BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Përse politikanët e tranzicionit nuk i japin dot fund tranzicionit?

Pavarsisht furisë së mediave mbi manovrat e kësaj klase politike, pak shqiptarë besojnë se ato po bëhen për të mirën e vendit e jo për interesa personalë e klientelarë. Politika ka hequr dorë prej interesit publik dhe është bërë autoreferenciale. Rritja e partisë propagandohet si rritje e Shqipërisë.

Por nëse media po humbet ngadalë forcën e saj bindëse, kasta nxjerr nga mëngët e veta “intelektualët organikë”. Ata që gërrmojnë në historinë e mendimit filozofik për tu mbushur mendjen shqiptarëve, se të renë nuk e sjellin të rinjtë por të vjetrit, se nuk u duhet besuar të “virgjërve” në politikë por ustallarëve të zanatit.

 

Nuk e di se çfarë koncepti kanë këta personazhe për Politikën, atë të Platonit si “arti sublim” në shërbim të komunitetit apo atë makiavelist në shërbim të pushtetit. Duhet një pandershmëri e madhe intelektuale, që tu presësh hovin atyre qindra të rinjve që u ke dhënë mësim si  dhe mijëra të tjerëve diplomuar jashtë e brenda, që duan të kontribuojnë për vendin e tyre.

Por thjesht e reja nuk mjafton. Nuk duhet të jesh filozof, por dhe thjesht bujk për ta kuptuar se për një prodhim të mirë, duhet të jetë e pastër jo vetëm fara  por dhe ara ku e hedh. Këto energji të reja dhe të pastra që disponon kombi, nuk mund të hidhen në kanalet e kësaj politike dhe këtyre partive. Ato janë kanale ku qarkullojnë fundërrinat e vendit, vrasës, kriminelë, hajdutë, oportunistë, militantë e injorantë.  Ajo është “parajsa” e tyre kundërmuese  dhe ferri i miliona shqiptarëve.  Kanalet e kësaj piramide duhen përmbusur e jo ta lartësohen duke sakrifikuar në altarin e saj mijëra të rinj e të reja.

Të rinjtë nuk hyjnë në politikë si copa mishi për topat e partive dhe brigadave plaçkitëse. Të rinjtë (jo ata biologjikë) hyjnë me ide të reja dhe një strukturë të re e aftë ti realizojë këto ide. Pa këtë organizim në gjendje të sfidojë të kaluarën e errët, zor se populli do të bindet për një botë të re. Asksush nuk e prish banesën e vjetër, edhe nëse është hale, nëse nuk bindet se është e mundur që të ndërtojmë një shtëpi të re.

Ky pra është misioni i të rinjve: organizimi i energjive të reja në një alternative të re. Kjo është dhe frika e kastës. Ajo do përpiqet të përdorë të rinjtë si trapiantë të së vjetrës duke u çirrur në televizion me slloganin  “të rinjtë në politikë”.

Por kësaj here nuk do ketë sukses!

Shqipëria sot,  nuk gjendet në të njëjta kushte si në vitet “90, ku të vetmit të arsimuar ishin ata të formuar pranë partisë. Shqipëria ka sot mijëra intelektualë me formim perëndimor, të mjaftueshëm për të ndërtuar 10 Shqipëri. Por rrugët për aty janë bllokuar nga pushtetarët e tranzicionit dhe intelektualët në shërbim të tij, ata që janë nëpër dhjetëra borde duke kushtëzuar jetën e cilido.

Kësaj kaste po i rrëshqet toka nën këmbë. Ata kuptojnë që modeli i tyre nuk mban më. Ku model shkakton jo vetëm padrejtësi, por dhe varfëri materiale e shpirtërore për miliona shqiptarë. Por kasta, nuk do të humbasë privilegjet, miliarda euro, resorte, toka, biznese, katedra e media. Ajo çfarë mund të bëjë është të kontrollojë metamorfozën e sistemit. Të ndryshojë edhe një herë fasadën, pa ndryshuar thelbin  dhe shërbyesit e saj si bëri 27 vite më parë.

Pyetja është nëse duhet ta hamë përsëri sapunin për djath?

Të presim që revolucionin do e bëjnë oborrtarët e mbretit?

Të besojmë se arktitektët, zbatuesit dhe përfituesit e këtij sistemi privilegjesh, do duan papritur ta ndryshojnë atë?

Iluzion!

Kjo pamundësi nuk qëndron vetëm në sferën konjitive por dhe atë volitive. Sistemi është rrjet influencash reciproke e nuk mundesh një ditë të bukur ta ndryshosh atë. Nëse e ke bazuar “sukesin” politik falë monopoleve ekonomike, a mund që të nesërmen të bësh politika ekonomike në favor të popullit?

Nëse je “rritur” falë bashkëjetesës me botën e krimit, a mundesh që të nesërmen thjesht ti mohosh ata?

Nëse je pompuar prej mediave shushunja a mundesh të nesërmen të luftosh për të drejtën e informimit apo konkurrencës?

Nëse u rrite falë besnikërisë së verbër të oportunistëve, militantëve dhe injorantëve, a mund që nesër të bazohesh tek ata që kanë merita dhe ndershmëri intelektuale?

Nëse mbështejta jote vjen prej lobeve transnacionale që grabisin pasuritë e vendit, a mund që të zgjohesh e të bësh politika ekonomike patriotike?

Nëse ke vjedhur, ke shpërndarë, je tashmë i shantazhuar se llogaritë bankare janë gjithmonë të kontrollueshme.

Popullit thotë: “më thuaj me kë rri të them se kush je!”

Politika ka vetëm një bankë: BESIMIN! Dhe kjo kastë e ka humbur dhe shpërdoruar këtë besim.

E pra edhe nëse do të donin, kasta e tranzicionit thjesht nuk ka mundësi të na nxjerrë nga tranzicioni. E kaluara të kushtëzon, njeriu ka memorie dhe identitet. Po ashtu dhe populli. Ai mund të manipulohet, por jo plotësisht dhe përgjithmonë, si thotë Habermas, sepse gjuha ka strukturë të hapur dhe njeriu ka natyrë zhbiruese.

Pas 100 vitesh regjimesh autokratike, Populli shqiptar meriton një sistem me të vërtetë demokratik, një sistem që siguron liri dhe mirëqënie për të gjithë. Forca për të ngritur një sistem të tillë duhet të bazohet vetëm në popull, tek ata që vuajnë këtë sistem privilegjesh vetëm për një pakicë. Prandaj duhet një sensibilizim për të krijuar një masë kritike që të dëshirojë e mundësojë ndryshimin. Mbështetje tek biznesi i vogël i cili vuan këtë sistem ekonomik, ngritur mbi monopolet dhe importin, që paralizon prodhimin vendas. Tek studentët që po kuptojnë se diplomat e tyre nuk do kenë vlerë në një ekonomi primitive e banale. Tek mijëra profesionistë të lirë, mjekë, arkitektë, juristë, artistë etj që shohin sesi sistemi godet meritokracinë e fitimin e padrejtë përqendruar në pak duar. Tek diaspora e madhe shqiptare, që pret me mall normalizimin e Shqipërisë dhe rreshtimin e saj përkrah vendeve perëndimore, si ndër popujt më të vjetër dhe origjinalë të kontinentit.

Sfida ka qenë dhe është vetëm një: organizimi i një projekti të ri me energji e njerëz të rinj, që dinë ti japin fund natës artificiale, që dinë të largojnë retë e zeza e të sjellin shkelqimin mbi këto troje të pasura e të dlira.

Punojmë pra për Shqipëri, për demokraci politike dhe ekonomike!


Dr. Ledian Droboniku

Aktivist ShqipON

 

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked