BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Përse nuk shpërthen Revolucioni?

Varfëria dhe padrejtësia janë dy ingredientët e Revolucionit, por nuk mjaftojnë. Njerëzit kanë qenë nën skllavëri e bujkrobëri prej shekujsh edhe pse ngriheshin në revolta. Kurse Revolucioni ka nevojë për një ideologji të lartë, e aftë për të projektuar një botë më të mirë. Në lartësinë  e kauzës duhet të jenë dhe njerëzit pas saj. Revolucionin francez nuk e bënë nipçet e mbretit apo oborrit të tij, por njerëz me ideale të mëdha që frymëzuan një popull të tërë.

Fenomenologjikisht, Revolucioni ndizet nga përplasja e dy vullneteve antagoniste, si shprehej Hegel mbi dinamikën skllav-padron. Iluzioni i vetërealizimit individualist shpërbën këtë dinamikë, duke shkrirë figurën e skllavit dhe padronit në një. Nën sindromën e neoliberizmit krijohet iluzioni se të gjithë mund të jenë “sipërmarrës” të jetës së tyre. Kurse dështimet perceptohen ose si paaftësi personale ose i vishen një entiteti anonim si është tregu.

Ideologjia ka bindur masat se tregu funksionon vetë në mënyrë natyrore. Dhe ndaj natyrës ti nuk mund të rebelohesh por vetëm të përshtatesh. Është natyrore se përse nuk ka punë, se përse janë këto rroga, këto norma interesi, këto çmime etj. Përballë një entiteti metafizik si tregu, nuk krijohen dot dy vullnete antagoniste. Kundër kujt do ngrihesh? Por si thoshte Homeri, është gjithmonë dikush që tërheq fijet edhe pse dora e tij është e padukshme. Në fakt tregu është një fenomen social dhe lind nga ndërveprimi i lirë i operatorëve të ndryshme ekonomikë. Kjo liri cënohet pikërisht sepse nuk vihet nën kontrollin demokratik por nën sundimin e lobeve globale dhe lokale. Dhe dihet nëse një fenomen nuk kontrollohet demokratikisht, ai nuk i shërben interesit të përgjithshëm por privilegjeve private të një oligarkie.

Kështu edhe pse shoqëria ka interesa antagonistë ato nuk arrijnë dot të mishërohen në vullnete antagoniste. Vullneti është atribut i një subjekti, e një krijese që vetëdijësohet për interesin e vet dhe e mbron atë. Entitetet amorfe e pa identitet nuk krijojnë dot një vullnet autonom. Pikërisht në këtë plan punon struktura dhe sovrastruktura e regjimit të sotëm, duke pamundësuar vetëdijësimin e grupimeve të ndryshme shoqërore. Për pasojë kërkesat e tyre nuk arrijnë dot të transformohen në aspirata politike por asorbohen dhe neutralizohen në kanale të padëmshme për sistemin. Ideologjia neoliberiste, ka shkuar përtej kontrollit të trupit – si profetizonte Foucault tek Biopolitika – duke manipuluar psikën e njerëzve nën iluzionin e lirisë. (Psikopolitika e Han)

Nga ana tjetër jetojmë në një epokë ku ka mbaruar koha eskatologjike, drejt një qëllimi. Të rinjtë (Revolucionin e bëjnë të rinjtë si forca vitale e një populli, sepse janë fiziologjikisht të projektuar drejt së ardhmes) rrojnë sot për nesër. Nëse sistemi nuk të lejon dot të ndërtosh një projekt për të ardhmen, efekti që ndodh, është humbja e dëshirës tek të rinjtë për të mos menduar fare për ardhmen, si shprehej nobelisti Amartya Sen.  Ndryshe nga rinia e pas viteve “90, e cila e kishte më të lehtë për të protestuar sepse kishte në serbator akoma aspirata për vendin, ideologjia neoliberiste dhe OJF e Soros-it, mbollën në vend një kulturë fataliste e nihiliste.

Por le ti japim bisedës një natyrë divulgative duke shpjeguar konkretisht qoftë shkaqet me origjinë importi (globalizmi) ashtu si dhe ato tipike shqiptare mbi asfiksimin e revolucionit.

Totalitarizmi i ri neoliberist, instaluar në Shqipëri pas viteve 90, kontrollon të gjithë jetën materiale dhe shpirtërore të vendit. Ai nuk lejon as koagulimin e pakënaqësisë së popullit as përfaqësimin e tyre në një projekt të ri me figura të reja dhe me autoritet moral. Kasta dhe qarku i saj mediatik promovon të njëta receta por mbi të gjitha “përkujdeset” që të promovojë vetëm figura të cunguara të paafta për të përmbysur status quo-n.

Operacioni i njollosjes së gjithë popullit me mëkatet e sistemit, filloi me Berishën (mbi komunizmin të gjithë dhe askush është fajtor) dhe vijon ende sot si valvul për shfryrjen e çdo lloj pakënaqësie popullore. Nomeklatura e “re” për të vijuar sundimin, duhet të merrte mbështetjen e lobeve të huaja si dhe ideologjinë e saj neoliberiste. Demokratura e re neoliberiste, nën petkun e një lirie dhe demokracie formale, nuk mund të fshehë dot kontradiktat e thella të sistemit, si bënte regjimi komunist. Prandaj dhe ajo operon në planin psiqik, duke përmbysur problemet tek vetë qytetarët. Problemi nuk është më sistemi, por vetë qytetarët, votuesit, punëtorët, sipërmarrësit, studentët, konsumatorët që nuk përshtaten dot me sistemin.

Lufta për demokratizimin e sistemit nga poshtë zëvendësohet kështu, me beteja nga sipër për “sensibilizim” të qytetarëve. Kjo strategji totale përfshin jo vetëm partitë-shtet, institucionet akademike e mediatike por falë edhe “punës së palodhur” të qindra OJF-ve. Nëse ky operacion zhvillohet për dekada me radhë nga të gjitha qendrat e rrezatimit të ideve, në fund njerëzit binden vërtet se:

  1. është faji i votuesve pse shesin votën dhe jo partive  dhe lobet që e blejnë atë
  2. është faji i njerëzve që rrinë në kafe dhe prandaj nuk ka punë, dhe jo e  kundërta si ndodh kur shqiptarët emigrojnë e punojnë jashtë.
  3. është faji i bizneseve përse nuk punësojnë dhe jo bllokimi i ekonomisë nga monopolistët e importit dhe pa/fuqia blerëse e njerëzve me rroga afrikane e çmime amerikane.
  4. është faji i studentëve që nuk mësojnë dhe jo kastës që privatizoi, militantizoi e shkatërroi shkollën
  5. është faji i pacientit që korrupton mjekun për të mbetur gjallë dhe jo sistemit vampiresk që kasta mban në këmbë
  6. është faji i shoferave dhe jo karburantit që shkatërron makinat dhe rrugët problematike
  7. është faji i njerëzve përse përmbyten dhe jo indiferenca ndaj kontrollit të territorit nga shteti
  8. është faji i njerëzve përse parkojnë keq, përse bëjnë pis dhe jo për shkak të mungesës së hapësirave dhe infrastrukturës
  9. është faji i konsumatorit që nuk di të zgjedhë produktet e mira dhe jo monopoleve të kancerit ushqimor apo barnave skadente
  10.  është faji i telespektatorëve që ndjekin Çanin dhe emisione denigruese, e jo kasta që promovon banalitetin e vret kulturën
  11. Është faji i të rinjve shqiptarë përse merren me aktivitete kriminale dhe jo mungesës së asnjë alternative për të krijuar një pasuri e një të ardhme për familjen
  12. Është faji i njerëzve përse luajnë lloto e jo mbjelljes në çdo cep pallati të foleve të vesit

Lista mund të vazhdonte më tej, por po kursej kohën e lexuesit. Ajo që është e rëndësishme është efekti i vetëfajësimit që prodhohet tek njerëzit. Kjo sindromë vetefajesimi neutralizon çdo lloj revolte ndaj sistemit duke futur në një kurth psikologjik miliona njerëz. Ja përse kanë aq sukeses shprehjet: “zgjidh të keqen më të vogël”; “Shqipëria nuk bëhet”; “vetë e kemi fajin”; “çdo popull meriton qeverinë që ka”, etj si këto.

Fakti është se Shteti dhe ekonomia është kapur nga një oligarki e cila bën gjasme se lufton mes veti e sundon me rotacion. Në këto kushte e vetmja zgjidhje realiste është receta e kundërt. Ajo e zgjerimit të demokracisë, e zgjerimit të pushtetit të popullit dhe instrumentave vendimmarrës të tij.

Po si mund të kërkojë më shumë pushtet ky popull nëse tashmë është i bindur se faji është pikërisht i tij?

Mbjellja e përçarjes mes të ngjashmëve të dobët shoqërohet me adhurimin për më të fortët, ata që kanë pushtet politik apo ekonomik. Në këtë mënyrë njerëzit do vazhdojnë ta shohin shpëtimin tek partitë. Ata do preferojnë veç të delegojnë pushtetin sesa të kërkojnë të vendosin vetë. Edhe nëse një pjesë humbet besimin tek partitë kjo nuk shoqërohet me kërkesën për vetëvendosje të popullit. Me anë të fak-torit ndërkombëtar, kasta krijon iluzionin se shpëtimi mund të vijë nga “miqtë ndërkombëtarë”. E kështu qarku vicioz vazhdon ashtu si vazhdon dhe spiralja e varfërisë dhe padrejtësisë.

Ajo pjesë (gjithmonë e më shumë) e popullsisë që nuk u beson më përrallave për një jetë më të mirë opton për braktisjen e vendit. Nëse valvula mbetet e hapur, pakënaqësia nuk arrin asnjëherë pikën e vlimit. Edhe ato protesta që bëhen nuk arrijnë të mobilizojnë masast e gjera sepse kanë kuptuar tashmë se ato janë të instrumentalizuara nga partitë, ojf apo njerëzit e vet sistemit.

E kështu sistemi totalitarist, ka arritur të mbysë në djep çdo lloj pakënaqësie ne vend duke mos lejuar që ajo të mishërohet në një projekt të ri revolucionar. Deri tani.

Por historia mëson se asnjë sistem nuk mund të gjënjejë të gjithë e përgjithmonë. Problemet e Shqipërisë së sotme (edhe pse më të theksuara) janë ato të popujve të tjerë nën sundimin e elitave neoliberiste. Kështu që edhe betejat për demokratizim duhet të sinkronizohen me idetë dhe lëvizjet progresiste në Europë, si bënë rilindasit para një shekulli.

Nga ky kurth nuk mund të dilet me sllogane, revolta e fytyra  të sajuara, por me një përpjekje të energjive dhe njerëzve  më të mirë të vendit për të vetëdijësuar popullin për nevojën e demokratizimit të thellë të vendit. Jo demokraci formale bazuar tek një votë fallco 1×4 jet, por për një demokraci thelbësore ku qytetarët marrin pjesë direkt në jetën politike dhe ekonomike të vendit.

Atdheu ynë disponon të gjitha burimet natyrore për një jetë dinjitoze të popullit të tij. Ajo që duhet është konvergimi i këtyre burimeve në një Ekonomi Kombëtare që siguron prodhim, punësim e mirëqënie të përgjithshme. Krej e kundërta nga një ekonomi bllokuar nga monopolistët e importit që vrasin prodhimin dhe punësimin. Nëse kjo ka ndodhur nuk është faji i shqiptarëve, por i një oligarkie që plaçkit pasuritë e vendit dhe e ndan me lobe të huaja. Kjo kastë nuk do realizojë kurrë reformat që i duhen vendit ashtu sikundër nuk do lejojë kurrë pasurimin dhe fuqizimin e pushtetit vendimmarrës të popullit shqiptar.

Ja përse sot Revolucioni i vërtetë është ai politik, duke kaluar për të herë të parë pas 100 vitesh shtet, vendimmarrjen nga partitë tek populli sovran. Fillimi i një ere të re, të demokracisë pjesëmarrëse ku vendos populli, si kishin ëndërruar rilindasit dhe të gjithë patriotët që besuan e luftuan për këtë vend.

—————————–

 

Dr. Ledian Droboniku

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked