ka për synim të kritikojë propozimin (Nga Besart Kadia, http://www.mapo.al/per-te-ndihmuar-te-varferit-paga-minimale-duhet-hequr/) që po qarkullon kohët e fundit mbi shfuqizimin e pagës minimale si një propozim i padrejtë nga ana sociale dhe joefikas nga ana ekonomike. Nuk mund të lërë indiferent titulli sarkastik që ka përzgjedhur autori sepse të thuash duhet të heqim pagat minimale për të ndihmuar të varfërit, është njësoj sikur të pretendosh se duhet ti heqim patericat një të sëmuri për ta ndihmuar që ai të vrapojë.

Por përtej figurës letrare, mundohemi të bëjmë një analizë kushtetuese, sociale dhe ekonomike të këtij propozimi. Në një Shtet të së drejtës, çdo propozim dhe reformë politike duhet të ketë legjitimitet kushtetues, pra të parametrohet me parimet kushtetuese si janë: 1) të drejtat e Njeriut dhe 2) modeli ekonomik që Kushtetuta ka zgjedhur. Në nenin 3 të Kushtetutës shqiptare, ndër të tjera sanksionohet se: dinjiteti i Njeriut dhe drejtësia shoqërore janë baza e këtij Shteti i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë. Nëse duam seriozisht të ndërtojmë një Shtet të së drejtës duhet të vëmë në jetë parimet e kësaj kushtetute që shqiptarët votuan me referendum në 1998. Kushtetuta e Shqipërisë nuk ngrihet vetëm mbi liberalizmin por dhe demokracinë substanciale, duke gjetur një ekuilibër mes tregut dhe solidaritetit brenda shtetit social. Në këto kushte, Kushtetuta nuk konsideron “punën” si mall por si një e drejtë, duke e veshur me garanci që të sigurojë pikërisht atë dinjitet të Njeriut që kërkon neni 3 i saj. Paga minimale përbën kështu ato pak garanci që bashkëekzistojnë më ato parashikuar nga Kodi i Punës duke shërbyer si amortizator social në vend. Dinjiteti i Njeriut nuk është nocion abstrakt por krijimi i atyre kushteve ekonomike dhe sociale që lejojnë pjesëmarrjen aktive të qytetarit në jetën politike të vendit. (pa realizuar nevojat bazilare, individi nuk bëhet dot qytetar dhe interesohet për jetën komunitare). Ky vizion i demokracisë substanciale (nga poshtë, sovraniteti popullor neni 2) që Kushtetuta kërkon, bie ndesh me vizionin neoliberal, ku politika konsiderohet çështje e elitave (nga lart, partitokraci politike e lobe ekonomike). Për këtë vizion antikushtetues, politika reduktohet në një demokraci elektorale, ku qytetarët 1×4 vjet, thjesht votojnë “produktin” më të mirë ose më pak të keq, e jo një “proçes” që kërkon pjesëmarrjen e demosit (popullit) mbi reformat politike dhe ekonomike të vendit. Kjo alergji e neoliberalëve ndaj pjesëmarrjes qytetare në politikë justifikohet me faktin se konfliktet sociale zgjidhen më mirë nga tregu sesa nga politika, prandaj dhe boshatisja e politikës dhe deklasifikimi në një demokraci formale. Dhe në fakt kjo është ajo që ka ndodhur në Shqipërinë post-komuniste. Jeta politike dhe ekonomike e vendit është ngritur jashtë binarëve të Kushtetutës si kontratë sociale e popullit shqiptar. Kaluam nga ekstremi komunist në ekstremin neoliberist, duke prodhuar paradoksalisht të njëjtin efekt në përqendrimin e pushtetit politik dhe ekonomik në pak duar. Nëse duam Normalizimin e Shqipërisë, ajo që duhet bërë është rikthimi i politikës dhe ekonomisë brenda rendit kushtetues. Besoj se ky është dhe roli i çdo studjuesi dhe intelektuali që kontribuon për progresin material e shpirtëror të vendit. Duke vijuar me analizën sociale-ekonomike, duhet thënë se në përputhje me parimet e mësipërme, Kushtetuta ka optuar për një ekonomi të përzier e jo neoliberale. Kushtetuta ka pranuar tregun dhe iniciativën e lirë me kusht që këto të kenë një funksion social e garantojnë një mirëqënie të përgjithshme. Ndërsa tregu mbetet mekanizmi për prodhimin material, ai gjithashtu është dhe çrregullator i raporteve sociale, pasi ngrihet mbi konkurrencën ose ligjin e me të fortit. Mbetet detyrim i shtetit të rikompozojë këto fraktura dhe zgjidhë konfliktet sociale duke garantuar të drejtat e sanksionuara në Kushtetutë. Po si e zgjidh Kushtetuta shqiptare konfliktin social? Shqiptarët duhet të kuptojnë se nuk është vetëm komunizmi (i cili përdoret si gogol për të trembur ata që flasin për të drejta ekonomike e sociale) që mbron të drejtën e punës, por ka dhe një teori brenda kapitalizmit që e bën këtë. Ndërtimi i një kapitalizmi të shëndetshëm brenda shtetit social në Perëndim, u mbështet pikërisht mbi atë teori ekonomike që njihet si Keynes-izëm. Kushtetuta shqiptare e modeluar pas atyre perëndimore, kërkon pra një ekonomi keynesiane e jo neoliberale. Ja pse është kaq e rëndësishme të njohim këtë teori që ofron shpjegime shkencore ekonomike për garantimin e të drejtave kushtetuese. Fakti që në Shqipëri studjohet dhe promovohet vetëm teoria neoliberiste, tregon monopolizimin jo vetëm të ekonomisë por dijes dhe informacionit prej oligarkisë ekonomiko-politike. Por cfarë thotë Keynes mbi punësimin? Thotë atë që pranon dhe bon sensi, se pasuria reale e një vendi krijohet me anë të punës dhe prandaj dhe kapitali duhet të vihet në shërbim të punës, pra të investimit dhe prodhimit. Pra ekonomia duhet të orientohet drejt punësimit (si parashikon dhe neni 59/1 i Kushtetutës: “Shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon: punësimin në kushte të përshtatshme të të gjithë personave të aftë për punë”). Në këtë kuadër kushtetues, Shtetit shqiptar i ndalohet të bëjë politika deflative, reçesioniste e prociklike dhe është i detyruar të të bëjë politika ekspansive direkt apo indirekt në përplotësimin e investimeve të munguara për zgjerimin e punësimit. Kushtetua shqiptare (ndryshe nga ajo italiane e modifkuar në 2012) nuk e ndalon shtetin të bëjë investime në defiçit për të ngjallur ekonominë kombëtare. Niveli i pagave në vend vendoset nga ky volum total i investimeve që ndikojnë pastaj në negocimin e aktorëve individualë, pra mes biznesit dhe punëtorit. Pra sa më shumë shtohen investimet, aq më shumë shtohet dhe fitimi i bizneseve, aq më shumë shtohen vendet e punës e bashkë me to pagat e punëtorëve. Nuk është njësoj të konkurrojnë 100 veta për 1 vënd pune dhe për 70 vende pune, sepse fuqia negociuese e punëtorëve rritet. Pra, me investime të larta krijohen dhe rroga të larta. Pra në fillim një vizion makroekonomik e mandej një vizion mikroekonomik. Kurse teoria margjinaliste ndjek llogjikën e kundërt, duke e parë biznesin si ishull e të ndarë nga ajo çfarë ndodh në sistemin ekonomik. Ndër të tjera në artikull autori shprehet se, ”…paga minimale përkeqëson varfërinë në një vend, pasi rrit kostot e biznesit e për rrjedhojë papunësinë në vend. Për këtë arsye paga minimale në Shqipëri duhet të hiqet.” Ky vizion ekononomik është obskurantist sepse kërkon ngritjen e ekonomisë duke varfëruar e jo pasuruar njerëzit e prandaj është e destinuar të dështojë. Ekonomitë konvergojnë ose duke kaluar barrën punës ose normës së shkëmbimit (ulur vlerën monedhës për të nxitur eksportet e dekurajuar importet) Kjo e fundit nuk i pëlqen oligarkëve të kapitalit por nuk mund të vazhdosh pa fund ti kalosh të gjithë barrrën drej zhvlerësimit të punës (fleksibiliteti) sepse kontrakton kërkesën agregate, duke kontraktuar investimet e rritur borxhin në një stanjacion nga ku nuk po dalim dot. Pra barazimi me shtetet e tjera nuk bëhet duke ulur më tej rrogat, si pretendon autori, por thellon akoma dhe më shumë hendekun mes ekonomive tona. Shqipëria ka një gap teknologjik (prandaj nuk ka rendiment, ndryshe nga ajo që pretendon autori) me vendet e tjera dhe një ekonomi banale bazuar mbi krahun e punës (labor-intensive industry – fasoneri e call centera). Ajo që duhet bërë është rritja e rrogave për të nxitur biznesin shqiptar që të bëjë investimet e duhura në teknologji, sepse vetëm kështu mund të rrisim produktivitetin e ekonomisë sonë. Nga ana tjetër, nëse shqiptarët rrinë në kafe apo braktisin vendin, është dhe për faktin se ata nuk pranojnë këto paga skllavëruese e jo se nuk duan të punojnë, si pretendon propaganda. Humbja e fuqisë punëtore dhe shpopullimi i vendit rëndon më tej ekonominë shqiptare për atë që ka pak mend dhe kupton nëse nuk do popullimin me afrikanë. Nëse do pyesnim vërtet biznesin shqiptar, ajo që rëndon më shumë nuk është kostoja e punës sesa pamundësia e biznesit për të shitur prodhimet, pasi kërkesa agregate në vend është tepër e ulët. Pra nuk ka fuqi blerëse. Ulja e rrogave dhe ikja e njerëzve nuk bën gjë tjetër vecse përkeqëson këtë situatë. Vërtet një biznesmen dëshiron ti ulë rrogën punëtorëve të vet, por shpreson që këtë mos ta bëjnë dhe konkurrentët e tij se pastaj kush e me çfarë paraje do i blejnë prodhimet atij. Nëse fitimet e biznesit ulen, do ulet dhe prodhimi i tij. Kjo detyron biznesin të shkurtojë dhe punëtorët duke rritur më tej papunësinë në vend e bashkë me të fuqinë blerëse, pra dhe fitimet e biznesit. Ky cikël regresi që kontrakton kërkesën agregate është ajo që po ndodh në Shqipëri, ku bizneset mezi mbijetojnë. Prandaj jo vetëm punëtorët por dhe bota e biznesit organizohen në kategori për të mbrojtur interesat kolektivë e mbajtur lart kërkesën agregate në vend. Pra një biznes priret të shtojë investimet jo se ulen kostot (rroga e punëtorit në rastin konkret) por se parashikon se do ketë rritje të kërkesës për prodhimet e tij. Pikërisht ky vizion përbën dhe Revolucionin Keynesian, sepse e bazon ekonominë tek kërkesa agregate, tek rritja e fuqisë blerëse të gjithë qytetarëve të tij, tek një mirëqënie e përgjithshme. Nuk ka ekonomi të shëndetshme nëse nuk krijohet një pasuri e përhapur e jo përqendruar vetëm tek një pakicë. Krejt e kundërta me atë që ka ndodhur prej dekadash në Shqipëri ku ka një përqendrim të pasurisë në pak duar. Nuk dua këtu të bëj lojë me shifra të fabrikuara nga kasta sepse ato janë evidente dhe faktohen çdo ditë. Padrejtësia sociale jo vetëm që është e dënueshme moralisht e antikushtetuese por dhe inefiçente pasi bllokon dhe ciklin virtuoz të ekonomisë, si ka shpjeguar në mënyrë magjistrale dhe Pikety. Ekonomia është qark rrethor ku ajo që prodhohet duhet të shitet e sigurojë kështu të ardhura për prodhime të tjera. Por autori nën vizionin neoliberist ka për bazë të ashtuquajturin model “trickle-down” që u nis nga Pashko e vijuar më tej nga të gjitha qeveritë. Sipas këtij modeli, e rëndësishme është të pasurohet një kastë (edhe artificialisht si ndodhi në Shqipëri duke deindustralizuar vendin) se pastaj pasuria rrjedh vetë nga lart-poshtë. Prandaj kjo kastë duhet ti krijohen të gjitha komoditet dhe facilitetet. Pas 27 vitesh nën këtë model kjo gjë nuk ka ndodhur e është koha që minimalisht të ngrihen dyshime mbi këtë model që po varfëron shqiptarët dhe boshatis vendin nga hemorragjia e emigrimit. Ekonomia është ai aktivitet që realizon nevojat e gjithë shoqërisë në një alokim optimal të risurseve në vend. Por a ka sot Shqipëria një alokim optimal të risurseve në vend? A ka shfrytëzuar maksimalisht burimet e saja natyrore dhe fuqinë punëtore? Nuk duhet të jesh shkencar për të mos kuptuar që sot vendi nuk ka mundësi të prodhojë një gozhdë edhe pse i ka mundësitë. Problemi nuk është në mikro, si pretendojnë klerikët e neoliberizmit në Shqipëri, por në makro. Individët kanë munduar të bëjnë ato biznese që mund të bëjnë me financimet e tyre, por kapitalizmi nuk ngrihet me byrektore e parukeri. Ajo që i duhet vendit janë investimet strategjike, kalimi nga një ekonomi importi në një ekonomi prodhimi. Konflikti i vërtetë nuk ndodh mes biznesit dhe punëtorit, (pasi të dy kanë interes në shtimin e prodhimit dhe punësimit) por mes elitës financiare dhe biznesit prodhues. Ekonomia shqiptare është e bllokuar pikërisht nga ata që akumulojnë kapitalin e madh dhe nuk janë të interesuar për investime prodhuese, pasi fitimin e sigurojnë me anë të importeve dhe instrumentave fianciarë. Këtu autori, (ashtu si kryeministri) thotë se parësore është që të mbrohet biznesi i madh që të bëjë investimet e duhura. (politika supply side) Por a e di zotëria se sipas raporteve të Bankës Botërore dhe OECD Shqipëria jo vetëm që ka pabarazinë më të madhe në shpërndarjen e të ardhurave, por dhe se ndër vendet e para për çbalancimin e barrës fiskale në favor të kapitalit të madh (përveç evazionit dhe përfitimi nga kredi që nuk i kthejnë kurrë) Kjo kastë ka përfituar të gjitha privilegjet e mundshme dhe përsëri nuk bën investimet e duhura në fushën e prodhimit. Autori do të përsërisë refrenin se ka korrupsion dhe pasiguri juridike. Por “çuditërisht” ky korrupsion nuk i pengon të investojë në qendra tregtare e investime spekullative apo parajsa fiskale. E vërteta është se oligarkia ekonomike që u ndërtua në Shqipëri pas terapisë shock që FMN na imponoi dhe Pashko zbatoi, mori një natyrë importuese e spekulluese dhe nuk ka interes të trasformohet në borgjezi prodhimi. Madje duke kontrolluar shtetin ajo e përdor atë për të goditur biznesin e vogël. Korrupsionin dhe pilotimin e shtetit nga detyrimet e tij kushtetuese nuk e bëjnë të varfërit, por pikërisht mamuthët e monopolistët. Struktura e kësaj ekonomie që ndërtuan i lejon të grumbullojë gjithë kapitalin e shqiptarëve dhe ta shpërdorojnë ose nxjerrin jashtë vendit. Në këto kushte ku një një oligarki ekonomike ka bllokuar investimet që i duhen vendit, shteti nuk mund të bëjë sehir se është përgjegjës për mbijetesën e popullit të vet dhe ka sovranitetin e plotë për ta bërë këtë gjë. Ajo që duhet të bëjmë është braktisja e modelit neoliberist dhe kryerja e reformave Keynesiane si e kërkon dhe Kushtetuta dhe nevojat e popullit shqiptar. Në radhë të parë aktivizimi i sovranitetit monetar duke kthyer bankën qendrore në shërbim të investimeve strategjike që i duhen vendit duke mbushur gapin teknologjik e rritur aftësitë prodhuese dhe vlerën e shtuar. Kryerja e këtyre investimeve strategjike inkurajon më tej dhe biznesin privat pasi ul kostot ambientale si dhe perceptimin e riskut në ekonomi. Sigurisht kasta shqiptare mbështetet dhe nga lobet e huaja që kanë kolonizuar vendin, prandaj për të kaluar nga një ekonomi importi në ekonomi prodhimi, të gjithë sektorët strategjikë të vendit (bankat, nafta, minierat, telekomunikacioni etj) duhet të kehehen në duart e shqiptarëve, privatë e publikë. Për këtë duhet dhe një kontroll i kapitalit dhe valutës së huaj, që të përdoret për importin e teknologjisë që do i duhet vendit, si hapja e fabrikave, kantiereve, hekurudhave, flota tregtare, flota e peshkimit, subvencionimi i bujqve me naftën kombëtare, etj. Modernizimi i vendit është rruga për krijimin e vendeve të punës dhe jo ulja më tej e rrogës duke prodhuar një spirale varfërie e stres për biznesin ekzistues. Ekonomia dhe Tregu është një e mirë publike sepse i shërben interesit publik, prandaj ai duhet të kontrollohet demokratikisht nga populli e jo nga një oligarki e lobet e huaja si është sot. Pa demokraci politike nuk ka demokraci ekonomike, sepse një shtet me strukturë oligarkike nuk do bëjë kurrë reformat ekonomike që i duhen vendit. Artikuj në lidhje me punën dhe ekonominë http://www.lediandroboniku.com/singlepost/21.html http://www.lediandroboniku.com/singlepost/22.html http://www.lediandroboniku.com/singlepost/32.html http://www.lediandroboniku.com/singlepost/37.html http://www.lediandroboniku.com/singlepost/40.html http://www.lediandroboniku.com/singlepost/43.html http://www.lediandroboniku.com/singlepost/50.html http://www.lediandroboniku.com/singlepost/138.html http://www.lediandroboniku.com/singlepost/223.html http://www.lediandroboniku.com/singlepost/244.html http://www.lediandroboniku.com/singlepost/64.html

Demokraci Pjesemarrese

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked