BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Pse rrëzuan shkollën?

Pa pretenduar se një shkrim mund të shterojë të gjitha problematikat e arsimit shqiptar, të paktën mund të hedhë dritë në disa prej tyre.
Këto problematika mund të kuptohen vetëm nëse merren të ndërlidhura me njëra tjetrën dhe jo të ndara sikur të ishin sporadike dhe segmentare.

Pra përqasja duhet të jetë olistike duke kuptuar sistemin dhe nënsistemet brenda tij si politika, ekonomia, shoqëria etj. Nga ana tjetër, ata që mendojnë se do normalizojnë arsimin pa kthyer politikën në shërbim të qytetarëve, pa rrezuar monopolet e importit që mbajnë eknominë në nivele primitive, ose janë naivë ose shërbëtorë të këtij sistemi oligarkik.
Në pamundësi këtu për të trajtuar anomalinë politiko-ekonomike, kufizohemi në shpjegimin e themeleve mbi të cilat ngrihet rendi juridik shqiptar, pra Kushtetuta e Republikës. Pa kuptuar vlerat themelore të Kushtetutës, çdo lloj diskutimi dhe analize del i përmbysur, si fatkeqësisht ndodh në këto anë prej kohësh.
Cili është vizioni i Kushtetutës shqiptare në këtë drejtim?
Kushetuta e aprovuar nga populli shqiptar me referendumin e 1998, bën të sajën trashëgiminë kulturore evropiane, ngritur mbi shinat e liberalizmit dhe demokracisë. Parësore për të nuk është më ndonjë objektiv metafizik (si ishte ndërtimi i marksizëm-leninizmit, apo sot integrimi në strukturat euroatlantike) por garantimi dhe promovimi i të drejtave dhe lirive themelore të Njeriut. Realizimi i këtyre të drejtave përbën dhe metrin e legjitimitetit të Republikës demokratike shqiptare.
Pyetja në rastin konkret ngrihet pikërisht në formën: <<A është garantuar e drejta e studimit në Republikën e Shqipërisë>>?
Kjo nuk është një pyetje e thjeshtë nëse më parë, nuk biem dakord se çfarë do të thotë e drejta e studimit.
Kjo ide i ka rrënjët në Revolucionin francez, që krijon Republikën, si një sistem i formuar nga poshtë, ku ka në qendër Qytetarin. Trasformimi i individit nga një atom i izoluar në qytetar, mund të bëhej vetëm me anë të shpërndarjes së dijes në mënyrë universale. Garant për këtë dilte Republika, jo vetëm për të krijuar bazën politike por dhe atë ekonomike, pra një mobilizim material dhe shpirtëror të energjive të kombit.
Kjo i vinte për shtat jo vetëm demokracisë, por dhe ideologjisë liberale e ngritur mbi konkurrencën dhe shanset e barabarta, ndryshe nga një botë e ngritur mbi privilegjet statike të fisnikërisë. Pra duhej që çdokujt sipas meritës ti jepej shansi për tu realizuar dhe kontribuar maksimalisht për Respublica. Në këtë mënyrë arsimi universal, do të shërbente për të ekuilibruar pabarazinë, dhe përqendrimin e pasurisë, që krijon tregu. Ky vizion liberal-demokratik, u bë pjesë qendrore e kushtetutave evropiane ngritur mbi shtetin social, pra ekuilibrim mes drejtësisë sociale dhe pabarazisë së ekonomisë së tregut.
Nëse do shpreheshim me fjalët e revolucionarëve francezë: “Republika garanton që edhe djali i një karrocieri të bëhej mjek nëse arsimohej, me kusht që edhe djali i mjekut të bëhej karrocier nëse nuk kishte talent”. Ky mobilitet i shoqërisë do evitonte kënetizimin e saj, sepse rigjenerohej përherë me forcat e saja më pozitive. Por arsimimi universal duhet të ishte edhe vaksina kryesore kundër përqendrimit të pushtetit politiko-ekonomik, kundër krijimit të oligarkive të përjetshme që e mbajnë pushtetin brenda një rrethi të ngushtë dhe hermetik.

Besoj se ky është çelësi për të lexuar realitetin shqiptar, pra a realizoi populli shqiptar demokratizimin e vendit, apo kaloi në një sundim të ri, nga një oligarki komuniste në një oligarki elitiste neoliberiste?
Deri tani problemi i arsmit, është trajtuar në çelësin e korrupsionit dhe jo atë të kapjes së shtetit dhe institucioneve. Por nëse diagnoza është e gabuar dhe terapia del e dështuar ashtu sikundër kanë qenë të gjitha pseudo-reformat në këto vite. Kapje e shtetit do të thotë që institucionet publike nuk i shërbejnë më interesit publik por një grupi të caktuar, pavarësisht konformizmit formal me ligjin. Nëse pranojmë që edhe arsimi, është kapur nga kasta nëpërmjet privilegjeve dhe shantazhimeve reciproke, parësore del çlirimi i tij, pastaj reformat kozmetike.
Është kështu e udhës që të shtrojmë një diskurs normativ dhe një diskurs faktik. Pra a do kishim më në fund një shtet të së drejtës ku kushtetuta formale dhe materiale do të përkonin, apo do vazhdonim me mendësinë komuniste, ku istanca politike i mbivendosej istancës juridike.
Oligarkia politiko-ekonomike e tranzicionit, e krijuar me zaptimin e institucioneve dhe pasurisë, falë terapisë shock, duhej me çdo kusht të ruante privilegjet fillestare. Pengesë kryesore për këtë përbënte arsimimi. Nëse oligarkët zaptuan ekonominë dhe politikën, ata dhe fëmijët e tyre nuk mund ti mbanin gjatë këto privilegje, nëse nuk do pajiseshin formalisht me titujt e studimit. Dhe kështu parlamenti, institucionet por dhe ekonomia u mbush me lekaristë të certifikuar. Nomenklatura e ricikluar kishte kuptuar kohë më parë se, nuk mund të sundosh gjatë nëse nuk vë kulturën dhe edukimin nën kontroll. Vetëm se ky kontroll, tani nuk mund të ishte kaq i dukshëm sa të shkaktonte revoltën e masave.
Totalitarizmi neoliberist, ndryshe prej totalitarizmave të tjerë, nuk e ndalon hapur një fenomen, por e netutralizon, duke e relativizuar dhe degraduar ngadalë atë. Nuk pengon arsimin për masat, por e bën të pavlerë duke e zëvendësuar me çertifikimin. Degradimi i cilësisë së studimit do balancohej me lehtësirat për prodhimin e çertifikatave.
Loja ishte bërë. Lufta vertikale ndaj një pushteti që mbjell varfëri e pabarazi, ishte trasferuar në luftë horizontale mes të mjerëve të pajisur me çertifikatë por pa dije. Kompromentimi në shkallë kombëtare i sistemit të vlerësimit objektiv, i jepte dorë të lirë kastës të vendoste subjektivisht për jetët e githë secilit (studentë, docentë, e profesionistë kudo). Tashmë Shqipëria renditej mes Etiopisë dhe Kamboxhas për cilësinë e studimit.
Propaganda do përkujdesej në fund, që fajin për këtë degradim, t’ua kalonte vetë studentëve, sepse këta paskëshan preferuar çertifikatat dhe jo arsimimin. Të prekur psikologjikisht, nga induktimi i vetëfajësismit, asnjë student nuk mund të protestojë, veç të pranojë realitetin e hidhur dhe të gjejë shpëtim, pikërisht tek arkitektët e sistemit, partitë-shtet. Ajo çfarë ka rëndësi është se, “sukesi” në ekonomi, politikë e çdo profesion, nuk do varej nga arsimimi, nga talenti, por nga “bujaria” e kastës dhe nevoja e saj për të përjetësuar specien e vet. Jeta do vazhdohej të rregullohej jo me anë të së drejtës, por raporteve të forcës, si kishim eksperimentuar gjysëm shekulli diktaturë.
Po si u realizua kapja dhe degradimi i shkollës?
Në kundërshtim me Kushtetutën formale, që kërkon autonominë organizative dhe financimin publik, për të ruajtur shkollën prej ndërhyrjeve të pushtetit shtetëror dhe lobeve ekonomike, ajo që ndodhi ishte krejt e kundërta: kontrolli politik dhe privatizimi i financimit.
Shkolla nuk u vu kurrë në në shërbim të Republikës por partisë. Politika u përkujdes që rekrutimi i docentëve në të gjitha nivelet të kalonte nëprëmjet emisarëve të partisë. Efekt i kësaj nuk është thejsht vrasja e meritokracisë, por prodhimi i studentëve të nënshtruar nëse donin të kishin “sukses në jetë”. Kjo lloj rrace docentësh nuk mund të trasmetojnë dot dijen por mësojë bindjen ndaj pushtetit. Mekanizmi tashmë është vënë në jetë dhe riprodhohet vetë, me studentë të nënshtruar që nesër do jenë docentë apo intelektualë të nënshtruar. Sprialja e servitetit do i zinte vendin përsëri spirales së talentit. Shpura e docentëve injorantë e militantë, tashmë janë shumica dhe vendimarrëse për jetët e shkollave apo universiteteve. Kudo përhapen ide pro sistemit, paevitueshmëria e tij, pranimi i realitetit kur mundet ose në të kundërt të fajësohet populli, stigmatizohet demokracia, trumbetohet hipokrizia e konkurrencës dhe magjia e sistemit elitist neoliberist etj.
Nënshtrimi tjetër ishte ai ndaj raporteve të forcës ekonomike dhe llogjikës së tregut. Shkolla nuk ishte më një vend neutral, ku socializohet, trasmetohet dija e vlerësohet në mënyrë të pavarur nga influencat e jashtme. Futja e llogjikës së tregut me anë të ligjit të ri mbi arsimin e lartë, kurorëzoi këtë proçes antirepublikan përgjatë tranzicionit. Rrudhja e buxhetit dhe rritja sistematike e tarifave të studimit, përbën një dhunim të Kushtetutës ku në nenin 57 të sajën pranohet kufizimi në arsim, vetëm për shkak të aftësisë dhe jo barrierave ekonomike. Arsimimi në këtë mënyrë humbet dhe funksionin origjinal të tijin, atë të balancimit të pabarazisë ekonomike dhe mobilitetit të pozicioneve në shoqëri. Pozicionet e larta në ekonomi, politikë, profesione do vazhdojnë të mbeten në duart e një kaste hermetike autoreferenciale.

Por cilat do të ishin disa prej reformave për kthimin e shkollës në shtratin kushtetues?
Nëse pranojmë se kapja dhe jo thjesht korrupsioni është gangrena e shkollës, natyrisht zgjidhja do të ishte çlirimi i saj prej kastës, zëvendësimi i mekanizmave të oligarkisë me institucione të demokracisë direkte. Kjo do të thotë të paktën për Universitetet, që organet drejtuese të tij, dekanë e rektorë të zgjidhen drejtëpërsëdrejtë prej studentëve, dhe jo më nga shteti apo docentët në një qark vicioz e kompromentues.
Universitetet nuk u krijuan për të strehuar docentët por për të formuar studentët. E gjithë jeta e Universitetit duhet të ketë në qendër studentin si Republika ka qytetarin. Zgjedhja e organeve drejtuese (jo docentët sepse do kishim konflikt interesi) duhet të bëhet në mënyrë direkte (election day) dhe jo nëpërmjet përfaqësuesve të studentëve. Këto organizma të ndërmjetëm kanë shërbyer si kalë troje nga partitë dhe docentët e tyre militantë për të kontrolluar që në gjenezë kërkesat e studentëve. Në krye të universiteteve shqiptare do zgjidheshin intelektualë të talentuar që kanë ditur ti qëndrojnë larg influencave radioaktive të partive politike.
Problemi i financimit publik duhet të bëhet në radhë të parë trasparent në rang kombëtar. Deri më sot dhënia e bursave bëhet në mëyrë të errët nga disa subjekte, si bashkitë apo vetë fakultetet. Duhet në mënyrë urgjente të krijohet një agjensi kombëtare e bursave që të publikojë online të gjithë proçesin si, buxheti akorduar nga ministria, kushtet e bursimit, emrat e fituesve së bashku me notat e tyre dhe gjendjen pasurore. Pa u bërë kjo, financimi do shkojë për hordhitë e militantëve dhe injorantëve, por jo atyre që e meritojnë dhe nuk kanë kushte ekonomike. Tarifat e studimit duhet të jenë në përputhje me mesataren e vendeve evropiane dhe nuk duhet të kalojë shumën e një rroge minimale që ekziston sot në Republikën e Shqipërisë. Futja në borxh e studentëve i detyron ata të punojnë si skllevër në vend që ti dedikohen studimit. Kjo lehtëson punën edhe të docentëve injorantë që japin notat me bujari e kusari.
Për t’iu kthyer zaptuesve të katedrave universitare, armatës së pedagogëve fabrikuar këto vite si eunukët e partisë. Mediokriteti i tyre mund të zhduket fare lehtë, falë publikimit online të leksioneve dhe seminareve prej tyre. Përballë kritikës së publikut shqiptar që paguan taksa e tarifa, rreth 80% e këtyre docentëve injorantë do linin vetë punën duke hapur vendin për intelektualë të vërtetë që sot dergjen rrugëve. Kasta dhe partitë politike do të humbisnin oficerët e tyre që mbajnë në këmbë këtë sistem pervers, intelektualët organikë, ata që përgatisin skllevërit e sistemit për vazhdimin e privilegjeve. Shkolla do merrte frymë, Shqipëria do gjente forcën dhe energjinë pozitive që kaq shumë i ka munguar.
Kuptohet që këto reforma nuk do ndërmerren kurrë nga kasta e tranzicionit, por mund të shërbejnë si udhërrefyes për çdo lëvizje studentore që do të rikthejë Universitetin në shërbim të Republikës dhe ekonomisë kombëtare.
Nëse studentët nuk vendosin dot për Universitetet si vallë do të mund të vendosin fatet e një vendi, që pret kontributin e tyre prej kohësh?

 

PhD, Ledian Droboniku
Docent i së drejtës kushtetuese

 

 

 

 

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked