BEGIN TYPING YOUR SEARCH ABOVE AND PRESS RETURN TO SEARCH. PRESS ESC TO CANCEL

Qeveria socialiste, qeverisja neoliberiste

Formatimi i qeverisë Rama 2, dëshmon se maska e kastës po gërryhet përditë duke nxjerrë në pah fytyrën e vërtetë. Ndryshe nga ajo që propaganda paraqet, qeverisja e vendit nuk vendoset nga vullneti i popullit sovran, por nga ofiçinat e lobeve dhe klerit neoliberist instaluar në vend.

Shqiptarët po kuptojnë ngadalë se Shqipëria nuk ka parti të majta apo të djathta, por brigada që ndjekin recetat neoliberiste prej 27 vitesh. Receta që financohen nga Soros dhe shiten si studime prej dishepujve neoliberistë shqiptarë. Një studim i tillë – http://www.gazetatema.net/2017/08/26/babeli-i-administrates-shteti-i-1001-vulave-dhe-drejtoreve-te-rames/ – vjen prej UET që sugjeron zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve, nëpërmjet “një shteti të vogël”. E njëjta recetë që zbatoi dhe partia “demokratike” me pasoja katastrofike për shtetin dhe ekonominë shqiptare.

Nuk është e vështirë të kuptosh se përse nën sundimin e neoliberizmit,  “lulëzojnë” vetëm intelektualë neoliberistë. Njësoj si dikur me klerin komunist,  edhe sot vendi është i privuar prej intelektualëve disidentë. Ndonëse duken sikur “kritikojnë” sistemin, në fakt ata nuk vënë kurrë në diskutim themelet e tij të kalbura.

Problemi real i vendit, nuk është se ka një shtet të madh apo të vogël, por se nuk ka aspak një shtet në përputhje me Kushtetutën e vendit. Shteti lind për të mbrojtur interesin publik, të drejtat e qytetarëve të tij dhe jo si një aparat që siguron privilegje një kaste.

Kushtetuta nuk dikton një shtet të madh apo të vogël, por ajo dikton objektivat dhe garancitë për të gjithë qytetarët. Pra, madhësia e aparatit shtetëror nuk është qëllim në vetvete por mjet për realizimin e këtyre objektivave, të drejtave dhe lirive. Kushtin që i vë Kushtetuta shtetit aparat, si ndarja e pushteteve (neni 7) dhe tokëzimi i tij me vullnetin e popullit sovran (neni 1 dhe 2), bëhet pikërisht për mos devijimin e tij si garant i këtyre të drejtave. Të përmbysësh këtë vizion duke kthyer mjetin në qëllim është një alarm për jetën e çdo qytetari shqiptar.

Neoliberistët e vetëquajtur “liberalë”, ndonëse nuk mund të fshehin dot dështimin e shtetit shqiptar, në të njëjtën kohë anatemojnë të vetmen zgjidhje që është: zgjerimi i demokracisë.

Rritja e rolit të qytetarëve në kontrollin e shtetit dhe adresimit të politikave ekonomike e sociale, pretendohet se pengon funksionimin e mekanizmave të tregut (kupto peshën e lobeve ekonomike dhe mediatike). Është kjo arsyeja se përse në asnjë prej “kritikave” të “liberalëve” shqiptarë nuk përmendet asnjëherë zgjerimi i demokracisë pjesëmarrëse. Populli duhet ti rrijë larg politkbërjes dhe të shohë veç punët e tij private. Ai mund veçse të votojë një nga ofertat fabrikuar nga kasta, por pa përcaktuar dot fatet e tij nëpërmjet referendumeve apo nismave popullore ligjvënëse. Vizioni që kanë këta dishepuj, është ai i një demokracie hidraulike, ku populli majftohet një herë në katër vjet të votojë e ti delegojë pushtetin një elite. Por si pranon dhe Schumpeter, në mungesë të një elite virtuoze, ky sistem kthehet lehtësisht në oligarki. Ky është pikërisht rasti shqiptar, ku një oligarki politike (organizuar rreth partisë-shtet) është në simbiozë me monopolet ekonomike e mediatike.

Këta lloj pseudo-liberalësh, harrojnë se liberizmi i shfrenuar i ndarë nga demokracia thelbësore, fundosi kapitalizmin në 1929 dhe rriti konflitualitetin social dhe ndërkombëtar, deri në lindjen e fashizmit dhe luftrave botërore. Eksperienca e mëvonshme e vendeve perëndimore provoi se liberalizmi mund të funksionjë vetëm në një martesë me demokracinë. Tregu nuk është rregullator por çrregullatori më i madh i shoqërisë dhe qytetarëve të një shteti. Prandaj, tregu konsiderohet jo si pronë e dikujt por si një e mirë publike, që duhet t’iu shërbejë të gjithëve dhe jo vetëm një pakice që iu imponohet interesave të shumicës.

Është kjo arsyeja se përse shteti dhe jo tregu, del garant i qytetarëve të një kombi që duan të jetojnë së bashku. Që kjo të ndodhë ai nuk duhet të kontrollohet nga “zotërit e tregut” por nga populli sovran që i jep jetë tregut. Vetëm një treg i kontrolluar demokratikisht, talenti dhe konkurrenca nuk mbeten një utopi. Nga ana tjetër, të drejtat dhe liritë e qytetarëve, nuk falen nga duart apo elitat magjike, por nga fakti nëse qytetarët kanë instrumenta juridikë për ti garantuar këto. Nëse të gjitha këto instrumenta i ka në dorë një kastë, jeta dhe liria e cilido në vend është e rrezikuar. Edhe e atyre që shkruajnë e mbrojnë këtë sistem të kalbur.

Përkundrejt alergjisë që kanë nga demokracia, kleri neoliberist përdor vetëm koncepte tregu si efiçenca, privatizimi apo konkurrenca. Sikur shteti të ishte një biznes privat. Realizimi i objektivave kushtetues si arsimi, shëndetësia, punësimi, në fillim duhet të jenë efikas e mandej efiçentë. Domethënë të realizojnë realisht detyrimet e një Kushtetute, që populli sovran votoi me referendum. Spitalet, shkollat, garantimi i drejtësisë, kurimi i kulturës, artit, sportit etj nuk krijohen për të nxjerrë fitim por për të pasur një shoqëri më të mirë e më të zhvilluar.

Instalimi i terapisë shock prej Pashkos e më tej nga të gjitha qeveritë shqiptare me bekimin e lobeve ndëdrkombëtare, prodhoi një kapitalizëm kanibalesk. Pasuritë kombëtare të mjaftueshme për një jetë dinjitoze dhe sektorët strategjikë iu dhuruan lobeve. Papritur kaluam nga një ekstremizëm të majtë në një ekstremizëm të djathë. Nomenklatura dhe elita komuniste u kthye në një elitë kapitaliste neoliberiste, duke ruajtur privilegjet falë dhe mbështetjes së lobeve transnacionale që i dhuroi asetet e vendit. Trasformimi nga një ekonomi prodhimi në një ekonomi importimi, krijon domosdoshëmirisht monopole në ekonomi dhe oligarki në politikë që të garantojë këto privilegje. Si pasojë, në vend nuk u krijuar dot një borgjezi prodhimi dhe as një shtresë e mesme garante e një demokracie funksionale. Vendi u nda në ata që lundrojnë në luks dhe ata që zvarriten për mbijetesë apo bëhen endacakë nëpër botë. Me këtë varfëri materiale dhe arsimore, askujt nuk i bie ndërmend të merret me çështjet publike duke trasformuar varfërinë në skllavëri të një pakice të organizuar në lobe dhe parti. Në realitet është kjo pakicë që influencon politikën dhe jo masat e rreshtuara pas premtimeve boshe.

Ata që duan të zgjidhin problemet politike duke bypasuar ato ekonomike, janë në rastin më të mirë të verbuar nga retorika neoliberiste. Trasformimi nga një ekonomi që i shërben një pakice në një ekonomi që sjell përfitime për të gjithë, nuk mund të bëhet kurrsesi pa rolin e vetë qytetarëve të vendit. Ja përse, demokratizimi i politikës është i lidhur ngushtë me demokratizimin e ekonomisë.

Beteja e rremë që bën kasta me korrupsionin është një tjetër shashkë për të përgjithësuar dhe relativizuar problemin real të vendit që është kapja e shtetit, si e kam shpjeguar në një artikull të mëparshëm – http://levizjashqipon.org/lajme/pse-nuk-e-ka-fajin-korrupsioni/

 

Por përsëri, privatizimi nuk mund të jetë kurë ndaj një kaste të korruptuar dhe shteti jo ligjor. Nëse kjo kastë e korruptuar përdor de facto si pronë private shërbimet publike, privatizimi i tyre edhe de iure ngre në sistem dhe legjitimon korrupsionin dhe padrejtesine. Një shërbim publik i korruptuar mund të luftohet nëpërmjet rritjes së kontrollit demokratik të qytetarëve, kurse privatizim i tij legalizon padrejtësitë dhe lë pa shërbime miliona qytetarë të varfër. Mjafton të shohësh atë që ndodh me privatizimin e shërbimeve spitalore, arsimore, naftës, minierave, kolaudimin e makinave, siguracionet etj. Një popull i tërë i martorizuar nga padrejtësitë e “të fortëve” me liçenca legale.

”Studimi” çilist, anatemon çdo lloj angazhimi shtetëror në garantimin e të drejtave sociale si relike komuniste dhe jo si prerogativa të kushtetutës liberal-demokratike ende në fuqi. Si vendi me padrejtësinë më të madhe sociale, (si pranon dhe Banka Botërore), kjo kastë ka shkelur nenin 3 të Kushtetutës shqiptare, që vë në bazë të shtetit shqiptar, pikërisht drejtësinë sociale për ruajtjen e dinjitetit të njeriut. Kjo padrejtësi në pasurinë e vendit, jo vetëm që prish kohezionin social, por si shpjegon në mënyrë magjistrale Keynes apo së fundmi Piketty, pengon pikërisht zgjerimin e ekonomisë. Shpërndarja jo optimale e burimeve, ndalon qoftë investimet ashtu dhe kërkesën agregate të brendshme. Vendi qendron në një ekulibër 10 fish nën potencialin e tij prodhues. Ajo pak pasuri grumbullohet e qarkullon vetëm në pak duar. Me kaq shumë pasuri kjo kastë nuk ble vetëm votën e të mjerëve, por dhe trupin si dëshmon përhapja e prostitucionit për të gjetur punë në administratën shtetërore apo dhe në privat.

Mesa duket dhe psikorama, duke shkelur programin politik të 2013 – http://levizjashqipon.org/lajme/analize-mbi-programin-dhe-deshtimet-e-rilindjes-mavi/ – vijon të njëtin kurs neoliberist e antikombëtar si paraardhësit e tij këto dekada tranzicioni. Shkrirja e ministrisë së integrimit, dëshmon dhe arkivimin e shashkës 27 vjeçare të integrimit evropian. Kjo kastë as nuk e dëshiron integrimin, por e përdori për tu legjitimuar përpara popullit dhe anestizuar pakënaqësinë sociale me premtime të një proçesi pa fund. Po në këtë drejtim shkon dhe shkrirja e ministrisë së ekonomisë me atë të financës. Në kohën kur Shqipërisë i duhen politika industriale dhe orientim të faktorëvë prodhues për të ngritur vendin, kasta redukton shtetin në rolin e një gjobvënësi për të mjerët e garant për monopolistët.

Çdo fenomen evoluon për mirë apo për keq. Modeli politiko-ekonomik që kasta e tranzicionit instaloi, po thellon varfërinë dhe konfliktualitetin social nga viti në vit si një spirale drejt humnerës.

Ja përse, zgjidhja e vërtetë nuk është evolucioni por Revolucioni, duke shkulur nga themelet këtë kastë dhe privilegjet e saj. Vetëm demokratizimi i vendit, pajisja e qytetarëve me instrumenta vendimmarrës mund të sjellë normalizimin e vendit, nga ku mund të evoluojmë ekonomikisht dhe shpirtërisht si çdo popull tjetër evropian.

———————————

Përgatitur nga Dr. Ledian Droboniku – aktivist ShqipON

 

 

Leave a comment

Please be polite. We appreciate that. Your email address will not be published and required fields are marked