BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Përse arsimi nuk duhet ti shërbejë tregut, por shoqërisë

Ky artikull ngrihet kundër një dogme dhe prandaj mund të provokojë fillimisht një reaksion natyror tek lexuesit. Por shpresoj që, argumentat dhe analiza të zgjojë një debat kritik se përse përqasja e deritanishme, është e gabuar parimisht dhe praktikisht.

Shprehja se “arsimi duhet ti shërbejë tregut”, duket paqësore dhe si e tillë është metabolizuar lehtësisht, jo vetëm nga njerëzit e thjeshtë por dhe nga profesionistët e fushës. Në fakt, një shprehje e tillë nuk është paqësore, natyrale apo neutrale. Krejt e kundërta. Ajo ka një valencë të lartë ideologjike, pasi merr pozicion të qartë mbi rolin e arsimit, shoqërisë, shtetit dhe tregut. Kjo ideologji njihet si neoliberizëm dhe  synon monetarizimin e çdo aspekti të jetës, homologimin dhe reduktimin e çdo insitucioni me mekanizmat e tregut, si i vetmi entitet i pagabueshëm.

 

Por Kushtetuta e Shqipërisë, që populli shqiptar votoi  me referendum në 1998, dikton një model tjetër të shoqërisë. Kushtetuta shqiptare pranon ekzistencën e tregut por nuk i atribuon atij as rolin dhe as detyrimin për qëllimet e përgjithshme të shoqërisë. Neni 59 i Kushtetutës, i atribuon këto objektiva dhe këtë rol shtetit, sepse ai ndryshe nga tregu nuk ndjek interesin privat por atë publik, jo vetëm interesin momental por dhe interesat afatgjatë. Nga ana tjetër, në  nenin 3 të Kushtetutës, tregu nuk parashikohet si një nga bazat mbi të cilët ngrihet shteti shqiptar. Parimi se sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit (neni 2) do të thotë se metri i legjitimimit është vetëm vullneti i popullit. Por populli e shpreh vullnetin e tij të përgjithshëm vetëm brenda shtetit, si qytetarë të barabartë (një krye një votë). Kurse në treg shprehet vetëm vullneti individual, si konsumatorë e jo si qytetarë, jo të barabartë por të pabarabartë në varësi të fuqisë ekonomike. Normalisht në treg më shumë fuqi kanë 3 super të pasur sesa  3 milionë konsumatorë. Ja pse Kushtetuta i atribuon rolin e mbrojtësit të interesit publik të shoqërisë, shtetit dhe jo tregut. Është tregu që duhet ti përshtatet nevojave të shoqërisë dhe jo e kundërta. Tregu është në vetvete një e mirë publike, por që të mbetet i tillë – ti shërbejë gjithë shoqërisë  (interes publik) e jo një pakice (interes i veçantë) – ai duhet të kontrollohet nga shteti, me kusht që ky i fundit të kontrollohet nga populli sovran. Vetëm kështu ndjekim normën dhe shpirtin e Kushtetutës, kontrata sociale që ky popull i ka dhënë vetes. Vetëm kështu sigurojmë mirëqënie të përgjithshme dhe zhvillim kulturor.

Por përqasja se, arsimi duhet ti shërbejë tregut është jo vetëm antikushtetuese por dhe e rrezikshme praktikisht.

Ideologjia neoliberiste pretendon se tregu është i pagabueshëm dhe prandaj është shteti dhe shoqëria që duhet ti nënshtrohet atij dhe jo e kundërta. Po çfarë ndodh nëse vetë tregu dështon në krijimin e një ekonomie vitale, si është rasti i Shqipërisë dhe vendeve të tjera të botës së tretë? Do të duhet ti përshtatemi nivelit nënoptimal që tregu ka vendosur për shoqërinë?

 

Fatkeqësisht ky është pozicioni që qeveria aktuale (më me forcë se qeveritë e tjera edhe pse e majtë) ka ndërmarrë me ligjin e arsimit të lartë dhe aktet e tjera nënligjore. Pasi tregu ka dështuar në krijimin e një ekonomie moderne, (industrializimin e vendit, prodhimin e vlerës së shtuar, krijimin e vendeve të punës në sasi dhe cilësi) qeveria dikton përshtatjen e arsimit in peius me kërkesat e tregut. Meqenëse tregu nuk ka nevojë për juristë, ekonomistë, kimistë, inxhinierë, fizikantë, doktorë, por vetëm hidraulikë e kasapë, atëherë duhet të zëvendësojmë universitetet me shkolla profesionale, për ta konverguar me tregun. Nuk do ishtë më mirë, që shteti të ndërhynte për ndryshimin e modelit ekonomik nga një koloni importi në një ekonomi prodhimi, nga një ekonomi bllokuar nga interesa oligarkësh në një ekonomi kombëtare, nga fuqizim i shtetit social e jo privatizim të çdo sektori publik e pasurie kombëtare, nga politika deflative në politika ekspansive, industriale, fiskale e monetare?

Sigurisht që po!

Arsimi nuk është ishull më vete, por zhvillohet bashkë me shoqërinë dhe ekonominë e një vendi. Vetëm nëse një vend vendos objektiva të modernizohet dhe industrializohet, atëherë atij i lind edhe nevoja për institute të specializuar dhe kuadro të kualifikuar. Një pritshmëri e tillë pozitive për shoqërinë nxit dhe studentët të formohen për një perspektivë më të begatë dhe për ta. Kjo nuk është vetëm eksperienca historike e industrializimit shqiptar pas “45, por dhe vetë vendeve perëndimore, me rolin aktiv të shtetit në fazat e para të modernizmit dhe industrializimit.

Por qeveritë shqipfolëse, në kundërshtim me Kushtetutën shqiptare, i kanë besuar këtë rol vetëm privatit ose investimeve të huaja. Përballë dështimit total të këtij modeli neoliberist këto 28 vite, padrejtësisë sociale e privilegjeve të një oligarkie, varfërimit material e shpirtëror të përgjithshëm e shpopullim të territorit, a nuk lind nevoja për një përqasje tjetër ndaj ekonomisë dhe arsimit? Aq më shumë që këtë përqasje e kërkon vetë Kushtetuta shqiptare, e cila në nenin 59 të saj, i dikton shtetit të ndërmarrë politika keynesiane drejt punësimit të plotë e jo politika deflative e austerity, si vazhdojmë prej 28 vitesh.

 

Fatkeqësisht shteti dhe ekonomia shqiptare është ngritur kundër Kushtetutës dhe popullit shqiptar, për privilegjet e një oligarkie. Këtu bën pjesë dhe arsimi si çdo sektor tjeter.

Nga ana tjetër ata që duan ndryshimin e këtij modeli, nuk mund të luftojnë duke përdorur ideologjinë e vetë sistemit. Përndryshe nuk dalim dot nga kurthi.

Arsimimi është një e drejtë kushtetuese universale, pra që duhet ti sigurohet çdo qytetari shqiptar, pavarsisht vështirësive ekonomike-financiare. Kushtetuta në nenin 57, vë si kufizim vetëm meritokracinë  (Neni 57/4 “Arsimi i mesëm profesional dhe i lartë mund të kushtëzohet vetëm nga kritere aftësie”). Kushtetuta jonë ka bërë të sajën trashëgiminë kulturore liberal-demokratike evropiane, sepse mendon që përmirësimi i shoqërisë, promovimi i njeriut, kryhet nëpërmjet arsimit e jo parasë, nga dijetarët e jo lekarët. Paraja është fryt i punës dhe dijes dhe jo e kundërta. Vetëm kështu shoqëria ruan forcën e saj vitale për ndryshim e qarkullim të vazhdueshëm. Por nëse lekarët zaptojnë shtetin, politikën, ekonominë, median, shkollën, ata do bëjnë çmos të zëvendësojnë levën e dijes me atë të parasë. Fëmijët e tyre nuk kanë dëshirë dhe nevojë të studjojnë, prandaj dhe kriteri i arsimit duhet të neutralizohet e shkolla të shkatërrohet. Kështu  sistemi ruan status-quon, kurse shoqëri ngec në një moçal, që siguron përfitime për një pakicë e mjerim për shumicën.

Por oligarkia që të vijojë sundimin, ka nevojë ekzistenciale të përmbysë përgjegjësitë e dështimit tek vetë viktimat, tek studentët apo tek mësuesit e jo tek drejtuesit publikë apo privatë.

Ja pse vozisim pro këtij sistemi oligarkik nëse mbrojmë idenë se arsimi duhet ti përshtatet zotrave të tregut. Shkruhet “tregu” por në fakt lexohet “pushteti i një oligarkie” sepse nuk ka treg të lirë pa një shtet demokratik, që kontrollohet nga populli e jo oligarkia.

 

Arsimimi lindi si nevojë për ti dhënë Njeriut, një formim të plotë e jo ta reduktojë thjesht në një makinë në shërbim të prodhimit apo të fitimit. Nuk ka fantazi, krijim e prodhim nëse më parë nuk ka një formim të plotë e të lirë të Njeriut nga ajo çfarë dikton modeli politik apo ekonomik aktual. Me llogjikën neoliberiste, nuk do ishte zbuluar kurrë ndarja e atomit apo formula e ADN e mijëra zbulime të tjera, sepse për ato nuk kishte ende treg. Të njëjtin fund tragjik do të kishin dhe degë dhe aktivitete njerëzore që nuk prodhojnë mall me vlerë monetare, por që kanë vlera shpirtëore. Pasi ajo çfarë na bën njerëzor nuk është vetëm aspekti material por dhe ai shpirtëror, si muzika, filozofia, poezia, historia, promovimi i kulturës, artit të një populli etj si këto. Në fakt janë këto vlerat e vërteta që sigurojnë formimin e njeriut dhe shoqërisë e që më pas mundësojnë zhvillimin edhe të ekonomisë.

Ja pse është shteti e jo tregu, që duhet të udhëheqë arsimimin e një populli dhe zhvillimin afatgjatë të një vendi. Tregu si çdo fenomen tjetër ekonomik, politik, fetar, sportiv duhet të jetë në funksion të shoqërisë dhe brenda shtratit kushtetues.

Ja pse ne si Qytetarë, duhet të bëjmë betejat tona për demokratizimin dhe funksionimin e shtetit, e jo ti dorëzohemi tregut dhe zotrave të tij si konsumatorë. Përndryshe do hedhim ujë në hava sa herë kërkojmë ndryshime tek ata që krijuan dhe përfitojnë nga ky sistem oligarkik, barbar e antishqiptar.

 

Dr. Ledian Droboniku

Tetor, 2018

 

 

 

 

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked